Xhavit Biçaku, pasaniku që ngriti teatrin “Skampa”

980
Sigal

104 vjet lavdi dhe ringjallje e teatrit në qytetin e Elbasanit

Elbasani njihet si vendi i pasanikëve, vendi, ku kryqëzohej tregtia e mes lindjes e perëndimit, mes veriut dhe jugut. Dhe padyshim, ky qytet njihet edhe si vendi, ku kishte pasanikë bamirës, që kanë lënë gjurmët e tyre. Një prej tyre ishte edhe Xhavit Biçaku, që vinte nga një derë e madhe pasanikësh nga qyteti i ballokumeve. Ai njihet si investitori i vetëm i teatrit “Skampa”, një objekt i rrallë, me një arkitekturë të veçantë për llojin e saj, tipike italiane. Zoti Biçaku, shikonte shpesh përpjekjet dhe etjen e fëmijëve dhe artistëve elbasanas për art e kulturë, shikonte përpjekjet e tyre me mjete rrethanore për të improvizuar “salla” teatrore, skena në natyrë  dhe vendosi. Të ngrejë një godinë moderne për kohën, por që edhe sot e tillë mbetet, që t’u shërbejë qytetarëve të Elbasanit dhe më gjerë, si teatër, për të rritur dhe fëmijë. Të rriturit do të përgatisnin dhe të jepnin shfaqje për bashkëmoshatarët e tyre, kurse fëmijët për të krijuar pjesë teatrale me kukulla për të vegjlit. Por le të ndalemi tek tradita e Teatrit të Kukullave, kjo gjini që ka nisur plot 104 vjet më parë në Elbasan.

