Shpresa Milaqi Bajko: Piktura, art i vështirë që nuk vlerësohet, mbijeton me vështirësi

877
Jo shumë e njohin piktoren e talentuar Shpresa Milaqi. Piktura e saj, mbas një heshtje njëzetvjeçare, mbas ngopjes me përvoja jetësore e ndjesore, shpërtheu si ato lulet bukovile në këtë 45- vjetor të saj. Publiku artdashës durrsak u surpriza nga bija e tij, në dy ekspozitat e kuratuara në Galerinë e Artit Pamor, ”Nikolet Vasia”, dhe me shikuesit pasionantë në rrjetet sociale të internetit. Piktorja pas konsolidimit të bindjeve artistike, rritjen e dëshiruar të nivelit në artin e krijuar, organizimit profesional dhe një kuratorimi ekselent në ekspozitën e dytë arriti të krijojë imazhin e gjerë dhe të plotë, ku konceptimi kryesor vjen si ato dallgët kreshta shkumë të tablosë së “Peshkatarëve”. Pikturat realisto-ekzistenciale, me dukuritë e tyre impresioniste, vendosur përballë artdashësve durrsakë, huazojnë tek njëra-tjetra, herë duke marrë ide e mesazhe dhe herë duke dhënë ndjesi retrospektive. Ndonëse grua familjare, në moshën e mesme, në një pjekuri të plotë, brishtësia pamore dhe artikulimi i qelqtë në të folur, me tingëllima të prera si me thikë në komunikim me vizitorët, len të kuptosh, se në tërësinë e gjykimit piktural kjo bashkësi pikturash, është vetë piktorja e personalizuar me to, shpirtërisht dhe mendërisht. Një piktore, produkt i liceut artistik ” Jan Kukuzeli” në vitet 1984 – 1988. Produkt i punës të palodhur me brezin e piktorëve të rinj nga piktori universal Skënder Kokobobo dhe mjeshtrit të skulpturës monumentale Idriz Balani, i cili i dha me pasion konceptimin në pikturë Shpresa Milaqit. Ishte puna e këtyre mjeshtrëve të heshtur, metodistë të shkëlqyer në artin pamor, që sollën në të dytën ekspozitë vetjake, të veçantë, shumë të lartuar artistikisht të piktores sonë të nderuar që vjen si një risi e re në atelietë e femrave shqiptare. Teksa ndodhem në këtë atelie tepër të veçantë, ndjehem i magjistruar, ndaj e nisa me një mini- intervistë, me ndjesitë që më përshkonin trupin e mendjen, herë si një fllad mëngjesi me një ag në të bruztë e herë si një fraq që më kish mpirë tërë trupin.
-Më shuaj kuriozitetin, kur kanë filluar këto ndjesi pikturale dhe si ka ndikuar familja në mbështetje të kësaj pune në artin e pikturimit?

Me pikturë jam marrë që në klasë të pestë, në rrethin e vizatimit. Mësuesja Beatriçe Kokoshari spikati talentin tim e më rrinte pranë duke më dhënë elementët e konceptimit piktural. Në konkursin që zhvillohej për t’u pranuar në shkollën e mesme artistike fitova të drejtën që të vazhdoja liceun artistik “Jan Kukuzeli” në degën e pikturës. Gjithnjë kam pasur mbështetjen maksimale nga babai, të cilin e kam idhullin tim në gjithçka që më vlon në shpirt.
Një punë e tillë artistike, e një niveli kaq të lartë, flet për një shkollim permanent. Sa ka ndikuar ky arsimim artistik në krijimin e portretit tënd artistik si zanafillë e një ndjenje dhe koncepti?

– Mundësitë e mia ishin mbarimi i liceut “ Jan Kukuzeli” ku me shumë përkushtim më kanë dhënë mësim piktori, Skënder Kokobobo dhe skulptori Idriz Balani në lëndën e perspektivës, si një lëndë e veçantë artistike. Bazat e konceptimit të pikturës dhe të ngjyrave i mora me përkujdesjen e këtyre mjeshtrave mësues. Ata ishin mësues dhe edukatorë të talentuar në artet pamore, mjeshtra në pedagogjinë artistike, në transmetimin tek nxënësi të bazave të ajkës artistike. Më pas kam qenë gjithnjë në kërkim të dukurive të reja, si një autodidakte në vazhdimësi, mbushur me kurajën që më jepte babai e më pas bashkëshorti im.
– Cilat rryma artistike në pikturë keni më për zemër në shijet tuaja të artit dhe cila ngjyrë ju pëlqen më shumë?

