“Eksperienca e punës si dhe përvoja e rendisin në një bashkëpunëtor shkencor, ku ka kontribuar në promovime temash, por edhe është lexues e shkrues i shumë materialeve. Korespondet i rregullt i gazetës “Mësuesi” ku jep kontribut në trajtimin e problemeve në fushën e mësimdhënies e analizave lëndore, që nga viti 1971 e në vazhdim. Të tillë mund të përmendim botimin “Tezat e matematikës “ viti 1971 – 1980 për rrethin e Beratit dhe Kuçovës, ku profesori ka sjellë risi dhe përvojë të re, të cilat aplikohen edhe sot e kësaj dite në shkollat tona”.

Jeta e njeriut është një avëlmënd ku çdo njeri thur ëndrra për të gjetur atë që dëshiron. Brenda kornizës së viteve gjen shumë visare, të cilat duhen vjelë e konservuar për të ushqyer sa më shëndetshëm brezat e rinj. Por nëse jeta e njerëzve në përgjithësi është mision i vështirë, jeta e një mësuesi, është një mision fisnikërie dhe vet mësuesit janë misionarë të dijes.
Midis shumë figurave të shquara të mësuesisë në Berat, për këtë 7 Mars, zgjodha misionarin e dijes, mësuesin e dhjetra brezave, Hysen Gurin, i cili në kuptimin e plotë të fjalës ka qënë dhe mbetet një gur i rëndë në shkencën e matematikës. Numërohen me qindra kuadro e mësues që kanë kaluar në duart e këtij mësuesi, i cili numëron plot 45 shtatë marse të festuar gjatë gjithë karrierës së tij gjysmëshekullore si drejtues dhe mësim dhënës. Jeta e tij pedagogjike ngjason me një pemë me klorofil përherë të gjelbër edhe pse po u afrohet të tetëdhjetave.
Ai vjen nga një fis i njohur në Gostënckën e Skraparit, që mbart shtatë breza jetësh dhe në këtë kuptim jeta e tij është një pyll i gjelbër me shumë rrënjë dhe themelet janë atje në derën e madhe të Gurëve të Gostënckës, ndërkohë që degët gjelbërojnë anë e kënd Shqipërisë.
Jeta e mësuesit Hysen Guri ngjason me atë Lisin e Baba Fetahut, i cili vazhdon të bëj hije në vendlindjen e një “ushtrie” njerëzish të një gjaku, që mbajnë në zemër e në gjak krenarinë e mbiemrit Guri…..
Kam patur fatin e mirë që ta njoh e ta kem një ndër miqtë më të mirë profesor Hysenin, i cili edhe pse prej disa vitesh jeton në Tiranë, por me mendje e shpirt jeton në qytetin e Beratit, ku shërbeu me dinjitet për 45 vite në arsimimin e shumë brezave të këtij qyteti arsimdashës.
I etur për dije e kulturë qysh fëmijë
Hysen Guri është fëmija i parë i familjes së Demir Gurit, që erdhi në jetë më 13 janar të vitit 1948 në fshatin Gostënckë të Skraparit, në një derë të madhe me prona e pasuri të mjaftueshme. Qysh fëmijë, pa mbushur ende moshën ligjore për shkollë, në moshën 6 vjeçare, në vitin 1954 ai regjistrohet në shkollën fillore të cilën e përfundoi me rezultate të shkëlqyera në vitin 1958. E veçanta e rrugëtimit arsimor të këtij njeriu ikonë e arsimit në Berat, qëndron në faktin që ai hyri në këtë rrugë një vit para kohe, ose siç thuhej në ato vite, si dëgjues në klasë të parë, por në fakt u vlerësua me rezultate të larta dhe vijoi shkollën pa ndërprerje.
