LSI-së i tjetërsuan 80 vota, ndërkohë i duheshin 77 për të marrë mandatin

300
Sigal

Partia Socialiste arriti të marrë 5 mandate në qarkun e Beratit, një më shumë se sa në tre zgjedhjet e fundit, por mandati i pestë u fitua me vetëm 77 vota diferencë. Pjesëmarrja në zgjedhje në qarkun e Beratit më 25 prill 2021, ishte më e ulëta e shënuar ndonjëherë, vetëm 44% ose afro 81 mijë vota të hedhura në kuti. Por pjesëmarrja e ulët u reflektua në rënie për qeverinë dhe opozitën njëkohësisht, ku rritja mbresëlënëse e Partisë Demokratike nuk mjaftoi për të mbuluar rënien dramatike të Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Në fund, të shtatë mandatet e qarkut u ndanë, pesë për PS, 2 për PD dhe zero për LSI. Megjithatë, LSI e humbi mandatin e saj pasi mori vetëm 77 vota më pak nga sa i nevojiteshin. LSI ka ankimuar në Këshillin e Ankimimeve dhe Sanksioneve të KQZ-së duke kërkuar shpallje të pavlefshme të rezultateve në disa qendra votimi në këtë qark. Sipas LSI-së, pamjet filmike tregojnë se së paku 80 vota të saj janë tjetërsuar.

LSI mori në zgjedhjet e 25 prillit në Berat gati 8,400 vota, 11 mijë më pak nga sa pati marrë më 2017, por këto vota duket se nuk i shkuan Partisë Socialiste. PS, e cila garoi me 2 ish-deputetë të LSI-së me synimin për të gërryer vota nga kjo parti, mori 42 mijë vota në qark, 3 mijë më pak se sa katër vjet më parë dhe rezultati më i dobët i saj që nga viti 2013. Partia Demokratike arriti të marrë 23 mijë vota, ose 7 mijë më shumë se sa zgjedhjet e kaluara, duke marrë kështu dy mandate. Por rritja e saj nuk ishte e mjaftueshme për të kompensuar rënien e LSI-së. PD dhe LSI sëbashku morën 4,300 vota më pak se sa më 2017, ndërsa humbjet e PS-së ishin 3 mijë vota.

Rreth 85% e votuesve dhanë një votë pëlqyese për një kandidat ndërsa kandidatet gra morën 17% të votave pëlqyese.

Blendi Klosi ishte kandidati më i pëlqyer nga socialistët e Beratit me 12 mijë vota personale, pasuar nga Bardhyl Kollçaku me gati 6,400 vota. Mes demokratëve, Tomorr Alizoti mori 5 mijë vota pëlqyese, ndërsa Kasëm Mahmutaj mori gati 4,300 vota.

Kandidati i dytë i LSI-së, Bernard Nonaj mori gati 2500 vota pëlqyese, duke mposhtur kryesuesin e listës, Ardit Çelën me 1500 vota. Qarku i Beratit ka pësuar ndryshime të mëdha përgjatë katër zgjedhjeve të fundit parlamentare. Në vitin 2009, PS mori 4 mandate, PD 3 dhe LSI 1, në një kohë kur në qark dilnin tetë deputetë. Në zgjedhjet e vitit 2013, LSI arriti t’i marrë një mandat PD-së, e cila ra në dy mandate ndërsa PS ruajti katër mandatet e saj. Në zgjedhjet e vitit 2017 Berati nxori shtatë mandate, një më pak se sa më parë, për shkak të rënies së popullsisë. Mandati mangët u humb nga Partia Demokratike, e cila në këtë qark u bë parti e tretë pas PS-së dhe LSI-së. Në Berat ashtu si edhe në qarqe të tjera, pjesëmarrja e votueseve gra në zgjedhje ishte më e ulët se sa ajo e burrave. Deputetët e ardhshëm të Beratit do të jenë: Për Partinë Socialiste: Hatixhe Konomi, Bardhyl Kollçaku, Fadil Nasufi, Nasip Naço dhe Blendi Klosi. Për Partinë Demokratike: Tomor Alizoti dhe Kasëm Mahmutaj. /Gjergj Erebara