Valerié Trierwellier/ Një histori dashurie, pushteti, tradhëtie

776
Sigal

Faleminderit për këtë çast!

 Një ditë, një dashuri e rrëmbyer i vuri zjarrin jetës sime. Ai kishte katër fëmijë. Unë kisha tre. Vendosëm të jetonim bashkë. Por politika është një pasion që të gllabëron. I nisur nga shumë larg, Fransua Holand u zgjodh president i Republikës. E ndoqa në udhën e tij. Pushteti është një provë për atë që e ushtron, por edhe për familjarët e tij. Në Elize, ndihesha shpesh e paligjshme. Vajza e vogël që vinte nga ZUP, tashmë zonjë e parë: kishte diçka që çalonte.

E mësova pabesinë e presidentit nga shtypi, si gjithë të tjerët. Fotografitë bënë xhiron e botës, ndërsa unë isha e shtruar në spital, nën efektin e qetësuesve. Dhe burri që desha u nda nga unë nëpërmjet një komunikate prej tetëmbëdhjetë fjalësh, që ai vetë ia diktoi AFP-së, sikur të bëhej fjalë për një çështje shtetërore. Gjithçka që kam shkruar në këtë libër është e vërtetë. Si gazetare, ndonjëherë ndihesha si në reportazh në Elize. Dhe kam vuajtur tej mase nga gënjeshtra për të bërë të njëjtën gjë edhe unë.  Në krah të Fransua Holand, Valerié Trierwellier u bë Gruaja e Parë e Francës, deri në momentin kur gazetat botuan fotot e tradhtisë së tij, me një grua më të re, aktore e shquar kinemaje. Ajo në ato moment u dorëzua, ndërkohë që ai i dha lamtumirën. “Problemet e brendshme sqarohen vetëm nga ne” përgjigjej Fransua Holand lidhur me ndarjen midis tij e Valérie Trierweiler. Ish Gruaja e Parë nuk mendonte kështu. “Faleminderit për këtë çast” është rrëfim-denoncimi i Trierweiller drejtuar të gjithëve. Nga faqet e librit “Faleminderit për këtë çast” del qartë portreti i Fransua Holand. Në të përshkruhen vërtetësish bukur 9 vjet të kaluara në krah të Presidentit francez dhe sidomos të 18 muajve ne Pallatin Elisé. Autorja, ish shoqja e tij Valérie Trierweiler, e ka shkruar këtë libër gjatë një vere të tërë në fshehtësinë më të madhe. Gazetarja e “Paris Match”, siç shkruan “La Republica”, “ka përdorur një kompjuter jashtë rrjetit dhe libri është shtypur nga botuesi i pavarur Les Aréns në Gjermani, për t’i shpëtuar kështu rrjedhjes së informacionit dhe është futur në Francë me kamionë. Libri, që zbulon prapaskenat e jetës private të një njeriu publik si Fransua Holand, ishte një tërmet i vërtetë në botën politike franceze dhe pushtoi të gjithë faqet e para të gazetave të të gjithë botës”. “Do të lindë nevoja të hapësh letrat”, më kish këshilluar Filip Labro, pas zgjedhjes së Fransua Holandit. Shkrimtari, njeri i mediave, është një njeri për të cilin kam një respekt të pamasë, por nuk dita t’i bindem. Nuk ia dola që të vendosja për të treguar kush isha. Nuk bëhej fjalë të zbuloja pjesë të jetës sime, familjes sime apo të historisë sime me presidentin. Bëra të kundërtën, gjithçkaje i vura llozin dhe drynin. Megjithatë, gazetarët duhej të shkruanin e të flisnin. Shpesh nga padija, ndonjëherë edhe pse u pëlqen skandali, filluan të ndërtonin portretin e një gruaje që më ngjante aq pak. U botuan më shumë se njëzet libra, dhjetëra “faqe të para” të revistave, mijëra artikuj. Po aq pasqyra deformuese, të shkëputura, të ndërtuara mbi bazën e hamendjeve dhe të të thënave, kur nuk bëhej fjalë për sajime të pastra. Kjo grua kishte emrin tim, fytyrën time e megjithatë unë nuk e njoha. Kisha ndjesinë se po më vidhnin jo thjesht jetën time private, por njeriun që unë isha. Besoja se mund t’i rezistoja gjithçkaje, kaq shumë isha mbyllur. Por sa më të egra ishin sulmet, aq më shumë mbyllesha unë. Francezët panë fytyrën time të ngurtësohej e ndonjëherë të tkurrej. Ata nuk kuptuan. Në një moment, nuk guxoja më të përballesha me rrugën, as me shikimin e kalimtarëve.

