Asllan Kasa: Goleadori “fluturues” dhe “Mbret i ajrit”, i sfidoi portierët, jo “jetën”

1795
MEDITIM NGA XHENETI / Me rastin e largimit të parakohshëm nga jeta të futbollistit shijakas të Partizanit dhe Kombëtares, Agim Murati 

Prologu 
Duke marrë shkas nga nga 85-vjetori i krijimit të Klubit të Futbollit të Erzeni të Shijakut, ku u përmendën shumë figura të shquara të këtij klubi, e mes tyre edhe Agimi i Erzenit, Partizanit dhe i Kombëtares, unë vendosa të shkruaja për atë futbollist të madh. Por, që të shkruash për një futbollist që nuk është më, ndjen nostalgji dhe kjo është me e madhe kur shkruan për një bashkëqytetar. Por, përmallesh më shumë kur shkruan për një ish-nxënësin tënd të dashur. Mall e kujtime më ngjall, o i ndjeri Agim, o i miri Agim, buzagazi dhe i sjellshmi Agim. Ishte data 15-09-2005 një ditë vjeshte e ngrysur me re të errëta, frynte erë. Këtë ditë xheneti kërkonte ta bënte pjesë të tijën, Agimi nuk ia prishi. La amanetet e fundit dhe si zog fluturoi në përjetësi. Gruas së tij iu tret në sy, iu duk sikur belbëzoi në heshtje” …Diana mos u mërzit, tani me ty janë Donaldi dhe Anjeza. Mirupafshim në xhenet. Mos qani për mua, unë jam me ju dhe pranë jush. Nuk kam kohë të rri më gjatë. Zoti më kërkon në gjirin e tij dhe unë nuk mund t’ia prish. Po shkoj në vendin tim të përhershëm, në xhenet. Atje është streha ime e re. Ju dua shumë…. Ika”, dhe Diana nuk pati kohë të reagojë, pasi ai fluturoi.

HISTORIA E KARRIERËS
Në qytetin e vogël por shumë sportdashës në një lagje buzë Erzenit në një shtëpi model shijakase, jetonte familja e Hysen Muratit, apo siç e thërrisnin Usta Hysenit. Një ditë që pranvera ja kishte rrëmbyer dimrit me diellin dhe ngrohtësinë e saj, ishte dita e 21 shkurtit 1953. Në këtë ditë erdhi në jetë Agimi. Gëzimi i madh i nënë Myhries. Si nënë shembullore e rriti me shumë kujdes dhe dashuri. Agimi ishte shumë i vëmendshëm, studios dhe i edukuar. Në shkollën e mesme të Shijakut dallohet kudo, merrte pjesë në konkurset shkencore e mësimore, ishte pjesëtar i estradës së qytetit, ishte valltar shumë i mire, sa në konkurrimin në Vlorë më 1979 mori Medaljen e Artë si Valltari më i Mirë. Me cilësitë e tij fizike natyrore ai dallohej kudo që mori pjese; si në garat e atletikës, në lojërat e volejbollit dhe të basketbollit dhe gjithmonë dilte fitues. Nga kjo gjithanshmëri, pasioni i tij ishte futbolli, ku ai e ushtroi këtë sport që në fëmijërinë e hershme me ekipet zinxhir të Erzenit. Por, cilësitë dhe teknika e tij e bënë shumë shpejt të aktivizohej me ekipin e parë të futbollit të Erzenit, me të cilin luajti për më shumë se tre vite, periudhë në të cilën dha një kontribut cilësor te kjo skuadër. Tek Agim Murati ra në sy sidomos veçoria e tij, gjuajtjet me kokë, duke menduar që dhuntitë e tij të ngriheshin me lart u mendua që ai të aktivizohej në kategori më superiore për të ardhmen e tij. Duke qenë se isha Shef i Klubit të Erzenit në atë kohë, e njëkohësisht edhe pjesëtar i stafit mjekësor të ekipeve Kombëtare, vendosa të bëja një bisedë me të ndjerin Loro Boriçi, ish-trajner i asaj kohe i ekipit të Partizanit. Ai u përgjigj: “Ta këqyrim”. Organizuam një ndeshje miqësore Shkëndia-Erzeni, ku Agimi luajti shumë mirë edhe bëri gol me kokë. Loro tha: “Kenka mbret i ajrit! Për atë çdo ekip ka nevojë, prandaj na duhet”. Bisedova me trajnerin që nuk i erdhi shumë mirë, por e miratoi, bëmë dokumentet, i firmosëm tek Kryetari i Komitetit Ekzekutiv, edhe ky jo me shumë dëshirë. Ky djalosh 17-vjeçar u transferua tek Ekipi i Partizanit në mes të Kampionatit Kombëtar. Stërvitjet i vazhdonte atje, ndërsa shkollën e vazhdonte në Shkollën e Bashkuar “Skënderbej”. Te Partizani filloi në vitin 1971 dhe deri në fundin e vitit 1983. Zhvilloi më shumë se 385 ndeshje me atë skuadër dhe shënoi mbi 170 gola në kampionate dhe Kupë Republike. Kulmin e karrierës e arriti me Seltic Glagow-t të Skocisë, ku shënoi golin e fitores me kokë. 

