Sandër Ruçi : Si kam punuar me Tano Banushi, Paulin Prekën, Zyliha Milotin,  Beb Shirokën, Zef Dedën, Gëzim Krujën etj…   

734
Sigal

Intervistë me aktorin,Mjeshtër i Madh” Sandër Ruçi : “Migjeni”, më lartësoi si aktor

Mendon se në një farë mënyre festivalet e estradave amatore, kanë qenë burimi kryesor në evidentimin e talenteve të reja, prej nga ku cilët bëheshin aktorë dhe regjisor të mrekullueshëm. Është padyshim kjo risi e cila bëri që dhe regjisori legjendar, i cili njihet si themelues i krijimit të estradës profesioniste të Shkodrës, Paulin Sekuj, të ndikoj direkt në zbulimin e talentit të tij artistik. Ishte periudha që estrada amatore e N. T. U.-sit, ku ai debutonte, pikërisht në vitin 1973, regjisori Sekuj, e pikasi si talent të perspektivës.

Si erdhi tek ju personazhi i parë në skenën e “Migjenit” në premierën ”Fllad  Pranveror”?

Për çdo njeri, çdo eveniment që troket për herë të parë në jetën e tij, mbahet gjatë në kujtesë. Isha vetëm 23 vjeç, kur regjisori Sekuj më beson në interpretimin tim të parë, rolin e konferencierit  në premierën “Fllad Pranveror”. Materiali përmbante shumë tekst, ku unë duhet të komunikoja me personazhe që i kushtoheshin kohës së Zogut, të cilat interpretoheshin nga Tano, Paulini, Katrina, Hasani dhe Biku. Ky rol më dha duartrokitjet e para nga publiku, i cili më shihte për herë të parë në skenë. Premierat,komeditë që shfaqeshin nga trupa jonë, prej më se tridhjetë vjetësh kanë qenë bashkudhëtare në maratonën time artistike.

Shkodra e njohur si “parcelë” e rendimenteve të larta në “prodhimin” cilësor të artistëve, a do e bënte të vështirë depërtimin tuaj si aktor, përkrah korifenjve të humorit Tano Banushi, Paulin Preka, Zyliha Miloti, Katerina  Biga, Beb Shiroka, Zef Deda, Gëzim Kruja…

Në pamje të parë për çdo aktor të ri që interpreton përkrah aktorëve me përvojë, patjetër që ndjen emocione dhe impresionin e çastit. Megjithëse unë qysh në fillimet e mia kisha përkrahje e dashamirësi  nga të gjithë pjesëtarët e familjes së humorit shkodran.

Ku qëndron e veçanta e estradës profesioniste “Migjeni” të  Shkodrës, e cila edhe pse me një përbërje aktorësh  të “lindur” në grupet amatore, qëndronte në elitën e humorit shqiptar?

Është e vërtetë kjo që thoni ju, për bërthamën e aktorëve ku mjaft prej tyre kishin ardhur nga grupet amatore. E veçanta e estradës profesioniste “Migjeni”, qëndron tek loja mjeshtërore e individëve, e gërshetuar harmonishëm me gjithë grupin. Një punë të shkëlqyer në rritjen e vlerave artistike padyshim ka bërë regjisori, Paulin Sekuj, në kurrikulën e të cilit numërohen 196 premiera, në 83 prej të cilave unë kam qenë pjesëmarrës.

Mjaft spektator, duke u përballur me mbiemrin tuaj, mendojnë  se origjina juaj  është  nga Fieri,Tepelena, Vlora apo Himara. Është e vërtetë?

Mbiemri im është  Ruçi dhe jo Ruci. Kam lindur në Shkodër në një lagje e njohur për mjeshtërinë e zejtarisë, siç njihej në atë periudhë rruga “Pauli Canej”, emri i së cilës është marrë nga një stërgjyshja ime, mjeshtre e punimit tëçarçafëve dhe sëndukëve. Ndërsa babai im Zef kishte origjinën e vet nga Mirdita, nëna ime Gjysepina një shkodrane e hershme. Sinqerisht më vjen vërtetë mirë që këto qytete, më dashkan si “pronë “ të tyre. Edhe pse jam pjesë e historisë së Shkodrës, unë jam pjesë e jetës së shoqërisë mbarë shqiptare.

