Sot 72 –vjetori i masakrës naziste

616
Si sot 72 vjet më parë, më 4 Shkurt 1944, në Tiranë, në kryeqytetin tonë të pushtuar nga ushtria naziste hitleriane, ka ndodhur një nga masakrat më të mëdha mbi popullsinë civile, mbi njerëzit dhe familjet e pafajshme qytetare. Bashkëpunëtorë të pushtuesit fashist, të organizuar në një qeveri kuislinge dhe nën dirigjimin e komandës naziste, në panik nga rritja e e rezistencës antifashiste dhe luftës partizane për çlirimin e vendit, ndërmorën natën e 4 shkurtit 1944 një masakër mbi popullsinë civile të kryeqytetit tonë duke vrarë 84 qytetarë të pafajshëm (shumica njerëz të thjeshtë por edhe pjesëtarë të familjeve antifashiste), dhe arrestuar e dhunuar rreth 500 qytetarë të tjerë. 
Masakra e dirigjuar nga forcat naziste u ekzekutua nga vegla dhe shërbëtorë të fashizmit. 
Nga dokumentet arkivale, nga kujtimet e shumë veteranëve që përjetuan këto ngjarje, nga tregimet e disa pjesëtarëve të familjeve të kësaj masakre, për këtë masakër çnjerëzore përgjegjës janë ish-kryeministri i qeverisë kuislinge, Rexhep Mitrovica, Xhaferr Deva, ish-ministri i Brendshëm, Hysni Dema, komandant i përgjithshëm i Xhandarmërisë, Kadri Cakrani, komandant i forcave të Ballit Kombëtar, Qazim Mulleti, ish-prefekt i Tiranës si edhe disa eksponentë të organizatës tradhtare “Balli Kombëtar” për kryeqytetin e mercenarë të gënjyer të ardhur nga Kosova. 
-Sipas dëshmive të para të shtypit, publikuar menjëherë pas përfundimit të luftës, viktimat qenë shumica qytetarë me kombësi shqiptare, por edhe ish-ushtarë italianë të mbetur në Tiranë pas kapitullimit të ushtrisë italiane dhe të kombësive të tjera. Ndër të pushkatuarit e natës së zezë të 4 shkurtit 1944 janë edhe : 
1. Ramiz Treni 
2. Sitki Çiço 
3. Xhemal Sojli 
4. Harito Harito 
5. Dr. Stefan Pano 
6. Fadil Rada 
7. Mali Huta 
8. Sulejman Vrapi 
9. Haki Huta 
10. Gjergj Legisi 
11. Islam Alla 
12. Fiqiri Gërblleshi 
13. Ali Visha 
14. Viçenca Apoli 
15. Raxhioner Ravesi 
16. Gjergj Marangozi 
17. David Kohe 
18. Mina Thome 
19. Vangjel Capo 
20. Vasil Muzina 
21. Petro Prifti 
22. Sokrat Tako 
23. Mihal Koço 
24. Dhimitër Toma 
25. Emrullah Korja 
26. Todi Shkurti 
27. Osman Boriçi 
28. Kurt Uka 
29. Lake Kolonja 
30. Hasan Çeliku 
Masakra gjakatare e 4 shkurtit të vitit 1944 në Tiranë, ka mbetur në kujtesën e popullit si një nga ngjarjet më të egra çnjerëzore të pushtuesve nazistë dhe tradhtarëve, shërbëtorëve të tyre kuisling. Shoqata e Dëshmorëve të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare e konsideron 4 Shkurtin si një ditë reflektimi, kujtese dhe nderimi për ato viktima të pafajshme dhe për sakrificat e antifashistëve shqiptarë, duke bërë, njëkohësisht , apel ndaj opinionit publik dhe ndaj institucioneve të këtij vendit për të mos harruar dhe shkelur mbi historinë. Në Tiranë ende nuk ka një monument për këto viktima, përkundrazi, një prej përgjegjësve dhe ekzekutorëve të kësaj masakre, ka një bust në qendër të kryeqytetit shqiptar. 4 shkurti nuk duhet parë veçmas nga e gjithë lufta antifashiste. Në masakrën e 4 shkurtit të vitit 1944, janë vrarë 84 vetë ndërsa qindra u internuan, si një hakmarrje për dështimin e forcave antifashiste. Megjithë, teoritë e ndryshme që ekzistojnë për këtë datë, zyrtarisht historia jonë njeh variantin se, nazistët ekzekutuan dhjetëra civilë, të cilët kishin strehuar komunistet në shtëpitë e tyre në Tiranë.

