Thoma Rrapi, “Nderi i Artit” beratas

668
Gëzim Zema

Një pjesë e njerëzve duket sikur janë të privilegjuar për arsyen e thjeshtë sepse, edhe kur shuhen, duket sikur shkëlqejnë më shumë se në të gjallë të tyre përmes veprës që lënë pas. Kështu mund të përshkruhet me pak fjalë regjisori dhe aktori beratas Thoma Rrapi. I lindur në vitin 1927, ai qysh në fëmijërinë e tij do të dallohej, jo vetëm për portretin e veçantë që natyra kishte skalitur tek ai, por dhe për artin e interpretimit, pasion të cilin do ta jetonte deri në aktet e fundit të jetës së vet. Vjen një kohë kur “Shën Thomai” shpluhurohet nga harresa, del prej fonotekës së vjetër të artit dramatik, duke u vlerësuar për kontributin e tij të çmuar në artin e fjalës, përmes interpretimit të roleve të ndryshëm në teatër, por edhe në filma me tematikë jetën e njerëzve të thjeshtë, por dhe të atyre me dobësi njerëzore, ashtu sikurse ekzistojnë realisht në shoqërinë tonë. Thoma Rrapi e nisi udhëtimin e tij nga tempulli i Teatrit Popullor (sot Teatri Kombëtar), duke qenë bashkëkohës me artistët më në zë të skenës së teatrit tonë, si: Loro Kovaçi, Marie Logoreci, Marika Kallmata, Margarita Xhepa, Viktor Gjoka, Kadri Roshi etj. Ai ishte artisti që nuk mund të bënte kompromise të “artit për art”, për këto arsye nuk u pa me sy të mirë nga “centrifuga” e kohës, të cilët gjithsesi nuk mund ta ndrydhnin dot talentin e tij edhe në ndërtimin e portreteve të spikatura të roleve dytësore dhe episodikë që ai luajti qoftë në teatër apo dhe në filma të ndryshëm, duke fiksuar personazhe që s’shlyhen kollaj nga kujtesa. Për arsyen e thjeshtë sepse tek ai njeri ishin sinkretizuar më së miri elementet e veçantë që duhet të formësonin portretin e një aktori të talentuar, si; dhuntia e veçantë interpretative, shprehësia, pamja, zëri, shkathtësia, aftësia për të imituar me lëvizjet, me gjestet, heshtja emocionale, të jetuarit e personazhit, ndjenja e brendshme në funksion të personazhit, emocioni që përcjell etj. Aktorë dhe publicistë, që e kanë njohur nga afër Thoma Rrapin, si; Margarita Xhepa, Sheri Mita, Elida Janushi, Luan Shmilli etj, e përshkruajnë atë si një njeri të lindur nga dashuria për artin, dashuri të cilën s’mundën t’ia zbehnin kurrë “qarkulluesit e kuadrit”. Sipas tyre, Thoma Rrapi s’ishte vetëm interpretues i personazhit, por edhe krijues i tij. Ai i jepte krijimit frymën e vet, të derdhur në një trajtë tejet të veçantë dhe specifike siç e kërkonte roli përkatës. Te figura artistike e Thoma Rrapit do të shikoje aktorin si njeri, aktorin si qytetar të thjeshtë, aktorin si vëzhgues e pasqyrues të jetës njerëzore, të tipave dhe karaktereve, si dhe regjisorin aktor. Këto cilësi aktoriale ai do t’i shfaqte në disa filma, në role dytësore dhe episodike, si: “Skënderbeu”(1953), “Tomka dhe shokët e tij”(1977), “Dëshmorët e Monumenteve” (1980), “Kohë të largëta”(1983) etj. Thoma Rrapi do të vinte në Berat në vitin 1957 dhe për një kohë të gjatë do të skaliste në memorien artistike të këtij qyteti portretin e një njeriu të veçantë të artit skenik. Ai ishte regjisori i parë i Pallatit të Kulturës “Margarita Tutulani”, ku lloje e zhanre të ndryshme dramatike do të provonin dorën e një mjeshtri të madh. Kontributi i tij do të ndihej që nga Shtëpia e Pionierit (QKF sot), kinoklubin “Tekstilisti”, te regjisurat e ndërmarrjeve të ndryshme, e deri te çdo aktivitet tjetër artistik, duke e gjallëruar tërësisht jetën kulturore të qytetit të Beratit. Falë dashurisë që kishte për artin, përvojën e tij ai e transmetoi te të tjerë aktorë e regjisorë, që nga Sheri Mita e deri te më të rinjtë, si: Adonis Filipi, Vangjush Popli, Rrapi Vargu, Elida Janushi, Bujar Orizaj, Fatos Nepravishta, Muhamet Spahiu, Gëzim Kame, Pavlina Roco etj. Pikërisht në atë skenë ku ai drejtoi dhe aktroi role të ndryshme, duke u duartrokitur, vlerësuar e nderuar nga bashkëqytetarët e vet, por edhe nga bashkëkohësit e tij artistë e regjisorë, në skenën e Pallatit të Kulturës “Margarita Tutulani”, tek e cila shkriu të gjitha energjitë e tij njerëzore e intelektuale në dobi të artit dhe kulturës beratase, këtë fundjavë, Bashkia e Beratit organizoi një ceremoni të veçantë me miq, të afërm, artistë e dashamirës të artit, duke e vlerësuar lart e duke i akorduar aktorit Thoma Rrapi ( pas vdekjes) titullin “Nderi i Artit”. 

“Nderi i Artit” i munguar për një kohë të gjatë, por plotësisht i merituar për aktorin Thoma Rrapi.
Sigal