Kryeministri me brekushe dhe opozita gjarpërushe…

923
Sigal

Kristo Mërtiri

Përsiatje nga cikli “Antiharresa”

Në të vërtetë, miku im, nuk janë bërë ende as si eshka me urorin. Shkëndijat tymuese që hedhin e presin plot trokëllima përballë opinionit publik të mjegulluar herët, u shëmbëllejnë atyre xixëllonjave që, as ndezin e as shuajnë në shërbim të njerëzisë. Madje, ushqejnë më tepër humbjen e shpresës dhe dëshpërimin vrasës nëpër foletë e zhgënjimit qytetar. Ndërsa vetë shkumëzojnë këmbë përmbi këmbë nga zyrat luksoze të pushtetit ekzekutiv e legjislativ, nga veturat jo dosido e nga vilat që lëpijnë buzët përtej realitetit tronditës të fakirfukarenjve ëndrra-thyer. Udhën nga erdhën në këto maja të pamerituara shtetërore, e flakën herët pas krahëve dhe ranë çuditërisht në shtratin e patundshëm të harresës laramane. “Dashuria” përgjëruese e mashtruese ndaj elektoratit të majtë e të djathtë, praktikisht ka ikur në drejtim të paditur ! Veçse një ditë, kam bindjen, se do të zgjohen të “përmalluar” kur të fillojë gjëmimi i daulleve partiake gjatë vjeljes së votave përcëllake. Dhe vetë Kryeministrin shef të “Rilindjes” do ta shikojmë edhe më shpesh me ato brekushet e zeza në ballë të fasadistëve të kualifikuar nëpër kurset e shkollat e posaçme të ish-lëvizjes “Mjaft”, “G ’99” e të ish-Bashkisë kryeqytetase. Shumica e këtyre mercenarëve ndihen krenarë, nëse arrijnë t’ia lidhin vetë ushkurin e ndërliksur që mban në këmbë brekushet e pazakonshme në politikë. Sepse për Timonierin e tepsisë, sot thonë me të drejtë, se vetëm paratë e PPP-ve nuk i lidh dot me ushkur ! Mirëpo në Labërinë tonë, sot e kësaj dite thonë edhe “Ç’i duhen qenit brekët!”(për dikë që nuk e meriton). Qofshin prej leshi a prej pambuku. Transparencë me apo me brekushe ?!… Jo më kot shumë favore-vjelës të regjur, Timonierin po na e shesin si “qerrata të madh” që tretet në pordhale e pedonale të blera badihava nëpër kioskat rilindiste (jo socialiste). Lavdia dhe hajnia e tyre maten me vjeljen e mjeljen e panginjur. Intelektualët e vërtetë nuk heshtin.

