Varfëria “plak” e pakëson Shqipërinë, lindjet në 25 vite janë ulur sa popullsia e Përmetit

937
Përparim HALILI
Mungesa e investimeve publike, në 36 qytete e ka çuar moshën mesatare 57 vjeç, në 613 fshatra e ka çuar 63 vjeç
– Në krahasim me vitin 1991, në 718 fshatra ka mbetur vetëm 15% e popullsisë, ndërsa në 28 qytete vetëm 32%, ndërkohë që afro 35% e popullsisë, në shkallë vendi është larguar jashtë kufijve 
Shqipëria është i vetmi vend në rajon, që po hedh hapat drejt portës së BE me parullat politike dhe ëndrrën 27 vjeçare për t’u futur brenda saj, me popullsi të plakur e në pakësim. Ky është një realitet shqetësues, që… nuk shqetëson askënd, madje as shtetin! Mjafton që mbi truallin e mbetur, Shqipëri, të mbeten mbi 1 milion vota (30%) numrit real të votuesve dhe… institucionet që dalin nga vota dhe ato që emërohen prej tyre… quhen “Shtet”. Ndërkohë, që një shtet, të cilit i ikën populli, s’mund të quhet më i tillë. Ai meriton të quhet një “çetë”, që sundon edhe mbi pak njerëz, të cilëve u hedh çdo muaj nga 1 copë bukë si; paga, pensione e ndihmë sociale lëmoshë, në shkëmbim, të cilave u merr votën edhe pa dijeninë dhe pa vullnetin e tyre. Është e trishtueshme dhe alarmante, statistika e publikuar ditët e fundit, lidhur me numrin, moshën mesatare dhe shtimin e popullsisë në vendet të fundit të rajonit, të cilat aspirojnë dhe luten të futen në BE. Sipas të dhënave, Shqipëria është rekord i pakësimit të popullsisë, i zbrazjes së qendrave, e zonave të banuar me migrim të përqendruar në 4-5 qytetet e mëdha dhe me numër lindjesh në ulje të madhe. Cili është realiteti? Duke marrë shkas nga statistika me të dhënat e rajonit, po rikujtojmë një deklaratë që na ka dhënë disa kohë më parë, eksperti i njohur i statistikave, Prof. Dr. Ilia Telo: “Shqipëria po plaket si moshë popullsie dhe po pakësohet si numër nga dy dukuri: 

1. Ulja e numrit të lindjeve. 
2. Largimet e popullsisë në moshë të re jashtë Shqipërisë.
Plakja e popullsisë/Në 32 qytete, mosha mesatare 58 vjeç, në 613 fshatra 63 vjeç
Plakja e popullsisë e rendit Shqipërinë, në krye të listës së vendeve të rajonit dhe të 16 vendeve të BE. Siç dihet plakja ka dy shkaqe: emigracionin e moshës së re dhe uljen e numrit të lindjeve. Po ndalemi tek ikjet masive jashtë Shqipërisë, të popullsisë në moshë të re dhe lënien pas të popullsisë me moshë mbi 45-50 vjeç. Shumë qytetet e sidomos fshatra janë boshatisur nga forca aktive e punës në moshën 18-45 vjeç,. Po kështu, ka nisur një emigrim masiv i popullsisë së moshës 13-17 vjeç, të cilët “hidhen” matanë kufirit prej prindërve të tyre për të garantuar një jetë ndryshe nga jeta e tyre dhe e familjeve të tyre në Shqipëri! Ky emigrim që po plak popullsinë shqiptare, duke lënë në shumë fshatra e qytete banorë të “Moshës së Tretë” që nuk kujdesen dot as për pulat, nuk është thjeshtë një statistikë, por një humbje e forcës aktive të punës. Nuk bëhet fjalë për ata që punojnë nëpër zyra se ata zëvendësohen me parazitë e militantë partiakë apo drejtues që ushtrojnë korrupsionin e që nuk luajnë nga borderoja e shtetit për shkak se kanë burim page mbi mesataren dhe përfitime prej burimesh të tjera abuzive! Sipas të dhënave që bashkitë kanë depozituar pranë këshillit të Ministrave dhe ministrisë së çështjeve vendore (pushtetit lokal), rezulton se në 32 qytete të kategorisë së tretë e të dytë, mosha mesatare e popullsisë që ka mbetur në këto qendra banimi është 58 vjeç, ndërsa në 613 fshatra mosha mesatare e popullsisë së mbetur është 63 vjeç!
