Zana Zyrakja: Gruaja, krijesa që ripërtërin dhe nderon kombin

1409
Sigal

INTERVISTA/ Flet gazetarja e Radio-Tiranës dhe skenaristja  Zana Zyrakja

Një grua e qeshur dhe komunikuese që rrezaton siguri e feminitet njëherësh në stinën e moshës së saj. E vetëdisiplinuar për ditën. Larg thashethemeve dhe cinizmit kohor. Çdo bisedë e lidh me punën, pasi ajo pa frymën e kërkimit dhe emocionit të  profesionit duket sikur nuk jeton dot. Suzana Zyrakja, gazetare një jetë në Radio Tirana, një zë i njohur  i mikrofonit në hapësirat mbarëkombëtare, njëherësh dhe skenariste e disa dokumentarëve televizivë. Në një bisedë të rastit me të mësojmë për angazhimet e saj si gazetare krijuese në kuadër të 100 vjetorit të Pavarësisë.

Cili është angazhimi juaj si gazetare e mikrofonit me rastin e 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë?

Në Departamentin e Programeve për shqiptarët jashtë Atdheut, ku unë punoj, mund t’ju them se temën e patriotizmit e të atdhedashurisë, të ruajtjes së identitetit kombëtar e kemi pasur dhe e kemi thuajse të përhershme, të përditshme në emisionet tona. Në kuadrin e 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë personalisht, krahas temave të tjera, po realizoj një cikël emisionesh “Gruaja, krijesa që ripërtërin kombin”. Është një cikël emisionesh radiofonike me të ftuar të ndryshëm, studiues, historianë, krijues e realizues nga bota e kinematografisë apo e dokumentarit që kanë trajtuar kontributin e gruas shqiptare  në udhën e 100 vjet shtet shqiptar. Bisedat në mikrofon kanë sjelle fakte interesante nga jeta dhe veprimtaria e Mbretëreshës Teutë, personalitet me zë në historinë e Ilirisë, Elena Gjikës, Nderi i Kombit, publiciste e shkrimtare përparimtare, që sensibilizoi në qarqet evropiane çështjen shqiptare dhe përkrahu me të gjitha forcat lëvizjen kombëtare shqiptare, Marigo Posio, Zonja e Flamurit, që qëndisi Flamurin e Pavarësisë, Heroina shqiptare Shote Galica, Nënë Tereza (Gonxhe Bojaxhi), nëna e dashurisë planetare, që i bën nder kombit shqiptar me humanizmin e saj hyjnor për njerëzimin, Motrat Qiriazi etj.. Po ashtu kam realizuar intervista me artiste te shquara, që me talentin  e sukseset e tyre në skenat e botës përfaqësojnë denjësisht artin shqiptar.

Ndërkohë jeni dhe skenariste e disa filmave dokumentarë. Mund të përmendim ndonjë të kohëve të fundit?

Ka qenë një bashkëpunim kryesisht me regjisorin e mirënjohur të TVSH, Ylli Pepo, kamera të Astrit Omerit dhe të Donald Grecës me të cilët kemi realizuar filmin “Tinguj që vijnë nga shekujt”, ku bëhet fjalë për bandën muzikore  “Afërdita” të qytetit te Elbasanit, krijuar mbi 100 vite më parë. Veprimtaria patriotike e këtij formacioni kulturor është pjesë ë traditës së pasur të shpirtit të lirë, përparimtar e demokratik të qytetit të lashtë te Elbasanit, qytetit të Normales. Me një repertor të kultivuar kombëtar ky formacion frymor jepte koncerte të shumta, që kulmonin më 28 Nëntor, Ditën e Flamurit. Koncertin e parë te organizuar banda muzikore “Afërdita”  e dha më 28 Nëntor 1917 nën drejtimin e dirigjentit austriak Anton Cimfl. Gjatë qëndrimit të tij në qytetin e Elbasanit, ky muzikant austriak, dirigjent i orkestrës frymore të regjimentit ushtarak të ardhur në këtë qytet më 1916…shkroi disa pjesë simfonike për këtë orkestër frymore dhe orkestroi mjaft këngë patriotike. Në repertorin e tij bën pjesë dhe Marshi kushtuar patriotit të shquar elbasanas, Aqif Pashë Biçakçiut. Me partiturat origjinale të këtij marshi kohët e fundit hapet balloja e fundvitit në TOB të kryeqytetit tonë. Kjo Bandë muzikore përcolli vullnetarët elbasanas në luftën e Vlorës te vitit 1920. Nën tinguj e saj luftëtarët marshuan për 3 ditë në këmbë nga Elbasani në Vlorë…Tingujt e saj ishin pjesë e atmosferës së Vlorës së çliruar…Pra një vazhdimësi tingujsh që vijnë nga shekulli e shkojnë drejt shekujsh të tjerë…

