Shoqëria shqiptare maskiliste, por femrat po gjejnë vetvehten

3760
Sigal

FORUM/ Problemet dhe vlerësimi i femrës sot, flasin: Irena Toçi, Ermira Babaliu, Enada Hoxha, Eriona Rushiti, Enxhi Nini dhe Elefteria Dervishi

 Cilat janë problemet e femrës shqiptare sot?  A kanë ato hapësirat e duhura në politikë, administratë dhe në shoqëri? Sa ndikon maskilizmi në jetën e tyre?  Shumë personalitete femra të fushave të ndryshme, japin mendime të ndryshme. Në shumicën e përgjigjeve ato kanë mendime të ndryshme, por që në fund të fundit konvergojnë në një pikë, që femra sot nuk është e respektuar sa duhet dhe shoqëria shqiptare ndoshta është shoqëria më maskiliste në rajon.

 Irena Toçi (Presidente e Shtëpisë Botuese dhe Promocionit të Librit “Toena”)

 Thuhet se, përveç sa më lart, femra shqiptare në përditshmëri ka probleme. Janë probleme shqetësuese për gjithë femrat në shoqërinë njerëzore. Por tek ne ka dhe probleme të veçuara, që janë tipike shqiptare. Mendoj se, problemet më të mëdha femra shqiptare i ka pasur dhe i ka në zonat rurale, aty ku ajo e ka më të vështirë të punësohet, e ka më të vështirë të sigurojë jetesën për të dhe për familjen e saj. Pikërisht aty edhe problemet shoqërore janë më të mprehta.

Ermira Babaliu (këngëtare)

 Cilat janë problemet më pikante të femrës shqiptare sot?-Ah pyetje që të zgjon interes, por nuk është e vështirë.

Problemet që shpesh më duken sikur në këto kohët e reja, nuk janë shumë të qarta prej një pjese të mirë të tyre. Papunësia, maskilizmi, pengesa për arsim, por dhe mos pasja hapësirë në politikë dhe në administratë.

Enada Hoxha (balerinë, soliste)

 Mendoni se femra shqiptare ndihet  e vlerësuar?

Sigurisht që sot femra shqiptare nuk është e shumë viteve më para, sa vjen për çdo ditë shihet një evoluim. Femra bëhet më e guximshme më e arsimuar, më kërkuese….Pra femra me punë dhe dinjitet po fiton disa të drejta të mohuara.

Elefteria Dervishi këngëtare

 Cilat janë problemet më pikante të femrës shqiptare sot?

 Unë mendoj se ana ekonomike është ajo që i shqetëson me shumë femrat, në aspektin shoqëror sot janë me të lira.

Sot femra shqiptare është më e vlerësuar se kur, atë e gjen kudo, në instancat drejtuese, në politikë, në biznes etj..

 Enkeleda Bashaj (këngëtare)

  Së pari shoqëria shqiptare është maskiliste dhe format e shprehjes së saj janë nga më të ndryshmet. Unë këtë fenomen veçoj tek femrat. Nuk do të thoja se ka vend të flitet për maskilizëm, por do të thoja ekziston diku-diku patriarkalizmi, pasi jemi një shoqëri patriarkale, kur ende mendojmë se fjala e fundit i takon meshkujve (kjo në zona të thella), por nuk përjashtojmë rastet edhe në qytetet e mëdha. Sot femra është bërë e zonja e vetes, tashmë ajo s^ka gjithmonë nevojë ta marrin për dore apo për një shpatull për të ecur përpara. Kemi një femër me karrierë të realizuar. Pavarësia e saj i ka dhënë fund maskilizmit në shoqërinë shqiptare.

Gjërat s’janë të prera me thikë, gjithmonë ka hije dyshimi. Po  t’i analizojmë me mamatë tona, duhet të kemi parasysh se janë një brez tjetër, të cilat kanë qenë të ambientuara

me atë tip sjelljeje. Unë femrën e konsideroj një forcë kryesore në shoqëri dhe të barabartë me mashkullin.