E pastaj, brenda disa orëve të janarit 2014, jeta ime u shkatërrua dhe e ardhmja u hodh në erë. U gjenda vetëm, e hutuar, e tronditur nga hidhërimi. M’ u shfaq si një shenjë sigurie që mënyra e vetme për të rivendosur kontrollin mbi jetën time, ishte ta tregoja atë. Vuajta se nuk më kuptuan, se më përbaltën.

Vendosa pra t’i thyej këto barriera që kisha ngritur dhe të marr penën për të treguar historinë time, të vërtetën. Mua që nuk reshta së luftuari për të mbrojtur jetën time private, më duhet të tregoj një pjesë të saj, të jap disa shpjegime pa të cilat asgjë nuk është e kuptueshme. Në këtë histori të çmendur, gjithçka qëndron. Kurse unë kam shumë nevojë për vërtetësi, që ta kaloj këtë sprovë dhe të ec përpara. Për këtë, iu detyrohem fëmijëve të mi, familjes sime, të mive. Nevoja për të shkruar është bërë jetësore. Gjatë disa muajve, ditën dhe natën, në heshtje, “hapa letrat”…Qëkur e kam filluar këtë libër, çdo ditë kujtimet vërshojnë. Sot, ato më kthejnë në ditën e zgjedhjes së Fransuas. Atë të diel, nuk arrij ta lëshoj veten të më rrëmbejë gëzimi. Lumturia e madhe është për të, jo për mua. Në një libër të bukur kushtuar gruas në hije të Fransua Miteranit, An Pënzho, nëna e vajzës së tij të jashtëligjshme, lexojmë se ditën e zgjedhjes së Fransua Miteranit, An Pënzho qan. Ajo e di se po e humbet burrin që do. Çuditërisht, kur mendoj për atë ditë të 6 majit 2012, identifikohem me të, jo me Danielë Miteranin, që megjithatë e ndan jetën me presidentin e zgjedhur atë mbrëmje. Fransua tashmë nuk është më i njëjti. Arrij t’i marr vetëm tridhjetë sekonda për ne të dy, kohën për një puthje në një zyrë të vogël të Këshillit të Përgjithshëm të Korrezës, para njoftimit të rezultateve. E pastaj, vjen ai çasti që më duket abstrakt, rezultatet e shpallura në televizor.

Ai u zgjodh.

Fransua është president i Republikës.