Promovimi i dokumentarit tuaj “E rrallë” në kinema ABC të Prishtinës ishte befasim për pjesëmarrësit e shumtë, i duartrokitur gjatë prej tyre…

Ishte vetë tema, ngjarja, personazhi kryesor i dokumentarit me rrëfim aq të rrallë e real. Në qendër të filmit është një mami e Malishevës në Kosovë, Sanije Desku quhet. Një mami perfekte në profesion, humane, atdhedashëse. Në kohën e luftës së Kosovës, krizës humanitare, kur asgjë nuk funksiononte…ajo u bë dalzotëse e grave shtatzëna. Ka pritur afro 100 lindje në male. Për gratë shtatzëna, që iu shpëtonte jetën bashkë me fëmijët e porsalindur, ajo ishte si një gjysmëperëndi! Në ekran flasin vetë gratë që kanë lindur me të, fëmijët sot 13 apo 14- vjeçarë, mjaft prej të cilëve janë pagëzuar me emra si Leutrim, Malësor, etj., prej vetë mamisë. Është një film dokumentar që më ka dhënë emocione të mëdha…Ky film u shfaq më 5 Maj në Ditën Ndërkombëtare të Mamisë me pjesëmarrjen e të gjitha mamive të Prishtinës. Të gjithë u habitën për këtë personazh, pasi ishte TVSH ai që e zbuloi këtë dhe e solli të gjallë në ekran. Kjo mami është si një Rozafë humanizmi… Një prej mesazheve që përcillet është se si kjo mami duhet të jenë të gjitha mamitë e tjera dhe mesazhi i dytë është se kjo mami ka shërbyer pa dallim race apo etnie, pasi u ka shërbyer edhe grave boshnjake apo atyre rome. Kjo është shpirtmadhësia e gruas shqiptare.

Aktualisht, ndonjë realizim tjetër në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë?

Sërish me regjisorin Pepo e kamera të Donald Grecës jemi në proces të realizimit të një filmi dokumentar për  mrekullitë paqtuese të Alpeve Shqiptare, në Dardaninë Alpine, si dhe të zhvillimit të turizmit kulturor në to. Në hartën e turizmit shqiptar më të klikuarat janë Alpet Shqiptare. Një zonë me vlera të pasura turistike. Resurset natyrore, trashëgimitë e pasura arkeologjike, kulturore e patriotike…të para e të vlerësuara këto dhe nga njerëz të shquar të mendimit përparimtar si Frang Bardhi, albanologët e njohur Milan Shuflaj dhe Karl Steinmetz. Shënimet e udhëtares së njohur angleze Edit Durham, mikpritja shqiptare e përjetuar dhe përshkruar në librin e saj “Brenga e Ballkanit” etj.. Dokumentarin në fjalë e kemi menduar si një rrëfim poetik të bukurive natyrore të Alpeve Shqiptare, që më lehtë është të shijohen se sa të  tregohen. Është   xhiruar me pasion, me një këndvështrim origjinal, duke xhiruar dhe nga lart, me helikopter… Sekuencat më të ndjera të filmit do të jenë ato të mikpritjes, ajo çka i bën turistët të rikthehen sërish në Alpet Shqiptare, si në  shtëpinë e tyre..Do të jenë kryesisht  vargjet e At’ Gjergj Fishtës te vepra e tij “Lahuta e Malsisë” që do t’i japin “zërin” këtyre mrekullive natyrore, mikpritjes shqiptare, traditave patriotike e trashëgimisë së pasur kulturore që e grishën Fishtën, Homerin e Shqipërisë të shkruante ato vargje aq të ndjera.

Një jetë të tërë në profesionin e gazetares, si mundeni të mbeteni në kohë?

Pasioni dhe fryma e kërkimit. Faktet e fabulat nuk të vijnë vetë, në zyrë. Ato i gjen në lëvizje, në komunikim me njerëzit, duke lexuar, për t’u pasuruar shpirtërisht. Paqetësia ka qenë shoqëruese e jetës time që prodhon energji. Të mbetesh në kohë për mua do të thotë që përvojën e fituar ta kthesh në kulm të profesionit.