Ai nuk harron as ditën e fejesës me Dianën. Ishte dita e ndeshjes me 17 Nëntorin e Tiranës, loja vazhdonte 2-1 për Tiranën, por nga fundi i ndeshjes, Agimi për 6 minuta shënoi dy gola me kokë dhe Partizani fitoi 3-2. 

VITET ME KOMBËTAREN
Agim Murati ka luajtur me Kombëtaren vetëm në 4 ndeshje dhe ka shënuar 3 gola. Ai ka fituar 3 Kampionate Kombëtare dhe 2 Kupa Republike, ku ka qenë protagonist kryesor për Partizanin. Sa herë thoshte: “Dita e paharruar për mua ngelet edhe 25 shtatori 1975, kur i madhi Panajot Pano më dhuroi fanellën e tij me numrin 10. Ishte ndeshja me 17 Nëntorin kur Pano i madh la futbollin. Meritat e tij edhe për mua kanë qenë të mëdha që kam arritur deri këtu, pa mohuar edhe shokët e tjerë të skuadrës. Në punën time më kanë ndihmuar shumë edhe trajnerët me stërvitjet e tyre edhe individuale, prandaj unë i falënderoj shumë duke filluar nga: S. Maliqati në Shijak, Loro Boriçi, Rexhep Spahiu, Bejkush Birçe, Neptun Bajko, etj. Ishte shans për mua dhe krenohem që kam luajtur krahas Panajot Panos, Ramazan Ragamit, Sabah Bizit, Lin Shllakut, Safet Berishës, Ferit Rragamit, Perlat Mustës, Jani Kaçit, Ilir Lames, Astrit Ziut, Feim Brecës, Sotir Seferajt, Sefedin Brahos, Sulejman Strarovës, Vladimir Ballukut, Haxhi Ballgjinit, Ferdinand Lleshit, Agim Jankut, Millan Vasos, Gjergji Thakës, Mustafa Fagut, Hasan Likës, etj”. Ai nuk u nda nga futbolli deri në fund të jetës së tij, duke stërvitur brezin e ri si në Tiranë, por edhe në Shijak. Ka drejtuar për një periudhë edhe ekipin e parë të Erzenit, si trajner dhe ka shkruar shumë shkrime kritike nëpër organet e ndryshme, për dobësitë e futbollit tone, sidomos ka kritikuar Klubin e tij Partizanin, duke i vënë në dukje të metat. Ai ka qenë disa vite në Komisionin e Disiplinës në FSHF. 

