Ramazan Çeka: Teatrit “Migjeni” i jepet titulli “Nderi i Kombit”

930
Sigal

Kremtohet me madhështi e nderime 70-vjetori i formimit të Trupës Profesioniste të Teatrit “Migjeni” në Shkodër

Presidenti Ilir Meta i dorëzon Teatrit “Migjeni” Dekoratën e Lartë “Nderi i Kombit”

Nga RAMAZAN ÇEKA

Po e filloj këtë shkrim me këtë përcaktim, duke perifrazuar titullin e librit “Teatri “Migjeni” – kujtesa e një qyteti” të shkrimtarit e studiuesit shkodran Xhahid Bushati. Po e filloj këtë shkrim pikërisht me daljen në dritë të këtij libri brilant që padyshim është një pjesë e rëndësishme në enciklopedinë e kulturës dhe artit shqiptar. Autori i këtij libri dokumentar, profesori i letërsisë Xhahid Bushati që në rininë e tij studentore përkrah pedagogëve të tij të nderuar, shkrimtarit e dramaturgut Fadil Kraja dhe profesorit të paharruar të letërsisë Hasan Lekaj, ka pasur, si të thuash, edhe ai “një karrige” në amfiteatrin e këtij tempulli të skenës, që këtë nëntor mbushi plot 70 vite si një teatër profesionist me vlera të mëdha kombëtare. Në nëntorin e vitit 1949, vetëm pesë vjet pas Çlirimit të vendit, pikërisht në atë kohë kur Shqipëria kishte nevojë për një zhvillim të ri, aq më shumë për arsim e kulturë, trupa teatrore e qytetit të Shkodrës merr statusin e trupës profesioniste, për të hyrë në historinë e artit skenik shqiptar si promotore e një rruge të gjatë e të suksesshme deri në ditët tona.

Formimi dhe konsolidimi i kësaj trupe nuk vinte nga hiçi, nuk vinte nga një boshllëk, të cilin do ta plotësonte si diçka e re, pasi në Shkodër datat e vitet e lëvizjeve dhe shoqërive amatore teatrore dhe jo vetëm, na çojnë në gjysmën e dytë të shek. XIX, në vitin 1861, kur themelohet në Shkodër shoqëria kulturore-artistike “Shkolla Fretnore” për të vazhduar më pas me dhjetëra organizime të tilla fetare e laike deri në vitet e Pasçlirimit dhe që janë gjithmonë një fushë mjaft e gjerë për studiuesit.

Një ndër teatrot më të mira të vendit

Teatri i Shkodrës, si një ndër teatrot më të mira të vendit tonë, ruajti traditën më të shëndoshë të shoqërive teatrore. Shoqëria teatrore e qytetit në ditën që mori statusin e teatrit profesionist përbëhej nga: Andrea Skanjeti (regjisor e drejtor), aktorët: Adem Kastrati, Antoneta Fishta, Ndrekë Prela, Çezarina Çiftja, Ndoc Deda, Paulin Lacaj, Vitore Ujka (Nino), Tef Krroqi; në administratë: Zef Jubani (llogaritar), Palok Kurti (sufler), Pjetër Deda (skenograf), Ejëll Gjusi (stilist-kostumograf), Lec Prendi (arkitekt skene); aktorët me një shpërblim mujor u aprovuan: Zef Jubani, Tinka Kurti, Çesk Vuksani, Qazim Lila, Lin Gjonej, Gjovalin Çarkaxhia, Cin Lufi, Mark Bushati, Muhamet Ulqinaku, Halim Kali, Zef Maka, Zef Mirashi, Marie Buçi, Ndoc Harapi, Rrok Sheldia etj. Nëntori i këtij viti solli pra edhe përvjetorin e 70-të të ditëlindjes së Teatrit “Migjeni” dhe si për çdo ditëlindje, pas këngës “Shumë urime për ty”! që mbarë qyteti këndoi njëzëri për krijesën e vet, erdhi edhe dhurata që ky institucion ka merituar që në fillimet e tij. Presidenti i Republikës i akordoi titullin e madh “Nderi i kombit” dhe siç shprehet dikush shteti shqiptar nderoi, jo vetëm Shkodrën, por edhe veten.

