Prof. Dr. Bardhosh GAÇE/ Muhamet Tartari, bardi i shquar popullor i Vranishtit

1270
Sigal

Kontributi i tij në zhvillimin dhe pasurimin e polifonisë shqiptare është një gur i çmuar që ka lënë gjurmët e veta në tërë Labërinë.

Në traditën tonë të këngës polifonike në Labëri, herë-herë kanë nxjerrë krye edhe personalitete të shquara krijuese dhe ekzekutuese, të cilat kanë lënë gjurmë të thella në zhvillimin dhe pasurimin e visarit tonë popullor. Labëria përherë ka qenë një vatër e ndezur, ku kënga polifonike ka përcjellë nëpër kohë vlera të rralla artistike dhe estetike. Në këtë traditë të pasur folklorike, emra të tillë rapsodësh e bartësish popullorë si: Ali Dinua në Gusmar, Tartar Zeka në Kuç, Neço Muka në Himarë, Maliq Lila në Bençë, Lefter Çipa në Pilur, Selim Hasani në Brataj, Kujtim Mici në Tërbaç, Hamdi Pulaj në Tragjas, Dule Havari në Dukat, Teno Lena në Fterrë, me krijimtarinë e tyre poetike dhe gjallërimin e folklorit janë bërë zëra të fuqishëm të përcjelljes së kësaj pasurie shpirtërore. Midis tyre, një vend të nderuar zë edhe rapsodi popullor Muhamet Tartari, “Mjeshtër i Madh” nga Vranishti i Vlorës, me krijimtarinë e tij të begatë folklorike. Ai lindi dhe u rrit në një trevë mjaft të pasur folklorike, e cila ka frymëzuar përherë bardin për të krijuar këngën e tij, e cila është e përhapur në tërë Labërinë dhe vise të tjera. Sa herë kemi shkuar në Labëri me Tish Dainë, Qemal Haxhihasanin, Prek Zojzin, Beniamin Krutën, Haxhi Dalipin etj., në Vranisht kemi gjetur përherë një krua të madh të këngës labe. Përgjatë shekullit XX e deri në ditët tona, nga gjiri i këtij fshati kanë dalë rapsodë, këngëtarë, valltarë dhe instrumentistë të talentuar. Kënga dhe vallja labe që thuren dhe ekzekutuan rapsodët e këngëtarët e famshëm të këtij fshati si: Tare Selmani, Çelo Jonuzi, Murat Tartari, Rrapo Meto dhe Xhemil Duka, në fillim të shek. XX, krijoi një vatër të zjarrtë ku u ushqyen breza të tërë rapsodësh, këngëtarësh e valltarësh. Poeti popullor Muhamet Tartari gjatë pesë dekadave të fundit, duke gjurmuar këtë traditë të mrekullueshme folklorike, qysh në vitet ’70 të shek. XX, kur sapo kishte kryer studimet e larta për Histori–Gjeografi në Universitetin e Tiranës, ashtu si mjaft mësues të tjerë në Labëri, thuri vargjet e para poetike sipas traditës folklorike të kësaj treve. Krahas botimit të krijimtarisë së tij poetike në vëllimin “Vallja e Vetëtimave”, Muhamet Tartari grumbulloi një material mjaft të pasur folklorik në Vranisht dhe në fshatrat e Lumit të Vlorës; balada, këngë historike dhe lirike, fjalë të urta e frazeologji, rite e zakone, të cilat e pasuruan më tej edhe vetë krijimtarinë e tij poetike. Në fondin e tij përmblidhen mbi 1500 këngë, 800  fjalë të urta, mbi 400 faqe studime etnografike, historike dhe folklorike si: “Humori dhe satira në këngët popullore labe”, “Kontributi i Xhemil Veli Dukës në folklorin e Labërisë”, “Vallja e Vranishtit  dhe evoluimi i saj”, “Rapsodët e hershëm, të Lumit të Vlorës”, “Vizita e Ismail Qemalit në Vranisht në vargjet popullore”, “Kapedan Sali Vranishti – monument i gjallë në këngën labe”, “Veçori të veshjes popullore në Vranisht”, e mjaft të tjera, në të cilat sillen si dëshmi e bëhen mjaft analiza për lashtësinë dhe traditat e banorëve të kësaj treve. Muhamet Tartari një jetë të tërë i shërbeu me përkushtim zhvillimit të arsimit në Lumin e Vlorës, për disa dekada edhe si drejtor i shkollës së mesme në Horë të Vranishtit. Si organizator i talentuar i orës së mësimit, i nxiti nxënësit të fitonin njohuri të thella për gjeografinë dhe historinë e Shqipërisë dhe të Europës, luftërat dhe përpjekjet e shqiptarëve për lirinë dhe pavarësinë e Atdheut.

