Prof. Dr. Valter Shtylla: Diplomati Dr.Tahir Shtylla me një kontribut të funksioneve diplomatike për t’u vlerësuar

702
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Ja çfarë shkruante në dokumente ministri i Jashtëm i Italisë, Konti Ciano për funksionarin diplomatik që provoi detyra të larta shtetërore

Si kudo, edhe në Shqipëri, çdo fshat, krahinë apo qytet ka historinë e vet, me një ngjarje dhe personazh të merituar. Në vijim është e qartë se për çdo intelektual është detyrim dhe nder që të përshkruajë me respekt dhe përkushtim vlerat historiko-kulturore të vendlindjes dhe origjinës së tij. Dashuria për vendin tënd fillon nga afeskioni për familjen dhe krahinën, cilësi humane të mirënjohjes dhe moralit të lartë. Në këtë rrjedhë, e nis me fshatin e thellë malor të Panaritit, që ka hyrë në histori me qëndresat e banorëve të tij dhe  figurat e shquara patriotike. Më i rëndësishmi prej tyre Iljaz bej Mirahori(Panariti), që arriti deri te gjeneral i Sulltan Mehmetit II, pushtues i Konstantinopojës. Pas kthimit në Atdhe ai në dekadën e parë të shekullit të XVI, ndërtoi Xhaminë e Mirahorit, e cila përkon me themelimin e qytetit të Korçës. Në Panarit, në vitin 1867 ka lindur gjyshi ynë, Mehmet Panariti me baba Hasan Zeqon. Për arsye të ndryshme nga fundi i shek.XIX-të, banorë të Panaritit u shpërngulen në një pllajë malore pranë pyllit të Rrungajës, jo larg Panaritit. Shtëpitë e para ne vendbanimin e ri filluan të ngrihen nga vitet 1883-84 dhe fshati i ri pranë Panaritit, mori emrin e Hasanit, duke u njohur si Hasangoj(fshati i Hasanit). Më vonë pas vitit 1912, ky fshat i Korçës u quajt Shtyllë, emër të cilin e mban edhe sot. Nga Shtylla dolën figura të shquara si Baba Fetahu, Mehmedaj, Refati, Medari, Behari etj, si dhe intelektualë duke e veçuar Shtyllën si një nga fshatrat më të shkolluar në Shqipëri. Që në moshë të re, Mehmeti nga Panariti, u birësua nga daja i tij Seida Panariti, drejtues i njohur ushtarak i zonës dhe nga pasanikët më të mëdhenj të Korçës, prandaj filloi të quhej me emrin Mehmeda. Familja e Mehmedajt jetonte në një konak dykatësh pranë Xhamisë së Koxha Mirahorit në Korçë. Në kohën e mbretit Zog, Mehmedaj gëzonte respekt në qytet, ku ishte zgjedhur dhe qytetar nderi i Bashkisë. Familja e madhe e Mehmedaj përbëhej nga nëntë fëmijë, tetë vëllezër dhe një motër. Me origjinë nga fshati dhe prona të trashëguara në fushën e Korçës, baba Mehmeda e dëshiroi pa rezerva shkollimin e fëmijëve të tij. Nga tetë djem, gjashtë prej tyre kryen studimet universitare në Itali.

Diplomati me Grand Uniformë

Veç babait autoritar të familjes, tashmë me mbiemrin Shtylla, një meritë të veçantë për shkollimin e vëllezërve me të vegjël pati vëllai i dytë i tyre, Tahiri, i cili duke përfunduar i pari shkollën në Itali e me pas i punësuar atje edhe si diplomat, dha kontributin e tij për ndjekjen e shkollës së lartë nga vëllezërit më të vegjël si dhe nga disa pjesëtarë të fisit te tij. Kështu njeri pas tjetrit, me përkrahjen e Tahirit, vëllezërit u diplomuan në universitete të njohura. Veliu kreu studimet në Akademinë e famshme Ushtarake të Modenas. Në vitet 1946-66, punoi si inxhinier në punime ndërtimi, kryesisht në Ndërmarrjen Rruga-Ura, nëpër kantiere jashtë Tiranës e larg familjes. Ai vlerësohet si një nga specialistët me të njohur të asfaltimeve gjatë viteve ‘50-‘60. Riza Shtylla studioi për biokimi në Universitetin e Firences dhe u emërua Drejtor i Shkollës Teknike në Korçë. Në këtë kohë internohet nga italianët në Porto Palermo, pasi nuk pranoi që nxënësit të nderonin “alla fashista”. Në vitin 1946 arrestohet nga sistemi komunist për tentativë krijimi partie opozitare(Social-Demokratike). Në vitet 1946-51 vuajti burgjet komuniste me kulmin në kampin famëkeq të Maliqit. Pas burgut, shërben si nëpunës i ulët në kantierët më të humbur të vendit. Vëllai tjetër Fuati, pasi mbaroi juridikun në Firence, fillimisht punoi si jurist në Shkodër e Pogradec, pastaj në fermën e Kamzës. Në vitin 1951 burgoset 4 muaj si një “fajtor pa faj” të pseudo-bombës së famshme në Ambasadën Sovjetike. Ishte me fat, i shpëtoi “lapsit” të plumbit dhe me “Diplomën” e tij, punoi si punëtor dhe referent i thjeshtë pranë stallave në fermën e Kamzës.

