Kastriot MYFTARAJ/Kristo Frashëri në librin “Enver Hoxha” të Fevziut (1)

1421
Sigal

Debati/ Deformimet historike të Blendi Fevziut në librin për Enver Hoxhën dhe pase i shpëtoi spastrimeve Kristo Frashëri

Blendi Fevziu ka zakonin që personave tek të cilët ka një interes veçanërisht të rëndësishëm, t’ u bëjë lajka në librat e tij. Kështu bën ai në librin “Enver Hoxha” me prof. dr. Kristo Frashërin. Fevziu ishte duke shkruar një libër mbi historinë e Shqipërisë, dhe për këtë atij i duhej ndihma e Kristo Frashërit. Për ta lajkatuar Kristo Frashërin, Fevziu e shpall atë komunistin e parë të përjashtuar nga Partia Komuniste e Shqipërisë. Fevziu në librin e tij “Enver Hoxha”, në kapitullin “Lufta në gjirin e komunistëve” sjell edhe shembullin e Kristo Frashërit, për të cilin thotë:

      Enver Hoxha i kishte hyrë politikës me një metodë të re, që Kristo Frashëri, i pari që u përjashtua nga Partia në fillim të vitit 1942 e përkufizon kështu[i]

      Komunisti i parë i përjashtuar nga PKSH ka qenë Anastas Lulo dhe jo Kristo Frashëri. Përjashtimet e para nga PKSH u bënë në Konferencën e jashtëzakonshme të PKSH, që u mbajt në Tiranë, në qershor 1942. Në librin “Dokumente kryesore të PPSH”, vëllimi i parë, ku botohen akti i kësaj konference, thuhet për të:

      Konferenca e jashtëzakonshme e partisë u mbajt ditët e fundit të qershorit 1942 në Tiranë. Në këtë konferencë morën pjesë veç anëtarëve të Komitetit Qendror të partisë, një numër anëtarësh të komiteteve qarkore, dhe fraksionistët Anastas Lulo dhe Sadik Premtja. Konferenca zgjati dy ditë. Ajo u mblodh kryesisht për të marrë në shqyrtim punën antiparti, fraksioniste dhe armiqësore të Anastas Lulos dhe Sadik Premtes, ish krerët e Grupit të të Rinjve, si dhe të një numri elementesh të tjerë të këtij grupi. Konferenca dënoi rëndë punën e tyre dhe vendosi njëzëri përjashtimin nga partia të Anastas Lulos, Sadik Premtes dhe të 8 shokëve të tyre fraksionistë, ndërsa agjenti provokator i fashizmit Ludovik Nikaj u dënua me vdekje.[ii]

      Lista e të dëbuarve është kjo:

      Dëbim për një kohë të pacaktuar:

      A [nastas Lulo] Qo [rri]

      S[adik Premte] Xhe [pi]

      Sh [andër Jorgoni] Jor [goni]

      Xh… Ra

      M [errkur] Çela Çel[a]

      Sh [aban Jegeni] Sha [ba]

     

      Dëbim për tre muaj

      J [usuf Keçi] Ba [iverbruk]

      Sh [yret Turkeshi] Ka [mberi]

      K[risto Frashëri] Xhi [xhi][iii]

      Siç shihet, emri i Kristo Frashërit është i dhjeti në listë. Është interesante se nga këta të dhjetë, vetëm Kristo Frashëri nuk e pësoi nga regjimi komunist. Të gjithë të tjerët, me përjashtim të Sadik Premtes që u largua jashtë vendit, e pësuan në një mënyrë apo në një tjetër. Anastas Lulo u vra pa gjyq. Sandër Jorgoni dhe Shaban Jegeni u vranë në rrethana të dyshimta dhe u shpallën dëshmorë. Të tjerët bënë burg. Shyhret Turkeshi shpëtoi duke kaluar vetëm pak kohë në burg, për shkak se ishte kushërirë e Nexhmije Hoxhës. Kristo Frashëri pati fatin më të mirë nga këta dhjetë komunistë të parë të përjashtuar nga partia. Dhe ja se si e përkufizon Kristo Frashëri Enver Hoxhën në intervistën televizive që i ka dhënë Fevziut dhe të cilën ky e citon në librin e tij:

      Kur mori përgjegjësinë e Partisë në kohën e Luftës ai iu kushtua totalisht punës. Ai ishte njeriu që diti të tregojë një vendosmëri të fortë gjatë Luftës. Unë nuk e kam dashur, por e çmoj për punën që bëri gjatë saj. Pas Luftës pastaj ai u shpërfytyrua krejt. E ruajti buzëqeshjen, por përdori atë metodën që i mësoi Miladini: Partia forcohet duke u spastruar. Edhe kur nuk ka armiq, krijo armiq.[iv]

