Shkencëtarët provojnë përplasjen mes një ylli neutron dhe “Vrimave të Zeza”

191
Sigal

Shkencëtarët e dinin se teorikisht në univers mund të kishte përplasje mes vrimave të zeza dhe yjeve me neutron, por nuk ishin në gjendje që të përcakton se sa shpesh ndodhnin këto fenomene.

Por, në harkun kohor të 10 ditëve, një grup prej 1300 shkencëtarësh të përfshirë në vëzhgimin e këtyre fenomenve vunë re dy përplasje të tilla. Këto zbulime mund të nënkuptojnë se disa ide se si formohen yjet dhe galaktikat mund të kenë nevojë për rishikim.

Profesori Vivien Raymond, nga Universiteti Cardiff i tha BBC News se rezultatet befasuese ishin fantastike. “Ne duhet të rishkruajmë teoritë tona”, tha ai.

“Kemi hedhur një tjetër hap të vogël në misteret e mëdha të universit. Kur supozojmë diçka, priremi ta vërtetojmë atë. Duhet të jemi të gatshem dhe hapur për të ndryshuar dhe të shohim se çfarë po na thotë Universi”, vijoi ai.

Vrimat e zeza janë objekte astronomike që kanë një gravitet kaq të fortë, madje as drita nuk mund të shpëtojë prej këtij graviteti. Yjet neutronë janë yje të vdekur që janë tepër të dendur. Sipas përllogaritjeve të shkencëtarëve, një lugë çaji me material nga një yll neutron mund të peshojë rreth katër miliardë tonë këtu në Tokë.

Të dy objektet qiellore janë gjigante për nga përmasat, por vrimat e zeza janë dukshëm më masive se yjet neutron.

Në përplasjen e parë, e cila u zbulua në 5 Janar 2020, një vrimë e zezë gjashtë herë e gjysmë më shumë se masa e Diellit tonë u përplas me një yll neutroni që ishte 1.5 herë më masiv se Dielli. Në përplasjen e dytë, të marrë vetëm 10 ditë më vonë, një vrimë e zezë 10 herë më e madhe se përmasat diellore u u përplas me një yll neutron me përmasa dy herë më të mëdha se Dielli.

Kur objektet aq masive përplasen me njëra-tjetrën, ato krijojnë valëzime në pëlhurën e hapësirës të quajtura valë gravitacionale, të cilat deri vonë ekzistonin si teori, derisa janë provuar së fundmi nga shkencëtarët se ato ekzistojnë.

Veë këtyre dy përplasjeve, studiuesit kanë zbuluar edhe dy vrima të zeza që përplasen me njëra-tjetrën, si dhe dy yje neutronësh.

Pse ka rëndësi kjo përplasje e fundit?

Zbulimi ka rëndësi pasi sipas teorive tradicionale, të bazuara në vëzhgimet e kaluara, yjet neutron priren të gjenden dhe përplasen me yje të tjerë neutronë dhe e njëjta gjë mendohej të ishte e vërtetë për vrimat e zeza.

Por dy përplasjet e yjeve dhe vrimave të zeza neutronike, të botuara në Astrophysical Journal Letters e rrëzojnë këtë teori.

Fenomeni anon drejt një grupi tjetër teorish, të cilat supozojnë se vrimat e zeza dhe yjet neutrone gjenden vërtet pranë njëra-tjetrit. Këto teori alternative nënkuptojnë se yjet dhe galaktikat u formuan në mënyra të ndryshme.

Për shembull, gjatë miliarda viteve, yjet kanë prodhuar materialet nga të cilat janë formuar strukturat e tjera, edhe më të mëdha kozmike, të tilla si planetët dhe galaktikat. Prodhimi brenda yjeve të të ashtuquajturve elementë të rëndë, të tillë si hekuri, karboni dhe oksigjeni lidhet me proporcionin e vrimave të zeza dhe çifteve të yjeve neutrone në Univers.

Forca me të cilën yjet shtyjnë materialin brenda tyre kur ato shpërthejnë lidhet gjithashtu me këtë proporcion të çifteve të vrimave të zeza dhe yjeve neutron. Si përfundim, zbulimi i ri sugjeron që yjet prodhojnë më pak elementë të rëndë dhe i shtyjnë ato me më pak forcë sesa mendohej më parë, gjë që, nga ana tjetër ka implikime për vëzhgimet në botën reale të Universit.

Asnjë teori ekzistuese nuk mund të shpjegojë në mënyrë të përsosur atë që astronomët shohin në qiellin e natës. Por, sipas Dr Raymond, shumë prej ideve mund të ndryshohen për t’iu përshtatur më mirë asaj që dimë.

Sheila Rowan, nga Universiteti i Glasgow, i tha BBC News se vëzhgimet e llojit dhe frekuencës së përplasjeve të vrimave të zeza dhe yjeve neutronë gjatë gjashtë viteve të fundit po krijojnë një pamje gjithnjë e më të detajuar të dinamikës brenda galaktikave.

“E gjithë kjo po na jep një pamje të pasur të evolucionit yjor. Ky vëzhgim i fundit është një tjetër e dhënë që në ndihmon të kuptojmë më mirë se ëfarë ka atje në Univers dhe si funksionon”, thotë ajo.

Përplasjet u zbuluan nga matja e valëve të shkaktuara nga ndryshimet e papritura të forcave gravitacionale që ndodhin kur përplasen dy trupa masivë qiellorë. Këto të ashtuquajtura valë gravitacionale kalojnë qindra miliona vite dritë nëpër hapësirë dhe u morën nga detektorët në shtetin Uashington dhe Luiziana në SHBA dhe detektori i Virgjëreshës në Italinë qendrore. Së bashku, ata formojnë bashkëpunimin e Avancuar të Interferometrit të Vëzhgimit të Valëve Gravitacionale (ALIGO).