Trupa profesioniste e teatrit “Migjeni” në historinë e tij 70-vjeçare, të cilën e ka detajuar e argumentuar me aq pasion studiuesi Xhahid Bushati, ka shumë të veçanta, që rrallë i ka ndonjë trupë tjetër. Ajo ka drejtuesit e vet, ka regjisorët e vet, ka aktorët e vet e mbi të gjitha ka edhe autorët e vet të pjesëve teatrore (dramave e komedive), ku spikat prej afro 50 viteve pena e “Mjeshtrit të madh” Fadil Kraja.

Të pranishmit në këtë promovim, sollën në kujtesë disa nga personazhet e këtij libri, të cilët janë pa diskutim gur themeli në godinën e këtij Teatri. Kështu pas fjalës së kryetarit të Lidhjes së shkrimtarëve për Shkodrën Zija Vukaj, mikrofoni do të zbriste nga skena në ndenjëset e teatrit aty ku qëndronte njëri nga gurët ë çmuar të teatrit shqiptar, dramaturgu,

“Mjeshtri i madh” Fadil Kraja.

Ai nuk foli për kontributin e tij, por për shokët dhe bashkëpunëtorët e tij dhe, siç u shpreh ai, si mund të harronte të madhin Serafin Fanko. Po kështu një tjetër divë e teatrit dhe kinematografisë Roza Anagnosti, e emocionuar falënderon të gjithë për mbështetjen dhe vlerësimin që i bëhet pikërisht nga ky teatër ku ajo ka edhe fillimin e karrierës së saj artistike. Ndërkaq aktori Agron Dizdari do të ndalej dhe fliste për Bep Shirokën, Rajmonda Marko për një tjetër figurë të skenës, Merita Smaja për Bardh Smajën e kështu me radhë Zef Deda e mjaft aktorë të tjerë që i kanë dhënë vlera Teatrit “Migjeni”. Më pas ka falënderuar vet shkrimtari Xhahid Bushati të gjithë dhe në veçanti kryetaren e Bashkisë Voltana Ademi dhe drejtoren e këtij Teatri Rita Gjeka për mbështetjen që i kanë dhënë në botimin e këtij libri kushtuar kujtesës së qytetit Shkodër, Teatrit “Migjeni”.

Pika kulmore dekorimi nga Presidenti

Kjo ceremoni madhështore në shtëpinë e teatrit skenik shkodran e shqiptar kulmoi kur në skenë u ngjitën përfaqësuesit e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, zotit Ilir Meta për t’i dorëzuar Teatrit “Migjeni” dekoratën e lartë “Nderi i Kombit” me motivacionin: “Si tempulli më i rëndësishëm i dramaturgjisë, qytetërimit, artit e kulturës në Veriun e Shqipërisë. Vlerë e pakrahasueshme e trashëgimisë së traditave shkodrane dhe mbarë shqiptare, duke u dhënë kënaqësi artistike, emocione dhe cilësi estetike artdashësve të saj të shumtë”.

Ky titull iu dorëzua përmes duartrokitjeve dhe ovacioneve drejtoreshës aktuale të teatrit “Migjeni” zonjës Rita Gjeka,e cila nuk i fshehu dot lotët dhe emocionet kur mori në dorë këtë vlerësim.

Presidenti i Republikës, përmes përfaqësuesve të tij përcolli urimet dhe vlerësimet më të përzemërta për këtë institucion që ka bërë histori në artin e kulturën shqiptare.

Në dritëhijet e kohërave, vlerëson ai, Teatri “Migjeni” ka qenë e ngelet piedestali i fjalës shqipe që ka ndriçuar më shumë se askush tjetër shpirtin talentin dhe gjenin artistik të qytetit artdashës shkodranë. Si një gjest i lartë mirënjohje kombëtare për një pjesë të regjisorëve dhe aktorëve të talentuar shkodranë.

