Hyqmet Zanaj: E besoj Kadarenë, por nuk e kuptoj përse nuk flet! Njeriu që u përball me diktaturën, tani po hesht!

673
Sigal

Situatat në Shqipëri kanë krijuar një spirale që vjen gjithnjë në ngritje dhe me një bazë shumë të gjerë negativitetesh. Pakënaqësia qytetare ndaj qeverisjes ka ardhur ditë pas dite në rritje. Përkundër këtij realiteti kemi një qeverisje që po shkon nga njëri skandal në skandalin tjetër që në 6 vitet e kësaj mazhorance qeverisëse i kanë plasur në dorë bombat e krimit dhe drogës, varfërisë dhe ikjes qytetare, vjedhjeve të vogla dhe të mëdha si ato të bankave deri edhe brenda avionit në aeroportin e Rinasit, me një ulje të nivelit të jetesës dhe largim nga Evropa ku duam dhe donim të shkonim. Kjo gjendje me protesta masive dhe me spikatje të elementëve të dhunës policore që po i ngjajnë diktaturës në këto muajt e fundit, po shëmbëllejnë një situatë kur kazani i pakënaqësisë popullore në fund të vitit 1990 po rritej. Më pas solli edhe rënien e diktaturës përmes protestave masive për Shqipërinë e lirë dhe demokratike dhe me parullën “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”. Gjithkush kujton se në tetor të vitit 1990 pati një ngjarje ekstra të ikjes me arratisje në Francë të shkrimtarit tonë të shquar Ismail Kadare. Ishte një ikje si një mesazh i madh se në vendin e diktaturës së Enver Hoxhës dhe pasuesve të tij nuk jetohej aspak i sigurt dhe që duhej bërë diçka nga Evropa dhe SHBA për ta rrëzuar atë regjim. Dhe dihet se çfarë ndodhi, diktatura u përmbys dhe filloi era e një periudhe tranzicioni për vendosjen e demokracisë. Edhe Kadareja si njeri me mesazhe të mëdha si edhe veprat e tij, u rikthye dhe e kreu misionin e tij në këtë drejtim,. Ndërkohë që nuk mund të harrohen ato ditë që nga lakejtë e diktaturës nuk u la fjalë pa thënë dhe pa anatemuar Ismail Kadarenë me epitete nga më të ndryshmet dhe nga më të ulëtat. Vitet rrodhën një e nga një dhe sot, në këto vitet e fundit kemi ardhur në një pikë që Kadareja ka dalë në skenë herë pas here, herë këtu e herë në Francë, herë duke botuar romanet e tij me shumë mesazhe dhe herë duke iu ndërtuar shtëpia, herë duke refuzuar kandidimin për President e herë duke i bërë thirrje Lulzim Bashës më 2011 që t’i dorëzohej Edi Ramës, edhe pse fitorja e Bashës ishte e sanksionuar nga votat dhe nga Arvizu në atë kohë ambasador i SHBA në Shqipëri. Por asnjëherë nuk e kemi parë shkrimtarin tonë të madh që të bëhet pjesë e atij mesazhi të madh si ai që dha më 1990 me ikjen e tij nga Shqipëria. Besoj edhe në moshën e tij jo të vogël, por edhe në ngarkesat e tij e të tjera si këto.

Kam besuar në sinqeritetin e një njeriu që merret si etalon në rrethet ndërkombëtare për shkak të famës që ka dhe përfaqësimit që na ka bërë si shqiptarë. Por sot jemi në një situatë që opozita ka zgjedhur një rrugë ekstreme, ka dorëzuar mandatet e deputetëve dhe ka ikur nga Parlamenti dhe ka braktisur fasadën e të qenit opozitë që pushteti të ligjërojë pushtetin e pushtllëqeve të saj.

Me një fjalë, opozita e sotme bëri të njëjtin veprim siç bëri shkrimtari i shquar Ismail Kadare 29 vjet më parë. Besoj që gjithkush e mban mend aktin e Kadaresë dhe mund ta bëjë krahasimin me aktin e sotëm të opozitës. Realiteti që përjeton Shqipëria sot me skandale të njëpasnjëshme, sa mbushjen e vendit me drogë dhe hajdutëri, me krime dhe trafikime, me papunësi dhe varfëri dhe më e keqja me ikjen, me braktisjen e vendit nga rinia dhe profesionistët e punëve të ndryshme, sidomos braktisja e atdheut nga doktorët dhe infermierët, aq më keq akoma ikja e investitorëve të huaj që largohen me ibret edhe nga rrahjet e tyre nga bandat e pushtetit.