– Jam e prirur më shumë në pikturën realisto- ekzistenciale, por më shumë më pëlqen impresionizmi. Kjo botë që kur lind është e mbushur me impresione. Ngjyrat..! Ah, ngjyrat..! Më pëlqen kombinimi i tyre duke mos veçuar asnjë. Ngjyrat janë si fëmijët për piktorin. Bën dot nëna ndarje tek fëmijët e saj? Kurrsesi jo!
– Cilët janë piktorët që adhuroni më shumë, që i ke shembull në punën tënde përditore?
– Në botën e jashtme adhuroj Rembrandin si portretist, Van Gogun si një peizazhist, për një bashkësi koloresh të veçantë në llojin piktural. Nga piktorët e vendit tim, sigurisht pas të madhit Kol Idromeno dhe Vangjush Mio radhis Skënder Kokobobon, Sali Shijakun, Edi Hilën, Abdurrahim Buzën, Bukurosh Sejdinin.
– Sa vepra në pikturë keni realizuar gjer më sot dhe cilat piktura keni më për zemër?

Shpresa – Kam realizuar 224 punime të zhanreve natyrë e qetë, portrete, kompozim, peizazhe. Të gjitha krijimet i kam si fëmijët, e kam të zorshme të bëj dallime, por më shumë kam dhënë nga shpirti im tek “Portreti i babait”, kompozimi “Kjara dhe macet” si dhe te tabloja peizazhiste “Peshkatarët”.
– Çfarë planesh keni për të ardhmen? 

– Siç më sheh, në këtë atelie të veçantë do të punoj fort, do sjell diçka të re në pikturë, duke u larguar nga klishetë e së kaluarës, do punoj për diçka që të përfaqësoj autentiken shqiptare. Në punën e një piktori nuk planifikohet, gjithçka lind dhe del nga shpirti, nga impresionet, që të jep çasti dhe koha. Gjithnjë kam qenë kundër planifikimit dhe të porosisë klienteliste. Biznesi artistik dhe arti i vërtetë janë dy gjëra krejt të ndryshme, “ biznesi artistik” në artet pamore s’ka lidhje me artin e vërtetë.
– Çfarë hapësire kohore zen puna juaj me penelin e piktorit dhe punës dekorative me makinën qepëse, si dhe detyrimet si zonjë shtëpie.
– Siç e shikon, ndërthur punën si rrobaqepëse – dekorative me punën në kavaletë, mbasi lë gishtëzën e rrobaqepëses marr në dorë tavoletin. Siç e pe erdha në ora 10.00 në dyqan, pasi bëra punët e shtëpisë. Këtu do të vazhdoj punën gjer në orën 21.00. E sforcuar, por me ndihmën e pakursyer të bashkëshortit, me këtë ngarkesë ditore ia kemi dalë mbanë.
– Në pikturat tuaja, mbisundon realizmi i ndërthurur me elementë të ekzistencializmit, por një miku im piktor më foli dhe për dukuri të modernitetit impresionist. Çfarë mendoni ju për këto impresione që transmetoni tek vizitori?

– Kjo është dhe risia që dua të sjell në pikturën realiste shqiptare, futjen e dukurive ekzistenciale dhe impresioniste. Këtë, në disa piktura e kam realizuar në konceptimin piktural me anë të njollave të ngjyrave. Në nënshtresë, në palimpseste koloresh, fsheh mesazhe dhe ide që me një vëzhgim të vëmendshëm përcillen tek shikuesi.

– Ju faleminderit për kohën që mora nga puna juaj e dyfishtë në këtë atelie, të cilën edhe Pablo Pikaso do ta lavdëronte, duke të përshëndetur nga ajo poçeria e dikurshme ku dekoronte baltën e pjekur, me aq shumë dashuri.
Sigal