Për herë të parë një ansambël në Zakynthos

593
Sigal

Në mbrëmjen e datës 7 dhe 8 Dhjetor 2013 gjithë emigrantët e ishullit të Zakynthos, patën kënaqësinë të ndjekin me shumë interes dhe ovacione një shfaqje të mrekullueshme të ansamblit “Myzeqeja” të Fierit.

Prej afro 23 vitesh, në këtë ishull janë të punësuar dhe punësohen çdo vit të hapjes së sezonit turistik shumë emigrantë shqiptar. Sipas të dhënave paraprake në këtë ishull llogaritet një numër rreth 5-6 mijë emigrant shqiptar të legalizuar. Këta emigrantë janë një forcë e madhe pune dhe krahu i djathë i gjithë popullsisë së ishullit, për gatishmërinë e punës, për përvojën shumë të mirë dhe përgjegjësinë me të cilën kryejnë çdo punë të besuar. Mjafton të themi se ka biznese të rëndësishëm të cilët janë bazuar mbi aftësinë e shërbimit të kësaj mase emigrantësh që tashmë janë jo vetëm të rëndësishëm për ekonominë e vendit por shumë të nevojshme e të domosdoshme. Pavarësisht  nga “sharra” e madhe që ka rënë mbi këta emigrantë lidhur me ligjërimin, mbas një sakatimi të madh e të pamohueshëm, që ju bën çdo ditë ligji i legalizimit të qeverisë greke, përsëri kjo masë emigrantësh e përgjysmuar prej fillimit, arrin të mbijetoj, në sajë të punës së palodhur që arrin të kryej me nder.
Si për të thyer monotonin e kohës së deri tanishme, si për të tërhequr vëmendjen nga gjithë hallet e problemet e papunësisë dhe masave shtrënguese për gjithë popullin grek dhe në veçanti për emigrantët të cilët jo vetëm që mbahen si paguesit më të rregullt të detyrimeve financiare ndaj shtetit për arsye të ligjshmërisë skllavëruese të deri tanishme, por janë këta emigrantë mbi të cilët rëndon e para papunësia!
Ndaj të gjitha këtyre problemeve shqetësuese u organizua një koncert festiv nga bashkia e ishullit të Zakynthos, në bashkëpunim me Bashkinë e Fierit, e cila u paraqit me një aktivitet të bukur të grupit artistik “Myzeqeja”.
Drejtor i artit dhe kulturës Bashkia Fier, z. Frederik Jorgaqi
Drejtor artistik i ansamblit – z. Pandeli Lena
Udhëheqës artistik – z. Endrik Mazreku

Koreograf – z. Armand Çuni.
Pati interpretime shumë të bukura nga Grupi i Valleve, të cilët treguan një larmi të të gjitha trevave të Shqipërisë, me një interpretim të një niveli shumë të mirë të valltarëve, ku u duartrokitën shumë nga spektatorët Vallja Çame e “Osman Takës”!
Koncerti sipas traditës u hap nga grupi i valltarëve të ishullit, të cilët interpretuan disa valle të ndryshme, me një talent të mirë artistik.
Duartrokitje të mëdha nga pjesëmarrësit, të cilët kishin mbushur si asnjëherë sallën e teatrit të “Sarakynadhos”, pati për këngët e bukura popullore që u interpretuan nga këngëtarët Agron Bago, Selim Backa, Valbona Hekurani dhe Rajnita Popi.
Ishin pikërisht këta këngëtar që e ngritën gjithë sallën në këmbë me duartrokitej të zgjatura, për interpretimet e tyre të bukura me një nivel shumë të lartë artistik.

Një e papritur, pothuaj se surprizë ishte dalja e grupit të këngës labe nga emigrantët e Zakynthos me interpretuesin e shkëlqyer vlonjat Njazi Haxhiraj, i cili interpretoi një këngë për emigracionin të krijuar nga vetë ai dhe që i bëri emigrantët të lotonin dhe të ndiheshin më të pa ndarë se kurrë, me atdheun!
Urojmë që në të ardhmen të ketë më tepër aktivitete të tilla për të shkrirë akujt e mosnjohjes dhe mosvlerësimit të kulturës shqiptare nga vendasit, të cilët si herët e tjera u treguan të rezervuar dhe të distancuar nga këto aktivitete por më pozitive është sepse këtë herë nuk pati reagime negative. Kjo tregon se me paraqitjen që i bëri edhe media vendase populli i thjesht grek ka filluar të kuptojë se nuk kemi më pika ndarëse, por bashkuese.