Klodi Stralla: A ka një projekt për konfliket e “ngrira”?

333
Sigal

A ka një projekt zgjidhje për konfliktet e “ngrira”?

Me termin konflikte “të ngrira” emërtohen disa territore statusi juridik i të cilave nuk përputhet me statusin e tyre faktik, në teren. Janë, pak a shumë, si ato ndërtimet “pa lejë” që presin ose të legalizohen ose të prishen. Në mungesë të një marrëveshje përfundimtare mes palëve, që do t’i jepte fund konfliktit dhe rivendoste autoritetin e shtetit, ato janë shëndruar në territore ku sundon krimi i organizuar, trafiqet ilegale, informaliteti dhe gjithfarë veprimtarish mafioze, duke përbërë shqetësim për gjithë Rajonin .Territore të tilla janë sot, Nagorni-Karabaku – mes Armenisë dhe Azerbajxhanit; Transnistria – mes Moldavisë dhe Rusisë; Ossetia e Jugut dhe Abkhazia – mes Gjeorgjisë dhe Rusisë; Luansku dhe Donesku – mes Ukrainës dhe Rusisë. Të po kësaj natyre, por disi ndryshe, janë edhe Qipro – mes Turqisë dhe Greqisë apo Republika Serbska – mes Serbisë dhe Bosnjë – Herzegovinës. Këtu përfshihet edhe Kosova, ku, nga njëra anë, ajo ka shpallur pavarësinë nga Serbia (17 shkurt 2008) dhe, nga ana tjetër, Serbia që pretendon se ajo është territor i saj, në bazë të Rezolutës 1244 të OKB-së (1998).Këto konflikte lindën pas shpërbërjes të Federatave multietnike të ish BRSS dhe ish Jugosllavisë, shpërbërje ku kufijtë e shteteve të reja që lindën kanë në përbërje të tyre minoritete etnike e fetare të konsiderueshme të shtetit fqinj. Në këto 30 vitet e fundit ato kanë qenë burime sherresh me pasoja të rënda, ç’popullim, akte terroriste, dëme materiale, që ushqehen e mbahen gjallë nga shtetet që i kufizojnë ato. Prandaj, për të gjitha këto raste sot, diplomacia Trump – Putin po synon t’u japë një zgjidhje afatgjatë, bazuar në një marrëveshje mirëkuptimi mes palëve, natyrisht me ndërmjetësimin dhe monitorimin e tyre.Mesa duket Kosova do të bëhet rasti ‘pilot’ ku do të bëhet eksperimentimi i parë. Ka shumë indicje që tregojnë se SHBA-të kërkojnë ta tërheqin Serbinë në sferën perëndimore të influencës, posaçërisht në NATO, ndërsa Rusia ende nuk e ka kapërdirë katastrofën gjeopolitike të shpërbërjes të saj (1991) dhe po bën të gjitha përpjekjet për të futur nën ombrellën e vet ish republikat e dikurshme të B.R.S.S. Pra ‘pazari’ mes të Mëdhenjve është i hapur – më lësho këtu, të të lëshoj aty – kjo ka qenë ngaherë historia e Fuqive të Mëdha!Në këmbim të aderimit të Serbisë në NATO ka gjasa që asaj amerikanët t’i ofrojnë defacto statusin e një fuqie rajonale përmes të ashtuquajturit ‘Minishengen ballkanik’ (karota), që për të është rikrijimi i Jugosllavisë të dikurshme, ëndra e saj shekullore. Ka shumë gjasa që Serbia ta pranojë një ofertë të tillë për të cilën do të jetë dakord edhe Rusia që do të përfitojë të njëjtën gjë me krahinat e Luanskut, Donenskut apo Krimesë, tashmë defacto të aneksuara.
Po nëse Serbia nuk e pranon një ofertë të tillë për antarësim në NATO, kush do të jetë ‘shkopi’ amerikan?Shqiptarët, këtej dhe andej kufirit, para se të festojnë pavarësinë, duhet të ndërgjegjësohen dhe përgatiten edhe për këto skenarë të mundshëm, që do t’i rikthente ata në ish Jugosllavi, por kësaj here i maskuar nën emrin e ri evropian ‘Minishengen ballkanik’. Këtë skenar e dinë Rama në Tiranë dhe Thaçi në Prishtinë dhe, në funksion të mbajtjes të pushtetit, janë dakordësuar me të Mëdhenjtë, si dikur E.Hoxha. Prandaj në rrethana të tilla alternativa e bashkimit kombëtar të shqiptarëve s’ka pse të jetë tabu por aspiratë për zgjidhje. Natyrisht kjo do të prekë interesa pushtetore në Shqipëri e Kosovë, por nëse shqiptarët dëshirojnë të kenë në të ardhmen një shtet funksional, me orientim euro-atlantik dhe konkurrues me fqinjët, ata duhet të ngrihen mbi interesat krahinore dhe klanore, këtej dhe andej kufirit aktual.

A do të ndodhë kështu?

– Kam frikë se JO!