Pranverë me këngë dhe akullore në bahçen e teatrit “Migjeni”

779
Para pak ditësh, në tempullin e skenës mbarë shqiptare, në teatrin “Migjeni” artdashësit shkodranë përjetuan emocionet e papërsëritshme, të sinqerta e të freskëta si lulet e pranverës të festivalit lokal për fëmijë “Akullorja Fest” edicioni i dytë. Një organizim, një mjedis i mrekullueshëm me ndjesinë që provon njeriu në një bahçe shkodrane plot lule shumëngjyrëshe. 
Nuk është vetëm nder e krenari, por edhe privilegj të ngjitesh në skenën e ndritur të teatrit “Migjeni” që nuk është thjesht një platformë dërrase, por një bahçe e gjelbëruar dhe e zbukuruar nga lulet e freskëta që i gjallëron pranvera. Kështu kjo bahçe shkodrane thirri në mjediset e saj rreth 120 fëmijë lule shumëngjyrëshe që me zërin e tyre të mrekullueshëm, i sollën pranverën gjithë qytetit.
Një mbrëmje e ngrohtë, pak e lagështitur nga disa riga shiu nuk e penguan atmosferën që u krijua në sheshin para teatrit “Migjeni”, ku parkoheshin makina dhe prej tyre zbrisnin prindër të interesuar, gjyshër të entuziazmuar dhe fëmijë të gëzuar, të cilët do të mbushnin sallën aq mikpritëse të këtij teatri legjendar. Asgjë nuk ishte ceremoniale në portat e tij. Edhe vetë portierët kishin marrë një shprehje gati fëminore, sepse pas tyre në holl, “karroca” ambulante shpërndante akullore për vogëlushët-spektatorë, e cila sponsorizohej nga firma “Amined shpk”. 
Sigal

Edicioni i dytë i festivalit “Akullorja Fest”

Një atmosferë e tillë me akullore të ëmbla dhe në sfond me tingujt e një kënge hit “Akullorja” të kompozitorit shumë planesh, të paharruarit Mark Kaftalli po bëhej gati të fillonte edicioni i dytë i festivalit “Akullorja Fest”. Çdo gjë ishte gati. Salla e tejmbushur priste ashtu siç dinë të presin spektatorët shkodranë hapjen e siparit, i cili me një intrudiksion të gëzueshëm u prezantoi të pranishmëve me efekte dritash shumëngjyrëshe startin e kësaj shfaqje kaq të shumëpritur. Me një zgjidhje gazmore plot sportivitet, shoqëruar nga duartrokitjet dhe ovacionet nga një derë e mëndafshtë në thellësinë e skenës vërshuan fëmijët si në një livadh ku lodrojnë, duke vrapuar me një disiplinë regjisoriale dhe koreografike dhe duke u rreshtuar në dy anët e një podi rrethor, ku do të performonin këngëtarë për të plotësuar kështu skenografinë e thjeshtë e domethënëse të këtij spektakli. Ulur në karrige para legjive, një grup instrumentistësh, djem e vajza, nuk ishin orkestër e përbërë nga emra të mëdhenj, por një trupë e talentuar, nxënësish jo më shumë se 15 vjeçar, që atë natë në tempullin e teatrit “Migjeni” e ndjenin veten me përgjegjësi të madhe, siç mund ta ndjejë një instrumentist, pse jo në koncertin e Vjenës. Hyrja në skenë e dy prezantuesve Astrit Fani me përvojë në këtë fushë dhe Amina Meshnuni në hapat e saj të parë, por e kompletuar në fizionominë e saj artistike si poete, këngëtare dhe prezantuese spektaklesh, me zhdërvjelltësinë e tyre krijuan përnjëherë një “urë lidhëse” me publikun në sallë, urë komunikimi që do të shoqëronte shfaqjen deri në fund të saj. 

Mbresat e festivalit

Festivali filloi me një këngë korale, vepër e autorit të mirënjohur, mësuesit të nderuar të muzikës të shumë brezave, Henrik Çefa me tekst të poetes së re Denisa Domnori, që në edicionin e kaluar kanë qenë autorët e këngës fituese. Kështu festivali filloi rrugën e tij. U kënduan 18 këngë me tematika të ndryshme, të realizuara tërësisht nga autorë shkodranë si në anën letrare, ashtu edhe atë muzikore, ku ra në sy përveç temave nga jeta e fëmijëve edhe ajo e problemeve sociale siç është ngujimi i fëmijëve, kujdesi i shoqërisë për jetimët dhe fëmijët në nevojë, malli i fëmijëve që jetojnë në emigrim, si dhe ndonjë këngë që me pak humor ngacmonte dhe kritikonte “epideminë” e përdorimit pa masë të rrjeteve sociale, të cilat sjellin lënien pas dore të mësimeve. Përgatitja në këtë mënyrë e brendësisë së festivalit tregonte seriozitetin me të cilin ishte punuar nga stafi artistik me drejtues z.Anton Kaftalli, që jo vetëm është ideatori, por ka meritë të veçantë, sepse rikthei për të dytin vit radhazi një festival, i cili kishte kohë që nuk organizohej. Mirpo fidanishtja me fëmijë të talentuar të Shkodrës kishin nevojë për të dhe z.Anton Kaftalli e risolli këtë traditë të freskët dhe të këndshme si vetë akullorja që aq shumë e duan dhe e shijojnë fëmijët. 

