Ndonëse natyra është vërtetë e mrekullueshme, Barruçi na duket i lodhur, kanë ikur njerëzit, mungon jeta e vrullshme e fshatit, ushtima e këmborave të tufave me dele e dhi.
Udhëtojmë për në Anën e Epër të Kukësit. Lamë rrafshën e Lumës dhe në krahun e djathtë të fshatit Dome, nisim një rrugë të dëgjuar, atë të Rinisë, që e ndërtoi ajo vetëm me duart dhe krahët e veta në vitin 1947 dhe sot këndej me krenari jo vetëm malësorët vendas, por të gjithë e quajnë “Rruga e Rinisë”. Mes krahinës së Ujmishtit, ne ecim bri shpateve dhe honeve të thella e të ashpra dhe që nga larg sodisim me kureshtje hapësirat ku do të ndërtohet hidrocentrali i Skavicës, që tashmë është futur gjërësisht në trasenë e politikës, këtej e matanë oqeanit e çdo ditë në odat e Dibrës së njohur. Këndej është lugina e Drinit, befasuese, e rrallë në peisazhin dhe natyrën me shumë ngjyra. Posa kalojmë trevën e Ujmishtit, duke lënë në anën e jugut Reçin e Peshkopisë, rruga dalëngadalë “ashpërsohet” pasi kjo udhë është hapur në vitet 60 të shekullit të kaluar për t’u shërbyer banorëve në viset e Kalasë Dodës, Bushtricës dhe Grykë-Çajës. Gjithçka e veçantë dhe e praruar. E veç të tjerave bimësia ka mbuluar shkëmbenj, brinja, kodra e lugina të tëra. Tani jemi në gjirin e tokën e Vilës, një fshat me shumë emër, me një histori të rrallë edhe për ngjarjet që e kanë shoqëruar. Ende pa shkuar te Laku i Erës, kthejmë udhën për në Barruç. Makina jonë ecën mes pyjeve si në një tunel të vërtetë. Rrallëherë ndonjë lepur, a tufa me thëllënxa na e ndërpresin shpejtësinë e lëvizjes. Të parët që e ndërtuan Barruçin ishin Fisi i Toteve, të cilët e vendosën këtë fshat në një kodër që të kishte më shumë ajër, dritë e hapësirë. Ndonëse natyra është vërtetë e mrekullueshme, Barruçi na duket i lodhur, kanë ikur njerëzit, mungon jeta e vrullshme e fshatit, ushtima e këmborave të tufave me dele e dhi, ka shtëpi që janë drejt shpërbërjes, rrugët janë mbushur me bar, s’ka lëvizje. Kopshtijet e arat gjithashtu i ka mbuluar bimësia e egër, dhe pa dorën dhe djersën e njeriut ato thahen dhe vdesin…
NJË TAKIM I RRALLË ME DALIP E NAILE TOTËN.
Në Barruç na presin Dalip Tota dhe shoqja e tij Nailja, të dy ish mësues (tani pensionistë), por edhe të dy nga trungu i Vilës. Jemi ulur në baçe. Rreth e rreth me pemë të të gjitha llojeve, e mbi kokën tonë Dalipi na merr disa kokrra qershi, që janë të fundit për vitin 2024. Nailja ende pa u njohur gjërësisht, na vë përpara kos, djathë, dhalltë, vezë e qumësht. Por ka harruar të marrë një lugë për Artanin, shoferin tonë, që ende është beqar. Madje mësuesja e fshatit na sjell edhe filxhanët me kafe, të cilën në Barruç e bëjnë sade pa sheqer.
Vitet e fundit emri i Dalip Totës është lakuar bukur fort në rrethet intelektuale e shoqërore të Kukësit e më larg. Ka pasë opinione, diskutime, se si jeton tani në pleqëri, vetëm me plakën në fshat me asnjë tjetër, mes ujqërve dhe arushave.
Në këtë takim tepër shoqëror me Dalipin, ne dëshirojmë që bisedën ta shtrijmë pak më gjërë dhe më larg jetës së tyre private, duke e parë atë si mësues dhe kuadër i njohur, madje prej një dere të shquar në këto anë. Aty aty, mbaj edhe disa shënime në një copëz të vogël letre. Për Baftjar Totën, e familjen e tyre, kisha dëgjuar që atëhere kur punoja si mësues në Çajë. Vërtetë një trung e gjeneratë e shquar atdhetare, patriote, e ndershme, derë e hapur për miq e shokë. Xhaxhai i Dalipit, Avdi Tota ka qenë partizan në brigadën 24 sulmuese atë të Lumës. Trim i tërbuar, që luftoi me armë në dorë deri në çlirimin e Shqipërisë dhe më pas për pesë vite punoi në Dibër, vdiq para kohe në vitin 1953, bile nga vdekja e tij, në fshat mbahej mend edhe vdekja e Stalinit, pasi po atë muaj vdiq edhe Avdiu.
Dalipi dhe Nailja qenë mbi 30 vite mësues, Dalipi shërbeu edhe në fshatrat Kalis, Palush e Vilë. Ai dhe Nailja lindën dhe rritën pesë fëmijë, Afrimin, Arbenin, Hysenin (emri i gjyshit), Artanin dhe Arsimin (emri i të cilit është dedikim për profesionin e dy prindërve). Duke folur për fëmijët Nailja thotë se na mungon dhe e deshëm një cucë, të na e zbukuronte shtëpinë, por Zoti nuk t’i dhuron të gjitha të mirat. Dalipi tregon se, pasi u ndamë me vëllain Naimin, ne ndërtuam një shtëpi të re, si dhe ambjente për bagëtitë, mbollëm parcelat me misër e fasule. Kështu me kushtet që kishim e patëm ndarë mendjen që të jetonim përgjithmonë në fshatin tonë.