Në një shoqëri demokratike të gjithë qytetarët natyrisht janë të barabartë dhe të dobishëm. Por Shqipëria ka pasur dhe do të ketë nevojë për kontributin e elitës së saj intelektuale, profesionistëve fisnikë, të cilët zotërojnë krahas dijes, botëformimit edhe sensin njerëzor, pasi intelektualët në çdo vend kanë kapacitetet për të njohur e kuptuar shoqërinë, si dhe për të ndërhyrë dhe ndikuar pozitivisht në progresin e saj.

Në veçanti këtë aftësi e kanë artistët, të cilët sikurse ka thënë Robert Shumani, e kanë mision të tyre të çojnë dritën në shpirtin e njeriut. Në këtë kuadër regjisorët dhe aktorët e Teatrit “Migjeni” kanë luajtur një rol të pa zëvendësueshëm në mbajtjen të pashuar të dritës të qytetarisë shkodrane. Me mjeshtërinë e tyre ata kanë luajtur një rol të rëndësishëm në fushën e artit skenik, kulturës e fjalës dhe emancipimit artistik të qytetarëve

 

Por vlerësimet nga shteti shqiptar nuk mbaruan këtu.

Presidenti i Republikës akordoi edhe tituj të tjerë të lartë për autorë, regjisorë e aktorë të shquar të këtij teatri që në fillimet e tij e deri në ditët tona.

Kështu u nderuan me titullin e lartë: “Kalorës i Urdhrit të Flamurit” dramaturgu Fadil Kraja, regjisori Serafin Fanko (pas vdekjes), aktori Lec Bushati (pas vdekjes), aktori Ndrekë Prela pas vdekjes, si dhe aktori Viktor Bruçeti (pas vdekjes).

Ndërsa me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh” u vlerësuan aktori i ardhur nga Amerika Ymer Bala, regjisori Fatbardh Smaja (pas vdekjes), aktorja Vitore Nino (pas vdekjes), regjisori Arjan Çuliqi, aktorja Jolanda Shala (pas vdekjes), aktorja Drande Xhai dhe këngëtari Bashkim Alibali.

Gjatë kësaj ceremonie pati një ndërprerje të energjisë elektrike për disa minuta, por “teknologjia” e celularëve dhe alegria e publikut shkodran e bënë më gazmore sallën.

Salla u ngrit në këmbë me respekt të thellë kur në skenë u ngjitën dy ikonat e skenës dhe kinematografisë shqiptare, Tinka Kurti dhe Roza Anagnosti, të cilat janë bija të Shkodrës dhe teatrit të saj. Ata u shoqëruan nga aktorët e shquar, tashmë mjeshtra të mëdhenj të skenës Besnik Çinari, Zef Deda e Zyliha Miloti.

Aktorja e madhe Tinka Kurti, kujton kolegët e saj që nuk jetojnë më. Mes lotëve dhe emocioneve, ajo ka kujtuar partnerët e saj të paharruar “Ndoshta do të çuditeni çfarë do të them. Edhe i shoh moshat e tyre dhe jam unë e vetmja që jetoj me krijimin e teatrit. Nuk mund të harroj Paulin Lacajn, nuk mund të harrohet Vitore Ujka, Antoneta Fishta. Pak ishim. Ne e provuam të ishim aktorë sepse vetëm 8 u aprovuam, 8 asat. Mes tyre isha dhe unë, por e fundit, jo e para. Kam pasur fatin të punoj me ata artistë, ata me kanë ushqyer me gji artin, ata më kanë dhënë dorën që mund të ecet në jetë, që të mos jem kurrë prapa,sepse kam jetuar në teatër si gjysmë profesioniste për 5 vjet. I thosha vetes unë jam me këta dhe duhet të matem mirë. Kam qenë shumë e lumtur që kam punuar në këtë teatër dhe me këta aktorë. Erdhën prapa gjithë ata aktorë të mëdhenj të mirë. Por unë kujtoj ata të vjetrit që mua më kanë ushqyer aq mirë”, shprehet me mallëngjim Tinka Kurti.

