Rudina Magjistari: Nuk është e lehtë të jesh nënë, por është e bukur

1184
U bënë disa muaj tashmë që Rudina Magjistari është larguar nga ekrani për t’iu përkushtuar mëmësisë. Moderatorja e njohur është bërë nënë e një vogëlusheje që e ka quajtur Mia, dhe në këtë rrëfim për “Gazetën Shqiptare” na tregon përjetimet e këtyre muajve, ndjesinë e të qenit nënë dhe planet për t’u rikthyer në ekran.
“Jam ende me leje, por po përgatitem për rikthimin, që do të ndodhë së shpejti”, – është shprehur Rudina, ndërsa sqaron se akoma nuk ka caktuar një datë për startin në “Takimin e Pasdites”. Por, rikthimi i saj në televizion do të shënojë edhe disa ndryshime në emisionin e përditshëm të prezantueses. Mbi ndryshimet që do të ndodhin në program, Rudina Magjistari ka thënë se, “do të ndryshojë skenografia. Megjithatë, koha kur do të fillojmë transmetimin varet më shumë nga unë sesa nga skenografia. Por do të punojmë njëkohësisht, paralel”. Sa i takon mëmësisë, moderatorja shprehet tejet entuziaste dhe e lumtur. “Mia është shumë mirë, rritet çdo ditë nga pak”, – thotë ajo për “VIP Pages”.
Por sa e vështirë është të bëhesh nënë? Me siguri shumë vajza të reja do të përgjigjeshin në kor se: Të bëhesh nënë për herë të parë ka, natyrisht, vështirësi. Megjithatë, kësaj pyetjeje Rudina Magjistari i është përgjigjur: “E lehtë nuk është, sigurisht, por është edhe shumë e bukur ndërkohë. Shumëzohet me zero lodhja para kënaqësisë dhe lumturisë që të jep mëmësia”.
Gjatë periudhës së shtatzënisë së moderatores u fol se ajo do të qëndronte pranë vogëlushes së saj për gati një vit, për t’u rikthyer në ekran vetëm sezonin tjetër televiziv, pra në muajin tetor të vitit 2016. Por, siç duket, Rudina e ka rishikuar këtë vendim dhe e ka avancuar rikthimin në punë. Drejtuesja e paneleve të pasdites në “TV Klan” deklaroi publikisht se ishte në pritjen e ëmbël në muajin qershor të vitit të kaluar. Muajt e parë të shtatzënisë ajo i kaloi në Zvicër, me babanë e fëmijës, ish­-kampionin e kickbox-it nga Kosova, Xhavit Bajrami. Në këtë mënyrë, prezantuesja zgjodhi jo vetëm të mos ishte prezente në ekran si shtatzënë, por dhe të mos shihej nga adhuruesit e saj gjatë kësaj periudhe.
Vendimi i Rudinës për të mos u shfaqur gjatë periudhës së shtatzënisë është komentuar gjatë, duke pasur parasysh që shumë femra të famshme kanë pozuar për kopertinat e mediave rozë, duke ekspozuar barkun. Megjithatë, zgjedhja e moderatores nuk ishte shumë surprizë, pasi siç të gjithë e dimë, Rudina Magjistari është një nga personazhet më diskrete të ekranit shqiptar. Moderatorja ka arritur ta mbajë të fshehtë për më shumë se një vit lidhjen me Xhavit Bajramin, e po ashtu edhe muajt e parë të shtatzënisë së saj të parë.
“Ishte dashuri me shikim të parë”
Moderatorja Rudina Magjistari ka rrëfyer pak kohë më parë historinë e saj të dashurisë me kampionin e kickbox-it, Xhavit Bajrami. Ajo ka thënë se fillimisht e ka pasur Xhavitin të ftuar në program, por asokohe nuk e njihte aspak. Rudina ka rrëfyer se njohja fillimisht ka qenë virtuale. “Jemi njohur duke shkruar në ‘Facebook’. Menjëherë sapo mësova se cili ishte, pata dëshirën për ta ftuar në emision. Nuk ishim ‘friend’ fare. Thjesht më ka shkruar ai. Ishte një histori shumë e bukur (qesh)”.
Më pas ka vijuar të tregojë: “Po në ‘Facebook’ ishte një fotografi e rastësishme. Ai më shkroi ‘Përshëndetje nga Tokio’ dhe kjo më tërhoqi vëmendjen”. Në lidhje me takimin e tyre të parë, prezantuesja është shprehur: “Mendoj se ishte vërtet një goditje në atë moment. S’më kishte ndodhur kurrë në jetë një gjë e tillë. Pastaj kjo u plotësua edhe me gjëra të tjera dhe u kompletua e gjitha.
Kishte shumë dritë në portret, dhe gjithashtu edhe buzëqeshja e tij ishte shumë solare. Unë besoj te dashuria me shikim të parë, sepse e di që u ka ndodhur njerëzve, por nuk besoja se do të më ndodhte mua ndonjëherë. Është diçka e vështirë dhe shumë e rrallë që ndodh, dhe tek-tuk dikujt mund t’i qëllojë të provojë diçka të tillë në jetë. Jetova një moment shumë të bukur”.
Sigal