Prof. Dr. Ago Nezha/ Një portret për Petrit Rukën

723
Sigal

Petrit Rukën e kam njohur para se të takohesha e më vonë të miqësohesha me të, nëpërmjet poezive të tij, që kishin bërë emër në mjedisin letrar shqiptar. Ishin vitet 1976-1980, që në qiellin e poezisë shqipe ndriçuan me një shkëlqim të veçantë tre meteor në horizontin tepelenas, me zjarrin e rinisë në mëndje e në zemër. Tre të rinj të talentuar, Petrit Ruka, Qazim Sheme dhe Ilirjan Zhupa, që me flladin e poezisë së tyre dehëse çanë rrugën e thepisur monopateve të fshatrave të Tepelenës dhe me mundim me një trastë leshi në krahë  të “mbushura me poezi” dolën në autostradën e krijimtarisë së tyre plot tharm. Poezia, në ato vite të zbrazëta ishte nga kënaqësitë kulturore që sillte jeta, kishte jehonë dhe klientelë të madhe jo vetëm për aristokracinë intelektuale, por dhe më gjerë, për shtresat e tjera të lexuesve. Ishin këto kushte historiko-shoqërore, që përcillnin ndjesi mbarë kombëtare kur feksnin talente të reja në lëmin e letërsisë. Librin e mirë në ato vite e siguroje me vështirësi, vetëm po të kishe mikeshë librashitësen. Në ato vite kishte një uri të madhe për të lexuar, që sot për dëgjuesit mund të tingëllojë disi anakronike, por është një realitet që brezi ynë e ka përjetuar. Sa dilte një libër i ri në treg, e përpinte lexuesi me një etje të madhe dhe në librari nuk gjeje kurrë stoqe për libra të mirë. Ashtu ka ndodhur dhe me librin e parë të Petritit, “Rinia ime”, botuar në vitin 1978. Poezia e Petritit, nuk e ka ndalur vrapin te vëllimi i parë por ka vijuar me të tjerë si: “Atdheu fillon te zemrat” 1983, që u shpall dhe libri më i mirë poetik i vitit në Shqipëri, “Mirupafshim, hënë e vendlindjes” 1990, “Vërtitu, kokë e prerë”, 2000, “Në zemër bie shi…”, 2003 dhe “Shtatë mijë shirat e mi” poezi të zgjedhura, 2008. Krahas poezive ai ka botuar dhe një ese monografike për Kadri Roshin, në 2009. Petriti, nuk ka pak vëllime me poezi të botuara, por plot gjashtë, pa folur për ato që “flenë” në raftet e bibliotekës se intelektualit që ka talent me bollëk por fatkeqësisht nuk ka para. Kjo është ironia e kohës, që përkund fatin e intelektualit në këto 25 vjet të ashtuquajtura demokraci. Hierarkia e vlerave për krijuesit në vendin tonë, ka marrë arratinë, e mesa duket, me këtë klasë politike që trashëgojmë, s’ka për ta gjetur kurrë vendlindjen e saj. Por le të kthehemi nga rruga që nisëm për të prekur dinamikën e jetës së Petritit në vite. Ai, u lind në vitin 1954, në një fshat të vogël malor të Tepelenës, në Turan, që mbështillet në krahët e masivit të madh të malit të Këndrevicës, kokën e vendos në malin e Turanit, ndërsa shpinën në malin e Trebeshinës, duke parë në horizont malin e Golikut. Në fshatin e lindjes mbaroi shkollën 7 vjeçare. Shkollën e Mesme të Përgjithshme e kreu plot sakrifica në qytetin e Tepelenës në vitin 1969. Nxënësi i mirë i gjimnazit, zhurmëpak e punëshumë e shfaqte talentin që flinte i strukur në strofkën labërore të Turanit, që e dallonte nga shokët e tij të shkollës. Kjo shkëndijë e vogël që ishte ndezur në vatrën e baltë të Turanit, do vinte një ditë që do kthehej në një zjarr të fuqishëm, që do ngrohte zëmrat “partisë” së poetëve. Falë cilësive të tija krijuese, djaloshi i talentuar u dërgua për studime në Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës në degën Gjuhë-Letërsi, që e mbaroi me rezultate të larta në vitin 1976. Pas përfundimit të studimeve të larta, nisi punën si mësues andej nga kishte ardhur, në Shkollën e Mesme të