Në Romë, vëllai tjetër, Skënderi mbaroi shkollën për Financat Ushtarake dhe e pësoi kot në vitin 1946 vetëm se kishte dijeni për takimet e të vëllait me “forcat e rrezikshme intelektuale opozitare”. Dhe jo pak, por plot 9 vjet, me 1946-55 “shijoi” edhe ai gulagun e Maliqit.

Edhe Skënderi si punëtor apo teknik njohu shumë kantiere ndërtimi,  në veri të vendit, jashtë qyteteve, si kundërshtarë të komunizmit.

Remziu pasi mbaroi në Itali punoi si arsimtar në Vlorë dhe fshatra, megjithëse, ishte i nderuar dhe respektuar nga te gjithë, duke e njohur me cilësimin “Profesori”. Vëllai Irfan pati qenë aspirant ushtarak, ndërsa vëllai i madh, Xhemali, merrej me administrimin e pronave bujqësore, i ngarkuar nga “Babai i Madh i shtëpisë”.

Siç e përshkruam me sipër, fajet e kësaj familjeje të madhe në Korçë, ishin se djemtë e saj ishin të shkolluar, se ata kishin mendime të avancuara pluraliste dhe se kishin pasur një ambasador karriere të Mbretërisë së Zogut.

Tahiri me frakun e Protokolleve

Tahiri ka lindur ne maj të 1899 në qytetin e Korçës. Në fund të Luftës së Parë Botërore, me një grup shokësh nga Vlora, ku qe vendosur familja për t’u shpëtuar raprezaljeve të andartëve grekë në Korçë, Tahiri u nis në Itali për studime. Shkollën e mesme e kreu në Kolegjin e njohur arbëresh San Demetrio Corone të Kozencës në vitin 1922 dhe menjëherë më pas, u regjistrua në Fakultetin e Drejtësisë në Romë. Gjatë studimeve, Tahiri nuk u shkëput asnjëherë nga zhvillimet politike në vend. Në fundin e vitit 1923, Tahiri i rreshtuar në krahun demokrat, kandidoi për deputet në Asamblenë Kushtetuese. Në vitin 1926 ai përfundoi në Romë  Fakultetin e Shkencave Politiko-Juridike. Megjithëse jo fort i pëlqyer nga Zogu, ky i fundit duke e njohur formimin dhe aftësinë e tij, në një moshë shumë të re, vetëm 27 vjeç, e emëroi Tahirin sekretar të parë të Legatës sonë në Bukuresht. Një vit më vonë, në 1927,  dr.Shtylla caktohet sekretar i parë i Legatës në Beograd. Pas shpalljes së Monarkisë në 1928, me Dekret Mbretëror, Ministri i Jashtëm Rauf Fico, e emëroi Sekretar të parë të Legatës Mbretërore në Romë. Në maj 1933 Mbreti Zog dhe kryeministri Pandeli Evangjeli, e caktojne Tahirin të ngarkuar me punë në Legatën tonë në Athinë. Në nëntor i ngarkuar me punë në Sofje dhe me 11 shtator 1934, Zogu e emëroi Konsull të Përgjithshëm në Bari të Italisë. Nga nëntori 1937 deri në qershor 1939, punon si Ministër Fuqiplotë në Legatën tonë në Beograd. Përvec këtyre funksioneve diplomatike në kohën e Republikës 1924-28 dhe të Mbretërisë 1928-39, në vitet 40, Tahiri ushtroi dhe funksione të tjera politike shtetërore.

Emri i Tahirit përmendet në dokumenta e materiale me rëndësi për kombin tonë. Në veprimet dhe inisiativat e Tahirit bie në sy formimi i tij si diplomat i kualifikuar dhe si politikan i mirë-orientuar.

