Nonda BULKA/ Njëqind flamurë pa një

623
Sigal

Nonda BULKA


Ishte ditë vere në një nga qytetet më të mëdha
të Arnautistanit. Ecja filli vetëm duke menduar për hallet e kusuret e këtij
vendi heroik, por shumë fatkeq. Vapa përvëlonte. Djersët më kullonin rrëke. I
kredhur në të thella kapërceja nga një ngjarje në tjetrën.


Shikoja me sytë e mendjes vendin e shkretuar
prej tufanit, tërmetin që po trondit botën dhe që po kthen në shkrumb e hi atë
që dora e njeriut e ka ngritur me djersë e gjak. Habitesha me shtazëritë
njerëzore. Në këto të thella isha kredhur, kur… fiu, fiu… sirena. – Bum, bum, bum!
– krisi topi.


– Bobo, – thashë, – erdhën lanetërit e qenit,
shpikja moderne më e mrekullueshme për të shfarosur njeriun.


Pa e vrarë mendjen më thellë, hyra në shtëpinë
e parë që gjeta aty rrotull. Mysafir i paftuar, hapa derën e rrugës, pastaj atë
të brendshmen dhe instikti vetmbrojtës më drejtoi në një bodrum të sigurt nën
tokë.


– Ç’urdhëroni? – ma priti një zotni i cili me
grua e fëmijë ishte strukur në një cep të asaj grope të errët.


– Hyra këtu, mbasi jashtë po bëhet festë midis
qiellit e tokës. Qielli sulmon tokën dhe toka i përgjigjet. Dhe unë, që s’jam
as në qiell as në tokë, hyra këtu nën tokë.


– A janë shumë?


– Nxin qielli katran, efendi.


– Allahalla! Si do vejë ky halli ynë? Kur do
të marrin fund kusuret?


U ula mbi një fron gjysëm të thyer dhe po
fshija djersët. Njeriu i bodrumit më lëshonte lehtë-lehtë, me kureshtje, nga
një bisht syri; sikur matej të më thoshte diçka, po nuk guxonte. Më së fundi
foli:


– Si duken punët, or zotni? Ç’është ky hall i
madh që na ka rënë? Kur merr fund vallë? Ç’është kjo e keqe që i ka rënë në
kokë njerëzisë anembanë?


Ndërsa ai po qante hallin e njerëzimit, unë po
vërtisja sytë rreth e rrotull atij bodrumi dhe vura re diçka që më bëri
përshtypje:


– Përse i mban ende syfetin e famëmadhit Duçe
dhe flamurin me lulka të Imperos? Ti e di që ajo punë mori fund njëherë e mirë.


– Ah, mor bir (më lejo të të quaj bir), – ma
priti hallexhiu i bodrumit, – një fjalë e vjetër thotë se bota është e
rrumbullakët si top; njerëz si unë që nuk merren me politikë i kanë marrë masat
për çdo gjë që mund të ngjasë… Sa ka parë ky qerrata vend!


– Po ky flamuri i Anglisë, pranë atij të
Duçes, ç’kërkon këtu në bodrumin tënd?


– Ta thashë, mor bir, jam njeri esnaf dhe
hallexhi. Sikur një mëngjes, papritur dhe papandehur, të kërcasë topi andej nga
deti dhe të zbresin ata? Ku të gjej stofë për të qëndisur flamurin anglez? Apo
të ha ndonjë plumb rrugës? Kështu të paktën e kam mendjen të fjetur.


– Po Stalini me drapër e çekan, ç’punë ka në
bodrumin tënd të errët? Mos je gjë bolshevik?
 


– Jo, vallahi, bilahi s’jam. Po si esnaf njeri
që jam, kur të shoh se të gjithë bota do të skuqen, si mund të qëndroj unë i
bardhë? Urtësia më këshillon të ngre flamurin dhe të bërtas pas berihasë:
“Rroftë!”.


– Qenke plot tru, efendi. I paske marrë masat
me kohë.


– Posi, posi, ç’të bësh? Ja! Po fitoj para me
grushta, si hallexhi që jam. Kam tre djem dhe që të tre i kam ndarë në tri
parti të ndryshme; kështu, ngado që ta kthesh, i kam shpatullat të ngrohta.


– A ke ndonjë djalë në mal?


