“Sulltanët në harem e përdornin klarinetën si vegël magjike”

1563
Sigal

 INTERVISTA/ Flet klarinetisti famoz Nokja i Beratit (Novrus Vengo)

 Atë tani e identifikojnë me Halitin e Beratit, klarinetistin që është  bërë me famë në filmin “Gjeneral Gramafoni” . Për këtë arsye edhe Noken nuk i flasin në emër Novrus Vengo, por Nokja i Berait. I bëshëm, serioz, plot fuqi, ai kur të shtrëngon dorën duket si ata burrat e sertë, por të ndjeshëm të filmit në fjalë. Berati qyteti i klarinetës së bashku me Tepelenën, Përmetin dhe Gjirokastrën përbëjnë një kuartet nga ku kanë dalë klarinetistët më të shkëlqyer shqiptarë që kanë tronditur dhe platetë e botës. I tillë është dhe Nokja, madje ai ndihet më krenar kur i flasin Nokja i Beratit pasi e identifikojnë me qytetin e lashtë të 1001 dritareve, ku historia e këngës është po aq e bukur sa e luftës.

 Kur ka filluar Nokja t’i bjerë klarinetës?

Eh, tamam, tamam, kur isha 19 vjeç, por edhe më parë s’kishte dasma që nuk shkoja për të parë klarinetistët. Se si më dukeshin. Më dukeshin trupmëdhenj, të fortë, të ditur. I shikoja dhe nuk ngopesha. Klarineta në duart e tyre dukej e bindur verbërisht. Por edhe në shtëpi kur dëgjoja muzikë dëgjoja vetëm kur kishte me klarinetë. Nuk e di se ç’më ngjiti me të. Ndoshta që qyteti ynë ka shumë të tillë, apo filmi “Gjeneral Gramafoni” i dha emër Qytetit tonë  dhe e bëri të njohur si qyteti i klarinetës.  Pas atij filmi unë u lidha dhe më shumë me klarinetën

 Por para se të merrje klarinetën në dorë me se stërviteshe?

Me kallam. Pra, bëja klarinetë ose Piza me kallam. Njëlloj si fyej të vegjël, por me aq vrima sa klarineta. Me to stërvitesha. Ishin mjeti i parë mësimor.

 Kush ju thirri për herë të parë Nokja i Beratit?

Më ka thirrur Irini Qirjako në Maratonën e parë të Këngës Popullore. Unë kisha punuar disa herë me të dhe më ngatërronte mbiemrin. Një ditë më thirri o Nokja i Beratit dhe që atë ditë ashtu më thërrasin të gjithë?

 Si ka qenë për ju pjesëmarrja në maratonë?

Maratona e Këngës Popullore ka diçka shumë të mirë. Së pari, ajo zhvillohet në të gjitha trevat shqipfolëse gjë që i ka bërë shqiptarët të njohin të gjithë këngëtarët e vetë. Së dyti, këngëtarët popullorë në këto maratona kanë shkëmbyer goxha eksperienca me njëri-tjetrin. Kjo ka bërë që të gjithë të ecim përpara.

 Pse është bërë kaq vegël e pëlqyer klarineta?

Unë kam lexuar shumë për klarinetën. Thuhet se ajo ka ardhur nga Turqia, ku dhe sulltanët në harem si vegël muzikore të parë kanë pasur këtë vegël magjike. Është e pëlqyer për forcën e tingujve, për timbrin, për të veçantat e tingujve. Asnjë vegël muzikore nuk ka tinguj aq të fortë. Ajo duket sikur lëshon tinguj ujëvare që dëgjohen kilometra larg.. Pastaj me të mund të bësh dhe lëvizje të tilla sipas llojit të tingullit, të qash bashkë me klarinetën. Eh magjia e saj është e pashpjegueshme.

 Ke menduar ta ndërrosh me ndonjë vegël tjetër?

Jo, asnjëherë. Unë i bie edhe veglave të tjera, por atë që atë jep klarineta s’ta jep asnjë tjetër. Pastaj të jemi të sinqertë në Shqipëri klarineta është super, e pazëvendësueshme. Edhe në dasmat më elitare ajo përdoret. Kur dëgjohen tingujt e saj dasma do s’do ndizesh.

 Po në Çamëri a përdoret klarineta?

Posi jo. Në gjithë Çamërinë. N.q.s në gjithë jugun ka klarinetë. Fizarmonikë dhe def, në Çamëri ka edhe violinë.

 Ju thoni në gjithë jugun, po në Shqipërinë e Mesme nuk është kaq e përdorur?

Është por jo sa në jug. Në Shqipërinë e mesme përdoret më shumë fizarmonika dhe defi.

 Keni bashkëpunuar shpesh herë me Petrit Lulon?

Po. Me Petritin jam jo vetëm mik, por edhe bashkëpunëtor. Shkojmë bashkë në shumë aktivitete. Petriti të magjeps. Zëri i tij shkon shumë me klarinetën. Duket se ai zë ka lindur enkas për klarinetën. Zëri i tij bilbil, edhe klarineta si bilbil.

 Jeni gjithmonë në lëvizje ndiheni i lodhur?

Se di. Se kam ndjerë lodhjen. Ja sa kam ardhur nga një aktivitet dhe tani me vrap në Sarandë. Kur kam në dorë klarinetën, më ikën lodhja si me magji.

 Keni shkuar në shumë vende, çfarë të veçantë kanë femrat shqiptare nga të huajat?

Sepse më duken më me këmbë në tokë. Më origjinale.

 Çfarë bëni në kohën e lirë?

Shoh futboll, ose dal me shokët. Pak kohë kemi të lirë, por kryesorja ja kushtoj familjes. Jemi bërë kurbetçinj me shtëpinë (qesh).

Jeni grindur keq me ndonjë njeri?

I ruhem sherrit. Unë dua të përhap gaz, hare, gëzim. Më ka ndodhur që kam parë shumë të dehur, që më vijnë dhe të më diktojnë se çfarë të marr me klarinetë, por i shmangem me lezet. Nga sherri asnjë të mirë nuk ke.

 Po vetë si i keni marrëdhëniet me rakinë?

Mendohet se klarinistët pinë. Nuk është e vërtetë. Po pive s’ke fuqi dhe të merret fryma. Rrallë heq ndonjë teke kur jam në kohë të lirë. Pija po të mori të vuri poshtë.

 Marrëdhëniet me librin?

Të të mos gënjej, si kam të mira. S’më lë ajo e ngrata, ma ka marrë mendjen.

 Ndihesh i vlerësuar?

Besoj se po. Pak klarinetistë ka Shqipëria që përmenden me emër.

 Shprehja jote e preferuar?

Zoti ta bëftë dritë!