Pulat rikthehen në tregje, por me certifikata shëndetësore veterinare

227
Sigal

Ministria e Bujqësisë ka lehtësuar masat shtrënguese në përpjekje për të parandaluar përhapjen e gripit të shpendëve, duke ndërhyrë në urdhrin e dhënë më 8 qershor të këtij viti.

Urdhri i ri shfuqizon togfjalëshin “dhe tregjet e kafshëve të gjalla”, duke lejuar shitjen e shpendëve në këto tregje, por jo pa kushte.

Kushti është një raport analizë që do të lëshohet nga Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare, që vërteton se shpendët janë të pastër nga gripi i shpendëve, njohur si influenca aviare dhe me certifikatë shëndetësore veterinare të lëshuar nga veterineri zyrtar.

Urdhri lejon gjithashtu tregtimin nga ferma në fermë të shpendëve, në rastet kur fermat ndodhen në ato që vlerësohen si zona të lira, pra të pakontaminuara nga gripi i shpendëve dhe gjithmonë me certifikatë shëndetësore veterinare të lëshuar nga veterineri zyrtar i zonës.

Shqipëria është në listën e vendeve të Europës e prekur nga gripi i shpendëve. I cilësuar si virusi H5N8, ai fillimisht u përhap në Europën Perëndimore, e më pas nëpërmjet shpendëve shtegtarë u përhap edhe në Europën Qendrore dhe atë Perëndimore.

Vatrat e para të përhapjes së kësaj epidemie u konfirmuan në javën e parë të qershorit. Me një urdhër të dalë nga Ministria e Bujqësisë, në të gjitha bashkitë e vendit është i ndaluar tregëtimi i shpendëve në ambiente të hapura. Problematikat më të mëdha hasen në qytetet ku dhe numri i fermave me pula është edhe më i lartë.

“Më problem është Shqipëria e Mesme, kemi vatra në veri, por që Shqipëria e Mesme ka më shumë shpendë. Aty duhet treguar kujdes”, u shpreh Kujtim Mersini, epidemiolog-veterinar.

Ministria e Bujqësisë kërkoi nga çdo bashki në vend që të marrë masa për ndalimin e tregtimit të shpendëve në rrugë dhe hapësira të tjera publike.

Ministrja Ekonomi kërkoi nga përfaqësuesit e bashkive, koordinimin e masave në nivel bashkie dhe njësie Administrative për parandalimin e influencës aviare sikurse përcaktohet edhe në planin e masave.

Gjithashtu, në planin e masave kërkohet nga bashkitë kontroll i tregjeve të gjësë së gjallë, ndalimi i tregtimit të shpendëve në rrugë apo hapësira publike dhe kontroll të lëvizjes së shpendëve.

Prej datës 8 qershor kur ISUV konfirmoi rastet e para me gripin e shpendëve, Qendra kombëtare e Krizës e ngritur në Ministrinë e Bujqësisë dhe të Zhvillimit Rural, thotë se po ndjek me vëmendje situatën dhe po koordinon planin e zbatimit të masave në terren.