Përgjithshme, në Tepelenë. Talenti nuk ka fre. Ai shpërthen si ujëvarat në malet më të larta. Në vitet si pedagog në shkollën e mesme, me botimet e tija poetike nisi të vizatojë karakterin e tij me penë. Me vëllimet e para poetike, spikati si një poet që fjala e tij flet rrëmbyeshëm si lumi. Burimi i poezisë së tij e kishte truallin atje në fshat, në mjedisin e thjeshtë lab. E prej aty, u rrit e u ngjit në majat më të larta të poezisë duke shkelur në rrugë malli e dashurie për vendlindjen dhe njerëzit e gjakut. Kur lexon poezitë e Petritit, natyrshëm ndjen se në poezitë e tij ka një operim mjeshtëror, me një gjuhë  të zhdërvjelltë, plot muzikalitet polifonie. Në vëllimet e tija poetike vjen natyrshëm jeta e fshatit, duke u pasuruar me sferat e gjëra të jetës intelektuale. Çdo gjë që i servirte jeta e fshatit, ai e ndiente veten të varur në pemën e moralit të krahinës së tij, me nuanca të theksuara labe. Vëren qartazi se krijimtaria e tij poetike buron nga sfera e ndërgjegjes, instinkti poetik, ëndrrat rinore, përçartjet e natyrës dhe haluçinacionet. Poezia e tij ka një hapësirë të gjerë në tematikë, të pasur me muzikalitet ritmik, mendime të pjekura qysh në moshën e rinisë që janë të përvetësueshme e asimilueshme për lexuesin dhe që kthehen në shprehje të praktikës jetësore. Po të hysh “vjedhurazi” në pyllin e poezisë së Petritit, do shohësh se ka shumë lule mali, manushaqe e trëndelinë, blegërima, fyej e këmborë, që krijojnë një simfoni baritore. Në tërë lëmin e poezisë së tij do takosh sinqeritetin njerëzor, realitetin kohor e mjedisor, madhështinë e natyrës, filozofinë dhe meditimin romantik, për gjërat që e rrethojnë te shtëpia e lindjes, fshati, gjitonët dhe tërësia e mjedisit lab. Për Petritin, të gjitha qeniet e natyrës janë të dashura, duke depërtuar përmes tyre mundohet të zbulojë raportet dialektike të njeriut me natyrën. Me mjeshtërinë e tij poetike u jep jetë dhe plotfuqishmëri fenomeneve natyrore e njerëzore. Me këtë tendencë do të tregojë fuqinë magjepse që ka poezia në pakufinë e vargut. Ai është i kursyer në lëvdata, koprrac në hiperbolizimet moderniste, por me bukurinë e vargut të emocionon. Ka një vjershërim, që siç thotë i madhi Dritëro Agolli, me mendim të koncentruar, të fuqishëm, me një ritëm spontan dhe një gërshetim magjik të fjalëve. Dritëroi duke lexuar poezitë e Petritit në fillimet e tij, ka thënë se: “Unë mësoj nga poezia e poetëve tepelenas si ajo e Petrit Rukës, Qazim Sheme dhe Ilirjan Zhupa”. Në vargjet e Petritit, ka plot asonanca dhe muzikalitet. Metaforën e ka përdorur si shpatën e kalorësit për të shkuar në betejën, që do ndeshet me lexuesin. Poezia e Petrit Rukës, është plot ngjyra, plot lëvizje, që të mbërthen pas vetes. Figurat aty lëvizin si ushtar me uniformë të gjelbër, që ndërrojnë shpesh peizazhet dhe gjendjen shpirtërore, pohimet dhe mohimet, kundërshtitë dhe miratimet. Gjendja shpirtërore e tij lëviz si një hije që ndjek lëvizjen e diellit. Lirikat e Petritit të shpien në hapësirat e natyrës së fshatit të tij të lindjes. Ato mund ti quajmë piktura të jetës së fshatit, ku secili gjen veten. Në poezitë e tij përshkruhen emocione të holla e të kadifenjta me intimitet e sinqeritet. Aty gjejmë një dashuri dimensionale, nga familja te atdheu e kombi. Me ndjenja të holla poetike përshkruan bukurinë që ka fshati, por dhe trishtimet që vijnë nga varfëria, prapambetja, që i shkrin këto dukuri në një terren jetësor. Ndjenja për fshatin nuk është një ndjenjë e rrëmbyer, pasionante, por një ndjenjë që e