“Rilindja” fal 6.8 miliardë lekë kredi strehimi, të marra prej ish-zyrtarëve të viteve 2007-2013

339
Përparim HALILI
Në lista figurojnë edhe ministra, deputetë, rektorë universitetesh, shefa kabineti ministrie, drejtorë qendrorë, prefektë, kryebashkiakë e ambasadorë
VKM Nr. 56, datë 05. 02. 2014 detyron kthimin e shumave në arkën e shtetit, por ministri Arben Ahmetaj ka futur në amnisti edhe 145 shtetarët dhe partiakët që kanë marrë nga 50 milionë lekë kredi strehimi me letra false si “Të pastrehë e të varfër”
Rezulton se është fshehur një skandal i rëndë financiar shtetëror, përfshirë qëllimisht brenda ligjit të amnistisë fiskale për fshirjen e detyrimeve të prapambetura, të pashlyera në arkën e shtetit prej individëve e subjekteve debitorë. Kjo falje detyrimesh është ideuar, hartuar, propozuar në Këshillin e Ministrave dhe është mbrojtur me nervozizëm në seancë parlamentare, prej ministrit të Financave si përfitues nga kjo amnisti, biznesmenit të koncesioneve të vjetra telefonike që nga vitit 2003 dhe i koncesioneve të reja të viteve 2013-2017, me pasojë abuzimin me taksat e shqiptarëve. Burime konfidenciale nga Ministria e Financave, informuan dje për gazetën “Telegraf”, se përveç faljes së detyrimeve fiskale në dogana e tatime, në ujësjellës, energji, prodhim, import ilaçesh, shërbime e gjoba, në faljen anti-ligjore e klienteliste të ligjit “Ahmetaj” janë përfshirë edhe kreditë financiare që u janë dhënë për strehim zyrtarëve e shtetarëve e të zgjedhurve partiakë, të ish-pushtetit të para vitit 2013, duke i trajtuar me ligjin për të pastrehët. Në listën e shtetarëve, nëpunësve dhe të zgjedhurve partiakë, 145 persona kanë përfituar kredi pa interes ose me 1-4% interes në total, për krejt vlerën 5 milionë lekë të reja që ata janë kredituar klientelisht, me VKM nr. 600, datë 12. 09. 2007 me afat shlyerjeje 40 vjet, listë në të cilën janë edhe zyrtarë të lartë të shtetit, madje edhe familjarë të tyre jashtë institucioneve por që janë paraqitur me letra false si zyrtarë të lartë të shtetit nëpër ministri, drejtori, qarqe, prefektura, bashki e kudo. Skandali qëndron në faktin, se bashkë me taksat dhe gjobat e doganave, në ligjin e amnistisë që u miratua nga “rilindja” është përfshirë edhe falja e këtyre kredie, shuma të cilave në total arrin vlerën 6.8 miliardë lekë! Kujtojmë, që 60% e atyre ish-zyrtarëve të pushtetit të deri vitit 2013 nuk janë më në pushtetin e “rilindjes”. Ndërsa 40% e tyre, janë ende nëpër zyra, jo për shkak të ligjit “Për Nëpunësin Civil”, por për shkak të lidhjeve familjare, fisnore e krahinore me shefat e e rinj të “rilindjes” dhe me “ustallarët” e vjetër të PS, lëpirës pas “Rilindjes”! Çfarë ka ndodhur? Ministri Arben Ahmetaj, ka futur në listat e subjekteve individëve që falen edhe 145 kreditë financiare me vlerë deri në 5 milionë lekë të reja, të dhëna nga ish qeverisja e PD në harkun kohor 2007-2013, për ish-zyrtarët dhe të zgjedhurit e saj partiakë në rrethe. Se përse dhe se me çfarë praktikash e letrash u dhanë këto kredi, kjo tashmë dihet, mjafton të hapësh dosjet e kredive, zbulon se në listat janë edhe 23 pjesëtarë nga një familje me pjesëtarë brenda Certifikatës së Gjendjes Civile si burri, gruaja, djali, vajza, nusja, vëllai e motra! Ajo që “çudit” është fakti, që këto kredi financiare abuzive në kundërshtim të plotë me ligjin, janë bllokuar e anuluar prej Këshillit të Ministrave të pushtetit të “Rilindjes” dhe miliardat e zhvatura, duheshin rikthyer në arkën e shtetit! Konkretisht, kryeministri Edi Rama, ka firmosur VKM Nr. 56, datë 05. 02. 2014 me objekt “Shfuqizimin e VKM nr. 600, datë 12. 09. 2007 “Për trajtimin me strehim të nëpunësve civilë të Administratës së lartë shtetërore dhe të funksionarëve politikë dhe çdo akt tjetër nënligjor, të nxjerrë në zbatim të tij” dhe ky vendim ka hyrë në fuqi po ditën e botimit të tij në “Fletore Zyrtare” Nr. 17, datë 21 shkurt 2014. Ligjërisht, vendimi duhej zbatuar qysh në datën 21 shkurt 2014. Ky vendim, jo vetëm që nuk është zbatuar, por prej “rilindjes” janë falur këto kredi strehimi, të cilat janë zhvatur në mënyrë antiligjore, shumica edhe me letra false si “të pastrehë e familje në nevojë”, falsifikuar prej shtetarëve të lartë zv/ministra, drejtorë drejtorie, prefektë, sekretarë të përgjithshëm të ministrie, ambasadorë, kryetarë bashkie, shefa kabineti e këshilltarë ministrash dhe kryeministri, politikanë e kryetarë të PD në qendër dhe rrethe. Këta kanë paraqitur dokumente si “të pastrehë e me paga minimale”, kur në fakt jo vetëm nuk kanë qenë të pastrehë e me paga minimale mujore (në atë kohë 100 dollarë), por kanë pasur e kanë në pronësi vila e apartamente luksoze edhe për… qentë! 
Ja Vendimi që detyron rikthimin e kredive financiare të marra prej zyrtarëve

VKM Nr. 56, datë 5.2.2014 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 121 e 124 të ligjit nr. 8485, datë 12.5.1999 “Kodi i Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Këshilli i Ministrave, vendosi:

1. Vendimi nr. 600, datë 12.9.2007 i Këshillit të Ministrave “Për trajtimin me strehim të nëpunësve civilë të administratës së lartë shtetërore dhe të funksionarëve politikë”, i ndryshuar, dhe çdo akt tjetër nënligjor i nxjerrë në zbatim të tij, shfuqizohet.

2. Fondet e programuara për trajtimin me strehim sipas vendimit nr. 600, datë 12.9.2007 të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, do të kalojnë për trajtimin me strehim të kategorive më në nevojë.

3. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Sigal