“…Në Shqipëri, veprimtaria politike kryesisht përjetohet si pjesëmarrje në spektakël televiziv për ta zbavitur e gënjyer popullin, e ku krye/personazh është Kryeministri e gjithë të tjerët “dublantë” të tij, në spektaklin që duhet ta mbulojë të vërtetën, se vendi është duke u bërë i pabanueshëm për rininë shqiptare…”. Shumica e këtyre politikanëve po njësoj e shijojnë hajdutokracinë! Prandaj po quhet përditë e më tepër si “biznesi” më fitimprurës. Prandaj Kryeministri piktor la mënjanë penelin dhe nuk e kuptoi dot herët mbi kalin e pushtetit, se në fund të fundit “nuk quhet karvan tufa e hienave”! Tani sikur presim fryte nga Vjeshta apo tullumbace me gënjeshtra ?… Pas gjurmëve të Timonierit në Dhërmi nuk vrapoi vetëm Zaho vogëlushi dhe as vetëm ministreshat shpirtkëputura Manastirliu e Gjonaj. Sepse ato gjurmë duhen mbajtur të njoma, të ngrohta e të kallajisura me çdo kusht. Sidomos tani që po feksin e ua bëjnë me sy kolltukët e qeverisë “Rama 3” ! Aq më tepë që disa istikame ekzekutive i ka pushtuar me thonj e me dhëmbë “Fatligxhafëria” ose më saktë “inkubatori i intrigave në PS”. Inkubator që ia ka zënë kokën me derë Timonierit mujshar e fodull me të tjerët. Shyqyr që e lehtësojnë sadopak brekushet me ushkur dhe nis e lavdëron në tym nismat kallpazane “Forca e Ligjit” apo “Policimi në Komunitet”. Pastaj “hahet qençe” edhe me mediat ndërkombëtare ! Njëlloj si dikur kur jepte prova “antikomuniste” për Enverin me ato diaretë: “Letra nga Ferri”. Por të shtunën e fundit çuditërisht nuk pipëtiu hiç. Thonë se ia shaloi një avioni të posaçëm dhe bujti përtej detit. Mirëpo njerëzia nuk e kyçi gojën: Po “The Ekonomist” si do e pagëzosh, o Timonier i Komitetit Kombëtar kundër Drogës e Trafiqeve ?! Më shqip nuk ka: 2,5 për qind e popullatës brenda Shqipërisë është përdoruese e Kokainës! Ja një tjetër ulërimë me thes në kokë: Përdorimi i drogave paska gllabëruar edhe moshat 11-13 vjeç, “duke prekur rreth 70 për qind të nxënësve në shumë qytete(!!). Njerëzia proteston, por edhe mallkon thekshëm: Në djall shkofshin ata ministra, kryeministra, deputetë, shefa policie, këshilltarë bulçi-fryrë etj., lëpirës me shumicë në media që gogësijnë e lëshojnë jargë “besnikërie” si kulpra rreth timonierëve të majtë e të djathtë! Ato të vërteta zezona nuk i thotë publikisht asnjë statistikë qeveritare. Veçse për popullin më proamerikan në botë, i deklaroi vetë media amerikane… Dhe Timonieri bën sikur nuk e lexon shifrën e zezë të vrasjeve (nga treguesit e rrallë që ia kaluam edhe BE) dhe nxiton të “ngushëllojë” matanë detit, në Genova. Dhe mbylli sytë, veshët e gojën përballë 8 arkivolëve në Resulaj të Vlorës! Apo e trullosi ai koncerti i zi në Lungomare, kur tërë Shqipëria mbajti frymën dhe vuri duart në kokë me kuje arbërore. Asnjë deputet, asnjë qeveritar rilindist në Vlorë e Tiranë nuk e bënë as ca sekonda qejfin qeder ! Historikisht, turpe të padëgjuara ndonjëherë në Labëri e kudo ku i thonë bukës bukë e ujit ujë…Dhe kjo gjëmë qytetare e shtetërore nuk mund të kalonte thjesht me brekushe të zeza, aq më tepër që timonieri Kryeministër zhvilloi një takim ekskluziv edhe me priftin e Selenicës(?!). Nuk e dimë ende se çfarë uratash dha e mori për qytetarët e thjeshtë të këtij qyteti dhembje-shumë…

Daullet fasadiste bien pa pushim. Përgjithësisht u bie Hipokrizia dhe Hajdutokracia. Për shembull, kur rilindistët aguridhë pushtuan majat e Ekzekutivit në 2013, gjetën gjithsej 928 pika bastesh. Sot, rritja është gati e pabesueshme : Janë ngritur 4 mijë e 230 pika të tilla “punësimi” e rrëmbimi sipas pordhalit “Bashkëqeverisje me qytetarët”(?!). Ose më tej. Të gjithë njerëzit e ndershëm vazhdojnë të pyesin supe-ngritur: Përse nuk bëhen publike kontratat koncesionare, o Timonier i vetëm i Tepsisë! Apo të ngjan me atë grykën e frikshme pranë ishullit të Sazanit që e thërrasin ende “Gryka e Xhehenemit”(jo e xhenetit) ? Paske shtuar makinat e blinduara, gardistët, shoferët dhe një kolltuk të posaçëm kryeministror e ke kthyer në shëtitës ambulant sa herë organizon takime “gju më gju” me qytetarë e mercenarë. Demek, nuk e paske marrë ende vesh shkëputjen tënde marramendëse nga realiteti i zymtë ku rrëmbeve votat e sundimit ?! Miqtë e tu janë vetëm disa të majmur nga Polit(h)ika. Duke besuar verbërisht se “po të mos ishte ai, çdo gjë do shkonte në “të s’ëmës”(!)… Po opozita gjarpërushe ku e ka ndalur vallë vrapin e saj të protestave përballë Kryeministrit që mbahet me ujë të vakët nga “Fatligxhafëria” mashtruese? Apo i mjaftojnë të qarat edhe pa u rrahur mirë? Një pyetje mbetet varur dhe e pakallur: Përse nuk e ka zënë ende demin prej brirësh?