Lindjet në 25 vite janë ulur, janë sa popullsia e rrethit të Përmetit
Cilat janë shkaqet këtyre dy dukurive, që po e çojnë popullsinë shqiptare brenda territorit zyrtar të Shqipërisë, drejt mesatares së Moshës së Tretë (plakjes)? Sipas ekspertit të çështjeve sociale-ekonomike, studiuesit Kiço Ziso, shkak i uljes së numrit të lindjeve nga çiftet e moshës 20-35 vjeç nuk është “planifikimi familjar”, por mungesa e kushteve social-ekonomike për të përballuar jetesën normale (ushqim dhe nevojat jetike ditor), në familje! përballë faktit që pagat zyrtare në Shqipëri janë sa 30% e pagave minimale në vendet e BE. paga minimale në Shqipëri në shtet e privat është sa 10% e pagës mesatare në vendet e BE. Pensionet në Shqipëri janë 4-5 herë më të ulët se pensionet e ulëta në vendet e BE. Pagesa e ndihmës ekonomike në Shqipëri është sa 3-4% e pagesës sociale në vendet e BE! Papunësia në Shqipëri është 31% e numrit të votuesve, pra të moshës mbi 18 vjeç e deri tek mosha 60-65 e ligjëruar si forcë zyrtare pune, që i bie 1 milion e 35 mijë persona! A mund të lind fëmijë një çift, të cilit shteti i jep ndihmë ekonomike 30-50 mijë lekë të vjetra në muaj (25-45 USD)? A mund të lind mbi 1 fëmijë, një çift që jeton me një pagë minimale 20 mijë lekë të reja në muaj (180 USD)? A mund të lind 2-3 fëmijë, një çift me paga mesatar zyrtare 40 mijë lekë të reja në muaj? Natyrisht që jo, mbasi çdo “gojë” do ushqim ditor, çdo qenie njerëzore kërkon shërbime higjiene, transporti, mjekësie, shkollimi, edukimi. Troç, nuk mund të përballohet as shporta mujore e kostos së jetesës minimale, madje as me minimumin jetik mujor për familjet pa të ardhura, që shteti premton se do ta caktoj në vlerën 16 mijë lekë të reja! Në këtë varfëri ekstreme dhe mjerim. Kushtet sociale shpesh edhe të munguara, me problem masiv mungesën e strehimit për 189 mijë familje, çdo çift dëshiron, por nuk guxon të lindë fëmijë. Asnjë i ri nuk guxon të krijojë familje. Ky realitet i rënduar social-ekonomik, ka krijuar këtë statistikë të trishtuar e problematike me pasojë plakjen dhe zhdukjen pjesë-pjesë të popullsisë: në 25 vitet e fundit, numri i lindjeve në Shqipëri është ulur sa numri i banorëve të rrethit të Përmetit. Vetëm gjatë vitit 2016, numri i lindjeve ishte 30 mijë e 733 fëmijë ose 1050 lindje më pak se viti 2015. ja disa fakte: Qysh prej vitit 1929, Shqipëria ka pasur mbi 30 mijë lindje në vit, vit kur nisi dhe regjistrimi i tyre zyrtar në Regjistrin Themeltar të Shtetasve. Në vitin 1990, lindjet arritën në 82 mijë e 125 fëmijë. 
Lindjet, ulur me 51 mijë fëmijë në 27 vitet e fundit
1. Viti 1990: 82.125
2. Viti 1991: 77.361
3. Viti 1992: 75.425
4. Viti 1993: 67.730
5. Viti 1994: 72.179
6. Viti 1995: 72.081
7. Viti 1996: 68.358
8. Viti 1997: 61.739
9. Viti 1998: 60.139
10. Viti 1999: 57.948
11. Viti 2000: 51.242
12. Viti 2001: 53.205
13. Viti 2002: 42.527
14. Viti 2003: 45.313
15. Viti 2004: 40.989
16. Viti 2005: 38.898
17. Viti 2006: 35.891
18. Viti 2007: 34.448
19. Viti 2008: 33.445
20. Viti 2009: 34.114
21. Viti 2010: 34.061
22. Viti 2011: 34.285
23. Viti 2012: 35.473
24. Viti 2013: 35.750
25. Viti 2014: 35.760
26. Viti 2015: 32.715
27. Viti 2016: 31.733
28. Viti 2017 (Janar Prill): Ulur me 30%
Në 5 vite, 21 mijë gra shqiptare, kanë shkuar shtatzëna në emigracion
Këto ditë, qeverisë shqiptare i ka ardhur një informacion nga 16 shtete të BE, lidhur me një problem të ndjeshëm social që konstatohet tek shqiptarët, të cilët kanë shkuar për ekzil të çdo lloji në këto vende, apo edhe thjesht për të punuar, në mungesë të punës në Shqipëri. Problemi që behet prezent është ky: Brenda grupeve të emigrantëve shqiptarë që janë futur në vendet e lakmuara të BE, janë konstatuar edhe gra shtatzëna. Sipas informacionit të dërguar prej vendeve të BE, rezulton se këto gra shqiptare, kanë deklaruar që e kanë krijuar qëllimisht shtatzëninë me dy motive: të mos kthehen më në Shqipëri dhe fëmijët që do lindin, t’i pajisen me shtetësi të vendeve të BE. Në këtë raport-informacion të dërguar qeverisë shqiptare, thuhet, se aktualisht 1130 gra shqiptare shtatzënë janë muajt e parë të procesit, ndërkohë që në 5 vitet e fundit, këtë “marifet: përfitimi ekzili dhe dhënie shtetësie të fëmijëve e kanë përdorur 21 mijë e 112 gra shqiptare, të cilat i kanë lindur fëmijët jashtë Shqipërisë dhe i kanë pajisur me shtetësi shqiptare. Nuk po llogarisim lindjet e shumta në Greqi në këto 27 vite emigracion të afro 250 mijë familjeve shqiptare të ikur e të krijuara atje. Kjo histori vazhdon dhe përbën një shqetësim serioz, për vendet e BE ku këto gra janë stacionuar, mbasi kostoja “evropiane” e jetesës se një nëne shtatzënë e më pas me fëmijë, dihet që është shumë e lartë, referuar standardeve të këtij shërbimi jetik, që zbatohet në mënyrë të detyrueshme ligjore në këto vende. Numri më i madh i këtyre grave, thuhet se është në Gjermani, Francë, Austri, Holandë, Belgjikë, Norvegji etj. 
:
Sigal