Vllaznia, e “forta” e Superligës, lë në hije skuadrat e tjera

536
Sigal

Edhe pse kanë kaluar 16 javë kampionat, skuadrat nuk reshtin së “gabuari” duke i dhënë kështu një bukuri tjetër këtij sezoni, nga sa ishim mësuar vitet e tjera. Java që u mbyll pa të rrëzohej skuadra e Partizanit në Vlorë, por që edhe pse humbi përsëri gëzon të drejtën e të qënurit në krye të tabelës, me një pikë më shumë sesa Tirana dhe Kukësi që ndjekin nga pas. Të gjitha skuadrat kryesuese po tregohen shumë të pa qëndrueshme, duke mos arritur të grumbullojnë disa fitore rresht, që nga Partizani, Tirana, Kukësi apo edhe Skënderbeu që humbi në “Qemal Stafa”. E vetmja skuadër që ka arritur të marrë pikët maksimale në katër ndeshjet e fundit është Vllaznia, skuadër që çdo ditë e më shumë po shkon drejtë përmirësimit, pas asaj faze shumë të keqe që pati në mbarim të fazës së parë dhe në fillim të fazës së dytë. Katër ndeshje, katër fitore, e kjo është tregues shumë i mirë për shkodranët që mund të shpresojnë akoma për një vend në Europë, por para së gjithash duhet të marrin të gjithë kundërshtarët me radhë, e këtë të merkurë do të vizitojnë Partizanin në “Qemal Safa” ku fitorja nuk duket edhe aq e pamundur, por thjeshtë e vështirë. Fitorja që Vllaznia arriti ndaj Laçit të shtunën ishte fitore force, ku triumfoi këmbëngulja e vendasve që shënuan në minutën e ’90. Partizani, që do presë Vllazninë, do të ketë dy sfida të vështira rresht, pasi në takimin ndaj Flamurtarit nuk arritën të dilnin me pikë, diçka që i penalizon në renditje dhe duhet të marrin maksimumin në ndeshjen me shkodranët për tu rikthyer te rezultatet pozitive. Pavarësisht humbjes, Partizani gëzoi bashkë me portierin Alban Hoxha pasi ky i fundit theu rekordin e më shumë minutave pa pësuar gol në Superligë, rekord që e mbante më përpara portieri i Elbasanit, Gogunja. Pavarësisht rekordeve, klubit të Partizanit i duhen pikë për tu shpallur kampion dhe pika e kthesës do të jetë pikërisht përballë Vllaznisë, një skuadër që në fakt përbën shumë problem në fushë, jo vetëm për historinë që mbart, por edhe prej formës së shkëlqyer që po kalon aktualisht. Sigurisht që në javën e 16-të pati edhe rezultate të tjera që ndikuan në tabelë, por ajo që bie më shumë në sy është fitorja e Elbasanit në Fier, ku me këtë rezultat shkon në kuotën e 9 pikëve e për më tepër lë pas vetes Apoloninë duke arritur që më në fund të mos jetë ajo, skuadra që mbyll tabelën. Kjo fitore i ngroh disi verdheblutë që për javën e 17-të kanë në kalendar Laçin e sigurisht që është një kundërshtar ku e ku më i fortë se Apolonia. Në fakt në dy ndeshjet që kanë luajtur bashkë deri më tani, Elbasani ka marrë pikët maksimale duke u bërë edhe si makth për fierakët që tani ndodhen në fundit e renditjes, në vendin e dhjetë. Ndërkohë që Tirana arriti të fitonte ndeshjen shumë delikate me Skënderbeun, një fitore e merituar ku treguan një forcë të madhe skuadre dhe se e kishin kaluar humbjen me Partizanin në derbi. Kjo fitore i vë përsëri para Skënderbeut në renditje, por me pikë të barabarta me Kukësin, skuadër me të cilën do të ndeshen këtë të mërkurë në kampionat. Ky do të jetë një nga takimet më të forta të kësaj të mërkure, ku secila skuadër shpreson në fitoren e vet, por edhe në humbjen e Partizanit ndaj Vllaznisë, në mënyrë që të ndryshohet kreu.