E vështirë të besohet. E shoh që është i zhgënjyer nga rezultati i tij. Nuk thotë asgjë, gjakftohtë, por, nën maskë, e dalloj këtë zhgënjim të lehtë. Dy kanalet kryesore japin shifra të ndryshme, ai përgatitet për më pak të favorshmet. Gjithsesi, bashkë me gjithë ekipin e Korrezës, arrijmë të hapim një shishe shampanje për ta festuar ngjarjen. Ai nuk pi asnjë gllënjkë dhe fillon ta ripunojë deklaratën e tij. Akilino Moreli që do të bëhet “këshilltari i tij i posaçëm”, është i pranishëm dhe qëndron pas tij. Si çdo herë, Fransua e fshin të gjithë tekstin që i kanë përgatitur dhe fillon nga e para. Ndërsa ai vazhdon ta rishkruajë tekstin, unë marr një mesazh nga përgjegjësi i komunikimit të Nikola Sarkozis. Ai më informon se ky i fundit kërkon të takohet me Fransuan. Celulari i tij është i tej mbushur. Kështu që komunikimi bëhet nga celulari im. Fransua merr telefonin tim dhe unë i nxjerr jashtë të gjithë. Gjykoj se kjo bisedë nuk ka pse të jetë publike. Nuk bëj vetëm miq atë ditë …Koha kalon, jemi në Tyl, turma e mbledhur në sheshin e Katedrales po pret tashmë prej disa orësh. I kërkoj Fransuas të lërë kohë për disa fotografi, sepse ky çast është i veçantë. Por Fransua nevrikoset dhe më shtyn me vrazhdësi. Nuk e kuptoj reagimin e tij. Kjo minutë, që duhej të ishte një çast lumturie, sapo u prish. Shkoj të mbyllem në banjë e pikëlluar. Edhe për mua tensioni ka qenë shumë i fortë, por po bie. Nuk jam më në gjendje të shkoj në sheshin e Katedrales. E dërrmuar, ulem në dysheme. Mundohem të kuptoj se çfarë po ndodh me mua. Dy ndjenja të fuqishme sapo shpërthyen, njëra kundër tjetrës. Jam e lumtur për të, që e arriti qëllimin e jetës së tij, por e ndiej se nuk është në gjendje ta ndajë këtë emocion. Nëse nuk arrijmë të komunikojmë në çaste të tilla, çfarë na mbetet ne të dyve? E parandiej në moment se asgjë nuk do jetë si më parë.Kemi qenë kaq të afërt, jemi marrë kaq mirë vesh dhe, në atë ditë lavdie, nuk di asgjë se çfarë përjeton ai. Të gjitha këto mendime më vijnë rrëmujë në mendje, ndërsa vazhdoj të qëndroj në banjë. Trokasin fort në derë, duhet të shkoj. Ngurroj, mendoj për Sesilia Sarkozin, që e kishin marrë në sheshin Konkord mbrëmjen e zgjedhjes së burrit të saj, ndërsa ajo nuk dëshironte të shkonte. Arsyet e saj ishin të ndryshme nga të miat. Por hutimi, frika nga ajo çfarë do të ndodhë ishin pa dyshim të njëjta. Si mund ta duash këtë jetë, që nuk do t’i ngjajë asnjë tjetre, që nuk do na përkasë më?  Arrij të dal nga qoshja ku jam strukur. Më duhet vetëm pak kohë për të bërë grimin dhe nisemi. Në makinë, Fransua nuk më flet. Është i zënë me tekstin e tij. Në atë gjendje përqendrimi të jashtëzakonshëm, si para çdo ngjarjeje të madhe. E respektoj këtë kohë heshtjeje. Ai mbyllet në vetvete. E di që nuk duhet ta shqetësoj.

Hyrjet për në sheshin e Katedrales janë plot e përplot, të pakalueshme. Ka kaq shumë njerëz! Vazhdojmë më këmbë, duke çarë turmën. Unë jam pas, më shtyjnë nga të gjitha anët. Aparatet fotografike nuk reshtin së shkrepuri. Turma ulërin nga gëzimi, kur sheh Fransuan të ngjitet në skenë. Unë ndaloj poshtë.

