Gentian Çala: Shëndetësia në rënie të lirë

308
Sigal

Nga Gentian Çala

Sistemi shëndetësor i përdorur nga Qeveria dhe Kryeministri Rama për përfitimet e tyre përmes PPP-ve mjaft të dyshimta, mungesa e vizionit dhe e investimeve, pagat e ulëta të profesionistëve shëndetësorë, hemorragjia e profesionistëve, pandemia e menaxhuar keq dhe politikisht kanë sjellë një situatë shëndetësore tejet problematike aktualisht.

Me dhjetra kolegë, mjekë apo infermierë janë prekur nga koronavirusi, disa jetë janë humbur dhe pritshmëritë janë mjaft pesimiste. Situata precipiton përditë dhe Qeveria vazhdon me demagogji dhe këshilla. Asnjë përgjegjësi për atë që po ndodh. Qeveria është kthyer në një vesh të shurdhër që nuk dëgjon asnjë sugjerim nga profesionistët.

Unë e di që në këtë përballje disa prej nesh do të preken, por më duket e pamundur që interesimi dhe kujdesi të jenë në kufijtë e neglizhencës. Kur kjo ndodh me profesionistët shëndetësorë, vaj halli se çfarë mund të ndodhë me njerëzit e thjeshtë, me ata me pak mundësi ose me qasje të vështirë te strukturat shëndetësore.

Atë që nuk e bëjnë ata që vendosin duhet ta bëjmë ne me solidaritetin njerëzor, me altruizmin dhe duke ngritur zërin ndaj gjithçkaje që nuk bëhet si duhet dhe ndaj kujtdo. Nëse ne mbesim vetëm te përcjellja e buletinit qeveritar të rasteve dhe këshillave, mund të na ndodhë që herët a vonë të keqen ta kemi te pragu…