prodhon realiteti i përditshëm në tërë koloritin e tij. Petrit Ruka nuk erdhi nga një familje e shtresave të privilegjuara apo piramida e politikës, por nga një familje fshatare, majë malesh dhe falë talentit të tij, u ngjit në majën më të lartë të “malit” të poezisë. Origjinën dhe fëmijërinë e tij i përshkruan bukur, realisht, me nota nostalgjike atje në fshatin e largët malore ku varfëria ishte ulur këmbëkryq në çdo vatër familjare. Ai thotë se jeta në fshat ishte tepër e zymtë, me skamje, ku në sofër kishte bukë misri pak qumësht e ndonjë vezë. Nëna e tij, Seftja, siç thotë Petriti e kaloi jetën me të zeza, sipas zakoneve të Labërisë do mbaje zi për çdo pjesëtar të fisit, kur dihet që lidhjet në fshat ishin shumë të afërta. Në Labëri nënat tona qanin me ligje në vargje. Nëna e Petrit dinte të vargëzonte natyralisht. Të gjithëve na kujtohet  fëmijëria në fshat, që kur kalonte ndonjë 50 vjeçar, thoshim se kaloi ai plaku i lagjes. Por edhe babai i tij Novruzi, megjithëse ishte murator, mjeshtër ndërtimesh, falë dhuntive të tija natyrore, nëpërmjet përkëdhelive atërore  kishte prirje të tregonte histori, tregime e përralla, që ngjanin me fabulat e fabulistëve të shquar. Ky mjedis familjar, edhe pse i pa kultivuar intelektualisht, ka pasur ndikimin e vet në formimin poetik të Petritit. Zbrazëtia e jetës së fshatit, kulturalisht, krijonte pesimizëm dhe deziluzion për fëmijë me interesa të zgjuara. Por në një vështrim më të gjerë kompensohesh nëpërmjet leximit të letërsisë artistike, që Petriti si autorin më të dashur e preferuar të tij kujton Çehovin. Është e vërtetë se në ato vite ka pasur një bum botimesh nga letërsia e huaj, që më vonë erdhën duke u kufizuar e censuruar. Petrit Ruka, me poezitë e tija të spikatura tërhoqi vëmendjen e institucioneve të larta kulturore për talentin e tij. Për këto aftësi u mor si skenarist-regjisor në Kinostudion “Shqipëria e Re”dhe Alba Film Tiranë. Këtu nisi dhe karriera e tij artistike që do pasohesh me detyra të njëpasnjëshme si drejtor në Teatrin Kombëtar të Fëmijëve, kryetar i Qendrës Kombëtare Kinematografike Shqiptare dhe pedagog i jashtëm në Akademinë e Arteve të Bukura, në degën e Regjisë së Filmit. Krijimtaria në sektorin e Kinematografisë është shumë e pasur. Ai ka bërë pesë skenarë filmash artistik, pesëmbëdhjetë filma dokumentar, tre filma vizatimor dhe ka realizuar rreth njëzet skenarë e regji për filma e dokumentar artistik. Për aftësitë e tija krijues  ka qenë anëtar i disa bordeve artistik, pjesëmarrës në disa Konferenca Kombëtare e Ndërkombëtare për Kinematografinë, si dhe autor i shumë shkrimeve në shtypin letrar, si reportazhe, ese, artikuj për kulturën e kinematografinë. Këto e të tjera veprimtari e kanë bërë Petritin një personalitet në fushën e artit e kulturës. Është për të ardhur keq, që kjo eksperiencë e akumuluar në vite është lënë në harresë prej dhjetë vjetësh nga qeveritë paradë e djathtë e majtë. Vështirësitë që i kanë përpara në jetë i ka sfiduar me qetësinë e tij olimpike, aftësitë profesionale dhe duke pasur në krah një familje të shëndoshë. Një familje intelektualësh multikolor duke filluar nga bashkëshortja Zhaneta, ekonomiste, vajza Nigela, që ecën në gjurmët e babait, regjisore teatri dhe aktore, si dhe djali jurist Deradiani, përbëjnë një ansambël profesionesh që kompensojnë njëri tjetrin.

Me Petritin mund të ndahesh, por me poezinë e tij jo. Ajo i ngjan një burimi që sa herë që shkon të pish ujë ndien freski dhe shuan etjen si një udhëtar i lodhur në vapën e verës.