Java e 16-të

Teuta-Kukësi               0-3

Vllaznia-Laçi              1-0

Flamurtari-Partizani     1-0

Tirana-Skënderbeu      2-0

Apolonia-Elbasani        0-1

Java e 17-të

Kukësi-Tirana

Teuta-Apolonia

Partizani-Vllaznia

Laçi-Elbasani

Skënderbeu-Flamurtari

  Skuadra ND P
1 Partizani 16 33
2 Tirana 16 32
3 Kukësi 16 32
4 Skënderbeu 16 30
5 Flamurtari 16 22
6 Laçi 16 21
7 Vllaznia 16 20
8 Teuta 16 13
9 Elbasani 16 9
10 Apolonia 16 9

Kategoria e Parë/ Tërbuni nuk di të humbasë, të tjerat i qëndrojnë larg

Nuk humbet as këtë javë Tërbuni, e kështu bëhet skuadra që akoma nuk e ka provuar humbjen këtë sezon, e vetmja në të dy grupet. Fitorja e kësaj jave me Besën i garantoi edhe një herë renditjen, por mbi të gjitha fiton siguri, pasi ndeshje pas ndeshje kjo skuadër po shkon drejtë përmirësimin, duke u bërë shumë e fortë për pjesën tjetër të ekipeve. Në fakt në grupin A, nuk është akoma një skuadër që e rivalizon duke i mundur të gjitha, me vetëm një barazim të shënjuar në tabelë. Surprizën negative këtë javë e bën padyshim Besëlidhja që doli e mundur nga Burreli me rezultatin 2-1 e kjo humbje e largon plot katër pikë nga Tërbuni, por ndërkohë ka humbur edhe pozicionin e dytë, pasi këtë vend e rifitoi Mamurrasi me fitoren 2-0 ndaj Kastriotit, duke u bërë kështu përsëri rivale e vendit të parë. Aktualisht Mamurrasi po paraqitet shumë mirë, ku kujtojmë se fitoi edhe në ndeshjen e shkuar ndaj Besëlidhjes, fitore që bashkë me këtë të javës së 10-të i dha mundësinë ta linte prapa në renditje skuadrën lezhjane. Në këtë grup, peshën kryesore të pikëve e mbajnë këto tre skuadra që ia kanë dalë të zhvillojnë një kampionat shumë të saktë, ku kanë luajtur që në fillim vetëm ndaj njëra-tjetrës, ndërkohë që ekipet e tjera pak nga pak kanë përjashtuar veten, në pamundësi për t’i ndjekur në të njëjtin ritëm. Në grupin B situata është tërësisht ndryshe, ku kujtojmë se renditja ndryshon me “themel” pas çdo ndeshjeje, e kështu ka ndodhur edhe këtë javë ku u pa një humbje befasuese dhe e rëndë për Sopotin që pësoi 4 gola në ndeshjen ndaj Butrintit. Kjo humbje e zbriti edhe nga vendi i parë, që përkohësisht është i zënë nga Lushnja, skuadra që ia doli të mundte Bylisin me rezultatin 3-2 në një ndeshje shumë të bukur, diçka që e tregojnë edhe golat. Kjo fitore e rivendos edhe njëherë skuadrën lushnjare në vendin e parë me 17 pikë, me tre ekipe të tjera që e ndjekin nga pas me nga një pikë më pak, Butrinti, Dinamo dhe Sopoti. Pikë kthese bëri edhe skuadra kryeqytetase, që më në fund e pa veten të fituar në fund të 90 minutëshit ndaj Luftëtarit. Takimi nuk ishte aspak i lehtë për dinamovitët, por që në fund vendosi vetëm një gol, për ti rikthyer edhe një herë afër kreut. Shkumbini nga ana tjetër arriti që të merrte një fitore shumë të vyer ndaj Tomorit, 2-1, fitore që përsëri e lë në vendin e fundit por shkon në kuotën e 9 pikëve. Pogradeci nga ana tjetër nuk shkoi më shumë sesa një barazim ndaj Naftëtarit, barazim që sigurisht e lë pas në luftën për titull, që me vetëm 15 pikë ndodhet dy pikë më poshtë vendit të parë që e mban Lushnja. Edhe këtu ashtu si në Superligë, ndeshjet e javës së 11-të do të luhen të mërkurën, ndërkohë që në grupin A bie në sy ndeshja Burreli-Mamurrasi, ndërsa tek grupi B, Pogradeci-Lushnja përbën duelin e javës, ku me një fitore të pogradecarëve arrijnë të kalojnë me pikë lushnjarët. Të gjitha takimet do të zhvillohen në të njëjtin orar dhe përkatësisht në 13:30.

Java e 10-të

Grupi A

Tërbuni-Besa                 2-1

Burreli-Besëlidhja         2-1

Mamurrasi-Kastrioti       2-0

Ada-Iliria                       1-0

Veleçiku-Kamza

Grupi B

Dinamo-Luftëtari          1-0

Lushnja-Bylis                3-2

Butrinti-Sopoti               4-0

Shkumbini-Tomori        2-1

Naftëtari-Pogradeci      0-0

Java e 11-të

Grupi A

Besa-Kastrioti

Kamza-Tërbuni

Iliria-Veleçiku

Besëlidhja-Ada

Burreli-Mamurrasi

Grupi B

Naftëtari-Dinamo

Pogradeci-Lushnja

Sopoti-Luftëtari

Bylis-Shkumbini

Tomori-Butrinti