KARAKTERISTIKAT E VEÇANTA 
Agim Murati kishte disa karakteristika që e veçonin për kohën: E para, se mbi 75 % të golave i ka shënuar me kokë. Kur e pyetën dikur, se sikur Tiranës i bën shumë gola, Gimi me shaka u përgjigj: “Dua të marr hak, se Tirana në një ndeshje i ka shënuar qytetit tim 11 gola”. Agimi ka dalë golashënuesi më i mirë i kampionateve në vitet 1977-1978-1979. Ai ka dalë 10 herë golashënuesi më i mirë i Partizanit dhe ka qenë anëtar i Ekipeve Kombëtare, Shpresave dhe Kombëtar A. Agim Murati ishte futbollist i egër me topin, por i dashur me kundërshtarët, të gjithë e donin. Por një parantezë, gjatë lojës vetëm portierët kundërshtarë nuk e donin, e kishin frikë. Por, pas ndeshjes e përqafonin dhe bënin shaka. Ky pra ishte Agimi i futbollit që i përkiste Partizanit e të gjithëve. Ai u martua në vitin 1978, dhe si familjar ishte një burrë i madh e një baba shembullor. Ai gjithmonë thoshte: “ Është fat i madh për mua që u martova me Dianën, këtë vajzë të thjeshtë tiranase që, jo vetëm m’u bë shok i ngushtë i jetës, por dhe më përkrahte dhe më ndihmonte në të gjithë veprimtarinë jetësore”. Dhe ashtu ishte, ajo nuk iu nda asnjë çast deri në fund të jetës së tij. Atë ditë të 15 shtatorit 2005, kur Agimi iku nga kjo jetë, i ndodhi dhe humbja e mamasë. Me dhimbje të thellë në shpirt ajo përballoi dy dhimbje në një ditë.”Ai iku, por kujtimi i tij kurrë nuk na është venitur, ai është pranë nesh dhe me ne, është tek ju dhe me ju”, foli e përlotur Diana. E vazhdoi: …” Për të flasin me përmallim të gjithë, se i tillë ishte…”. Agimi dhe Diana ishin në qiellin e lumturisë kur më 13 tetor 1979 erdhi në jetë Donaldi, fëmija i parë. E më vonë, jeta iu zbukurua edhe më shumë me ardhjen në jetë të Anjezës me 15 shtator 1983. Ai i donte të dy fëmijët dhe kujdesej çdo ditë për to. Në çdo problem të jetës ishte këmbëngulës po edhe ë dashur, kishte respekt për cilin do. Ishte i qetë dhe modest. Tek ai gjeje të gjitha të mirat që ishin këmbëkryq në shpirtin e tij. – Të kemi çuar fjalë atje në xhenet, të jesh i qetë, se dhe familja të është rritur, të gjithë hedhin vështrimin e kujtimit për ty, e qeshura jote, prezenca me të gjithë ecurinë tënde është fiksuar përjetësisht në memorien tonë, ajo na nxit për të ecur përpara duke e mbuluar si një vello e bukur me kujtimet me të mira për ty. Kemi mall dhe kujtimi yt na shoqëron në çdo hap. Unë dhe fëmijët të transmetojmë çdo mëngjes përshëndetjen së bashku me çiltërsinë e zemrës sonë. Sa herë shohim fotot tuaja, në veshët tonë sikur vjen aq ëmbël dhe përkëdhelës zëri yt si në ëndërr: “Mirëmëngjesi të gjithëve, jam Gimi, babai juaj që ju uron ditë të mbarë o të shtrenjtët e mi”, dhe Dianën e përlotur nga malli e pamë duke u përqafuar me fëmijët, nipin dhe mbesën e saj. 

VLERËSIME PËR KARRIERËN
Gjatë karrierës së tij, Agim Murati është ndërruar me urdhrin e Argjendtë “Naim Frashëri”, i është akorduar titulli “Mjeshtër Sporti”, e më vonë “Mjeshtër i Merituar Sporti”. Në datën 27 dhjetor 2009, i jepet Titulli “Legjenda e Futbollit Shqiptar”, pas vdekjes. Ka marrë disa fletë nderi dhe Medaljen e Karrierës të Klubit Partizani. 

