Hyqmet Zane: Gjithçka po jepet me konçesion

45
Sigal

Viti që iku ishte viti i konçesioneve që ka dhënë dhe dha qeverisja si një epilog i rilindjes, që nuk erdhi me konçesion dhe u bë konçesionare. E gjithë Shqipëria u bë një kantier konçesionesh të mëdha dhe e gjitha para syve të shqiptarëve. E paparë dhe e paparashikuar sa edhe Europa u çudit me këtë model që duket sikur edhe qeverisja e këtij vendi iu është dhënë me konçesion oligarkëve, që nuk kanë emër dhe adresë, nuk kanë llogari bankare dhe as i ka njohur njeri për ndonjë punë në shërbim të qytetarëve. Në një formë a në një tjetër duket se, po të ishte e mundur edhe populli do jepej me konçesion. Është një metamorfozë e çuditshme për një vend, populli i të cilës besoi dhe votoi për të rilindur pas 22 vjetësh në tranzicion demokratik dhe me dajre dhe timon, me tallava dhe premtime, që nuk u mor vesh se çfarë ishin dhe për ku bëheshin, që u bënë mashtrime pas 33 vjetësh gjendet nën këmbët e “rilindjes së zezë”, që shpiku konçensionet për të korrur privatisht pasurinë e një vendi dhe një populli me konçensione grabitqare. Askush nuk ua pa hajrin ndonjë konçesioni, nuk pati asnjë shërbim me dobi, veç kur merrej vesh se ishte konçesion me hajdutëri dhe që vjedh paratë e shqiptarëve pa asnjë investim sa për të thënë në punësim dhe ndihmë të qytetarëve. Filozofi i Rilindjes kombëtare të shekullit 19-të (i asaj rilindjes së vërtetë) Sami Farshëri ka thënë se:“Shqiptarët e pranojnë me zor të renë, sepse e vjetra për ta është si një lis”, çka në këto kohërat moderne ku shqiptarëve në 2013 iu tha se do bëhej një rilindje nga partia e socialistëve nën udhëheqjen e Edi Ramës, besuan dhe pritën jo një e dy, por kanë kaluar mbi 10 vjet dhe nuk panë rilindje, por të kundërtën e saj. Nisi me PPP (Partneriteti Publik Privat) që ishte prologu i konçesioneve grabitqare dhe hipokrizisht kryeministri hidhte parrullën se ka një tendencë për KÇK (kap çfarë të kapësh) kur kapësi kryesor ishte vetë kryeministri me miqtë e tij oligarkë që ata KÇK e kthyen në GÇG (grabit çfarë të grabisësh). Por gjithçka ishte si ajo shprehja “po kjo ishte loja more” e të ashtuquajturës “rilindje” që në të vërtetë rilindi kapjen e gjithçkaje nga kanabizimi i vendit, trafikimi i çdo gjëje, pjesëmarrja e policisë në punët e zeza të bandave dhe trafikantëve, përfshirja e ministrave në punët e pista dhe në angazhimet në ndihmë të hajdutërisë së gjithçkaje me konçesion për të cilat kryeministri i hidhte firmat fap, fap, fap se ai ishte kryepatronazhisti i punëve në prapaskenë. Por ajo që ka rënë në sy të opinionit kombëtar, mbarëkombëtar  dhe ndërkombëtar është sjellja e kohë pas kohshme për kapjen e opozitës me ndihmën e të quajturve “amerikanë” të shërbimeve të fshehta si MeGonigal, i cili çoi si të “vërteta” qëllimet e së majtës me në krye Xhorxh Soros për shkatërrimin e opozitës në Shqipëri për qëllimet e veta me përfitime private në rajonin e ballkanit. Për këtë u shpall fillimisht “nongrata” lideri i opozitës në bashkëpunim me pseudopozitën e Lulzim Bashës që e luajti lojën pas 2017-ës e dhënies me konçesion edhe të opozitarizmit dhe ai të ishte oligarku i një opozite sipas projektit të Ramës.  U bënë “non grata” edhe të tjerë me qëllime përfitimesh të mëdha të klanit MeGonigal që futi në lojë edhe Sekretarin e Shtëtit Blinken për të bërë lojën e kërkuar nga shefi Soros. MeGonigal ra, po gjykohet dhe do dënohet edhe me shumën se 50 muaj që u dënua pak kohë më parë se pritet gjyqi i New Yorkut.  Në këto kushte logjikisht duhet të bien edhe cilësimet “non grata” për liderin e opozitës se mungon çdo dëshmi e quajtur “dosja Berisha”. Por këtu halli është tek kapja e pluralizmit shqiptar, tek kapja e lirisë së shqiptarëve për të ndërtuar vendin e tyre dhe ekonominë e tyre, ndaj dhe nisi dhe u shtua ikja si emigrantë e rinisë, që nuk e gjeti veten të rilindur, por të nxirosur nga polika e kapjes së shtetit nga Erdi Rama në gjithçka. Ndoshta Volteri si filozof i madh i Rilindjes Europiane që ishte e kishte parashikuar ndaj dhe e tha se “Kush nuk dashuron lirinë dhe të vërtetën, mund të bëhet njeri i fuqishëm, por i madh nuk do të bëhet kurrë”. E vërtetoi dhe e bëri realitet Edi Rama – kryeministri i rilindjes së zezë. Në këto vite jo vetëm në Shqipëri, por në një sërë vendesh të cilësuara “demokratike” po bëhet e qartë se është një tragjedi e jetës moderne që drita e së vërtetës trembi shoqërinë shumë më tepër sesa errësira e injorancës. Kjo është tipike në rrethana tipike në një vend tipik si Shqipëria. Nëse në çdo shtet të botës ka mafie, në Shqipëri mafia ka qeverisjen e vet dhe është bërë sunduese kryqëzimi i medias që thotë të vërtetën dhe nga ana tjetër arsimi është kthyer në një mosdhënie e dijeve të të vërtetave se nuk i hyjnë në punë askujt. Mendonin rilindasit e vërtetë për përparimin dhe të ardhmen e kombit, por nuk kishin se si të parashikonin se në shekullin XXI do të vinte një kryeministër i vendit të tyre si Edi Rama që po kap gjithçka nga zverku për të kapur edhe arsimin me këshilltarë si Toni Bler që e kanë bërë arsimin një paçavure. E tha Sami Frashëri në mënyrë krahasuese se “nëse do mbjellësh për një vit, mbill misër e grurë. Nëse kërkon që të mbjellësh përgjithmonë, mbill arsim e kulturë”. Por sheshit po duket se edhe arsimi duhet të jepet me konçesion si shëndetësia, si tokat dhe pasuritë dhe gjithëçka tjetër. Dikur të vjetrit thoshin “i nxorri ujët e zi”. Po ujët e zi po i nxjerrë kryeministri i Shqipërisë këtij vendi dhe shqiptarëve, sepse kështu e do konçesionari i madh Soros dhe mbështetësit e tij. Në këtë rast revolucioni është bërë domosdoshmëri si më 1991 për të përmbysur të keqen nëse populli i do të mirën vetes së vet.