 Enkelejda Arifi (Alushi) këngëtare

Veprime individuale maskiliste ka pas, mund të ketë dhe do të ketë edhe në të ardhmen, por jo në atë masë sa për t’u karakterizuar si shoqëri me prirje të tilla.

Disa forma të maskilizmit i shohim brenda familjes, ku vetë prindërit tanë bëjnë diferencime mes vajzës dhe djalit. Për ta çdo gjë është e pranueshme për djalin, ndërsa për vajzën jo…Morali për vajzën shihet si diçka e shenjtë, ndërsa për djalin jo dhe aq….Por siç thashë më lartë ekziston problemi i brezave, për të cilin jemi të vetëdijshëm.

  Enkelejda Qesku (Kela) këngëtare

Do doja shumë po nuk mundem se të tillë e kam jetën. Këndoj edhe pse punoj shumë. Më ka rastisur shpesh të vishem në punë të bëj km me makinë dhe të këndoja për bashkatdhetarët e mijë këtu në Itali, mbrëmjet mbaronin vonë dhe më ka takuar të fle edhe 3 orë e të nisem për punë si gjithmonë në orën 7. Ky është shpirt artisti i palodhshëm të punosh e të këndosh dhe unë krenohem për këtë. Me pak fjalë, këngëtare mërgimi që përballon jetën me punë dhe muzikë për aq sa mundet. Nuk më lodhin sakrificat kur shoh që i jap siguri familjes time që është çdo gjë për mua.

 Enxhi Nini (violiniste, këngëtare)

Duhet të them se këtë profesion e kam dhuratë nga mamaja ime. Unë u mësova ta dua e ta vlerësoj me kohë. Dhe tani shpesh e falënderoj dhe i them që ka bërë mirë. Por …Nuk e di…Ndonjëherë “pendohem”,  por jo në kuptimin e vërtetë të fjalës. Mund të them më mirë që në këtë profesion shpesh lodhesh shumë e nuk merr sadisfaksionin që do. Ky i fundit për faktin që jam shumë kritike me veten dhe në përgjithësi kjo ndodh me shumë instrumentistë. Edhe pse jep në skenë maksimumin ke gjithmonë diçka për të cilën ndjehesh jo plotësisht i kënaqur. Duhet të sakrifikosh shpesh kohën e lirë për të studiuar sado pak dhe shpesh herë kur ke impenjim për një koncert të rëndësishëm përveç valixhes në krahë duhet mbajtur edhe violina
Por… jam e kënaqur për profesionin tim gjithsesi, jam vërtet e kënaqur dhe tashmë vështirë të kërkosh rrugë të reja edhe nëse s’je apo jo. Nganjëherë mendoj që mund të isha bërë balerinë gjë që më pëlqente shumë kur isha e vogël apo imituese këngëtaresh.

Eriona Rushiti (kompozitore, pedagoge)

 A është shoqëria shqiptare maskiliste dhe pse?

Shoqëria shqiptare është një maskiliste dhe bëhet tolerante apo zbutet paksa vetëm kur “goditet” nga bukuria femërore e jo nga vlerat e saj. Në fushat e artit ky maskilizëm nuk ndjehet shumë, sepse muzika, letërsia, piktura, kinematografia flasin me një gjuhë tjetër,me gjuhën e ndjesive dhe këtu femra ndjehet akoma më e privilegjuar…

 Flet aktorja dhe pedagogia Violeta Banushi (Trebicka)

 Cilat janë problemet pikante të femrës shqiptare sot?

Problemi pikant për femrën është look-u. Në bisedat e femrave gjithmonë dëgjohet mbi të rejat e fundit të plastikës dhe firmat e veshjeve. Por, do të thoja që ky nuk është thjesht problem i femrës, por i shoqërisë shqiptare. Femrat po kthehen në Barbi, silikoni ka veshur shoqërinë shqiptare duke e deformuar atë.

.