Tahiri shpërfilli e zhduku 32 mijë ankesë-kërkesa, ministri Xhafaj krijon komision special verifikimi

244
Vjollca KUTA
Pas shkrimit në “Telegraf” lidhur me zhdukjen dhe bllokimin e informacioneve të dërguara nga qytetarët 
Komisioni do të verifikojë edhe letrat e telefonatat që qytetarët dhe subjektet kanë depozituar në 3 vitet e fundit, të njoftuara në të gjitha shërbimet, strukturat, zyrtarët dhe drejtuesit e policisë të qarqeve, rretheve dhe inspektorët të zonave, madje u bëhet thirrje qytetarëve të depozitojnë ankesat e shpërfillura…
Gazeta “Telegraf”, referuar shumë informacioneve e denoncimeve të ardhura në redaksi, bëri publik faktin skandaloz, që ishin zhdukur e bllokuar mijëra letra me kërkesa për zgjidhje problemesh e ndihmë policore, ankesa, denoncime e sugjerime të bëra me shkrim e telefon nga qytetarët dhe subjektet private në adresë të drejtorive të qarqeve, komisariateve të rretheve, shërbimeve të specializuara anti-krim, stacioneve policore në qytete e deri në adresë të Ministrisë së Brendshme, të ish-ministrit Tahiri dhe drejtuesve të policisë të çdo niveli! Pas publikimit të këtij skandali, në adresë të “Telegraf” erdhën disa “këshilla” për të mos folur më tej, ndërkohë që nga Ministria e Brendshme u manifestua heshtje e plotë dhe vazhdim i shpërfilljes së plotë e të qëllimshme ndaj letrave të dërguara prej komunitetit, duke mbrojtur drejtuesit, policët dhe sektorët policorë për të ka pasur ankesa. Janë shumë raste të grave e vajzave të dhunuara në familje, në rrugë, në shkolla, spitale e mjedise pune, të cilat kanë bërë denoncime, por që nuk është përgjigjur policia as formalisht! Ka shumë raste biznesesh, taksistësh, kambistësh, tregtarësh e prodhuesish në bujqësi e blegtori, të cilët kanë bërë denoncime dhe kanë kërkuar mbrojtje fizike dhe pasurore, por që policia ka heshtur ose ka mbajtur qëndrimin më flagrant, ka informuar kërcënuesit dhe kriminelët për denoncimet që janë bërë! Bilanci i 3 viteve të fundit të krimit të pritshëm e të ndodhur prej heshtjes së policisë ndaj denoncimeve të bëra nga qytetarë e biznese, rezulton të jetë ky: 

• Janë kryer 1325 krime ndaj personit, 36% t cilave keqtrajtime e përdhunime. 
• Janë kryer 2145 krime ndaj pronës private të individit e subjekteve. 
• Janë kryer 87 vrasje, 451 plagosje, 113 pengmarrje, 614 akte dhune në familje. 

Kaq mjaftoi, që “Telegraf” të jepte alarmin e krimeve të ndodhura, për shkak të shpërfilljes së policisë ndaj denoncimeve, ankesave dhe kërkesave të bëra prej qytetarëve e subjekteve të ndryshme private. Pa harruar rastet e dhunës së paralajmëruar me denoncime e kërkesa ndihme drejtuar policisë, por që prej heshtjes, shpërfilljes dhe fshehjes e zhdukjes së denoncimeve prej “minjve” brenda policisë për shkak të pazareve e lidhjeve me personat dhe grupet e krimit, këto raste kanë përfunduar me dhunë edhe ndaj drejtuesve, zyrtarëve e të zgjedhurve shtetërorë si mësues, elektricistë, policë privatë, policë ndërtimi, mjekë, tatimorë, doganierë e madje edhe ndaj vetë policëve të shtetit, të cilët janë tërhequr zvarrë në shërbimin e qarkullimit rrugor apo në mjedise të tjera publike! Duhet pranuar, që ish-ministri Tahiri e la si “model policor” që vazhdon aktivisht, praktikën e shpërfilljes së denoncimeve, kërkesave e ankesave të bëra prej qytetarëve dhe bizneseve. Ky “model”, i cili fsheh dhe mbron krimin, duket se do të zhduket nga praktikat e punës së derisotme të policisë së shtetit. Kjo ka nisur të realizohet me një ndërhyrje zyrtare, të bërë me udhëzim të posaçëm të ministrit Fatmir Xhafaj, nëpërmjet të cilit do të regjistrohen të gjitha telefonatat dhe letrat e qytetarëve. Po si do të eliminohen abuzimet në fshehjen e denoncimeve? Udhëzimi Nr. 223, datë 11.4.2017 ministrit Fatmir Xhafaj, përcakton ngritjen e një strukture të posaçme që do të merret ankesë-kërkesat dhe denoncimet që çohen në policinë e shtetit, që nga inspektori i zonës e deri tek ministri i Brendshëm! Ky udhëzim, detyron ngritjen e e menjëhershme të Komisionit të Shqyrtimit të Ankesave, me qendër në Drejtorinë e Policisë së Shtetit, i cili do të drejtohet nga Zv/Drejtori i Policisë së Shtetit dhe ka në përbërje drejtori Juridik, shefin e Sektorit për Krimet e Pronës, shefin e Sektorit të Policimit në Komunitet dhe 1 specialist të sektorit ndaj të Tretëve. Ministri Xhafaj, i ka dhënë kompetenca të plota veprimi këtij komisioni, i cili ka fuqinë të shqyrtoj ankimet e paraqitura nga subjektet publike dhe private për gjobat që vendosen nga policia, për moszbatimin e masave shtesë të sigurisë dhe çdo denoncim, apo ankesë kërkesë tjetër. Subjekti që paraqet ankim, ka të drejtë të jetë prezent në mbledhjen e komisionit, duke u njoftuar nga komisioni për ditën e trajtimit të ankesës, madje edhe duke përjashtuar nga komisioni, personat në konflikt interesi me ankesat dhe denoncimet! Parashikohet, që ngritja e kësaj strukture të “letrave nga populli” t’i jap fund praktikës së disa drejtuesve, inspektorëve e shërbimeve policore, të për shkak të lidhjeve familjare, shoqërore e deri kriminale, por edhe për shkak të ryshfeteve, favorizonin dhe lejonin krimin, duke zhdukur e shpërfillur ankesë-kërkesat e depozituara!