“Punime që zgjasin deri në ditën e zgjedhjeve dhe më pas, zhduken bashkë me premtimet …”!
Pothuajse e gjithë Administrata vendore e Bashkisë Mat është vënë në shërbim të kandidatit socialist Altin Bojni – ndërsa punimet, që për vite të tëra munguan, tani në prag të zgjedhjeve të 9 nëntorit, makineritë e asfaltit punojnë ditë e natë, sikur Mati po rilind papritur!
Me urdhër, ndoshta dhe nga lart, e gjithë administrata e kësaj Bashkie është angazhuar këto ditë në funksion të kandidatit socialist për kryetar bashkie, Altin Bojni. Në një kohë kur prej muajsh, madje prej vitesh, shumë zona të Matit kanë vuajtur mungesën e shërbimeve bazike dhe rrugëve të kalueshme, tashmë – me nisjen e fushatës zgjedhore – gjithçka po ndryshon “mrekullisht”.
Në çdo njësi administrative, madje edhe në disa fshatra të largëta, janë vënë në lëvizje makineritë e asfaltit, punëtorët dhe tenderat e vonuar. Asfaltim rrugësh, riparime, rregullime fasadash, ndriçime të rrugëve e tjera, gjithçka po bëhet me ritme që nuk janë parë asnjëherë më parë gjatë gjithë mandatit katërvjeçar.
Por qytetarët e Matit nuk janë më naiv, tashmë ata e njohin mirë këtë skenar: kjo nuk është hera e parë që rrugët e Matit “lulëzojnë” në prag të votimeve. Me ironi, njerëzit e kanë quajtur këtë fenomen “asfalti elektoral” – punime që zgjasin vetëm deri në ditën e zgjedhjeve dhe më pas, zhduken bashkë me premtimet.
Pyetjet që shtrohen janë të qarta dhe të drejta:
– Pse Bashkia e Matit po punon intensivisht tani, pikërisht në kohë fushate?
– Pse këto investime nuk u bënë më herët, kur njerëzit i kërkonin me ngulm?
– A e dini se me ligj ndalohet kryerja e punimeve dhe inaugurimeve publike gjatë periudhës zgjedhore?
– A mos vallë qeveria ka akorduar fonde shtesë vetëm për bashkitë me kandidatë socialistë, siç është edhe Mati?
Nëse përgjigjja është “po”, atëherë kjo nuk është më fushatë, por abuzim me pushtetin. Qytetarët e Matit meritojnë shërbime të përditshme dhe jo “dhurata” elektorale që zgjatin sa një fletë votimi.
Ky “asfalt zgjedhor” mund të ndriçojë përkohësisht rrugët, por nuk do të mbulojë dot zhgënjimin dhe mungesën e besimit që kanë njerëzit ndaj një administrate që kujtohet për ta vetëm kur afrojnë zgjedhjet! Matjanët nuk duan rrugë me asfalt vetëm për vota, ata duan shërbime gjithëpërfshirëse për jetën e tyre të përditshme!






