Tahiri me vëllezërit e shkolluar në Itali

Ne kohën e vizitës në Romë të delegacionit shqiptar per t’i ofruar kurorën e Shqipërisë mbretit të Italisë në prill 1939, Mëkëmbësi i Viktor Emanuelit në Tiranë, Jakomoni, kishte menduar t’i besonte Tahirit detyrën e Ministrit të Punëve Publike. Për këtë qëllim ai qe kthyer nga Beogradi ku ishte Ministër Fuqiplotë i Shqipërisë, për të marrë emërimin e ri. Por për Tahirin kishte dyshime nga një seri informacionesh konfidenciale, kishte informata se ai nuk dëshironte pushtimin e vendit nga Italia, kishte të dhëna që Tahiri në Romë, mbante kontakte me studentë shqiptare që kundërshtonin pushtimin italian, se ishte shprehur me tone jo dashamirëse mbi aktivitetin italian në favor të Shqipërisë, së bashku me don Lazër Shantoja, prift françeskan, edhe ai shqiptar i emigruar me forcë.

Për më tepër, në tetor 1939, policia italiane e angazhuar për mbledhjen e informacioneve rreth Shtyllës, konfirmoi se nga burime shqiptare, kishte zëra që ai fliste keq mbi të ardhmen e Shqipërisë  nën sundimin italian, duke akuzuar italianët se nuk kishin berë asgjë për vendin e tij dhe duke deklaruar se populli shqiptar nuk e shihte me entuziazëm këtë pushtim.

Të gjitha këto dyshime rënduan mbi përfshirjen e parë të Shtyllës në administratën e re në Shqipëri. Ish- diplomati nuk arriti të bëhej anëtar i qeverisë Verlaci dhe as Ministër Fuqiplotë në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Në vazhdim, gjatë vitit 1941, Tahiri përfshihet në qeverinë e Mustafa Krujës si Ministër Shteti i Tokave të Çliruara në Kosovë. Në muajin maj 1941 një komision i përberë nga Fejzi Alizoti, Mustafa Kruja, Xhemil Dino, Dhimitër Berati dhe Tahir Shtylla, hartuan një Përkujtesë (Memorie) me titullin “Përshpagimet Shqiptare” që ja paraqitën Ministrisë së Punëve të Jashtme, një material i ndarë në disa kapituj. Ky është një dokument i rëndësishëm që bie ndesh me padrejtësitë e kryera nga traktatet e Londrës(1939) e të Versajës. Argument kryesor i kësaj Memorie është “Të gjithë territoret që etnikisht, historikisht e gjeografikisht i përkasin popullit shqiptar, duhet t’i bashkohen Shtetit Shqiptar, me një vijë kufiri që t’i llogarisë edhe nevojat e tij ekonomike e mbrojtëse. Në këtë studim çështja shqiptare është trajtuar në të gjitha aspektet dhe shoqërohet  edhe me hartën e Shqipërisë Etnike.

Tahiri me gruan dhe vëllain Veli në Romë 1941

Në këtë kontribut kombëtar janë trajtuar problemet historike, shqetësimet e popullsisë shqiptare jashtë kufijve politikë, çështjet e pronave dhe dëmshperblimet e tyre, migrimet natyrale e të sforcuara. Memorja “Përshpagimet Shqiptare” njëherazi një studim dokumentar me karakter historik, politik, ekonomik, juridik etj., që është rradhitur në rreth 100 faqe, përbën një vlerë arkivo-historike, e hartuar nga specialistë të fushave të cekura në këtë dokument dhe, theksojmë se, diplomati Tahir Shtylla, është një nga hartuesit e tij, gjë që e vlerësoi së tepërmi atë si një intelektual patriot dhe i përzgjedhur.

Profesori amerikan Bernd Fisher në librin e tij “Shqipëria gjatë luftës 1939 – 44” shkruan: “Kabineti i Mustafa Krujës përfaqësonte sigurisht një spektër më të gjerë të shoqerisë shqiptare se sa qeveria e Verlacit. Shumica ishin nacionalistë të fortë, të cilët kishin synimin kryesor të ruanin Shqipërinë Etnike. Kabineti përfshinte elementë të rinj si Tahir Shtylla, i cili njihej si “intelektual i pranuar nga të gjithë”.”