Ky pra ishte Agim Murati, njeriu gol, mbret i ajrit në Ekipin e Partizanit e kudo.
Ne si Shijakas mburremi me emrin e tij, me përmasa të tilla që na ka nderuar. Dhe mendoj që për një njeri me një emër kaq të madh, për kontributin që ka dhënë edhe Bashkia e Shijakut duhet t’i akordojë ndonjë titull, se ai e meriton. 
# Ish masazhator dhe Riaftësues Fizik i Ekipeve Kombëtare
RASTËSIA e 15 SHTATORIT!
Më 15 shtator 1983, ka lindur Anjeza, vajza e Agim Muratit, I cili më 15 shtator 2005 u largua nga kjo jetë, ndërsa gruas së tij Dianës, i ndodhi dhe humbja e mamasë në të njëjtën ditë
AGIM MURATI
Datëlindja: 
Vendlindja: Shijak
Sporti që ka ushtruar: Futboll
Pozicioni në fushë: Sulmues
Karakteristika: Kërcyeshmëria e lartë, golashënues në 75% me kokë
Arsimimi: Të lartën, sportive dhe ushtarake
Skuadrat ku ka luajtur: Erzeni Shijak, 1967-1970, Partizani Tiranë 1970-1983
Tituj e trofe me Partizanin: Kampion në sezonet 1970-1971, 1978-1979, 1981-1982; Kupën e Shqipërisë: 1972-1973, 1973-1974 dhe 1982-1983
Kryegolashënues: Në sezonet në sezonet 1977-1978 dhe 1978-1979
Me Kombëtaren: Luajtur 4 ndeshje, shënuar 3 gola
Nderuar: “Mjeshtër Sporti”, “Mjeshtër i Merituar Sporti”, “Legjenda e Futbollit Shqiptar”, pas vdekjes. “Medalje e Karrierës” në Klubin Partizani 
Vendosa të bëja një bisedë me të ndjerin Loro Boriçi, ish-trajner i asaj kohe i ekipit të Partizanit. Ai u përgjigj: “Ta këqyrim”. Organizuam një ndeshje miqësore Shkëndia-Erzeni, ku Agimi luajti shumë mirë edhe bëri gol me kokë. Loro tha: “Kenka mbret i ajrit! Për atë çdo ekip ka nevojë, prandaj na duhet”. Bisedova me trajnerin që nuk i erdhi shumë mirë, por e miratoi, bëmë dokumentet, i firmosëm tek Kryetari i Komitetit Ekzekutiv, edhe ky jo me shumë dëshirë
Agim Murati kishte disa karakteristika që e veçonin për kohën: E para, që mbi 75 % të golave i ka shënuar me kokë. Ai ka dalë golashënuesi më i mirë i kampionateve në vitet 1977-1978-1979 dhe 10 herë golashënuesi më i mirë i Partizanit. Agim Murati ishte futbollist i egër me topin, por i dashur me kundërshtarët, të gjithë e donin. Por një parantezë, gjatë lojës vetëm portierët kundërshtarë nuk e donin, e kishin frikë, se pas ndeshjes e përqafonin dhe bënin shaka
Foto: AGIM MURATI DHE ASLLAN KASA NE GOSTI
Foto: AGIM MURATI ME TË VLLANË- SHKËLQIMIN
Foto:AGIMI NE SHKOLLËN E BASHKUAR SKËNDERBEJ
Foto:EKIPI PARTIZANI PARA NDESHJES ME SELTIK GLASGOË
Foto:EKIPI I PARTIZANIT PARA NDESHJES ME EKIPIN E RJEKËS
Foto: GJATË NDESHJES ME TIRANËN – NJË NGA GOLAT ME KOKË
Foto: AGIMI GJATË NJË NDESHJEJE 
Foto: AGIMI ME P. MUSTA DHE J. KACI
Foto: AGIMI GJATE FITORES SË KUPËS ME PARTIZANIN
Sigal