Përse shkodranët humorin e kanë në “majë të gjuhës”, të cilët për të bërë bisedën më të këndshme  përdorin dhe pak “kripë?

Sepse shkodranët janë popull inteligjent, të cilët janë ndeshur me fenomene që të ofron jeta, duke mësuar shumë prej saj.

Prania juaj mesë 40 vite karrierë artistike në skenë, ju ka dhënë të drejtën të luanit në komedi, skeçe, parodi, pothuajse me të gjithë aktorët e trupës së ”Migjenit”. Me cilët prej tyre  mendoni se keni kurorëzuar sukses të padiskutueshëm?

Absolutisht nuk duhet të klasifikoj asnjë prej artistëve të teatrit dhe estradës së “Migjenit”, pasi çdo njeri prej tyre, ka pasur të veçantën e interpretimit në skenë. Mendoj se të luaje përkrah Tano Banushit, Paulin Prekës, Gjosho Vasis, Zyliha Milotit, Zef Dedës, Katerina Bigës, Gëzim Krujës, Besnik Çinari, Drane Xhait, suksesi do të  ishte i padiskutueshëm.

Nëse do të ishit spektator, me cilat prej roleve të interpretuar nga Sandër Ruçi, do të gajaseshit së qeshuri?

Ndoshta rolet e interpretuar në skenë e kalojnë shifrën 250, ku njëherësh kam vënë në skenë mbi tridhjetë premiera të ndryshme, rolet e mia më të dashura i kam arkivuar në skeçet: “Kena harru babën”, “Tavolinat”, “Shqipëria po ndryshon”, “Dhëndëri nga Amerika”, ”Nusja e Sadit”, “Gjyqi në mungesë”, “A doni të shpëtoni Dajën?” etj.

Ku qëndron e fshehta e çelësit të suksesit tuaj, ku çdo personazh i skalitur me mjeshtëri  prej  jush, arin të elektrizojë publikun në sallë?

 Përdorimi me mjeshtëri i plastikës, mimikës, veshi muzikor, komunikimi me spektatorin, me harmonizimin në kohën e duhur me batutën, diksionin dhe rikuizitën, patjetër të bën që  të jesh  i mirëpritur nga spektatori.

Në rrugëtimin e jetës suaj artistike 40 vjeçare, jeni ndodhur midis trinomit aktor, regjisor,skenarist. Në  cilën prej këtyre të triave ndjeheni  më i  kompletuar?

Të tria këto plotësojnë njëra tjetrën. Do të thosha se ana regjisoriale kërkon më tepër përkushtim e krijimtari të një niveli të lartë ideo-artistik.

Në  arritjen e suksesit  në një shfaqje, a është domosdoshmëri  funksionimi  i  këtij  trinomi?

Absolutisht po. Në qoftë së jo, është njësoj sikur motoçikleta të ecë me një rrotë.

Estrada profesioniste e Shkodrës dhe Sandër Ruçi. Çfarë  përfaqëson ky duet?

Gjithë jetën time do të mbetem një pjesë e mozaikut të gurëve tëçmuar,që ka estrada e Shkodrës dhe jam i lumtur që kam shërbyer me pasion në këtë akademi arti.

Sa ju është dashur ju dhe bashkëshortes suaj, artiste si ju, të përballoni rritjen dhe shkollimin  e tre fëmijëve  tuaj?

Nuk është kurrsesi e lehtë për njëçift artistësh të rrisin dhe edukojnë tre fëmijë të mbarë. Do të thosha se bashkëshortja ime Fotini, ka sakrifikuar jo pak në këtë drejtim.

Krahas skenarëve, skeçeve, monologëve, ju keni shkruar dhe një  libër titulluar “Kur Buzëqesh Vargu”. Çfarë tematike përmban ky libër?