Asnjëherë nuk e kam ndjekur në tribunë. Asnjëherë nuk kam gjykuar se ishte edhe vendi im atje. Pasi thotë disa fjalë, është ai që më fton të bashkohem me të. Jam kaq pak e mësuar me gjëra të tilla, sa nuk lëviz dhe rri e ngrirë. Atëherë disa krahë më shtyjnë drejt shkallëve. Fransua më zgjat dorën. E gjithë kjo është diçka e re për mua dhe prekem nga ky gjest.  Kryebashkiaku i Tylës ka parashikuar melodi me fizarmonikë, instrument që simbolizon qytetin prej festivalit të tij. I kisha thënë një ditë se e adhuroja këngën “La vie en rose”. Ai ma bën këtë surprizë dhe kështu turma fillon ta këndojë këngën. Fransua më tërheq në një gjysmë hap kërcimi. Jam e turbulluar dhe e mbushur me gëzim njëkohësisht. Këtë herë, ndajmë së bashku një çast të madh. Ky mbetet një nga kujtimet e mia më të bukura. Nëse parisianët e Parisit të vogël tallen, siç do të më thonë, me atmosferën e krijuar nga tingujt e fizarmonikës, korrezianët mërziten që mbrëmja nuk është më e gjatë. Kjo është fotografia, që presidenti do ta mbajë në zyrën e tij në Elize. Edhe pas ndarjes sonë, ajo është ende atje. Unë nuk e kam nxjerrë akoma timen nga kutitë e sendeve që solla nga Elize dhe që vazhdojnë të jenë njëra mbi tjetrën në korridor, por ajo është e gdhendur në kujtesën time. Si mund ta imagjinoja se javën që pasoi, revista e përjavshme L’Express do të shkruante në titra “Valeri Trierveler, po e tepron”? Në mbështetje të kësaj pyetjeje, drejtori i saj thotë se ndihet i fyer. Ai pohon se unë kërkova “La vie en rose”, në Tyl, në atë ditë fitoreje dhe e konsideron këtë si një akt politik! Pavarësisht të gjithave, kujtimi i Tylës është një nga më të bukurit për mua. Pata kohë vetëm të shkruaj në tweet-er atë që ndieja: “Thjesht krenare që shoqërova presidentin e Republikës dhe gjithashtu po aq e lumtur që e ndaj jetën me Fransuan”. Fransuan e presin në sheshin e Bastisjes. Është koha të largohet nga qyteti i Tylës për në Paris. Ai shtrëngon aq duar sa mundet, para se të nxitojmë për në aeroportin e Brivës. Do kisha dashur kaq shumë të qëndroja atje, në atë shesh të Katedrales, me atë turmë të qetë dhe të lumtur, me ata njerëz që ishin të parët që i hapën rrugën drejt fitores, duke e mirëpritur në tokën e tyre para tridhjetë vitesh. Çfarë triumfi për të, si dhe për ata! Por ne hipim në makinë për të shpejtuar, që të kapim avionin privat. Realja përzihet me irealen. Komunikimet fillojnë të vërshojnë nga e gjithë bota. Ky burrë që e dua prej vitesh, tek i cili nuk besonte pothuaj askush, është tanimë Kryetar Shteti. Ai merr drejt për drejt urime nga Angela Merkel, Barak Obama dhe shumë të tjerë. Nuk ka të mbaruar. Veçse kur linja ndërpritet, kështu ndodh në Korrez… Për sa kohë burri pranë meje do mbetet ai që ka qenë? I bashkohemi ekipit të vogël në avion. Pesëmbëdhjetë ditë më parë, pas rezultateve të turit të parë, koha kishte ndaluar për të gjithë ekipin. Secili vinte bast për rezultatet e të dytit, në një ambient të ç’ tendosur. Ndiheshim