Kosto gjigante për impiantet e energjisë, 3 mln euro vetëm ankorimi për anijet

208

Ankorimi i 2 anijeve që prodhojnë energji në Vlorë do të kushtojë 3 milionë euro, ndërsa vlera totale e përdorimit të impianteve lundruese nuk është bërë ende publike. Ndërkohë Korporata Elektro-Energjetike Shqiptare parashikon shpenzime super luksoze për impiantet

Sigal

Akomodimi i dy anijeve, të kontraktuara nga qeveria shqiptare, për të prodhuar energji elektrike në Vlorë, do të kushtojë rreth 3 milionë euro. Kjo kosto do t’i shtohet vlerës ende të papublikuar të përdorimit të impianteve lundruese, të cilat pritet të vendosen përkohësisht në Triport.

Korporata Elektro-Energjitike Shqiptare, KESH, ka shpallur tenderin “Ndërtimi i infrastrukturës së aksesimit dhe ankorimit për operimin e asetit gjenerues termik, në portin e peshkimit Triport-Vlorë”, me fond limit 280 milionë lekë të reja pa TVSH ose rreth 3 milionë euro së bashku me TVSH.

Sipas të dhënave të tenderit, ky investim do të kryhet pas propozimeve të kontraktorit “Excelerate Energy” & “Renco”.

Fituesit e tenderit do të duhet që, brenda 100 ditëve nga nënshkrimi i kontratës, të kryejnë thellimin e tabanit të zonës portuale të Triportit.

Në dhjetor të vitit 2021, Qeveria autorizoi KESH-in që t’i drejtohet tregut ndërkombëtar për të marrë përkohësisht (1-2 vjet) me qera asete gjeneruese termike shtesë. Qëllimi i deklaruar i qeverisë shqiptare është përballimi i situatës, në kushtet e krizës globale energjetike të shoqëruar me ngritjen e menjëhershme të çmimeve të energjisë në tregjet.

Ekspertët dhe opozita janë shumë skeptikë për këtë zgjedhje të qeverisë. Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një takim publik javën e kaluar e deklaroi këtë sipërmarrje të qeverisë si një zhvillim anti-ekonomik mjaft të rëndë, një shpërdorim të tmerrshëm, që po ndodh në fushën e energjisë. Sipas tij, kostoja për përdorimin 2-vjeçar të impianteve të prodhimit të energjisë që po vijnë me anije nga Bangladeshi do të jetë rreth 760 milionë euro, përfshirë qiranë dhe naftën që do të përdorin.