Sigal

Gëzim Llojdia

Studiuesi,shkrimtari akademik Dimitër Shuteriqi, në vitin 1966 bën publik një dokument  vendor për shtetin e Arbërit. Është publikuar  në gazetën: “Drita”,të 4 dhjetorit 1966,f aqe2. Studiuesi Shuteriqi shkruan:Përpara shtatë muajsh, në katundin Geziq të Mirdites, mbi xhadenë e Rrëshenit për Shën Pal, te muri i një qele të  rrënuar të  kishës së  Shën Mërisë, zbuluam gurët e copëtuar dhe të  dëmtuar keq të  disa mbishkrimeve mesjetare latine, që menjëherë, dukeshin të një interesi të madh. Më vonë, duke kërkuar nëpër dokumentet e kohës dhe nëpër autoret që janë marrë me to, me qëllim që të shkruajmë për ato mbishkrime, vumë re se Ippeni i kishte njohur e botuar një pjesë të tyre me 1901 (v. Stare crkve, ne Glasnik Bosni i Herzeg., fq. 385-386),veçse pa bërë ndonjë përpjekje interpretimi. Vëmendjen e tij e tërhoqi më shumë një shqiponjë një krenore e skalitur mbi mermer (fig. 1) dhe që ai, me të drejtë, e quajti -«heraldike»,po që, më sakte, është stema e Dukagjineve (M. Sufflay, Serbet dhe Shqiptaret, Tiranë 1926, fq. 193: thotë se Dukagjinët kishin shqipen e bardhë në stemë). Tjetër herë kjo stemë nuk është zbuluar në Shqipëri. Po kështu, Ippenin e tërhoqi një frag­ment skulpture prapë në mermer, ku sot shohim bishtin e një palloi dhe që, ai pretendon se është një motiv paleokristian.Të dyja këto punime, të gdhendura jo pa mjeshtëri, janë me interes edhe për artin tonë mesjetar të skulpturës, që ende njihet tepër pak. Më tej studiuesi Shuteriqi thotë: Po le të vimë te mbishkrimet. Pasi mundem t’u bëjmë atyre fotografimin e qartë, në fillim të tetorit që kaloi, patëm mundësi t’i studiojmë edhe më me nge. Që  në krye të herës, na kishte tërhequr vëmendjen emri DIMITRI(S) (fig. 2) dhe fjala (I)VDICIBVS (gjykatësve) (fig. 3), që lexoheshin shumë kthjellët në dy prej fragmenteve të gurëve. Më vonë na tërhoqi vëmendjen edhe emri i P(R)OGON i një fragmenti të tretë (fig. 4). Ishte krejt natyrshme, që menjëherë të na shkonte mendja tek princi Dhimitër (1208-1216) dhe i babait tij Progoni (1190-1198), sundimtaret e shtetit të parë  të Arbrit që njihet gjer më sot dhe për të cilin, sadopak, dicka dimë. Dihet se Dhimitri ka mbajtur titullin <4udex» gjykatës, d.m.th. princ.Kur para disa ditësh, shoku Dh. Pilika, pa i fol ne për këtë gjë, na tregoi se edhe ai u bën-të një interpretim të  tillë gurëve të  njohur sipas botimit të Ippenit, ne na erdhi mirë që gjetëm një mbështetje të mendimit tonë. Po këtë mbështetje gjetëm edhe nga prof. A. Buda. Dhe na duket se, në njërin prej gurëve,   lexojmë   edhe fjalën:(C)0(M)NENVS, e cila, edhe ajo, të shtyn po në atë interpretim të  fragmentëve të mbishkrimeve (fig. 2), sepse të kujton që Dhimitri, i martuar me një të mbesën e perandorit Aleksi III të Bizantit, mbante edhe emrin Komnen. Këto të  gjitha i mbështet në mënyrë të veçantë  fakti se manastiri dhe kisha e Geziqit, më se një herë në dokumentet e lashta, quhet «S. Marie de Tre-fandena, Arbanensi diocesis* (Ljubig, yell. V, fq. 94; Acta Alb., veil. I, Nr. 48; Theiner, veil. I, fq. 426; Ra-donic, Nr. 148; etj.), pra vendosej në dioqezin e Arbrit.Dokumenti është i një rëndësie vërtet të jashtëzakonshme për historinë e Shqipërisë, sepse është i pari dokument vendës që flet për shtetin e parë të  Arbrit. Rëndësia e tij qëndron edhe në faktin se mund të  behet pyetja se mos zotërit e këtij shteti, Progoni me të dy djemtë e tij, Gjinin e Dhimitrin, ishin Dukagjinë. Ne këtu, vetëm sa e bëjmë të njo­hur publikun me këtë zbulim, duke botuar edhe katër fotografi nga të  nëntëmbëdhjetë gurët që kemi zbuluar dhe midis të cilëve më se njeri ka interes jo të vogël. Më vonë do të botojmë një studim të hollësishëm për këtë çështje.Na vjen mirë ta japim këtë lajm me rastin e 750 vjetorit të vdekjes së Dhimitrit të Arberit, që bie sivjet, dhe të 800 vjetorit të  një dokumenti që flet, me 1166, për një qytet Alban në Shqipëri dhe sidomos për «priorin» apo sundimtarin e këtij qyteti, te quajtur Andrea. Te prior Andrea, ne kemi dashur të shohim një para-ardhes të princeve të parë të njo­hur të Arbrit.