të lehtë. Përveç Fransuas. Ishte mbyllur në vetvete dhe nuk merrte pjesë në humorin tonë të mirë. Nuk besoj se i druhej dështimit. Ishte mjaftueshëm përpara. Duke qenë se kisha ndarë me të ankthe të tjera votimi, e dija sigurisht që nuk donte të ishte i sigurt për asgjë deri në rezultatin përfundimtar. Në raste të tilla, ai ma shtinte edhe mua ankthin e tij të madh. Më infektonte dhe bëhesha më keq se ai. Por jo kësaj radhe, kur kishim besim të plotë. Çfarë mendonte atëherë në atë çast? Po përgatitej, pa dyshim. E ndieja se diçka tjetër e kishte pushtuar. Sikur pesha e historisë t’i kishte rënë rëndë mbi shpatulla. Kthimi i fitores, në këtë mbrëmje të turit të dytë, është ndryshe. Fransua pranon një gotë shampanjë, që nuk e pi. Ne bëjmë historinë. Anektoda fushate shpërthejnë. Fluturimi kalon shumë shpejt. Është një çast pezull. Kur mbërrijmë, njerëz të panjohur janë mbledhur rreth kangjellave të aeroportit për të parë presidentin e ri. Ai shkon t’u shtrëngojë duart. Është vonë, por s’ke ç’i bën. Në aeroportin e Parisit, turma është më e madhe se në Briv. Është sidomos mbresëlënës numri i motoçikletave të shtypit. E pamundur t’i numërosh: tridhjetë, dyzet? Ata vihen në ndjekje të makinës sonë, rrugës për në Bastijë. Më japin ndjesinë e një tufe bletësh. Kam frikë për sigurinë e disa motoçiklistëve, të gatshëm për çdo rrezik që të mund të marrin imazhet e një makine në autostradë dhe në unazë. Më vijnë në mendje imazhet e Zhak Shirakut, kur u zgjodh. Dora e tij që dilte nga xhami për të përshëndetur, gruaja Bernadetë pranë tij. Në çast, e kuptoj çfarë po ndodh. Një valë emocioni më pushton, i kap dorën Fransuas. Por telefonatat dhe sms-të vazhdojnë të vërshojnë dhe nuk arrij t’ia mbaj gjatë dorën… Gishtat tanë shkëputen. Në të gjitha vitet e mëparshme, sapo gjendeshim pranë njëri-tjetrit, nuk mund të mos kapeshim për dore, si dy të dashuruar. Kjo ngjarje e pabesueshme e prish intimitetin tonë. Duke filluar nga ky çast, takimet vetëm për vetëm do bëhen gjithnjë e më të rralla. Ka kaluar mesnata, kur mbërrijmë në Bastijë, ndiej se më shtyjnë. Nuk është më një turmë, por një oqean qeniesh njerëzore, që shtyjnë me një dëshirë të madhe për t’iu afruar Fransuas. Dhjetëra mijëra njerëz. Kalojmë fillimisht nga tenda VIP, janë aty të gjitha kategoritë e njerëzve të famshëm. Ata të orëve të para, si dhe të rinjtë. Nuk e di, nuk e shoh që Zhyli Gaje po vjen rrotull që tani. Nuk e kam hasur as edhe një herë gjatë fushatës. Mesazhi i parë më erdhi të mërkurën në mëngjes. Një mike gazetare më lajmëroi për rrezikun: “Closer-ido të nxjerrë të premten në faqe të parë disa fotografi të Fransua Holandit dhe Zhyli Gajes”. Përgjigjem në mënyrë lakonike, pothuajse e zemëruar. Këto fjalë, që qarkullojnë rreth një lidhjeje të presidentit me këtë aktore, po ma helmojnë jetën prej disa muajsh. Ato shkojnë e vijnë dhe unë nuk arrij ta besoj. Ia përcjell këtë mesazh Fransuasë, pa komente. Ai më përgjigjet menjëherë:

