Av. Kujtim Cakrani: Mos na jepni mend nga larg!

1022
Sigal

Mos na jepni mend nga larg. Hajdeni dhe kontribuoni në Shqipëri

Rrjetet sociale i kanë sjellë më pranë njerëzit, sado larg që ndodhen, duke bërë që tashmë globalizmi të duket se është lagjja jote, është shoqëria jote, është bashkëbiseduesi yt. Në çdo çast, mëson çdo ngjarje që ka ndodhur mijëra kilometra, në të mijtën e sekondës dërgon figurën dhe zërin tënd, të ngjarjes, tek cilido, mijëra kilometra. Kjo është e mira. Por, ka edhe anët e këqija, ky komunikim informativ nëpërmjet rrjeteve sociale. U jep mundësinë disave, që të japin mend, të “këshillojnë”, të urdhërojnë, të duan të komandojnë të tjerët, duke mos qenë aspak të pranishëm, aktorë dhe faktorë të ngjarjeve. 1,5 milionë shqiptarë tashmë jetojnë e punojnë larg Shqipërisë, emigrantë nëpër 4 cepat e Globit Tokësor. Shumica e tyre, që kur kanë ikur, nuk janë kthyer asnjëherë më në Atdhe. E megjithatë, nëpërmjet rrjeteve sociale, përditë, për çdo rast, këta u japin shqiptarëve që jetojnë në Shqipëri “këshilla”, udhëzime, modele, projekte, madje edhe urdhra si të jetojnë, kë dhe pse duhet të votojnë këtë parti e këta persona, cilët politikanë janë të këqijtë dhe cilët janë të ndershmit, cila qeveri duhet të qeverisë, si duhet të qeverisë qeveria, kë duhet të futë në burg gjykata etj., etj… Por asnjëherë, nuk e marrin mundimin, që të lenë kolltukun, të lenë nga duart laptopin dhe celularin dhe të marrin mundimin e të vijnë këtu në Shqipëri, të kontribuojnë me vepra d.m.th., veprime e jo fjalë… Avokat Kujtim Cakrani, duke marrë shkak nga demagogët e rrjeteve sociale, u jep nga Shqipëria një këshillë, “mendimtarëve” emigrantë.

Av Kujtim Cakrani: Mendoj se, ata që jetojnë dhe punojnë jashtë Shqipërisë, që prej shumë vitesh nuk janë pjesë e jetës politike, shoqërore, që nuk kanë ardhur asnjëherë të vetme për të votuar ndryshimet dhe kontribuar për gjendjen në Shqipëri, nuk kanë të drejtën morale të bëjnë moralistin, duke na dhënë mendje nga bota e lirë ku jetojnë, si duhet të veprojmë ne dhe çfarë duhet të bëjmë! Është shumë kollaj të flasësh nga ana tjetër e botës, duke na thënë se si duhet të veprojmë apo sillemi ne që jetojmë në Shqipëri. Ju lutemi shumë, po doni që gjerat të shkojnë mirë, hajdeni në Shqipëri të protestoni dhe të votoni me qëllim të ndryshoni gjërat. Ndryshe mos flisni. Është shumë kollaj të flasësh nga FB, shtrirë në kolltuk…