Mbi traditën e hershme të këngës dhe valles vranishiote

Poeti popullor Muhamet Tartari, mbi traditën e hershme të këngës dhe valles vranishiote, në vitet ’70 të shek. XX, i dha një vulë të re. Në krye të grupit polifonik dhe valltarëve virtuozë të këtij fshati, ai shtegtoi për katër dekada nëpër skenat e festivaleve folklorike në Vlorë, Gjirokastër, Lezhë, Berat, por edhe në një varg vendesh europiane: Greqi, Kosovë, Francë, Turqi, Moldavi, Gjermani, Holandë, Itali e gjetkë, ku shfaqi vlerat e rralla të polifonisë labe. Në këtë pasuri të çmuar, ai ngriti mbi 800 tekste këngësh, jo vetëm për grupin polifonik të Vranishtit, por edhe për mjaft grupe të tjera në Mesaplik e Lumin e Vlorës, Himarë, Kurvelesh, Gjirokastër, Zagori, Mallakastër e deri në Ansamblin e Këngëve e Valleve Popullore në Tiranë. Bota poetike e këngës së Muhamet Tartarit me frymëzimet e veta brilante, shpalos ndjenja e përjetime të fuqishme mbi bëmat dhe historinë e shqiptarëve, prijësat dhe kryetrimat e saj si: Zenel Gjoleka, Hodo Nivica, Sali Murati, Rrapo Hekali, Tafil Buzi, Hysen Çino, Azem Sulo, por në mjaft vargje zbulohet edhe shpirti i tij i thellë lirik. Mjaft prej këtyre këngëve ende bëjnë një jetë të gjallë folklorike, ato këndohen nëpër dasma e gëzime familjare, nëpër koncerte e festival të ndryshme, edhe poeti mbetet anonim. Në këngët lirike të dashurisë, poeti popullor Muhamet Tartari, me frymëzimin e tij të thellë krijoi një cikël të tërë si: “O çoban që mposht stuhinë”, “Moj kuarca gushëbardhë”, “Syzeza nishan me pika”, “Minushe vetull kabule”, “Moj e vogëla si ari”, “Do kaptoj male dhe dete”, “Gushëbardha – vetullhënë” e të tjera, të cilat gjetën përhapje edhe në dasma e ceremoni festive. “Mjeshtri i Madh” Muhamet Tartari, në zhvillimin dhe pasurimin e polifonisë labe ka dhënë një kontribut të veçantë edhe me ringjalljen e valles karakteristike të Vranishtit. Duke u mbështetur në traditën e kësaj valleje në vendlindjen e tij, ai e çoi më tej atë, përplasja e këmbëve fort në tokë, u jep vargjeve të kënduara një jehonë përcjellëse. Lëvizja e këmbës në formën e një shpate të mprehtë majtas e djathtas, shoqërohet edhe me rrotullimet valltarëve virtuozë. Këmbëngulja e këtij mjeshtri të polifonisë labe, bëri të mundur edhe kërcimin e valles së kënduar duke ecur në gjunjë, e cila shoqërohet edhe me kërcimin e befasishëm të valltarëve. Siç vë në dukje etnomuzikologu Ramadan Sokoli dhe studiuesi Beniamin Kruta, vallja e Vranishtit pësoi një t’u kërcyer në fshatra të tjerë. Valle të tilla si: “O trima vallen ma mbani”, “Shpata jonë gris fermanë”, “Gjithë shqiptarët rreth flamurit”, “Shqipëri flamur qëndrese”, “Labëri dyzet kështjella” etj, kanë krijuar vlera të reja interpretimi. Një ndikim të fuqishëm në krijimtarinë e poetit popullor Muhamet Tartari pati gjyshi i tij Murat Tartari, rapsod dhe valltar i njohur në Labëri, por edhe Mësuesi i Merituar Xhemil Veli Duka. Ky ndikim duket qartë në të gjithë botën poetike të Muhamet Tartarit, sidomos në të thururit e këngës dhe vargjeve të valles me 5-7-9 e rrallë me 11-13 vargje, futjen e refrenit dhe përsëritjen e tij dy e tri herë, si dhe në ndërtimin e vargjeve me rimë të puthur. Vargjet poetike të këngëve e valleve polifonike të Muhamet Tartarit gjëmojnë e bubullojnë me një kolorit të ri nga këngëtarët dhe valltarët virtuozë: Hetem Shkurti, Arap Çeloleskaj, Spiro Çino, Zihni Janushi, Bashkim Canodenaj, Jazo Hibri, Selman Alia, Lesko Çeloleskaj, Çane Mënaj, Sinan Gjoleka, Bilbil Basho, Shyqyri Aliaj, Kastriot Himaj, Baftjar Kanani, Ismail Shakaj e mjaft të tjerë, të cilët i ekzekutuan me mjeshtëri e virtuozitet. Krijimtaria poetike e rapsodit të talentuar Muhamet Tartari për pasurinë dhe vlerat e saj artistike dhe estetike, si dhe vijën melodike të tyre është bërë objekt studimi i mjaft folkloristëve etnomuzikologëve si: Çesk Zadeja, Beniamin Kruta, Spiro Sutuni, Limoz Dizdari, Kujtim Laro, Qemal Haxhihasani, Jorgo Panajoti, Ramazan Bogdani, Agron Xhagolli etj. Kontributi i Muhamet Tartarit në zhvillimin dhe pasurimin e polifonisë shqiptare është një gur i çmuar që ka lënë gjurmët e veta në tërë Labërinë.