I etur për dije e kulturë, shkollën 7 vjeçare e nisi në qytetin e Beratit. Klasën e pestë e kreu në shkollën 7 vjeçare të Tregut, atje ku më vonë u ndërtua shkolla 8 vjeçare “22 Tetori”. Vazhdonte shkollën, ndërkohë që jetonte te hallë Jekua, motra e madhe e babait të tij, Demirit. Për të kujdesej veçanrisht gjyshe Hatixheja, deri në vitin 1959 kur prindërit e tij lanë Gostënckën dhe u vendosën në qytetin e Beatit.
Në vitin 1961, Hyseni filloi studimet në Shkollën e Mesme Pedagogjike “Babë Dudë Karbunara” për mësuesi, të cilën e përfundoi me rezultate të larta në vitin 1965. I lindur me oreks për sa më shumë arsim e kulturë, vijoi studimet në Insitutin Pedagogjik “Aleksandër Xhuvani”, Dega Matematikë – Fizikë. Në vitin 1971 deri në vitin 1975, kreu studimet e larta për Matematikë në Universitetin e Tiranës.
Tashmë i kompletuar si mësimdhënës dhe i formuar kulturalisht, djaloshi nga Skrapari i oksigjenuar me kuturën e lashtë të qytetit mijravjeçar të Beratit, nisi me pasion e vullnet të hekurt rrugën e misionarit të dijes, dritën e së cilës e shpërndahu në fshatra e në qytetin e Beratit.
Mësuesi i nderuar, profesor i ndjerë Agim Meqemeja, njëherësh koleg me Hysenin do të shkruante: “Si bashkëpunëtor shkencor, Hysen Guri, fs jep ndihmesë në promovime temash të ndryshme. Është korrespondent i rregullt i gazetës “Mësuesi” dhe jep ndihmesë në trajtimin e problemeve në fushën e mësimdhënies dhe të analizave lëndore, që nga viti 1971 e në vazhdim. Midis botimeve të tij mund të përmendim: “Tezat e matëmatikës, viti 1971-1980, për rrethin e Beratit dhe Kuçovës”, ku sjell risi dhe përvojë të re, të cilat zbatohen edhe sot e kësaj dite në shkolla”.
Kadri Kuka, autor librash dhe kritik i njohur arti në Berat, do ta vlerësonte figurën e Hysen Gurit si më poshtë: “Po shkruaj për Hysen Gurin. Sa e vështirë është të përzgjedhësh nga fusha e arsimit! Shumë e vështirë! Janë pafund mësuesit që i dhanë shpirtin e tyre arsimit. Por i veçanti është Hysen Guri, i cili ka përfunduar Universitetin e Tiranës, Fakultetin e Shkencave të Natyrës, Dega Matematik[. I ka kushtuar mbi 45 vite të jetës së tij arsimit dhe kudo ku punoi, ishte model në punë dhe një metodist dhe njeri praktik.
Karriera e tij në fushen e arsimit ka qënë tepër e larmishme, nga Seksioni i Arsimit, Prefektura apo dhe pozicionet drejtuese në shkollat e mesme të qytetit, duke përshkuar një rrugë të gjatë në arsim dhe duke dhënë kontribut të çmuar për brezat. Gjithsesi, qëllimi im në çdo portret për mësuesit, nuk është të numëroj vendet ku kanë punuar, por nxjerrja në pah e vlerave të tyre dhe kontributit që ata kanë dhënë me përkushtim për komunitetin. Por, realisht rruga e Hysen Gurit është e gjatë në arsim dhe e vlerësuar jo vetëm nga brezat por edhe nga institucionet publike, si Ministria e Arsimit apo Bashkia e Qytetit, të cilat i kanë akorduar dekorata dhe tituj nderi për kontributin e tij në arsimor.