Në këtë libër duke u frymëzuar nga jeta dhe problemet që rrethojnë sot mbarë shoqërinë shqiptare, kam shkruar motive të ditës, në veçanti aktualitetin e problemeve dhe jetës së emigrantëve, duke veshur këto me nostalgji, satirë, sarkazëm dhe politikë.

Në  kulmin e karrierës suaj artistike ndodh “divorci” me shtëpinë tuaj të dytë,  teatrin “Migjeni”, pasi  ju do të transferoheshit familjarisht në SHBA. Si u ndiet në këtë periudhë si artist  dhe qytetar ?

Jo! Mendoj se në kulmin e karrierës ndihem sot, pasi ende  jap shfaqje  e koncerte të ndryshme, disa syresh të shfaqur në ShBA., Kanada, Angli, Itali, Maqedoni, Greqi, Kosovë ,etj. Tashmë jam i angazhuar në tre koncerte që do të zhvillohen brenda muajit Dhjetor, në Miçigan, Detroid, dhe Nju Jork Siti. Gjithsesi teatrin e cilësoj si dashuria ime e parë, ndaj nuk mund të “divorcohem” kollaj. Këtë gjë e vërteton dhe prania ime para pesë muajsh, ku unë isha  i pranishëm me një tjetër koncert recital në prani të spektatorit të zjarrtë Shkodran.

Ndonëse jetoni prej dhjetë  vjetësh në  qytetin Xheksonvill të shtetit të Floridas në SHBA, sërish ndodheni para spektatorit  të zjarrtë shkodran dhe atij shqiptar por ne do të  veçonim  atë  të  disa muajve më  parë  në  Pallatin e Kongreseve, në Tiranë, të titulluar “Sandër Ruçi Shou “. Si do i kujtonit mbresat dhe emocionet që “lindën”  këtë natë?

 Koncerti për të cilin po flasim ka qenë gjithëpërfshirës. Ndjehem vërtetë i lumtur, që ky aktivitet kombëtar, është pjesë e fondit të artë në televizionin publik TVSH. Me të drejtë këtë shou, unë e konsideroj si “dasmën” time artistike, me nostalgji dhe humor në 15 maj të këtij viti, zhvilluar në Pallatin e Kongreseve në Tiranë. Është shfaqja më e arrirë, gjatë karrierës time artistike, para një numri rekord spektatorësh, të cilët për gati  njëzet minutat e fundit qëndruan në këmbë, duke duartrokitur deri në fund këtë shfaqje mbresëlënëse.

Keni dhënë mjaft shfaqje e koncerte recitale brenda dhe jashtë vendit.Cili prej momenteve  para  publikut,  ju ka lumturuar më shumë?

Kur presidenti i republikës Bujar Nishani, në koncertin tim recital në Pallatin e Kongreseve, më dorëzoi  titullin e lartë: ”Mjeshtër i Madh”, ku unë në atë moment emocional, u përula dhe putha skenën.

Sipas jush, humori  krijohej dhe pëlqehej më  shumë  para viteve  90-të, apo tani?

Mendoj se çdo periudhë nxjerr në sfondin e kohës, humorin, artin dhe artistët e saj. Megjithatë për artistin nëçdo kohë spektatori mbetet gjykatësi më i mirë.

Ju merr malli për Shkodrën …

Natë e ditë.

Pas shumë debatesh  vepra e artit dhe historisë, monumenti  i  “Pesë  Heronjve të Vigut”, ndodhur në zemër të qytetit të Shkodrës, shkulur  nga partia e sotme në opozitë, rikthehet e mirëpritet nga populli, duke u vendosur në hyrje  të qytetit. Si  e vlerësoni këtë rikthim si artist dhe qytetar?

Si artist dhe qytetar, u ndjeva mirë, që ky monument me vlera të papërsëritshme historike të popullit tonë, rikthehet sërish me dinjitetin e humbur, në qytetin e Shkodrës.

                                                                              INTERVISTOI: FADIL SHEHU.

                                                                             FLORIDA, SHBA. Nëntor 2014