Gentian Çala: Regjimi nuk kapet pë leshi…

387
Sigal

Nga Gentian Çala

Në vendin e bërë lëmsh nga njerëzit, nga dëshira për të sunduar dhe jo për të qeverisur, disa flasin për sisteme zgjedhjesh. Mirë bëjnë! Po a është ky thelbi i problemit apo ka diçka më shumë për të rrëmuar?! Jo po demokraci e drejtëpërdrejtë, jo po jo e drejtëpërdrejtë, thua se këtu na çalon puna. Ne nisim mirë shumë gjëra, por jemi mjeshtra të bitisjes keq të tyre se nuk i respektojmë aspak vendimet që marrim dhe ligjet që bëjmë. Aq më tepër kur sot në Shqipëri është instaluar një regjim. E pra regjimi nuk mund të mposhtet duke e kapur për leshi!

Debati për zgjedhjet, sistemin zgjedhor, masat për mostjetërsimin e votës janë të rëndësishme sepse nga aty marrin jetë qeverisja dhe institucionet. Por, fillimisht duhet të zgjidhim hesapet me regjimin, sepse ai është armiku i zgjedhjeve të lira. Ne kemi toleruar një regjim me indiferentizmin tonë. Por jo pa faj janë edhe ata që eksperimentuan me ne dhe që na këshillojnë sot, duke bërë pa dashje avokacinë e regjimit. Shqipëria ndodhet sot në udhëkryq dhe zgjidhja politike është mjaft e rëndësishme për mbijetesën e vendit apo për shpërbërjen e tij. Nuk po teproj duke thënë këtë, thjesht po konstatoj një të vërtetë të hidhur.

Besimi është minuar ngado dhe regjimi vazhdon të mbijetojë sepse reagimi ndaj tij është i vakët. Detyra e gjithkujt që e do këtë vend është si të instalohet besimi dhe shpresa. Kjo është sfida e sfidave! Riciklimi i regjimeve ka përshkuar historinë tonë të shkuar dhe të re. Një popull që ka humbur tempin e reagimit dhe sensorët e represionit, duket se do të vuajë gjatë derisa të zgjohet. Mjafton të shohësh se vendit i janë shpërbërë institucionet dhe shtyllat e tij, të kuptosh se jemi duke përjetuar një gjendje të rëndë të demokracisë. Unë nuk besoj te make-up-i i regjimit pa e larguar nga pushteti atë dhe të gjithë ata që i shërbejnë.

Nëse ka një rrugë është vetëm zgjimi ynë i përbashkët, rikthimi i besimit te ndryshimi dhe vlerat e demokracisë. Rrugë ka shumë, por vlejnë ato që bëhen me sinqeritet, me dashuri për vendin dhe pa i infektuar nga interesat personale apo të momentit.
Sot, është koha që ne jo vetëm kemi lindur këtu, por e duam atë si vendin ku do të jetojnë bijtë dhe nipat tanë…