Ai nuk ka kontribuar vetëm në edukimin e brezave por dhe në edukimin e mësuesve të rinj, duke i dhënë vazhdimesi traditës së mirë të mësimdhënies dhe cilësisë së edukimit, që ka ndikuar pozitivisht në jetët dhe karrierat profesionale të brezave që kanë patur fatin të edukohen nga mësues profesionistë e të përkushtuar. Cv-ja më e mirë e çdo mësuesi është suksesi dhe arritjet e nxënësve të tij dhe Berati krenohet jo pak me brezat që ka nxjerrë si fitues olimpiadash të matematkës, falë kontributit të mësuesit Hysen Guri…”
45 vite punë e përkushtim në arsim
Pas përfundimit të shkollës së lartë, filloi punë si mësues për herë të parë në vitin 1967 deri në vitin 1968, në Luzaj të Beratit një fshat larg qytetit, në kufi me Elbasanin, ku jepte lëndët matematikë e fizikë.
Nga viti 1968 deri më vitin 1969, punoi si mësues i matematikës në Gjimnazin e Bashkuar “Babë Dudë Karbunara “. Të ishe mësues në moshën 20 vjeç në qëndër të qytetit dhe në një shkollë të mesme e një niveli të tillë, ishte një vlerësim për ata që e meritonin me rezultate e sjellje, dhe pse jo një “kostum” që i shkonte për shtat vetëm një mësuesi si Hyseni.
Në saj të punës së mirë, në shtator të vitit 1971 emërohet në aparatin e Komitëtit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të Rrethit me detyrë inspektor i Arsimit për shkollat e mesme dhe Filialin e Universitetit Dega Berat. (Në atë vit Berati kishte Filial të Universitetit Tiranë.) Në këtë detyrë punoi deri në vitet 1981. Gjatë kësaj kohe ai ka dhënë seminare edhe leksione si pedagog i jashtëm në Filialin e Universitetit të Beratit.
Gjatë gjithë periudhave është marrë me kualifikime të ndryshme të mësuesve dhe kjo ka bërë që ai të thirret më shumë me emrin Profesor edhe nga kolegët e tijë se sa me emrin Hysen.
Në vitet 1981 deri në 1984 punoi mësues në Lapardha, fshat i Rrethit të Beratit ku kreu stazhin e kandidimit për antar Partie (Forëm organizativ i PPSH – së në sistemin njëpartiak).
Pasi përfundoi stazhin punoi si zëvëndës drejtor i Shkollës së Mesme të Përgjithëshme “Kristaq Capo”, Berat si dhe drejtor i Shkollës së Mesme Industriale “Stiliano Bandilli” Berat. Për punë të mirë e kualitative, fotoja e Hysenit ka qënë e ekspozuar në qëndër të qytetit të Beratit.
Si rezultat i ndryshimeve politike pas viteve ’90 dhe i reformës së ndërmarrë nga qeveria, në vitet 1992 deri në vitët 1996 filloi përsëri mësues në shkollën “Stiliano Bandilli” e më pas në Shkollën e Mesme të Përgjithëshme “Kristaq Capo”. Më vonë ka punuar inspektor pranë Drejtorisë Arsimore e Përgjegjës i Zyrës së Arsimit, Kulturës dhe Sporteve në Prefekturën e Berati.
Nga viti 2000 e në vazhdim punon Drejtor Didaktik në shkollën Jo Publike “Irfan Ngjeqari” Berat. Kjo ishte shkolla e parë Jo Publike në qytetin e Beratit, ku Hyseni ishte nismëtari dhe drejtuesi i saj. Pranë kësaj shkolle karakterizohet nga përkushtimi në punë, ndershmëria dhe profesionalizmi. Ndershmëria e korrektësia në punë gjatë gjithë jetës e ka renditur na krah të intelektualëve të nderuar të qytetit dhe si drejtues në institucione qëndrore ku është vlerësuar me Çertifikata Mirënjohje dhe Fleta Nderi disa herë në periudhat 2000-2012 nga Drejtoria Arsimore Berat.
Ngritja në detyra të larta e të vështira është plotësisht meritë profesionale, frut i aftësive drejtuese që burojnë nga rezultatet e larta në shkollë e në punë. Në të gjitha institucionet e lartëpërmendura, ka punuar me përkushtim dhe ka ndjerë kurdoherë respektin e shokëve të tij, eprorë e vartës.