Ngjarja
Më 4 shkurt, nga ora 01 e pasnatës, nazistët e Xhafer Devës me urdhër të tij ekzekutojnë në rrugët e Tiranës shumë njerëz të pafajshëm dhe më çnjerëzorja: kufomat lihen në rrugë deri mbrëmjen e asaj dite! Burimi i parë i masakrës, i shkruar ato ditë është një letër e Nako S. (në kreun e qarkorit të PK për Tiranë e shefi i lidhjes me qendrorin e komunistëve) që ia drejton udhëheqjes (Miladin P., Koçi Xoxe, Liri G.): “Të dashur shokë – Ali [Miladin P.], Trashi [Koçi X.], Muzhik [Liri G.]… Në Tiranë reaksioni është shumë i madh. Më 3 shkurt vranë në rrugë katër të rinj, njëri prej tyre kishte qenë partizan. Shpifën se këta do bëjshin reaksion. Duke u gdhi 4 shkurti… pushkatojnë ndër rrugë gadi 80 njerës. Mund ta merrni me mend se çfarë terrori ka këtu…. Këtu situate është e vështirë. Kontrolle për ditë e për natë. Të dalin shokët dhe miqtë tanë nga qyteti nuk është e mundur, pse çetat janë larg…. 13 shkurt. Të fala “Deti”. Do të kalonin vetëm tre ditë dhe më 17 shkurt Nako S. u shkruante të njëjtëve kuadrovikëve të lartë për një problematikë tjetër, por u rikujton të katër të vrarët e 3 shkurtit dhe asnjë kujtesë me emra e numër për 80 të vrarët e orëve të para të 4 shkurtit. Ditët e fundit të shkurtit del gazeta “Bashkimi” (nr. 5, pa datë) ku faqen e parë e mbulon artikulli “4 shkurt 1944”, me autor Lame Kodra [Sejfulla Malëshova], mbushur përplot slogane e fjalë të përgjithshme e asnjë fakt për numrin e emrat e të vrarëve. Ndërsa, kishte kaluar thuajse një muaj që ishte kohë e pamjaftueshme për të marrë informacion konkret për ngjarjen: identifikimi i “80” të vrarëve, që shkruante më parë N. S.ka informacion të pakët.

AQFA, Fondi Komanda Gjermane, V. 1944, D. 2, F. 115.
Masakra e 4 shkurtit 1944, në të cilën humbën jetën 84 qytetarë të Tiranës, është vazhdim i reprezaljve dhe terrorit të ushtruar nga pushtuesit gjermanë dhe bashkëpunëtorët e tyre shqiptarë, të drejtuar nga Ministri i Brendshëm, shqiptari nga Mitrovica, Xhaferr Deva. Xhaferr Deva ishte një nga kontaktet më të hershme të gjermanëve në Kosovë. Xhaferr Deva ishte Ministri më i fuqishëm në qeverinë kuislinge shqiptare. Me mbështetjen dhe besimin e gjermanëve, ai kishte liri të plotë veprimi. Deva ndërmerrte veprime duke u konsultuar vetëm me gjermanët dhe ishte plotësisht në shërbim të tyre. Madje, në shumë raste nuk njoftonte as kryeministrin Mitrovica, e aq më pak regjentin, Mehdi Frashëri. Parë në një plan të parë, duket se shkaku i kryerjes së kësaj masakre ishte kryerja e disa atentateve të komunistëve kundër Xhaferr Devës dhe Komandantit të Përgjithshëm të Ballit Kombëtar, Kadri Cakranit në datën 3 shkurt 1944. Nëse bëjmë një analizë më të zgjeruar të situatës në Shqipëri në këtë kohë dhe duke u konsultuar me dokumentet gjermane, vërejmë se ka lidhje ndërmjet ngjarjes së 4 shkurtit, reprezaljeve të trupave milicore të ministrit Deva dhe operacioneve të gjermanëve dhe ballistëve kundër lëvizjes partizane në periudhën nëntor 1943-Shkurt 1944. Pra, organizimi i masakrës së 4 shkurtit, nuk ishte vetëm një hakmarrje personale e Xhaferr Devës, por nëse citojmë dokumentet gjermane, ishte një aksion i grupimeve nacionaliste.
Gazeta “Bashkimi” i 4 shkurtit 1945
Në përkujtim të 84 të vrarëve më 4 shkurt 1944, në gjithë qytetet e vendit bëhen demonstrate politike dhe më e madhja demonstrate në Tiranë. Në gazetën “Bashkimi” të asaj dite lexohet komunikata: “I gjithë tregu do të rrijë i mbyllur për gjithë ditën, kafet e restorantet do të mbyllen. 1. Në ora 8-30 do të bëhen lutje në faltore për viktimat e terrorit. 2. Në ora 10 metingu në Kinema Kosova dhe fjala e gjeneral Koçi Xoxe. 3. Në orën e metingut i gjithë populli do të rrjeshtohet simbas lagjeve, organizatave, dikastereve dhe organeve të pushtetit në shesh nga ku do të transmetohen mitingu me altoparlant”. 
Sigal