  • Për këto të vërteta nuk kemi pasur mundësinë të dëgjojmë se si e mendon shkrimtari ynë i madh këtë situatë dhe si do reagonte ndaj këtij realiteti? Nuk e e kemi dëgjuar asnjëherë. Se kur flet Ismail Kadare ai nuk është një opinionist i rëndomtë, por një personalitet që i ka peshë fjala brenda dhe jashtë Shqipërisë.
  • Ka ndonjë problem apo ka frikë Ismail Kadare?
  • Përse hesht ai, kur në opinionin publik shqiptar edhe atë botëror Kadareja është ambasadori i vlerave që çdo vend evropian do ia dëgjonte fjalën?
  • Ku është Ismail Kadare, përse kjo heshtje, përse nuk flet, si është e mundur që njeriu që u përball me diktaturën në një mënyrë unike dhe burrërore, sot në një situatë të tillë aspak dinjitoze, nuk dihet se ku ngrohet, në cilën vatër po rri duke pirë duhan?

Jo se kam të drejtën të zhbiroj në jetën e këtij shkrimtari të madh, por për atë që nuk po bën në një kohë që në skenë ka hipur ligësia dhe banditizmi i pushtetit.

  • Nuk ka më një mesazh të madh siç di të japë Ismail Kadare?

Unë dhe gjithkush që e ka lexuar, e vlerëson veprën e tij të përmasave botërore. Nuk po kuptoj se çfarë e ka gjetur që, kur populli i këtij personaliteti të letrave shqiptare, vendi i tij i dashur vuan, Ismail Kadare ka “prerë gojën” dhe hesht. Nuk mendoj se do të duhet të mbajë ndonjë fjalim historik, por të thotë atë që do të cilësohej heroike për të shpëtuar të ardhmen e këtij vendi.

  • Ku është Ismail Kadare që hesht dhe nuk po ia dëgjojmë zërin që të kuptojmë se ai, njeriu që iu kundërvu diktaturës me një mesazh kuptimplotë?
  • Ku janë veprat e tij dhe cili është shërbimi që u bëjnë ato shqiptarëve dhe Shqipërisë dhe gjithë botës shqiptare në ditët e sotme?

Në situata të tilla të një kombi, kanë dalë burra të mëdhenj që kanë dhënë mesazhe të mëdha dhe ia kanë dëgjuar fjalën dhe ia kanë respektuar mendimet dhe ata si Ismail Kadare kanë ndryshuar faqen e kombeve të tyre.

E besoj Kadarenë, por nuk po kuptoj heshtjen e tij

Unë e besoj shkrimtarin tonë të shquar se edhe e kam intervistuar me kënaqësinë që ma ka dhënë rasti për momente të ndryshme dhe në lidhje me bashkëkohësit e tij shkrimtarë si në rastin e Bilal Xhaferit apo kur ka promovuar librin “Lulet e ftohta të marsit” etj.

Nëse edhe Kadareja i është nënshtruar këtij realiteti që nuk e besoj kurrë, atëherë ky qëndrim është një mesazh i keq i tij, ndryshe si para 29 vjetësh kur dha mesazhin e mirë e të madh për ndryshimin. Se për fatin e keq, siç e thotë personaliteti Visar Zhiti se “Po ndërtojmë demokracinë me ata që bënë edhe diktaturën”, që është mesazhi më i keq që kemi sot dhe që përkundër tij duhet të flasë edhe Ismail Kadare si personaliteti më i madh i letrave shqiptare në botë. Opozita e sotme ka bërë të njëjtin veprim, ka braktisur neodiktaturën e pushtetit të së majtës që të japë një mesazh të madh të tipit të Ismail Kadaresë si 29 vjet më parë, që edhe shqiptarët brenda vendit, edhe ndërkombëtarët ta kuptojnë se ka ardhur një kohë që në skenën e politikës shqiptare të bëhet një ndryshim i madh për të shpëtuar shqiptarët dhe të ardhmen kombëtare të Shqipërisë.