Agron Mema: Ku jemi me ruajtjen e trashëgimisë dhe traditave të popullit tonë ?

251
Sigal

Çfarë ndodh me arshivën gojore të popullit tonë?! Ku jemi me ruajtjen e trashëgimisë dhe traditave tona?

-Pas një bisede me njeriun e thjeshtë Gëzim Xhaferri-

Duhet  të kemi kujdes dhe vëmendje për arkivat e gjalla. Ato zhduken dalngadalë dhe nuk ka një vëmendje, qëndrim, përkushtim dhe përgjegjësi kombëtare për t’i regjistruar dhe arshivuar si dëshmi dhe fakte të së shkuarës.

  Populli ynë është një minierë e artë e historisë trashëgimore, si folklorike, etnike, gjenetike, social-shoqërore e psikologjike. Vitet e trazicionit të tejzgjatur, më shumë se çdo gjë, rënuan deri në shkatërrim kulturën dhe tempujt e saj. Nëse sistemi komunist i dha shtysë dhe zhvillim kulturës dhe elementeve të trashëgimisë së të gjitha llojeve, kjo natyrisht për përmbushjen e synimeve të tyre propagandistike për ekzistencën dhe jetëgjatësinë e sistemit, por gjithsesi kultura pati një hov dhe zhvillim të përmasave gjigande. Sot rënim dhe zhdukje. Pse?! As pushtuesit e ndryshëm , të vegjël e të mëdhenj, të butë e të egër, si Turqia, Italia e Gjermania, nuk prekën trashëgiminë kulturore të popullit tonë, ndërsa sot edhe enët e guzhinës, edhe armatimi i përdorur në shekuj nga populli ynë, janë dërguar për skrap dhe shteti nuk tregon as pikën më të vogël të përgjegjësisë për këtë katastrofë kombëtare. Në këto kushte nuk mund të bëhet fjalë për të ruajtur dhe arshivuar trashëgiminë gojore të popullit shqiptar: një nga visaret më të shenjta e të shtrenjta të tij. Ishte kjo trashëgimi që, me shekuj brez pas brezi, nuk lejoi të zhdukej, po përcolli gjuhën shqipe, këngët lirike dhe epike, ngjarjet madhore të historisë, luftrat dhe përpjekjet për liri e pamvarësi, kanunin, kuvendet dhe zgjidhjen e problemeve deri në falje gjaqesh etj. Po sot? Ende kemi thesare të kësajë tradite, por ato flenë në memorien dhe kujtesën e atyre që i dinë, por janë të destinuara për t’u varrosur sëbashku me ta, në një ditë, kur vetë këta persona të largohen nga kjo jetë. A duhet të kemi kujdes dhe vëmendje për arkivat e gjalla? Domosdoshmërisht që po! Ato zhduken dalngadalë dhe nuk ka një vëmendje, qëndrim, përkushtim dhe përgjegjësi kombëtare për t’i rregjistruar dhe arshivuar si dëshmi dhe fakte të së shkuarës. Ato ikin dhe mbulohen me baltë për mos të dalë më kurrë në dritë, duke zhdukur mjaft fakte dhe ngjarje me vlerë historike kombëtare. Shohim që në media apo TV jepen lajme apo emisione gjysëm reklamë apo reklamë e plotë ku promovohen vila turistike e llojet e gatimeve duke mos gabuar të thonë dhe listën e çmimeve të kripura. Pse ky indiferentizëm? Këto mendime më lindin teksa bisedoj me një të moshuar 80 vjeçar, duke pirë kafe, me zotin Gëzim Xhaferri. Mund të cilësohet një arkivë e gjallë, i cili në ngjarjet dhe ndodhitë që tregon, në mënyrë metaforike i lidh këto edhe me ngjarjet e sotme dhe brenda alegorisë së filozofisë popullore, si një njeri që ka parë e dëgjuar shumë, jep edhe mesazhet dhe rrugëzgjidhjen e situatave dramatike që përjeton sot vendi ynë. Edhe më herët Gëzimi ka botuar në shtypin e përditshëm ngjarje dhe rrëfenja nga e kaluara. Ai të sheh në sy dhe flet se: ” Shqipëria i ngjan një lisi në suferinë, ngulur në brinjë të malit, suferinat e rrahin me erërat e tyre të forta e të ftohta dhe i presin degët, por nuk e shkulin dot nga rrënjët. I ngjan një lëndine djerrë ku dëgjohen blegërimat e vajtueshme të deleve, që kërkojnë qingjat e tyre. Po qingja nuk ka. Nuk i ka ngrënë ujku, por kurbeti. Dhe ku nuk ka qengja, ka plakje dhe ku ka plakje vjen shpejt vdekja. Po vdekja po korr edhe me vrasjet e përditshme . Nuk guxon dot të hapësh TV se vrasje, zjarre, drogë…ku shkon ky brezi i ri?! Pse nuk tregohet asnjë përgjegjësi për ta? Shqipëria vritet dhe digjet dhe kryeministri nuk thotë një fjalë, por lahet e bën qejf plazheve luksoze. Kryeministri, në këtë situatë dramatike dhe tragjike duhet t’i lërë qejfet me