Prof. Albert Frashëri: Tё mos harrojmë dhe të lartёsojmё Rilindjen Kombёtare dhe Humanizmin Shqiptar

156
Sigal

Rilindja së bashku me Lidhjen e Prizrenit dhe Humanizmin shqiptar përbëjnë thelbin e Universit filozofik e Kulturor të kombit

– Njerëzit më të ndritur të kombit formohen nën ndikimin e kulturës, traditave e historisë kombëtare

­ Diagrama e shkencëtarit Cavalli Sforza vendos në vend të parë gjuhën shqipe me 10.000 vjet p.K dhe armenishtja me 9.000 vjet p.K

Prof. Albert Frashëri

Historia ka disa ligje të pashkruara, në krye të të cilëve qëndron parimi moral i të vërtetës. Në rastin e Rilindjes Kombëtare dhe rolit të vëllezërve Frashëri nuk ka asnjë arsye për të vënë në dyshim përmbajtjen, apo identitetin e figurave të saj. Në evolucionin e njerëzimit në shumë raste historia është fallsifikuar duke manipuluar dhe interpretuar të vërtetën historike sipas interesave të errëta. Po sjell një shëmbull nga koha jonë. Para dy vjetësh, një mik nga Kanadaja (Saint George University of Toronto) më solli një artikull të tij, botuar në Angli, ku citonte një tabelë për lashtësinë e gjuhëve nga libri “Genes, Peoples and Languages” (Neu York, Penguin Books, 2001) të autorit Luigi L. Cavalli Sforza. Ky autor është themeluesi i mirëfilltë i arkeokulturës. Në këtë libër ai analizon evolucionin dhe zhvendosjet krahinore të geneve, prej nga dedukton lashtësinë e gjuhëve. Janë, natyrisht, studime komplekse. Rezultatet e tija përputhen me studimet e gjuhëtarëve më të shquar të dy shekujve të fundit që konsiderojnë shqipen dhe armenishten si gjuhët më të vjetra të grupit indoeuropian. Diagrama e shkencëtarit Cavalli Sforza vendos në vend të parë gjuhën shqipe me 10.000 vjet p.K. Më pas, vjen armenishtja me 9.000 vjet p.K. dhe vonë gjuhët gjermanike dhe greqishtja e lashtë. Unë e bleva librin në italisht dhe në atë botim diagrama e mësipërme ishte zhdukur. E porosita librin në anglisht në Neu York dhe aty, në faqen 164, gjeta diagramën që botimi italian kishte eliminuar. Në historinë e dijes njerëzore ka shumë raste të teorive që haptazi dhe ndershmërisht shprehin mendime dhe bindje të ndryshme për objektin e studimit. Janë bindje që më pas u nënshtrohen analizave të mëtejshme. Nga ana tjetër ka raste të shumta të fallsifikimit me vetëdije, duke dhunuar të vërtetën hisorike. Të shtrosh fshehurazi problemin nëse Naim Frashëri është shqiptar, turk apo persian, do të thotë të tjetërsosh themelin e ideve dhe ndjenjave që frymëzuan poetin kombëtar të shqiptarëve. Naimi mori mësimet e para në Frashër. Në vitet e liceut studjoi latinisht, greqishten e lashtë, frëngjisht, historinë dhe moralin sipas programeve që e kishin themelin në kulturën europiane. Pra, formimi kulturor i vëllezërve Frashëri ishte thellësisht perëndimor. Nga një pikëpamje thelbësore ajo pyetje, cënon identitetin e poetit. Ajo fsheh një pikëpamje, dëshmon varfëri kulturore dhe paaftësi të autorit në interpretimin e të vërtetave historike. Kjo sepse, kur një autor shkruan në disa gjuhë, nuk vihet në dyshim identiteti i tij. Fidani i lisit nuk mund të krijojë një bredh, sepse janë rrënjët ato që përcaktojnë të ardhmen e fidanit. Idetë dhe veprat e krijimtarisë njerëzore lindin dhe pasurohen më tej. Shumë herë ato janë të pavdekshme dhe kanë një energji të pashtershme. Ato kanë frymëzuar kombet në evolucionin e tyre. U kanë dhënë njerëzve forcë dhe arsye për të jetuar dhe luftuar kundër të Keqes dhe gënjeshtrës, kundër robërisë dhe prapambetjes. Të tilla janë Rilindja Kombëtare dhe Humanizmi shqiptar. Naimi ka shkruar në disa gjuhë. Po ashtu edhe Vaso Pasha (1825–1892). Ndër të tjera ai ka qenë edhe sekretar i ambasadës angleze në Shkodër, ofiqar i lartë i Perandorisë osmane, guvernator i Libanit nga 1882 deri sa vdiq si një patriot i madh. Këto fakte nuk na japin të drejtë të pyesim: është francez, shqiptar, anglez, turk apo libanez ky Vaso Pasha i Shkodrës? Pashai, me siguri, do të ngrihej nga varri e do u hidhej në fyt atyre që duan t’i tjetërsojnë identitetin. Rilindja së bashku me Lidhjen e Prizrenit dhe Humanizmin shqiptar përbëjnë thelbin e Universit filozofik e Kulturor të kombit. Fjala vjen, figurën e Abdyl Frashërit, i adhuruar edhe nga shqiptarët e Kosovës dhe arbёreshёt e Italisё, ka libra e minimizonjnë në mënyrë fyese. Pёrkundrazi njerёzit e pavarur e kanё vlerёsuar, sikundёr shkruan Gaetano Pettrota (1882-1952), autor i 8 veprave mbi kombin, gjuhёn dhe kulturёn e shqiptarёve. Ai ёshtё i pari qё ka analizuar “Mesharin” e Buzukut. Nё veprat e tij spikat admirimi pёr rilindasit dhe humanizmin. Le të shohim çfarë shkruan ai:

Lidhja e Prizrenit, e ngritur nga Abdyl Frashёri, rilindi frymёn e vёllazёrisё mes shqiptarёve tё jugut e tё veriut, mes tё krishterёve dhe myslimanёve. Ajo lёvizje ringjalli ndjenjёn kombёtare nё dy plane: politike dhe kulturore.”

Nuk e kuptoj si justifikohet zgjedhja për të shkruar Shemsedin Frashëri dhe jo Sami Frashëri. Të prekësh veprën dhe integritetin moral të vëllezërve Frashëri, do të thotë të godasësh Rilindjen Kombëtare dhe kjo jo rastësisht. Njerëzit e Rilindjes, nga veriu në jug të vendit, ishin intelektualë të pavarur e patriotë. Raporti me fenë nuk i kufizonte marrëdhëniet e tyre. Vepra e tyre duhej të ishte në themel të formimit kulturor të brezit të ri.  Përsa i përket ringjalljes së gjuhës letrare, duke analizuar punën kolosale të Naimit për krijimin e fjalëve të reja dhe formave stilistikore të të folmes shqip, le të citojmë albanologun Norbert Jokl: “Krijimtaria e poetit Naim Frashëri ka për gjuhën shqipe po ato vlera që ka patur krijimtaria gjuhësore e Laibnicit për gjemanishten, e Ferenc Kozincit për hungarishten, e Jozef Jungmanit për çekishten.”     [Rexhep Qosja, Porosia e Madhe,Tirane, 1989]

Është e vërtetë që edhe të tjerë poetë kanë merita të mëdha përsa i përket krijimit të gjuhës letrare dhe frymës patriotike të veprës së tyre. Por asnjëri prej tyre nuk e ka patur freskinë dhe hirin e Naimit, as edhe sot. Nga vetë portreti i tij njohim një njeri thellësisht të ndjeshëm, largpamës e të thellë. Ai nuk krijon asnjëherë polemikë, shkon përpara me hap të shtruar dhe krijon imazhe e meditime që natyrshëm harmonizohen me ndjeshmërinë dhe vetëdijen e lexuesit. Të mendosh, që 120 vite pas vdekjes së Naimit, flasim për klane e oxhaqe e jo për dritën e Humanizmit dhe të Rilindjes Kombëtare, është e mjerueshme. Do të shtoja që edhe Fishta duhet të ketë pësuar ndi-kimin e poezisë më të hershme të Naimit. Në vjershat e tij Gjuha shqype e Atdheu gjejmë po ato motive me të cilat Naimi i këndon gjuhës shqipe e mëmëdheut, natyrisht me dallimin e stileve të ndryshme të dy poetëve të mëdhenj. Ai, në thirrjet e luftës për liri, i referohet figurës së Naimit:

Bini Toskë ju n’pikë të vrapit/ mos tu ndalin mal as zall/ Naim Frashëri i ra Qitapit/ Mos m’e lshue Shqypninë për të gjallë. Na mahnit thjeshtësia me të cilën poetët e Rilindjes harmonizuan problemet e të vërtetës, mirësisë, të bukurisë si kusht themelor për shpëtimin e Njeriut e si thelb të demokracisë. Njerëzit më të ndritur të kombit formohen nën ndikimin e kulturës, traditave e historisë kombëtare. Nga ana tjetër ata e pasurojnë Universin Filozofik e Kulturor të kombit. Sot dëgjojmë me keqardhje  komente mbi figurat e kombit që të brengosin e të revoltojnë për ligësinë dhe injorancën që shprehin pa kursyer Nolin dhe as Nanë Terezën.  Le të sjellim rastin e sulejmanbelliut Hajdar Sulejmani Frashëri. Autori duke folur për syrgjynin në Stanimakë shkruan: “Sulejmanbellinjë e Vilakë thonë jemi oxhakë; ata janë varfanjakë të lindur në Stanimakë, kanë lëruar gjer më dje.” Një historian serioz dhe njeri i pjekur nuk shkruan ato që ia ka ënda, por vetëm të vërtetën dhe këtë e bën me një gjuhë të moderuar. Një historian duhet të dijë që Sulltani nuk merrej me varfanjakët, por me familjet e nderuara të vëndit. Familja e Hajdar bejë Frashërit kishte në Dupen (mes Ohrit dhe Prespës) çifliqe ku punonin 250 familje. Në Dupen familja e tij kishte ndërtuar rrugët e nevojshme, një shkollë fillore me dy mësues dhe pajtuar një mjek. Këtë çiflik shteti jugosllav i porsaformuar e shtetëzoi në periudhën 1925 – 1930. Por çiflikun më të madh familja e kishte në Plesh të Greqisë, midis Filatit dhe kufirit me Shqipërinë. Në të njëjtën periudhë grekët shtetëzuan pronat e Sulejmanbellinjve në Plesh dhe ato të familjes Rusi në Epir. Pak prona që kishin në Shqipëri i shtetëzoi marrëzia e Hoxhës. Në këtë fazë Hajdar beu dhe shumë familje të tjera të kamura e ndërruan mbiemrin në Frashëri, duke shpresuar të hiqnin atë nofkën e familjeve të pasura.

Sami Frashëri ideolog i shquar i Rilindjes Kombëtare

Më 25 Maj 2024 Shoqata “Atdhetare kulturore mbarëkombëtare Vëllezërit Frashëri” në bashkëpunim me Bashkinë Përmet, Këshilli Qarkut Gjirokastër, Kryegjyshata Botërore Bektashiane Tiranë, Komuna Rahovec -Kosovë, Shoqata “Zëri Dardan” Rahovec -Kosovë, dhe me mbështetjen e Akademisë së Shkencave Tiranë organizuan- veprimtarinë kombëtare dhe konferencën shkencore më 25 Maj 2024 në Frashër me temë: “Sami Frashëri ideolog i shquar i Rilindjes Kombëtare”. Pjesë e veprimtarisë: Montazhi muziko-letrar me nxënësit e shkollave të mesme “Sami Frashëri” Përmet, nxënës të shkollave 9- vjeçare “Meleq Gosnishti”, “Nonda Bulka” Përmet, nxënësit e shkollave të mesme të Bashkisë Këlcyrë, nxënësit e shkollave nga Tirana, dhe nxënësit e shkollave të mesme Rahovec, Prizren, Suharekë të Kosovës. (me rastin e 120 vjetorit të ndarjes nga jeta të dijetarit Sami Frashëri dhe në 178 vjetorin e lindjes së poetit tone kombëtar Naim Frashëri.) Poetika Frashër me poetë nga Shqipëria dhe nga trojet shqiptare.