SI NISI PUNA PËR TEATRIN

Teatri i Kukullave apo siç njihej asokohe si “teatri i vocërrakëve” e ka zanafillën në Elbasan plot 104 vjet më parë, kur djem të vegjël të lagjeve të këtij qyteti, improvizonin dhe përgatisnin pjesë zbavitëse për bashkëmoshatarët e tyre. Ata ndihmoheshin nga familjet e pasura dhe djem të rritur, të arsimuar edhe jashtë vendit. Ishin jo më shumë se 15 vjeç, pesë artistë të vegjël, që organizonin shfaqje me kukulla, me lecka me baltë shtame. Si ishin ndarë rolet kush ishin ata?… Kur shikon sot teatrin “Skampa” të ndërtuar qysh në vitin 1936, nga pasaniku elbasanas Xhavit Bicaku, nuk ka si të mos shkoje mëndja larg, në ato vite kur mungonte Teatri Estradës, Teatri Komedisë, Teatri i Kukullave. Dhe sot këto janë në arkivin e këtij institucioni. Po asokohe edhe kishte Teatër Kukullash, por kush duhet të merrej me përgatitjen e tij. Veteranët e këtij institucioni kujtojnë se, “Ishin vitet ‘30 kur në lagjen “Spaikorre”, në shtëpinë e Ismail Dollisë, kur ai ishte akoma i vogël, në orët e pasdites hynin e dilnin fëmijë të vegjël, me kukulla “Barbi” italiane, që kishin mbetur qosheve, nuk përdoreshin se ishin të “huaja “. Artistët e vegjël, vraponin te sheshi “Kazazëve”, ku dajë Kiçi, kishte punishten e përgatiste balta për shtamba uji. Të vegjlit kishin vënë re zanatin e daj Kiçit, që bënte shtamba, tava e tjerë dhe ata filluan të përgatitnin kukulla me baltë. I përgatiste më i vogli, por më i talentuari Ramadan Shingjini. Dani apo Ramadani, që i vogël shfaqte talentin për përgatitjen e kukullave, prej balte, kartoni apo dërrase. Më vonë në Teatrin e Kukullave ai arriti të ndërtojë kukulla me zë e lëvizje. Me zërin dhe foninë merrej i pavdekshmi Etem Lulja, i cili kryente rolin e elektricist-fonistit në grup. Qemal Palloshi si dhe tani, gjithmonë i rregullt prove dhe shfaqje. Me këta fëmijë, u bë shfaqja e parë në magazinë e Ismail Dollisë, që shquhej për cilësi regjisoriale dhe organizative”. “Luli i Vocërr” i Migjenit ishte “premiera” e parë e grupit,vetëm me djem. Spektatorët e vegjël e pëlqyen shumë ,por edhe të mëdhenjtë. Kjo i shtyu aktorët e vegjël, të entuziazmuar të përgatisnin premierën e dytë “Dhia me shtatë kecat”. Vitet kalonin dhe për herë të parë u aktivizua edhe një vajzë ,e quajtur Vera Zaimi. “Magazaja-sallë”  mbushej  plot dhe fëmijët hynin në sallë me ndonjë dhuratë si kokërr molle apo kokërr portokalli, dikush jepte dy lekë. Asokohe zonjat Meleqe Shëngjini , Naxhije Dollija kishin përgatitur gardërobën, duke qenë edhe si rrobaqepëse . Çdo gjë në mënyre vullnetare dhe amatoreske. Por në Elbasan kjo risi kishte një bazë teorike sepse ekzistonte Teatri Amator dhe ai i Normales nga viti 1909. Më përpara aty nga vitet 1904-1905 grupe të nxënësve të shkollave të zonës së Shpatit në fundin e vitit shkollor, zbrisnin në qytetin e Elbasanit dhe jepnin shfaqje nëpër shkolla. Me shfaqjet e tyre, pesë artistët e vegjël Ismail Dollia, Ramadan Shëngjini, Etem Lulja, Qemal Palloshi dhe Vera Zaimi, i treguan Elbasanit se krahas Teatrit Amator, shumë të suksesshëm, ekzistonte dhe një teatër i vogël për të vegjlit… Historiku i këtij teatri të vogël, duhet përmendur edhe për kontributin e të vegjëlve, disa prej te cilëve edhe sot e kësaj dite japin ndihmesën e tyre artistike në art dhe kulturë, por edhe për pasurimit e historikut të Teatrit të Kukullave, mjaft i suksesshëm në arenën teatrore në Shqipëri. Hartuesi i një historiku për Teatrin e Kukullave, regjisorin Hasan Hoxha, përmendet në librin e tij dhe më vonë shënohet edhe në Enciklopedinë e Elbasani (faqe 577) ku thuhet se: ” Në Elbasan , fillimet e artit skenik të Teatrit të Kukullave janë të hershme dhe kulmuan nga viti 1948 e tutje”. Por këto shfaqje, bëheshin të organizuara nga institucionet arsimore dhe kulturore te qytetit te Elbasanit, duke pasur synim më shumë trajtimin e një koncerti variete. Një tjetër trashëgimtar i “artistëve të vegjël” kujton se “ xhaxhai im ishte 10 vjeç, dhe tregonte se gajaseshin se qeshuri me vallen e kënduar me maska “Po martojmë gjel -kokoshin”, ku në rolin kryesor ishte i famshmi Nazmi Cankja kjo ishte një pjese e koncertit”. Shfaqja e fëmijëve me kukulla, të udhëhequra nga Ismail Dollia, ishte premisë e një Teatri qe po lindte në Elbasan. Dhe kjo meritë ju takon pesë fëmijëve. Asokohe kopshti (pranë shkollës “Naim Frashëri”) ,afër furrës së Liçit, me mbështetjen e edukatores së talentuar Ana Dhama (Gignasi) u bë bazë mbështetëse e fëmijëve -aktorë. Kështu aktivizoheshin dhe shumë fëmijë kopshti,ne role të vogla. Puna bëhej me qejf, por gratis. Po kështu përmendim  më vonë edhe kontributin me piktura dhe shkrime edhe mësuesin e vizatimit Arben Çaushi, Mësuesi i Popullit, Sopot Çela, disenjator e shumë të tjerë…vitet e fundit kopshti i fëmijëve u bë një bazë eksperimentale për Teatrin e Kukullave, dhe përvoja e tij u përhap edhe në kopshte të tjera dhe shkollat fillore të qytetit. Fëmijët aktorë kërkoheshin edhe në këto kopshte , për të dhënë ndihmesën e tyre. Premiera e tretë e fëmijëve aktorë ishte “Plaku i Vitit të Ri” që u prit gjithashtu, mirë nga artdashësit e vegjël. Veteran i lëvizjes skenike te amatoreve ishte Skënder Daka, i cili ka kontribuar shumë në organizimin e lëvizjes skenike të trupave amatore të Estradave dhe Teatrit të Klasës Punëtore, veçanërisht të Kombinatit Metalurgjik, që kujton me nostalgji shfaqjet me kukulla të fëmijëve, duke i cilësuar si premisë të diçkaje të re në Elbasan. E pra e reja në ato vite ishte teatri i fëmijëve të vegjël, me kukulla, që u përhap në çdo kopsht fëmijësh të Elbasanit. Në lagjen Kala, në shtëpinë e Mishajve, Papajaneve, Theoharit…, bëheshin shfaqje teatri nga me te vegjlit, që udhëhiqeshin në skenë nga me të rriturit. Filloi një rrugë e re e artit skenik në Elbasan, teatri i kukullave i organizuar nga fëmijët për fëmijët!… Dhe nismëtarë janë djemtë elbasanas Ismail Dollia, Ramadan Shëngjini, Etem Lulja, Qemal Palloshi dhe Vera Zaimi. Më vonë kur u rritën ata kontribuuan në lëvizjen artistike të Elbasanit në grupet amatore dhe profesioniste. Ndonjëri prej tyre si Ramadan Shëngjini dhe Qemal Palloshi, kontribuojnë dhe sot e kësaj dite. Bashkë me Ismail Dollinë, ata nuk do të harrojnë ato ditë të bukura, kur me kukullat e tyre argëtonin fëmijët e qytetit të Elbasanit. Ata meritojnë përgëzime dhe nderime nga bashkëmoshatarët që ruajnë kujtime të bukura nga shfaqjet e tyre te thjeshta, por edhe nderim nga qeveria vendore e Elbasanit. Shfaqja, ndoshta premiera e krijimit të Teatrit të Kukullave në Elbasan, konsiderohet data 1958, nga mësuesi shembullor Skënder Hoxha. Pastaj punuan në mënyrë pasiononte përkushtuese me Teatrin e Kukullave në Elbasan, regjisorët Hasan Hoxha, Llambi Burgija dhe Eduard Çala. Me trupën e aktorëve ata merituan shumë çmime Kombëtare dhe Ndërkombëtare.