plazhe dhe t’i kthehet zbatimit të ligjit, qoftë edhe me dhunë, se po humbet kombi. Po varrosen njerëzit përsëgjalli, shumë bij e bija janë kthyer e po kthehen ushqim për peshq duke lënë kokën ujërave dhe deteve të oqeaneve në kërkim të një jete të lirë, të garantuar dhe të sigurtë ekonomikisht. Kombit sot po i bëhet dëmi më i madh. Nënat dhe baballarët, motrat dhe vëllezërit, miq e shokë, i shoh dyerve të gjykatave e burgjeve, policisë dhe prokurorisë, që me lot në sy kërkojnë mëshirë për bijtë e tyre viktima të drogës dhe krimit, shumica adoleshentë. Duhet të hap vende pune se papunësia sjell dëmin më të madh. Lanë librat dhe morën armët. Se edhe kur punësohen, more djalë, u gjejnë njerëzve punë dhe jo punës njeri, ca me miq e shok e ca të tjerë, më keq akoma , me dokumente falco. Ndaj, nuk kanë më shpresë, dhe braktisin shkollën se mungojnë politikat e shtetit dhe vlerësimi i specialistit. Këto thotë Gëzimi në këndvështrimin e tij dhe mendojmë se ka të drejtë. Pastaj nis e tregon: “Dikur Manxhar Shalarit, kapedan i Fushbardhës, i vranë djalin. E zuri vrasësin të gjallë. Të gjithë prisnin dënimin fatal. Por jo! Manxhari vendosi ta bënte djalin e tij dhe bëri davet në mes të fshatit, ku gjithë fshati qe i ftuar. I gjen sot këta burra? U vranë në vitin 1990 katër djem nga Alikua se kërkuan lirinë e tyre, botën që u garantonte jetën. Ato vrasje duket se qenë si prolog i serialit, që nuk ka fund. Ndryshe e vërteta, e ndryshe versionet zyrtare që jepen. Shpeshherë anashkalohen shkaqet. Dhe kjo është gjëmë që nuk i dihet fundi. Ku vemi? Nuk e dimë! Sa do ecim kështu? Dhe kjo vjen edhe nga mosnjohja e historisë, rrugën nëpër të cilën ka ecur populli ynë deri më sot. Faktet , ngjarjet, përvojat, të gjitha po zhduken, ngelen të panjohura. Ja, toka jonë mban brenda vetes dhe gjirit të saj bij të Greqisë, që ranë në tokën tonë nëpër luftra të ndryshme. Pse të mos prehen në tokën e tyre, token, që për nderin dhe lavdinë e saj luftuan, derdhën gjakun e dhanë edhe jetën?! Dhe në fund të fundit cila është e vërteta tragjike e jetës së tyre? A nuk do qe dinjitoze për të dy shtetet tona fqinje që në Kakavijë të qe një memorial mermeri në kujtim të viktimave të dy kombeve të të vrarëve në kufi që ky terror dhe krim të mos harrohej , por të qe bashkëshoqërues nëpër breza si denoncim i ashpër dhe i fortë i atij sistemi gjakatar e rënues? E ç’të them , mor djalë. Ja , unë jam sot 85 vjeç. Kanë ikur 85 vite që nga dita që linda në Kala të Kalasës, kala që u ndërtua nga turqit në mesjetë, aty nga viti 1600 dhe që i dha dhe emrin fshatit. Po do t’ja dijë njeri për historinë? Ato ikin nëpër rrjedhat e lumit që përshkon fshatin, ikin ashtu si rrjedha merr gjethet e rrapit anës tij ditët e vjeshtës. Dhe për traditën e trashëgimisë më duket se jemi në vjeshtë. Kësaj bime të çmuar po i bien gjethet, po zhvishet krejt. Dhe kjo është katastrofa më e madhe, këtej vijnë të këqijat. Mosnjohja e vetes, genit, gjurmës, traditës, folklorit, gjuhës, që e ke parë edhe vet kur vijnë emigrantët, që nuk flasin shqip, po dhe kur e flasin gjysma-gjysma e thonë, asimilim me pasoja humbjeje. Dhe humbje e madhe, sidomos kur shoqërohet me heshtje dhe indiferentizëm shtetëror. Historia jonë është e pastër si ujët e burimeve. Pse të na vijë turp nga njohja e saj? Nuk e marr vesh fare!” e përfundon Gëzimi ligjëratën e tij. Dhe kjo të bën të mendosh. Në fund të fundit pse të mos i dëgjojmë, shkruajmë dhe arshivojmë, t’i mbajmë këto fakte dhe ngjarje të historisë sonë? Të jemi mirënjohës për ata që tregohen të gatshëm që na i tregojnë dhe neve të tregojmë gadishmëri dhe të jemi të gatshëm e të kujdesshëm, dhe të vëmendshëm, t’i arshivojmë dhe t’i bëjmë terren funksional. Historia është kokëforte dhe këtë e përligj me faktin, ai është alfa e saj, shenjtëria e saj. Ndaj duhet çmuar duke i bërë një shërbim obelisku kombit tonë dhe historisë së tij. Në fund të fundit pse të mos i dëgjojmë dhe arshivojmë? Ç’farë na pengon?