Akademia, kjo vatër infeksioni

335
Sigal

Nga Luçiano BOÇI

Janë ende të freskëta në kujtesën e qytetarëve, deklaratat butaforike të Akademisë tashmë jo të shkencave, për gjendjen e pandemisë përgjatë karantinës.

Rreshtat qesharakë që na nxirrnin vendin më të mirë dhe se Gjermania e Danimarka, në menaxhimin e covid-19, janë tanimë pjesë e fondit të humorit të hidhur popullor.

Kjo është arritja më e madhe e “shkencore” e Ramës dhe Gjinushit me shokë në këtë epokë pandemie.
Gjinushi zbërthente në darkë fije për pe përsiatjet e çartura të Ramës, i fuste një buletin në mëngjes si qarkore partie dhe abrakadabra, ja ku u bë dhe “shkenca”.

Sa e lehtë paska qenë kjo shkenca dhe nuk e dinim?!

Akademia nga vatër shkence, u shndërrua kështu në vatrën infektive më të madhe të propagandës së shpifur që vjel lekë nga njerëzit e vjell mashtrime politike për njerëzit.

Me Gjinushin, mashtrimit politik i është shtuar parashtesa e titujve prof., dr., akademik.
Po nuk mbaron këtu

Pandemia tjetër e vjetër sa vetë qeveria Rama, ajo e paligjshmërisë totale dhe abuzimit, ka shpërthyer brenda saj, duke krjuar vatrën e re “shkencore” më të rrezikshme.

Dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe!

Sipas denoncimeve kurajoze e të argumentuara, zgjedhja e anëtarëve të rinj të akademisë, është bërë pa garë reale, në shkelje të plotë të statutit të Akademisë dhe në kundërshti të plotë ligjore.

Tempulli i shkencës, siç duhet të ishte, kësisoj është shndërruar në një “kullë turpi”, ku gjithçka ndodh, përveç shkencës.

Institucionet brenda akademisë si ai i garës, i meritës, i arritjeve, por dhe ato administrative, janë eleminuar plotësisht, për t’u zëvendësuar nga institucioni i qokave politike të paracaktuara në zyra kryeministrore turpi.

Akademia jonë që e ha turpin me shkencë, është bërë tashmë vatra më toksike e infeksionit të paligjshmërisë dhe abuzimit.

Egërsia antiligjore e saj, po konkuron me dinjitet të plotë egërsinë antikushtetuese të qeverisë.
Ndërkohë që shton shpenzimet e kërkon shpërblimet, Akademia me ritëm frenetik shton arbitrariten, mbjell infeksionin e së keqes, dërrmon shkencën, mbyt meritën, atrofizon idetë dhe i shërben me një servilizëm të paparë oriental çmendurisë dhe aventurës politike të Ramës.