– Kush ta tha këtë?

– Nuk është kjo çështja, por dua të di nëse ka apo jo ndonjë gjë për të cilën duhet të qortosh veten.

– Jo asgjë.

  Kjo më qetësoi.

Gjatë ditës, fjalët vazhdojnë ndërkohë të fryhen. Unë dhe Fransua bisedojmë pasdite dhe hamë darkë së bashku pa e prekur temën. Këto fjalë kanë qenë edhe më parë objekt grindjesh mes nesh, nuk është nevoja të shtojmë të tjera. Të nesërmen në mëngjes, marr një mesazh të ri nga një tjetër mik gazetar: “Përshëndetje Val. Fjalët për Gajen vazhdojnë, do të jenë nesër në faqen e parë të Closer-it, por ti duhet të jesh tashmë në dijeni”. Përsëri ia përcjell mesazhin Fransuas. Këtë herë s’ka përgjigje. Ai është duke shkuar te forcat ushtarake, në Krej, afër Parisit. I kërkoj njërit prej shokëve të mi të vjetër gazetarë, që ka ruajtur kontakte te shtypi rozë, të ngrejë antenat. Telefonatat nga redaksitë shtohen në Pallatin Elize. Të gjithë këshilltarët e presidencës, që janë në lidhje telefonike, bombardohen me pyetje nga gazetarët që do të mbulonin këtë fakt hipotetik. Mëngjesi kalon duke biseduar me të afërm. Është parashikuar që unë të bashkohem me ekipin e çerdhes së Elizes për një drekë të përgatitur nga kuzhinieri i fëmijëve. E filluam këtë ritual vitin e kaluar. Rreth dymbëdhjetë gra kujdesen për fëmijët e personelit dhe të këshilltarëve të presidencës. Një muaj më parë, festuam Krishtlindjen së bashku me prindërit e fëmijëve. Unë dhe Fransua shpërndamë dhurata, ai u largua shpejt, si çdo herë, kurse unë qëndrova gjatë duke diskutuar sa me njërin, sa me tjetrin. E lumtur, në këtë strehë paqeje. Kjo drekë më jep kënaqësi, por që tani ndiej të më zihet fryma, njëlloj si në rastin kur të afrohet ndonjë rrezik. Drejtoresha e çerdhes na pret te porta, nga ana tjetër e rrugës së Elizes. Patris Biankon, një koleg i vjetër i Radio France Internationale, që është bërë shefi im besnik i kabinetit, më shoqëron. Kur mbërrij, nxjerr nga xhepi dy celularët e mi: njëri për punën dhe jetën publike, tjetri për Fransuan, për fëmijët e mi, familjen dhe miqtë e afërt. Tavolina është shtruar si për ditë feste, fytyrat janë të gëzuara. E fsheh shqetësimin tim dhe e vendos telefonin privat pranë pjatës. “Fredi” kuzhinieri na sjell pjatat, ndërsa kujdestarët e fëmijëve kalojnë rreth tavolinës, duke zëvendësuar njëri-tjetrin pranë të vegjëlve. Në vitin 2015, çerdhja e Elizes do të festojë 30-të vjetorin e saj, ajo ka pritur rreth gjashtëqind fëmijë, veçanërisht fëmijët e Fransuas, kur ai ishte këshilltar në Pallatin Elize. Në atë kohë, si të gjithë punonjësit e Pallatit, ai i çonte fëmijët ende të vegjël çdo mëngjes në çerdhe. Për ta festuar këtë ngjarje, kam në plan të mbledh ish-fëmijët tashmë të rritur. Si gazetare në revistën Paris-Match që prej njëzet e katër vitesh, nuk e kam të vështirë ta imagjinoj fotografinë e bukur që mund të dalë nga ky grumbullim në oborrin e Elizes. Duam ta pagëzojmë çerdhen me emrin Danielë Miteran, e cila e krijoi në tetor të vitit 1985. Si ambasadore e Fondacionit “Danielë Miteran”, e mora përsipër organizimin e këtij përvjetori. Premtoj t’i dërgoj shumë shpejt një letër drejtoreshës së kabinetit të Fransua Holandit, për të marrë miratimin e projektit dhe për të siguruar një buxhet. Telefoni dridhet. Shoku im gazetar u nis për të “peshkuar” informacione dhe më vërtetoi daljen e Closer-itme fotografinë e Fransuas në faqe të parë, tek del nga shtëpia e aktores Zhyli Gaje. Më plasi zemra. Mundohem të mos tregoj gjë. Ia zgjas telefonin Patris Biankonit, që të lexojë mesazhin. Nuk kam asnjë sekret me të: – Shiko, ka të bëjë me dosjen tonë.- Toni i zërit tim është aq i qetë sa mundem. Jemi miq prej pothuajse njëzet vitesh, një shikim mjafton për t’u kuptuar. Marr një pamje të shkujdesur: – Do ta shohim pastaj këtë.

