Pogradeci, liqeni, turizmi dhe mbreti i peshqve, Korani

1806
Nga Bardhyl BERBERI
Sapo ngjitesh në Qafën e Thanës, befas para syve të shfaqet një hapësirë e kaltër e liqenit të Ohrit. Nga lart me nuance të kaltra diku më të forta dhe diku më të buta liqeni shfaqet nga sipër si një qilim ujor. Vështrimi vetiu ndjek valët dhe brigjet përgjatë rrugës dhe pas pak km si në një ekran filmi shfaqet qyteti i Pogradecit. Asnjë qytet tek ne nuk ka liqenin kaq pranë në gjirin e tij sa Pogradeci. Shëtit në breg dhe ndien paprerë llokoçitjen e valëve të liqenit, kërcitjen e peshkut, klithjen e pulëbardhave. Fle natën dhe të duket sikur liqenin e ke aty nën jastëk si një ninullë të bukur hipnotizuese. Ec në parkun e pafund me lule erëmira dhe trëndafila që prej shumë vitesh qytetit i kanë dhënë epitetin si “Qyteti i luleve “. Pogradeci është një qytet palcërisht shqiptar i future në gjirin e maleve si truri në kafkën e njeriut me një natyrë magjike të vendosur pranë syrit të kaltër Qyteti i Pogradecit i përket lashtësisë dy mijë vjeçare para erës sonë .Dikur qyteti është quajtur “Lyhnida “ që do të thotë ( dritë ). Pogradeci është një qytet magjik që vetëm në ëndërr është i vërtetë ,është qytet i turistëve të shumtë ,i adhuruari i poetëve ,i shkrimtarëve i piktorëve “muaji i mjaltit “ i sapo martuarve, kënaqësia e admiruesve të ujit të ëmbël, qyteti i dy korifenjve të mëdhenj të letrave shqipe Lasgush Poradecit dhe Mitrush Kutelit. Por Pogradeci njihet edhe si qytet i koranit ,peshkut të rrallë që gjendet vetëm në këtë liqen ,i verës artizanale dhe gatimeve tradicionale. E reja dhe e vjetra modernia dhe tradicionalja bashkëjetojnë pranë njëra tjetrës pa cenuar njëra tjetrën .Bora, liqeni fusha dhe mali fëshfërima e gjetheve cicërima e zogjve liqeni varkat mjellmat shelgjet lotues janë dekori i këtij Pogradeci është një nga mrekullitë që natyra dhe njerëzit e saj me mikpritjen dhe dashurinë nuk të lenë të largohesh pa marrë me vete dashurinë dhe mallin për t`u rikthyer përsëri. Pogradecit në verë i dy tre fishohet popullsia dhe ndryshe njihet si kryeqyteti i verës. Uji i kaltër i liqenit dhe plazhet janë një nga të veçantat e qytetit të Pogradecit .Shumëllojshmëria e tyre iv e pushuesit në dilemë se ku duhet të pushojnë. Është një vijë liqenorë prej 24 km nga fshati Lin deri në Tushemisht. Fillon tek gadishulli i fshatit Lin ka ujin e pastër si kristal i vendosur në këmbët e një mali që sjell pa pushim fresk karakteristik në breg dhe nuk e ndjen fare bezdinë e vapës. Ka një kuzhinë skare dhe është një nga plazhet e krijuara gjatë viteve të fundit, është një mrekulli e natyrës dhe frekuentohet shumë nga Elbasani. 
Plazhet Piskupat –Hudënisht dhe Mëmëlisht .
Janë tre plazhe të njëpasnjëshëm me lokale të shumta luksoze dhe fshatra turistike ku nuk mungojnë as pishinat. Kanë ujë të pastër dhe frekuentohen shumë nga të ardhurit sidomos nga korçarët. Ashtu si plazhi i Shkëmbit të Linit janë plazhe shkëmbore. 