Lidhur me këtë dokument të zbuar nga Shuteriqi,n ë botimin:”Principata e Arbërit”, historiani, Kristo Frashëri ka shkruar: “Më në fund, historinë e Principatës së Arbërisë e ndriçojnë edhe të dhënat arkeologjike të zbuluara në fshatin Gëziq të Mirditës. Fillimisht të dhënat arkeologjike u zbuluan më 1901 nga medjevisti austriak Theodor Ippen. Më vonë ato u pasuruan nga Dhimitër Shuteriqi dhe nga etnografi mirditor Mark Tirta. Një vend të veçantë në materialet e zbuluara në Gëziq zë një pllakë mermeri me një mbishkrim latinisht, i cili kur u zbulua qe tepër i copëtuar, pra i palexueshëm. Atë e bëri të lexueshëm fillimisht mjeshtri Koço Zheku dhe përfundimisht prof. Injac Zamputi. Sipas mendimit tashmë të përbashkët të historianëve, Principata e Arbërisë u krijua rreth vitit 1191. Sundimtari i parë i saj ishte Progoni, një emër thjesht shqiptar. Ai mbante si dhe prijësat e mëparshëm të Arbanonit, titullin bizantin “arkond”.Me krijimin e Principatës, Progoni ishte prijës jo vetëm i Arbanonit, por edhe i bashkësive të tjera fqinje. Duket se në veri formacioni i ri shtetëror kishte përfshirë në kufijtë e vet edhe bashkësinë krahinore të Pultit të Epërm së bashku me atë të Pultit të Poshtëm. Kjo del nga një akt serb i vitit 1198 ku thuhet se Zhupani i Madh i Rashës, Stefan Nemanja, i kishte shkëputur Principatës së Arbërisë Pultin e Epërm dhe Pultin e Poshtëm, i pari në veri, i dyti në jug të lumit Drin. Duket se për të siguruar paqen me fqinjin verior, Progoni lidhi krushqi me Stefan Nemanjën, duke martuar djalin e tij të dytë Dhimitrin me Komnenën, vajzën e Zhupanit të Madh serb. Ka mundësi që me këtë krushqi arkondi i Arbanonit të ketë rimarrë të dy Pultet. Hollësi të tjera nga Progoni nuk kemi.Pasardhësi i Progonit ishte pa dyshim djali i tij i madh Gjin Progonati. Edhe emri i tij Gjin ka trajtë thjesht shqiptare. Të dhënat historike për Gjinin si sundimtar i Arbërisë janë gjithashtu thellësisht të varfëra. Dimë se më 1204 gjatë sundimit të tij Perandoria Bizantine u përmbys nga Kryqëzata e Katërt.Përmbysja e Perandorisë Bizantine vuri në rrezik edhe vetë Principatën e Arbërisë. Kjo për arsye se shtetet që u mëkëmbën ose u fuqizuan në Gadishullin Ballkanik mbi gërmadhat e Perandorisë Bizantine – dukati venedikas i Durrësit, despotati bizantin i Epirit, Perandoria e Dytë Bullgare, shteti serb i Rashës dhe Principata e vogël e Zetës – lakmonin ta aneksonin secila për vete Principatën e Arbërisë.