Mundohem t’i kthehem bisedës me pjesëtarët e çerdhes, ndërsa mendimet më ziejnë në kokë. Jemi në epideminë e lisë së dhenve. Duke tundur kokën, njoftoj Fransuan me sms për informacionin e Closer-it. Nuk janë më vetëm fjalë, por një fakt. “Shihemi në orën 15, në apartament”, më përgjigjet ai menjëherë.

Është koha të ndahem me drejtoreshën e çerdhes. Një rrugë, një rrugë fare e shkurtër për t’u bërë, ajo që lidh çerdhen me Pallatin dhe me apartamentet tona private. Është rruga më e vështirë e gjithë jetës sime. Edhe pse asnjë makinë nuk mund të kalojë pa leje, më duket sikur po përshkoj një autostradë me sy mbyllur. I ngjis me shpejtësi shkallët, që të çojnë në apartamentin privat. Fransua ndodhet tashmë në dhomën, dritaret e mëdha të së cilës bien në parkun me pemë njëqindvjeçare. Ulemi mbi krevat. Secili në anën që kemi zakon të flemë. Nuk mund të shqiptoj veçse një fjalë:

– Atëherë?

– Atëherë është e vërtetë,- përgjigjet ai.

– Çfarë është e vërtetë? Ti fle me këtë vajzë?

– Po,- pranon ai, duke u shtrirë përgjysmë i mbështetur në krah.

Jemi mjaft afër me njëri-tjetrin mbi këtë krevat të madh. Nuk arrij ta kap shikimin e tij që më shmanget. Pyetjet pasojnë njëra-tjetrën:

– Që kur? Si mundi të ndodhë kjo? Përse?

– Një muaj,- pretendon ai.

Qëndroj e qetë, pa nervozizëm, pa britma. Ca më pak enë të thyera, sikurse do të thuhet më pas, duke më bërë përgjegjëse për miliona euro dëmesh imagjinare. Nuk e kuptoj tamam tërmetin që do të ndodhë. Po sikur të lërë të kuptohet se ka shkuar thjesht për të ngrënë darkë në shtëpinë e saj? Ia sugjeroj këtë. E pamundur, ai e di që fotografia është marrë të nesërmen e një nate të kaluar në një apartament, në rrugën e Cirkut, që aktorja e ka marrë me qira. Pse jo një skenar si të Klintonit? Të kërkojë falje publike, të marrë angazhimin për të mos e takuar më. Ne mund të rifillojmë mbi një bazë të re, nuk dua ta humb. Gënjeshtrat e tij dalin në shesh, e vërteta imponohet pak nga pak. Ai pranon që lidhja është më e vjetër. Nga një muaj, bëhen tre, pastaj gjashtë, nëntë e më në fund një vit.

– Nuk do t’ia dalim dot, ti asnjëherë nuk do mundesh të më falësh,- më thotë ai.

Më pas largohet, kthehet në zyrë për një takim. Unë nuk jam në gjendje t’i bëj të njëjtin nder zyrës sime, i kërkoj Patris Biankonit ta presë të ftuarin në vendin tim. Qëndroj e mbyllur gjithë pasditen në dhomë. Mundohem ta imagjinoj atë që do të ndodhë, me sytë të mbërthyer te celulari, duke pritur me padurim në Twitter që të fillojë skupi i paralajmëruar. Mundohem të mësoj më shumë mbi gjithë “reportazhin”. Këmbej sms me miqtë e mi më të afërt, lajmëroj secilin nga fëmijët e mi dhe nënën për atë që do të dalë. Nuk dua që ata ta mësojnë këtë skandal nga shtypi. Duhet të përgatiten.

Një libër ku shkruhet për një histori dashurie, pushteti e tradhtie!

Një libër që shkaktoi tërmet politik jo vetëm në botën politike franceze!

Një libër, i cili brenda tre ditëve në Francë u shit ne 300 mijë kopje!

Një Bestseller i vërtetë!