-Na dëgjo pak, o miku ynë në metropol ! Opozita shelegure e gjarpërushe tashmë i duhet vetëm çadrës ngatërrestare e orëligë, ku përgjojnë, mallkojnë e përgjërohen sidomos “të privilegjuarit e përjetshëm të PD” dhe fare pak kundërshtarët e vërtetë politikë. Ata kanakarë të zemëruar kanë lëshuar stërkëmbësha brenda e matanë gardhit opozitar dhe fërkojnë barkun nëpër vila e pasurira erërënda. Miqtë e mi në Lumin e Vlorës tashmë e kanë kthyer në refren agresiv pyetjen hidhësirë: “Njerëzit falsifikojnë paratë apo paratë po falsifikojnë njerëzit?!” Por më bukur e më shqip mendoj se e tha ai intelektuali e publicisti shqiptar i drejtpërdrejtë në Shkup: “Vetëm hajduti mund të pasurohet nga politika!” Ndërsa mua më shëmbëllejnë shpesh edhe me “nepërkat pika-pika” dhe nuk janë nga ato me dy dhëmbë në gojë e me bisht të shkurtër që hidhen e përdridhen rreth disa të rinjve demokratë të shkolluar, të pa korruptuar, fjalë qëruar e aspak mitingashë të skaduar, e ndoshta me pak përvojë drejtuese. Veçse pastërtia e tyre e panjollosur, realisht u vret sytë dhe u rrëqeth duart e pista disa kokrrave nga pushteti i djeshëm. Në thelb e duan opozitën shelegure e peqe-lepe përballë rilindistëve të menderosur… Sa për Bashën, po ta themi troç: Tani për tani, na duket si ai ustai pa mistri, që ka dije por nuk ka mjete e organizim të fortë. Prandaj ndonjë protestë a denoncim publik, nuk e ka kapërcyer dot harkun e një furtune në gotë. Të derdhurit nga rrungajat e ish-lëvizjes “Mjaft”, “G ’99” e nga foletë 11-vjecare të Bashkisë, e duan opozitën gjuhëprerë siç janë vetë rreth kryeministrit shallvaregjerë. Por koha e grackave ediramiste po perëndon dhe zhgënjimet e dëshpërimet po shtohen si topi i dëborës në ortek. Në fund të fundit, vetëm opozita nuk mund t’i thotë, derrit dajë! Shkurt, çfarë bën sot në detin e varfërisë, me siguri do e gjesh nesër në kripë… Sepse fasada rilindiste ka shkuar shumë larg realitetit migjenian. Ajo po i ngjan përditë e më tepër asaj gruas bishtdredhur e të zgjuar që mbeti gjallë sot e kësaj dite si anekdotë përmetare. Dhe malëshoviti i palodhur Niko (para se të mbyllte sytë përgjithmonë në Tiranë) e rrëfente bukur e plot humor :

Dikur, një burrë ishte ftohur herët me gruan. Dyshonte shumë dhe vrojtonte shumë. Më në fund e pikasi me një birbo të njohur në fshat e krahinë. Ashtu i xhindosur, e priti me tërsëllëm

-: Me cilin po çuçurije vesh më vesh ?

–Me asnjeri !,-iu përgjigj prerë ajo.

–Po unë të pashë me këta dy sy dhe nuk dua asnjë shahit,-këmbënguli burri.

– Jo more burrë, jo! Të kanë gënjyer sytë… Dhe si për ta mbyllur sherrin, e fton të pyesin disa ustallarë muratorë aty afër.

– Ju lutem, këtë spango në mur, përse e përdorni ?

– E kemi për të mbajtur drejtimin e murit, moj zonjë.

– Po ju e keni afër syrit, edhe gurin edhe murin.

– Epo, jo rrallë syri të gënjen.

Kaq deshi gruaja bishtpërdredhur dhe iu kthye e krekosur burrit të vet:

– A e sheh, more burrë ? Këta ustallarë kaq afër e i gënjen syri dhe jo ty aq larg…”