KOHËT NDRYSHUAN, POR NE LINDËM E DO VDESIM VETËM NË FSHAT.
Tranzicioni dhe ndryshimi i sistemit, ishin për ne edhe mirë edhe keq,- thotë Dalipi. Lëvizja e lirë, i vuri damkën e zezë malësisë. Një lëvizje pa llogari, pa studime, huxhum, o burra, çantën në shpinë e rraqet në krah, të shkojmë në Tiranë, Durrës, Kavajë e në emigracion. Dalipi shprehet se sot në Kukës janë drejt shpërbërjes katunde të tëra si Tërshena, Vrrini, Shpati, Turaj, Gurrë-Kalisi etj. Fëmijët e mi, por edhe shokët e tyre u çoroditën, e ndalën punën dhe çdo natë deri në vitin 2008, kur edhe u larguan, nuk bënin muhabet tjetër por, “iku filani”, “Iku ai” dhe “iku ky”, “Shefqeti ndërtoi shtëpi të re në Domje”, “filani zuri tokë në Paskuqan”, “një tjetër ka bërë një shtëpi në Bathore”, “fisteku ka zanë në një barakë” etj. etj.
Unë jo djemve të mi, por edhe të gjithë të tjerëve në katund u kisha thënë dhe ua kisha bërë të qartë, se nuk largohem edhe një minutë që këndej, varri im i përjetshëm do të jetë mes lëndinave, ku prehet baba Baftjar, pasi nëna Nazmije jeton me Naimin dhe me djemtë e mi. E vetmja që më mbështeti dhe vazhdon të më mbështesë mua në këtë rrugëtim është Nailja, burrneshë e vërtetë dhe shqiponjë mali. Kemi 16 vite që unë me Nailen si dy malësorë, jetojmë të vetëm në Barruç, faleminderit Zotit, deri në ditën e sotme gëzojmë shëndet të mirë, por sigurisht na mungojnë fëmijët.
Djemtë kanë ndërtuar shtëpi në Valias, tre janë martuar, kanë familjet e veta, punojnë dhe jetojnë me djersën e ballit dhe ne jemi shumë të gëzuar që ata s’kanë marrë rrugët e kurbetit dhe emigracionit. Ne shkojmë të paktën dy herë në vit, për festa apo ditëlindje, por edhe djemtë vijnë shpesh në Barruç, na sjellin ushqime dhe gjëra të tjera të nevojshme, në telefon na pyesin çdo ditë, si jemi më shëndet, bile ata interesohen edhe në çfarë krahu kemi fjetur natën. Ne u kemi dhënë atyre kulturën dhe tabijatet e malësisë dhe për këtë jemi tepër krenar dhe të lumtur. Gjithësesi qoftë unë, qoftë Nailja e ndjejmë shumë mungesën e tyre…
NJË DITË E ZAKONSHME PËR DALIP E NAILE TOTËN NGA BARRUÇI I LUMËS
Tani besoj se u kuptuam mes nesh për të ardhmen tonë, -vazhdon Dalipi, por ndonjë fjalë ia plotëson edhe Nailja, e cila i qëndron gjatë gjithë diskutimit në krah atij. Kemi shtëpinë dykatëshe, të bukur, plot dritë si dhe ambjentet për 10 pula, dy gjela, një mace, një lopë me viçin, kjo është e gjithë pasuria jonë “e madhe”. Dy gjelat na japin vazhdimisht shfaqje kur bëjnë mundje, njëri i ngjan Zelenskit presidentit të Ukrainës dhe tjetri Putinit presidentit të Rusisë. Gjeli që i ngjan Zelenskit është më i ri dhe e mund atë që i ngjan Putinit, në këtë shfaqje kundër këtij të fundit bëhen edhe pulat. Kemi një kopësht ku mbjellim dhe kultivojmë perime dhe zarzavate të ndryshme të gjitha “bio”, shumë prej këtyre prodhimeve ua dërgojmë djemve në Valias. Problem kemi kafshët e egra dhe rrezikun që vjen prej tyre si ujqërit, arinjtë, dhe në mënyrë të veçantë derrat e egër, të cilët dalin dhe lëvizin lirshëm jo vetëm natën por edhe gjatë ditës dhe na vështirësojnë lëvizjen ne dhe kafshëve tona shtëpiake. Qenin që se kishte krahina na e copëtuan ujqërit një natë me borë janarin e këtij viti. Lopën e mbajmë të lidhur me litar kur e kullosim jashtë në natyrë, se ujku ta copëton para syve. Pyjet kanë mbuluar gjithçka në këtë vend, ku edhe ngrohja globale ka ndikimin e saj në malësi.
Pra përfundimisht ne do të jetojmë këtu dhe nuk do të largohemi nga Barruçi, besojmë dhe në paqe e harmoni edhe me kafshët e egra dhe me natyrën, në këtë ballkon të bukur të zonës së Lumës. Pas kësaj bisede kaq interesante me Dalipin dhe Nailen, largohemi nga Barruçi për të mos i harruar për vite të tëra.






