Eksperienca e punës si dhe përvoja e rendisin në një bashkëpunëtor shkencor, ku ka kontribuar në pronovime temash, por edhe është lexues e shkrues i shumë materialeve. Korespondet i rregullt i gazetës “Mësuesi” ku jep kontribut në trajtimin e problemeve në fushën e mësimdhënies e analizave lëndore, që nga viti 1971 e në vazhdim. Të tillë mund të përmendim botimin “Tezat e matematikës “ viti 1971 – 1980 për rrethin e Beratit dhe Kuçovës, ku profesori ka sjellë risi dhe përvojë të re, të cilat aplikohen edhe sot e kësaj dite në shkollat tona.
Nga viti 1992 e në vazhdim përgatit nxenës për shkolla të ndryshme të mesme e të larta në lëndën e matëmatikës me kurse kualitative dhe në saj të punës së tij, kanë fituar të drejta studimi një numër i madh dhe një pjesë tjetër kanë mbaruar universitetet me rezultate të larta.
Gjithashtu, me përkushtimin dhe këmbënguljen e tij, shumë studentë nga Berati vazhdojnë Universitetet në vende të ndryshme të botës. Me këtë punë dhe me rezultatet e arritura ai ka fituar respektin e nxënësve dhe prindërve të tyre.
Si rezultat i punës së mirë dhe korektësisë profesionale në vitin 1985 Hyseni është dekoruar me Medaljen “Naim Frasheri” nga Presidiumi i Kuvendit Popullor të Shqipërisë. Njohës i mirë i gjuhëve të huaja si: rusisht, italisht veçanërisht fjalorin për shkencën e matematikës.
E mbylli karierën në vitin 2012 si Drejtor në Shkollën Private “Irfan Ngjeqari”, i cili ishte ai profesionist që u bë nismëtar i parë i hapjes së saj zyrtarisht edhe si titullar në të, më 11 janar të vitit 2000 me Presidente Resmije Ngjeqari (Bajraktari).
Vlerat didaktive të kësaj shkollë janë publikuar edhe në emisionin televiziv në TVSH me një grup mësues e nxënës për rezultate të larta si shkollë “Jo Publike” në vitin 2010 kur ishte në kulmin e saj pas një periudhe nga fillimi prej 12 vjetësh.
Në respekt pas një takimi festiv, emocionues, vlerësues me kolegët dhe nxënësit e shkollës ju dedikua një tablo promocionale nga Drejtoria e shkollës Private “Irfan Ngjeqari” me motivacionin:“Nderi i Shkollës”, Për kontributin si drejtues i shkollës së parë private në Berat.”
Edhe pas mbylljes zyrtare të karierës gjithmonë ka qënë aktiv si në takime e seminare profesionale si dhe në trajnime të ndryshme të mësuesve dhe nxënësve. Për përkushtimin dhe profesionalizmin në vazhdimësi, Bashkia Berat në takimin e përvitshëm e ka vlerësuar disa herë me rastin e 7- Marsit në vitet 2014 – 2018 me Çertifikat Mirënjohje, me motivacionin: ”Për kontributin e çmuar në formimin e brezit të ri. Një mësues model në fushën e mësimdhënies dhe edukimit, që gëzon respektin e nxënësve, mësuesve dhe komunitetit beratas”.
Ai është martuar me Saimira Mehmeti, nga Berati e cila ka përfunduar Universitetin në Tiranë, Dega Stomatollogji. Gjatë gjithë kohës ka punuar në Klinikën Dentare në qytetin e Beratit, institucion shtetëror deri në mbyllje kariere.
Kanë dy djem të mrekullueshëm, të cilët janë të profesionalizur secili në diplomimet e tyre si dhe kanë krijuar familjet e tyre dhe jetojnë në Tiranë.