Dramaturgu Fadil Kraja “Kalorës i Urdhrit të Flamurit” i shquar për kontributin e tij që i ka kaluar edhe kufijtë e Shqipërisë u shpreh: “Janë monumentet që e kanë bërë të pavdekshëm këtë teatër. Monumenti Tinka Kurti, monumenti Zyliha Miloti, monumenti Zef Jubani, monumenti Preng Lëkunda, monumenti Ndrek Prela, monumenti Bep Shiroka e shumë të tjerë që kanë zënë vend në këto piedestale të pavdekshme”.

Pas përfundimit të kësaj veprimtarie

Pas përfundimit të kësaj veprimtarie pata rastin të kaloi disa çaste në një bashkëbisedim me prof. e nderuar, dramaturgun e madh Fadil Kraja dhe në bisedë e sipër ai u shpreh: “Festimi i këtij 70 vjetori ishte edhe për mua një ngjarje e veçantë, pasi mos harroni se në këto 70 vite unë kam 50 vite me ta, pra me trupën profesioniste të Teatrit “Migjeni”. E kështu unë kam nderin të ju kujtoj se kam punuar në këtë teatër në periudhat më të ndritshme të tij dhe për këtë kanë meritë të padiskutueshme edhe drejtuesit e suksesshëm që kanë drejtuar këtë institucion, ku mund të veçoj Esat Oktroven, njëkohësisht edhe regjisor, Fejzi Spahia, Agim Kodraliu dhe të paharrueshmin Isa Alibali. E them me mburrje se është edhe merita e tyre që mua m’u hapën dyert e suksesit në këtë tempull mbarëkombëtar të artit skenik shqiptar. Unë mendoj se ata meritonin vëmendje më të madhe në këtë veprimtari kushtuar 70 vjetorit të Teatrit “Migjeni”.Faleminderit!”

Fillesat e teatrit në Shkodër që datojnë nga fundi i shek. XIX, si aktivitet i shoqërive teatrore e më pas shkëlqimi me statusin e teatrit profesionist, erdhën të përmbledhura edhe në dokumentarin “Teatri “Migjeni” – histori me akte”, realizuar nga RTSH me regji të Arjan Çuliqit. Rrëfimet e aktorëve dhe regjisorëve, të brezave të ndryshëm, ilustrohen në këtë dokumentar nga një arkiv i pasur, me pjesët e zgjedhura nga qindra premierat e vëna në skenë gjatë 70 vite të teatrit profesionist të Shkodrës.

Kjo ceremoni madhështore u përshëndet edhe nga kryetarja e Bashkisë së qytetit të Shkodrës zonja Voltana Ademi, e cila shprehu vlerësimet e saj si drejtuese dhe si shkodrane për punën e bërë ndër vite nga aktorët e teatrit “Migjeni”. “Për Shkodrën dhe shkodranët, tha ajo, është më shumë se një teatër, i ngjason një historie dashurie, e cila përcjell vlerë duke i dhënë një tjetër dimension aktrimit në vendin tonë dhe lotët janë dëshmi e një pune që është bërë me shumë dashuri ndër vite”.

Kjo datëlindje u kthye në një festë madhështore dhe u kremtua ashtu siç dinë ta kremtojnë shkodranët, ashtu siç di ta kremtojë një qytet i tërë që ndjehet krenar për bijtë e saj, jo vetëm në fushën e teatrit skenik, por edhe në të gjitha fushat e tjera të që shoqëria kultivon e trashëgon në kulturë e dije, në art e në sport.

Kremtimi i 70 vjetorit të trupës profesioniste të teatrit “Migjeni” u regjistrua nga RTSH dhe mediat televizive lokale.