Përveçse bashkëautor i këtij relacioni me vlera kombëtare, Tahiri ka pasur dhe role të tjera të spikatura në evenimente historike shqiptare. Duke qenë tre here i dërguar i Shqipërisë në Legatën tonë në Beograd, në vitet 20 dhe 30 të 1900-ës, dhe së fundmi Ministër Shteti i Tokave të Çliruara të Kosovës, në intervalin dhjetor 1941- shkurt 1942, Tahiri përmendet si një “nga veprimtarët më aktive të irredencës kosovare”- lëvizja patriotike për bashkimin e trojeve shqiptare Kosovë-Shqipëri. Nga ana e qarqeve politike Tahiri shihej si një ndërmjetës më i përshtatshëm për realizimin e qëllimit të irredentistëve kosovarë. Ai i njihte mirë problemet etnike në fqinjin tonë verior, njihte mendimet dhe dëshirat e intelektualëve të Kosovës dhe natyrisht, ishte i përfshirë në vullnetin mbarëkombëtar shqiptar. Tahiri në Kosovë krijoi lidhje me aktivistë të irredencës kosovare si Ferhad Draga, drejtues i organizatës nacionaliste “Lidhja Popullore Shqiptare”, që synonte bashkimin e Kosovës me shtetin tonë. Me njerëz të besueshëm ai formoi një komitet politik duke financuar dhe organizimet  e ndryshme të personaliteteve të Kosoves. Si Ministër i Tokave të Çliruara, Tahiri do të kryente detyrën e koordinimit të ndihmave dhe drejtimit të lëvizjes, nëpërmjet takimeve të vazhdueshme me autorët e komitetit politik dhe me Ferhad Dragën në Venecia, Zarë ose Vjenë. Ne këtë kohë filluan të dërgohen në perëndim të rinjtë kosovare për studime universitare. Tahiri pat organizuar shoqërinë sekrete “Besa” , që përbëhej nga 14 studentë  universiteti si dhe shoqata sportive-kulturore si ajo  e Rahovecit, Tetovës, etj. Në Kosovë Tahiri punoi kundër spastrimit etnik, që serbët zbatonin në vazhdimësi atje. Lidhur me irredentizmin Tahiri hartoi një Program që sot e tutje njihet me emrin “Programi Shtylla”.

Shtëpia karakteristike e Memeda Panaritit në Korçë

Në kujtimet e tij, Ministri i Jashtëm i Italisë, Konti Ciano shkruante: Më 17 qershor 1939 pres Shtyllën, ish- Ministri i Shqipërisë në Beograd, kam ndërmend ta përdor për çështjen e Kosovës, për të cilën është shumë kompetent.” Muhamed Shatri në librin e tij “Kosova në Luftën II Botërore” shkruan: “Pas pushtimit, në Kosovë dhe në trevat e tjera etnike, u ngrit administrata civile shqiptare. Për drejtimin e saj u dërguan posaçërisht nga Shqipëria Fejzi Alizoti, Ayo Agai, Tahir Shtylla etj.”

Për meritat e tij në shërbimin diplomatik shqiptar, Tahiri është dekoruar nga Mbreti Zog i I , me urdhrin e ‘Skënderbeut’; nga Mbreti i Belgjikës; nga Regjenti i Hungarisë; nga Mbreti i Italisë.

Tahiri vdiq në qershor 1942 në Romë, ku trajtohej si funksionar në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Në aspektin human, Tahiri ishte një karakter tepër modest, tejet i komunikueshëm dhe me një zemër të madhe duke mbeshtetur studentët, shtresat shoqërore në nevojë dhe gjithçka që mbante emrin “shqiptare”.

Së fundi, duhet nënvizuar se Tahiri ishte përfaqësues i shtresës intelektuale shqiptare, i brumosur në një familje të madhe patriotike me ndjenjen e shqiptarizmes. Gjatë jetës së tij, ai diti të nderojë veten dhe kolegët, si dhe të evidentojë familjen dhe farefisin, të cilët e përkujtojnë në përjetësi. Si patriot dhe specialist, Tahiri qëndron në nivelet më të larta.

Me çka përmendëm, është e qartë se ai ka lenë gjurmën e tij në konturin e Dilpomacisë Shqiptare.

Sigurisht figura e Tahirit duhet vlerësuar, si në çdo rast, në kontekstin e kohës kur ai u formua dhe jetoi. Nëpunës në disa sisteme politike dhe partner me kolegë vendas e të huaj, angazhime që ai i përballoi me dinjitet, prandaj dhe meritoi vlerësime për aftësinë e tij dhe, mbi të gjitha, duke e mbajtur veten gjithmonë ‘shqiptar i vërtetë’!