Vlerësimet të artistëve shkodranë

Me punën e palodhur dhe me shumë profesionalizëm u paraqitën kompozime dhe orkestrime nga Andi Unaza, Ilir Zogaj, Roland Guli, Gazmend Kraja dhe Islam Axhemi. Në këtë shkrim nuk marrim përsipër të bëjmë një analizë artistike të “Akullorja Fest” 2, pasi për këtë u shprehën me fjalë të lavdërueshme specialistët e kësaj fushe, por në këtë kontekst zënë vënd fjalët aq të dashura që tha në këtë natë shkrimtari dhe dramaturgu i shquar prof. Fadil Kraja “Mjeshtër i Madh” i cili u shpreh: “Ky festival na kujton një figurë të ndritur të muzikës shqiptare, një kompozitor të mrekullueshëm, Mark Kaftallin. Një falenderim shumë të madh për kompozitorin e shquar Mark Kaftalli. Në themelet e asaj kështjelle të madhe të kulturës dhe e artit që Shkodra në shekuj ka vënë, një gur i çmuar, një gur i rëndësishëm dhe i përjetshëm është edhe Mark Kaftalli. Mark Kaftalli nuk e ka kërkuar lavdinë. Këtyre njerëzve, lavdia iu shkon pas. Jemi mësuar ta quajmë Shkodrën djep i kulturës dhe artit, por djepi që nuk përkund e ka vendin në muzeum. Ndërsa, a përkund djepi i Shkodrës? Përgjigja është kjo: Ja orkestra e fëmijëve, ja fëmijët e mrekullueshëm. Nuk na mbetet gjë tjetër veç të themi kjo është Shkodra. Nuk na mbetet gjë tjetër veç të themi faleminderit Shkodër”. Prof. Fadil Kraja dhe mësuesi i muzikës Nexhat Rexha, pjesëmarrës në dhjetëra festivale lokale dhe kombëtare për fëmijë, u nderuan me certifikata mirënjohjeje për punën e tyre në vite për fëmijë. Kënga “Akullorja Fest” e realizuar me tekst dhe muzikë nga muzikanti i ri Arsid Çeka dhe orkestruar nga maestro Luan Dagistani, ishte kënga përmbyllëse dhe njëkohësisht përshëndetëse e festivalit, kënduar nga Kejsi Bushati, e cila u vlerësua me një certifikatë falënderimi.
Këtë spektakël me aromë Shkodre, këta fëmijë të talentuar, me zëra të mrekullueshëm do t’i përshëndesnin edhe tre këngëtarë të vegjël, të ftuar nga Kosova, Helena Kolndrekaj nga Prizreni, si dhe Haxhi Furra e Lisa Bushi nga Gjakova, të cilët ishin përgatitur të dilnin para këtij publiku të sigurt se edhe ata do të jenë tri lule të tjera që i sjell kjo pranverë. Këta këngëtarë të vegjël u pritën me dashamirsi nga publiku, por me shumë ovacione nga një grup fansash të tyre që kishin ardhur posaçërisht nga Kosova për të ndjekur festivalin. Diku në një lozhe, me kartonë në duar ato kishin formuar emrin e këngëtares nga Prizreni, Helena. Nga juria e festivalit, këngëtarët e vegjël nga Kosova u vlerësuan me certifikata falënderimi. Miku im Osman Kazmaj, mësues i gjuhës dhe letërsisë, i cili me këmbënguljen time pranoi të merrte pjesë në këtë festival, pas mbarimit të shfaqjes më tha: “Bëre mirë që më angazhove në këtë ngjarje të këndshme për fëmijë, pasi sonte u ndjeva më i ri dhe shumë i lumtur. Unë hyra si pa dashje në këtë organizim, por gjithmonë me dëshirën që më zgjojnë kujtimet në punën që kam bërë me fëmijët në shkollë, shtëpi kulture, apo në qendrën kulturore të fëmijëve në Shkodër. Kështu pra u gjenda përsëri në këtë mjedis të mrekullueshëm me fëmijë me ndjesinë që provon njeriu në një eveniment të tillë mes luleve të pranverës.