Për disa vite Principata i shpëtoi rrezikut që i vinte nga fqinjët, ngase ata hynë në konflikt midis tyre.Në vitin 1206 vendin e Gjinit e zuri vëllai i tij Dhimitër Progonati. Meqenëse fuqitë ballkanike që e kërcënonin Principatën e Arbërisë kishin përqafuar krishterimin lindor, pra kishën ortodokse – Dhimitër Progonati vendosi të lidhej ashtu si paraardhësit e tij të dikurshëm me kishën e Romës. Këtë kthesë e vërteton një letër e Papës Inocenti III, me të cilën i përgjigjej “burrit fisnik Dhimitrit, princit shqiptar” (nobili viro Demetrio Arbanensi principi), se po dërgonte Nikollën, arkidiakon i katolikëve të Durrësit, për ta ushtruar në besimin katolik.Prej tij ne njohim marrëveshjen tregtare që ai lidhi rreth vitit 1208 me Republikën e Raguzës, të cilën e botoi më 1934 profesori i Beogradit A. Soloviev. Akti i marrëveshjes tregtare me Raguzën përmban disa elemente të veçantë, të cilat meritojnë të vihen në dukje. Titujt që mban princi Dhimitër (arkond i madh dhe panhipersevast) i përkasin diplomatikës mesjetare bizantine, kurse pajisja e marrëveshjes me pesëmbëdhjetë nënshkrimet e vartësve të tij, vë re A. Solovjevi, nuk ndeshet në praktikën diplomatike bizantine, të cilat i nënshkruante vetëm sovrani. Kemi pra një praktikë diplomatike shqiptare. Veç kësaj, ndërsa në sferën bizantine gjuha e akteve zyrtare ishte greqishtja, gjuha e përdorur në marrëveshjen nga pala shqiptare ishte latinishtja. Përsa u përket pesëmbëdhjetë nënshkrimeve që përmban marrëveshja, të cilët A. Solovjevi mendon se janë zyrtarë të lartë, sipas mendimit tonë, ata duhet të jenë prijësit e pesëmbëdhjetë bashkësive krahinore, të cilët kur u nënshkrua marrëveshja ishin integruar në Principatën e Arbërisë.

Prania e nënshkrimeve të tyre tregon se ata gëzonin një pushtet partikularist, të cilin nuk ia kishin deleguar plotësisht sovranit. Këto elemente tregojnë se principata mbështetej në bashkësitë krahinore gjysmë-autonome, të cilat, siç e ka treguar historia e mëvonshme e Shqipërisë, disa prej tyre e ruajtën qeverisjen autonome të brendshme deri më 28 Nëntor 1912.4.Në librin:“Antologji e mendimit të sotëm për Mirditën”, përgatitur nga Gjon Marku përmeden Autorë të tillë si : Dhimitër Shuteriqi, At Zef Pllumi, Mark Krasniqi, Pal Doçi, Vili Kasmi, Mikel Prenushi, Mark Tirta, Muzafer Korkurti, Neritan Ceka, Moikom Zeqo, Gjerak Karaiskaj, Pëllumb Xhufi, të cilët kanë një bagazh të rëndësishëm shkencorë, arrijnë t’i afrojnë qasjes për Mirditën një lloj komunikimi  të nevojshëm për dëshmitë që  reflektojnë praninë e Mirditës që nga antikiteti në këtë rajon të diversitueshëm dhe të zhvilluar në marrëdhënie me Perëndimin. Shuteriqi shkruan për një dëshmi të tillë interesante: “Nga dinastitë e arbërit, mësova se ishte ndërtuar kisha e Gëziqit. Mirdita kështu vërtetohet mirë se, në shekujt XII- XIII, bëmnte pjesë në shtetin e parë shqiptar të njohur si një krahinë ndër më qëndroret”. Një këndvështrim i tillë përveçse sjell një njohje të nevojshme për Mirditën si trevë, merr një rëndësi po kaq të nevojshme dhe për historinë kombëtare, për arsye të marrëdhënieve të njohura që ajo ka pasur jo vetëm me krahinat përreth, por edhe me dinastitë e huaja, veçanërisht të Perëndimit.Mirdita është një shembull i njohur nga të gjithë burimet historike dhe shkencore të mendimit historik dhe social, që ishte një nga trevat e cila ka ruajtur një identitet të pandryshuar në të gjitha rrethanat dhe pikëpamjet. Si e tillë, dëshmitë e identitetit, që më së pari kanë të bëjnë me besimin katolik, zbulohet në një seri bashkëpunimesh dhe dëshmish që sjellin personalitete të tilla, të cilat janë marrë qoftë me histori, po ashtu edhe me element të tjerë të brendshëm racional të identitetit. Ndue Dedaj studiues, shkruan në vitin 2013: “Gjetjet që u zbuluan nga profesor Shuteriqi në Gëziq (Ndërfanë) të Mirditës, në kishën katolike të Shën Mërisë, ishin dy: një mbishkrim epigrafik latinisht dhe emblema e shtetit të moçëm të arbërve.

Disa dekada më parë, Teodor Ippen, gjatë kërkimeve në terren, tek shëtiste nëpër objektet muzeore të Shqipërisë, në fillim të shekullit XX, i prek me duar reliktet e vjetra, i vizaton fragmentet e mbishkrimit epigrafik dhe shqiponjën, por pa mundur të na thotë diçka më shumë për origjinën dhe përmbajtjen e tyre”.