– Jo bir, jo! E kam vërtitur punën që mishi të
piqet dhe helli të mos digjet. Jam njeri i punës dhe jo i politikës. Kur ishte
Zogu mbret, unë isha zogist. Kur iku, nuk i thashë as udhë e mbarë.


Kur pllakosi ushtria e Duçes, i dola përpara
me flamur dhe tashti që u largua, i dhashë munxët nga prapa. Kur erdhi
gjermani, e kisha gati fytyrën e Hitlerit dhe flamurin me kryq të thyer. Kur të
shkojë, edhe këtë do ta zë me gurë, për t’i bërë qejfin atij që do të vij pas
tij. S’ke ç’bën, duhet të jetosh “me nder” në këtë botë.


Mbeta si i trullosur nga predikimet morale të
atij njeriu të njohur dhe të panjohurqë ma hapi aq thellë zemrën; rashë në
mendime duke kullotur sytë rreth e rrotull bodrumit ashtu si nëpër ëndërr.


Në një cep më vranë syrin disa flamurë të
tjerë.


E pyes:


– Po këta ç’janë?


– Ky është flamuri i grekut, – më tha efendiu.


– E mora vesh. Zotrote qenke grekoman, o
efendi.


– Jo bir, jo, nuk jam as grekoman, as djall;
por, kur ushtritë e grekut hynë thellë në vendin tonë kundër italianëve,
porosita shpejt e shpej flamurin e tyre, që të mos më zinte në befasi. Ja dhe
flamuri i Turqisë, që po e ruaj si kujtim të Baba Dovletit. Të thashë, or bir,
se jam njeri me parime me karakter, me edukatë dhe s’ma ka ënda të prish
muhabetin me asnjë kral që mund të shkelë kët vend.


U ngrita në këmbë, u solla dy-tri herë rreth
atij muzeu origjinal që mund të pagëzohej me emrin tingëllues “muzeu i
karakterit” dhe sytë m’u mbërthyen mbi një flamur të çuditshëm, të bardhë si
dëbora me një rreth të kuq në mes.


– Po ky i kujt është, mor efendi?


– Ulu, – ma preu ai, – se është punë e gjatë
që të ta shpjegoj. Disa vjet më parë po rrija në kafe duke pritur një mik,
ortakun tim, me të cilin dërgonim fasule në Greqi; duke pritur mikun e
fasuleve, në tryezën aty pranë, disa si biçim shkollarë bisedonin për politikë.
Ishte ajo kohë kur kishte nisur lufta midis Japonit dhe anglo-amerikanëve.
Japoni po korrte fitime aq të vrullshme, sa asnjeri nuk mund të parshikonte se
ku do ti mbanin këmbët anglezët dhe amerikanët. Një nga shkollarët hidhet e i
thotë shokut: “Ashtu siç ka nisur puna, s’është çudi që një ditë t’i shohim
japonezët të vijnë deri në Tiranë!”. Sa dëgjova këto fjalë, shpejt e shpejt
bëra gati edhe flamurin japonez. Kështu më zuri gjumi rehat. Bombardimi kishte
marrë fund. Sirena më lajmëroi se kishte ardhur koha për të dalë nga strofka e
atij idealisti. Ndërsa po matesha që ta përshëndesja, befas më ra ndër mend
diçka dhe e pyeta:


– Të falenderoj, mor efendi, për mësimet e
larta të moarlit që më dhe, por as më thua, të lutem, në gjithë këtë grumbull
flamujsh dhe fytyrash, si nuk ma zë syri asgjëkundi Skënderbeun dhe flamurin
kuqezi?


Efendiu ngurroi pakëz si i menduar, rrotulloi
sytë andej-këtej, pastaj duke m’i mbërthyer si me frikë, më thotë:


– Ke hak, ke hak. S’më kishte shkuar ndër
mend; e ku ta kesh mendjen më parë, në këtë kohë trazirash dhe përleshjesh?
Pastaj me autoritet i drejtohet të birit dhe i thotë: Kujtomë, kur të vemi në
dyqan të porosisim edhe një flamur të Shqipërisë, se s’dihet, edhe ai mund të
na hyjë në punë!


Hapa sytë. Isha në ëndërr. Se idealistë të
tillë s’mund të ekzistojnë veçse në ëndërr.