Një jetë artisti nën këndvështrimin e dy fotove

600
Sigal

 Jeta dhe vepra e piktorit nga Shijaku Tom Stamolla. Nxënësit e tij do të organizojnë një ekspozitë me pikuarat e mbledhura

Në studion e piktorit të mirënjohur Agim Faja gjejmë një foto të tijën me disa nxënës në pikturë shumë vite me parë, ndërsa në shtëpinë e njërit prej fëmijëve të dikurshëm që aspironin për të çarë rrugë në artin e bukur të pikturës gjejmë këtë nxënës që është bërë mësues vizatimi mes disa fëmijëve të tjerë që aspirojnë për tu bërë piktorë. Në foton e parë është profesor Agimi, ndërsa në të dytën është profesor nxënësi i tij Tom Stamolla. Është një jetë interesante e një prej piktorëve të Shijakut që shtrihet mes dy fotove me hapësira dhetravjeçaresh, por që pasqyrojnë edhe periudhën kohore plot ëndërra të parealizuara dhe dramacitet. Është një piktor që kur mendoi se po arrinte synimet e veta artistike drejt pjekurisë së plotë, detyrohet të punojë në Ndërmarrjen Karro – Qerre Shijak për probleme biografike. …Sikur të ishte piktori Tom Stamolla gjallë, më datën 2 gusht do të festonte 65 vjetorin e lindjes. Dhe do të priste urime nga familjarët e tij dhe nxënësit e shumtë që ka pasur. Po tashmë këta nxënës që ndodhen në këto 2 foto janë duke mbledhur pikturat e shumta të tija për të organizuar një ekspozitë përkujtimore me veprat më të bukura të tija, të cilat janë shpërndarë nëpër institucione të ndryshme si dhe atelite e kolegeve dhe shtëpitë e miqve që u a ka pas dhuruar dikur… Agim Domi, përgjegjësi i Shtëpis së Kulturës së qytetit të Shijakut thotë se do të vendosin në këtë ekspozitë homazh edhe një peizazh, të cilin ai e kishte në punim e sipër kur u nda nga jeta, pasi edhe ashtu e pambaruar ajo ka vlerë për admiruesit e artit të tij…

Fotot

Piktori i shquar i qytetit të Shijakut Agim Faja që e ka pasur nxënës të tijin dikur flet me konsideratë si piktor të ngjyrave dhe detajeve të veçanta. Para takimit që kishim lënë me “Piktorin e Merituar” Faja, në banesën e Tomës na kishin dhënë një foto shumë të bukur të piktorit mes 2 nxënësve të tij, ndërsa Agimi, surprizës nga natyra, na dhuron një tjetër foto të tijën, por tashmë me sfond shumë vjeçar të kthyer pas, është një foto kur vetë Toma ishte nxënës i Agimit në kursin e pikturës… Thuajse fëmijë… Mes këtyre 2 fotove shtrihet edhe thuajse i tërë sinori i jetës së Tomës në kërkim të artit dhe në kultivimin e shijeve të tija tek brezat e tjerë.

Shijaku

Qyteti i Shijakut duke qenë me një numër të vogël banorësh ka qenë pak i anash kaluar nga syri i propagandës së kohës për veprat artistike, megjithëse ka pasur shumë talente që kanë bërë emër në Durrës Tiranë e gjetkë. Rruga automobilistike Durrës- Tiranë që kalonte në afërsi të tij shkëputej në zonën e njohur si “4 Rrugët e Shijaku”, por intelektualët e këtij qyteti pak “hermetik” kanë ditur ta evidentojnë duke sjellë të veçantat e tija dhe janë vlerësuar. Agim Faja, mësuesi i parë që i ka dhënë Tomës njohuritë në pikturë, për një kohë të gjatë ka qenë Kryetari i Degës së Lidhjes së Shkrimtareve dhe Artistëve për rrethin e Durrësit. I edukuar me shijet më të mira të artit Toma ka ditur që të japë në ngjyrat e telajove të tija bukuritë fine të peizazheve të rralla që afron kjo zonë, me një breg lumi nga më të bukurit dhe më të gjelbëruarit thuajse gjatë gjithë stinëve, i cili jo vetëm gjarpëronte nëpër një territor piktoresk, por edhe nisur nga historia dhe këngët ishte mjaft “histori” për shkak të ngjarjeve historike të zhvilluara në brigjet e tija që nga Iliria e deri tek lufta për çlirim. Tom Stamolla ka dhënë në pikturat e tija nuancat e bukura të dritëhijeve stinore plot lirizëm të këtij breglumi, mbase se duke kërkuar këto bukuri vetë ka dashur të shkëputet nga jeta reale që e kishte vrarë nëpërmjet të ashtuquajturës luftë klasash. Baba i tij me një të kaluar mjaft atdhetare, i përndjekur familjarisht nga qeveria turke kishte braktisur Shkodrën dhe kishte ikur në Vlorë. Nga Vlora ai vjen në Shijak dhe pas disa viteve veprimtarie intelektuale si ekonomist nga me të aftët e zonës burgoset politikisht. Piktori Tom Stamolla pas kësaj kalon punëtor i thjeshtë në Karro-Qerre. Po megjithë dëshpërimin e madh pas largimit nga dhënia mësim të lëndës së vizatimit, ai asnjëherë nuk e braktisi penelin e tij. Përgjegjësi i Shtëpisë së Kulturës, Agim Domi do të shprehet për të se edhe në këtë periudhë të rëndë për të ai se humbi kurrë sensin e së bukurës për artin, të cilit i ka qenë përkushtuar. Bashkëshortja e tij thotë se ai në çdo periudhë të jetës pasditet i kalonte në studion e vet duke punuar. Agim Faja e përmbledh në mënyrë lakonike jetën e tij duke theksuar se Toma ka qenë shumë i talentuar. Megjithë problemet që kishte ai ka arritur që të hapë dy ekspozita një në Shijak dhe një në Durrës. Toma, thekson Faja, ka qenë një trajtues mjaft i mirë i peizazhit dhe i portretit me sens grafik.

Jeta e një piktori

Tom Stamolla sipas shënimeve të Agim Fajës për historikun e qytetit të Shijakut, ka lindur në Vlorë në vitin 1947. Me origjinë nga qyteti i Shkodrës. Që në vitin 1912 familja e të atit të tij Pjerinit, vendoset në Vlorë pasi ndiqej nga autoritetet turke. Në vitin 1955 vjen në Shijak në moshën 8-vjeçare. I ati vendoset Shef Llogarie në S.M.T. Akuzohet politikisht në vitin 1975 dhe dënohet me 8 vjet heqje lirie. Vdes në burgun e Spaçit në moshën 58-vjeçare. Kjo është jeta e piktorit. Ai vdiq aksidentalisht më 3 janar 2006. Bashkëshortja e tij Gjinovefa  ende nuk është mësuar me humbjen e tij të papritur. Shpesh herë i duket sikur do të kthehet papritur ashtu siç iku. Për të vazhduar peizazhin e fundit që e la në punim e sipër… po artistët dinë të kthehen gjithmonë tek njerëzit e dashur me njërën rrugë a tjetrën, por kryesisht me rrugën e artit!