Është një nga plazhet në këmbët e kalasë së qytetit i cili frekuentohet kryesisht nga pogradecarët vendas. është rreth 1 km larg qytetit prandaj është shumë i populluar pasi nuk kërkohet makina për t`ë shkuar në plazh. Edhe këtu uji është i pastër dhe është vazhdimësi e plazhit shkëmbor. Por kemi plazhin tradicional që qyteti e ka në gjirin e tij .Është i gjithi plazh ranor por cilësia e ujit është në standardin e plazheve të tjera pas funksionit të plotë të ujërave të zeza. Plazhi i Vilave deri në Drilon është plazhi më i ri. Të gjithë bregut i është tre fishuar sipërfaqja e rërës përgjatë gjithë gjatësisë prej 5 km gjatësi…
Tushemishti
Është një nga fshatrat turistike model, i cili çdo verë mbi popullohet me të huaj. Në të gjithë fshatin është shtrirë turizmi familjar me kushtet nga më komodet. Plazhi i Tushemishtit është nga më të populluarit. Plazhi është ranor me një ujë të pastër dhe ka shumë hotele dhe lokale luksoze në breg të liqenit. Aty ndodhen shumë hotele luksoze me një luks bashkëkohor dhe kuzhinë tradicionale dhe karakteristike pogradecare me një lulishte të sistemuar bashkëkohore mes karafilave dhe trëndafilave. Në Tushemisht i gjen të gjithë duke pushua , politikanët e të gjithë spektrit të majtë dhe të djathtë. Edhe çmimet e këtij fshati turistik që frekuentohet më shumë nga të huaj varion sipas xhepave të shqiptarëve deri tek një dhomë në 5000 lekë të reja natën… Aty ku dikur është xhiruar filmi “Zonja nga qyteti” do të gjeni në mes të burimeve të ujit teto Ollgën e filmit 
Driloni, larg vapës mes mrekullisë së pyllit dhe lumit 
Një relaks i vërtetë nënë mrekullinë e një pylli në bregun e liqenit në një park gjigant prej 20 ha me lumin e Volorekës në mes me ishujt të ndarë që mund të vozitësh me varkë përgjatë lumit dhe një gjelbërim të harlisur që të duket vetja sikur je në përrallat e Andersenit. Dikur një nga rezidencat e Enver Hoxhës ku kalonte orë të tëra mes rrapishtave dhe mështeknave nën ujërat e kristalta të lumit Volorekë që nanurit me një qetësi perëndie. Aty ndodhen tre lokale që të servirin nga tavat tradicionale e koranit deri tek mishrat e pjekura në hell. Në këtë park vijnë vizitorë nga të gjitha rrethet dhe kalojnë orë të tëra në formën e një pikniku familjar. Driloni është një nga ndalesat kryesore të çifteve të reja të cilët ditën e dasmës filmimet kryesore i bëjnë midis kësaj mrekullie të natyrës. Pasi ke shijuar ujin e liqenit dhe plazhet e bukura ,drekën e shijshme dhe çlodhjen në hotel mbrëmja të afron një fresk karakteristik që në orët e mbrëmjes duhet edhe një triko rezervë. Surpriza të tjera shëtitorja buzë liqenit me parkun e madh prej 340 mijë metra katrorë lulishtet e shumta me muzikë live. Çmimet e një dhome variojnë sipas xhepave të secilit .Mund të gjesh në hotel dhomë me 2 mijë lek nata ,ka dhoma me 3000 dhe dhoma luksoze qe shkojnë deri në 5000 lekë (të reja) Por në Pogradec ka edhe turizëm familjar sidomos në fshatin turistik të Tushemishtit. Për 15 ditë çmimet shkojnë nga 25 mijë lek deri në 35 mijë lekë për një familje. Këto janë shtëpi me oborre dhe afrojnë kushte nga më komodet për të pushuar. Për uljen e çmimeve në Pogradec ndikojnë çmimet e ulëta në bregun përtej liqenit në shtetin fqinj të cilët konkurrojnë vazhdimisht me çmime të ulëta për të thithur sa më shumë turistë.
Çfarë mund të vizitoni në Pogradec?
Qyteti i Pogradecit rezulton që në kohën e neolitit 6 mijë vjet përpara erës sonë .Ju që do të pushoni në Pogradec mund të vizitoni:
1-Kishën palokristiane dhe mozaikun e Linit të ndërtuar në shekullin V dhe VI të erës sonë; 
2 -Urën e Golikut, ura e rrugës Egnatia; 
3- Kalaja e Pogradecit që i përket shekullit V të erës sonë deri në shek XIX;
4-Kulla e Shpatit të Bllacës që ka një shtrirje kohore nga shekulli XII para erës sonë deri në shekullin III të erës sonë; 
5-Varret monumentale të Selcës që datojnë shekullin IV para Krishtit .
Gatimet 
Padyshim që tava e koranit me zarzavate është një nga specialitetet që e kanë të gjitha lokalet në Pogradec .Në disa lokale korani mbahet i gjallë në vaska dhe gatuhet i freskët pasi është zgjedhur më përpara nga klienti .Edhe mish i pjekur edhe pulat e fshatit në gatime tradicionale nuk mungojnë në shumë lokale .
Padyshim pijet karakteristike si vera artizanale dhe rakia perlë dhe muskat gjenden nëpër lokalet pogradecarë .
Pasaporta e qytetit të Pogradecit 
Popullsia e qytetit 55 mijë banorë në sezonin veror dy fishohet nga pushuesit vendas dhe të huaj. Qyteti ka një sipërfaqe prej 13 km2. Rrugë të asfaltuar 14 km. Sipërfaqe të gjelbëruar 340 mijë m2
Pasaporta e liqenit 
Emri –Liqen i Ohrit 
Mosha- 4 milion vjeçare 
Gjatësia -30 km 
Gjerësia -14,5 km
Thellësia max -289 m
Breg liqenor 88 km
Lartësia mbi nivelin e detit 595 m
Sipërfaqja e liqenit 358 km2
Tejdukshmëria e ujit – 18 m,uji i liqenit ndërrohet një herë në 60 vjet 
Ushqimi -70 % liqeni ushqehet nga liqeni i Prespës dhe 40 lumenj dhe përrenj që derdhen në liqen 
Në liqen rriten 40 specie të rralla dhe mbi të gjitha peshku i rrallë i koranit që gjendet vetëm në këtë liqen 
Temperatura mesatare në verë 27 gradë C
Sigal