      Teza se Enver Hoxha i kohës së Luftës së Dytë Botërore është i ndryshëm nga Enver Hoxha i kohës pas ardhjes së regjimit komunist në fuqi, nuk është tezë e një shkencëtari që përdor metodologji shkencore historiografike. Në sjelljen politike të Enver Hoxhës ka një vazhdimësi, që prej nëntorit 1941, kur u themelua PKSH dhe deri kur ai vdiq në 1985. Enver Hoxha dhe bashkë me të edhe Kristo Frashëri, në 1941 i përkisnin grupit themelues të një partie komuniste të llojit bolshevik, pra një partie staliniste, e cila e kishte terrorin instrumentin kryesor të politikës. Në rezolucionin e Mbledhjes themeluese të PKSH, në nëntor 1941, thuhet:

    Një nga ligjet themelore të zhvillimit të partisë së tipit të ri, të partisë bolshevike, është lufta në dy fronte kundër gabimeve të vetvetes dhe veçanërisht kundër tentativës së krijimit të grupeve dhe lufta pa pajtim kundër armikut të klasës.[v]

    Me këtë PKSH, që në dokumentin e saj themelues shpalli nisjen e luftës civile në vend, së pari në radhët e lëvizjes komuniste në Shqipëri, si një luftë e stalinistëve kundër të komunistëve të tjerë që konsideroheshin si trockistë dhe që nuk pranonin vijën staliniste të Kominternit, i cili e kishte qendrën në Moskë. Me këto rreshta të rezolucionit, pra dokumentit themelues të PKSH, përgënjeshtroheshin të gjitha parimet e shpallura publikisht nga PKSH për bashkim të popullit shqiptar pa dallim ideje, krahine dhe feje, në luftën kundër pushtuesve fashistë. E vërteta ishte se në rezolucionin themelues të PKSH, që gjatë luftës nuk u publikua (u publikua për herë të parë në vitin 1960-një botim konspirativ në 1947 nuk mund të llogaritet), në Shqipëri, në fakt shpallej lufta kundër atyre që kishin ide të ndryshme nga komunistët stalinistë, si brenda lëvizjes komuniste, ashtu dhe jashtë saj. Ky akt i parë i tragjedisë së luftës civile në Shqipëri, paralajmëroi aktin tjetër të luftës civile më të gjerë, e cila filloi në 1943. Fill pas krijimit të PKSH brenda së majtës komuniste shqiptare nisën të ndeshen dy rryma, nga të cilat njëra mund të quhet moskovite, kominterniste, staliniste, ekstremiste, dhe një tjetër, e një komunizmi refraktar ndaj Moskës, por megjithatë antifashist, të moderuar. Kristo Frashëri u lëkund, u bashkua për një kohë me antistalinistët, por pastaj u rikthye me stalinistët. Kështu do të shprehej Frashëri nëse do ta këqyrte veprimtarinë e vete me metodologji korrekte historiografike.

      Kristo Frashëri, pas rënies së komunizmit, ka shkruar një libër voluminoz me titull “Historia e Lëvizjes së Majtë në Shqipëri dhe e themelimit të PKSH-së: 1878-1941”  Libri është shkruar me një metodologji sharlatanore, se e nxjerr krijimin e PKSH si kurorëzimin e lëvizjes dhe mendimit të majtë shqiptar që prej kohës së Lidhjes së Prizrenit. Kristo Frashëri shkruan në këtë libër për Rezolucionin e Mbledhjes themeluese të PKSH:

      Rezolucioni është letërnjoftimi që pati PKSH-ja në ditët e themelimit të saj. Përmbajtja e rezolucionit shpreh që në fillim e deri në fund vullnetin, vendosmërinë dhe përkushtimin e PKSH-së, jo për të vendosur në Shqipëri një regjim socialist dhe ca më pak diktaturën e proletariatit, por për të çliruar atdheun nga zgjedha e huaj, nëpërmjet luftës së armatosur antifashiste nacionalçlirimtare dhe për të vendosur në Shqipëri një regjim të vërtetë demokratik popullor.[vi]

      Por, duke qenë se në rezolucionin e mbledhjes themeluese thuhej se partia do të ishte një parti e tipit të ri, një parti bolshevike, siç e kam cituar më lart, atëherë me këtë ishte zhvlerësuar gjithçka nga ato që veçon Kristo Frashëri, dhe ishte thënë qartë se partia e re do të bënte luftë civile për të marrë pushtetin dhe për të vendosur diktaturën komuniste. Ata që krijuan PKSH i bënë kërkesë Internacionales Komuniste (Kominternit) në Moskë, me anë të Partisë Komuniste të Jugosllavisë, që të miratonte krijimin e partisë së re dhe t’ u jepte udhëzime. Se çdo parti e re komuniste e llojit bolshevik që krijohej, duhet të plotësonte 21 kushtet e famshme të përcaktuara nga Lenini, dhe gjykimin për këtë e jepte Kominterni në Moskë. Çështja më e rëndësishme që përsëritej disa herë në kushtet, ishte ajo e luftës civile.[vii] Në Rezolucionin e Konferencës së parë të PKSH, që u mbajt mars 1943, në Labinot u tha se ishte marrë miratimi nga Kominerni si dhe udhëzimet e reja:

     Konferenca e I e Vendit përshëndeti me një zë direktivat dhe ndihmën e Internacionales Komuniste (Kominterni-K.M.), e cila ia ka dhënë partisë sonë në momentin më të mirë, me të cilat është e mundur të merret qëndrimi mbi Luftën Nacional-Çlirimtare.[viii]

      Një libër serioz për krijimin e PKSH nuk mund të përfundojë në 1941, siç bën Kristo Frashëri, por në mars 1943. Në këtë datë mund të quhet zyrtarisht e krijuar PKSH. Përse Kristo Frashëri, edhe 65 vjet pas themelimit të PKSH nuk operon dot me kategori korrekte shkencore historiografike? Se ai është i lidhur me nyje tragjike me të shkuarën, të cilat mund t’ i marrim me mend nga fragmenti i mëposhtëm i librit të Fevziut:

      Vetë Frashëri u dërgua për riedukim në çetën e Pezës me një zarf në dorë brenda të cilit ishte një letër për komisarin e saj. Frashëri duhej të dorëzonte letrën të pahapur. Ai e bëri vërtet këtë, por 60 vjet më pas gjeti në AQSh letrën që kishte dorëzuar me dorën e vet me një përmbajtje të thjeshtë:

      “Person i rrezikshëm, mbajeni nën kontroll, po e drodhi bishtin, këputini një plumb pas qafe. Enver”.

      Po të kishte kërkuar edhe më në AQSh, Kristo Frashëri do të kishte gjetur edhe një porosi tjetër, mes porosive të shumta të Enver Hoxhës dhe të Miladin Popoviçit, që i jepeshin si “direktiva” Nako Spirut në mars të vitit 1944:

      “Për punën e grupazheve duhet të kini mendjen. Shumë herë i kemi shkruar Gogos. Delegates [Nexhmije Xhuglinit] i kam shkruar kur kam qenë në Martanesh dhe qe bash atje Kristo Frashëri, i cili drejtohej për Tiranë. Isuf Keçi kishte qenë atje dhe Kristo Frashëri i kish thënë të vente të piqej me Xhaxha Nezin dhe sigurisht dhe me Xhepin. Grupazhet janë strukur në qytete, pse në çeta s’ mund të punojnë lirisht, atje organizojnë, atje kombinojnë, prandaj shokët të jenë të zgjuar, t’ i vëzhgojnë, t’ i luftojnë dhe të mos ketë Gogoja me shokë për ta një zemër murgeshe. Për Partinë s’ ka qeder pse shkon e digjet dhe një dru i njomë me të thatin. S’ bëhet ndonjë hata, të mos kenë frikë”.[ix]

      Fevziu duhet ta kishte kuptuar se Kristo Frashëri gënjen kur thotë se atë e nisën në Çetën e Pezës me një letër të Enver Hoxhës në xhep, me përmbajtjen që thotë ai. Praktika e rëndomtë ishte që këta persona të niseshin me një shoqërues, i cili rëndom ishte korrieri. Kjo bëhej për shkak të ruajtjes së konspiracionit, çka ishte shqetësimi më i madh i Enver Hoxhës në periudhën 1941-44. Nëse letra do t’ i jepej vetë personit të interesuar, atëherë kjo do të përbënte një joshje të fortë për të. Mund të ndodhte që personi të cilit i jepej një letër e tillë e hapte zarfin dhe lexonte përmbajtjen e saj, atëherë ai me siguri që do të dezertonte dhe do ta dorëzonte letrën në Polici. Të nesërmen letra me shkrimin e Enver Hoxhës do të gjendej në faqen e parë të gazetave. Enver Hoxha nuk mund të rrezikonte kaq shumë kot së koti. Fevziu gjithashtu duhet ta kishte kuptuar se Frashëri gënjen edhe kur thotë se atë e nisën në Çetën e Pezës në 1942, me letrën fatale në xhep. Kjo kuptohet nga përmbajtja e letrës së Enver Hoxhës për Nako Spirun në mars 1944, të cilën e citon Fevziu. Në këtë letër të marsit 1944, Enver Hoxha e etiketon Kristo Frashërin si një ndër organizatorët e grupazheve në parti (faj për të cilin jepej ndëshkimi me vdekje), në bashkëpunim të drejtpërdrejtë me Sadik Premten (“Xhepi”), Isuf Keçin (bashkë me të cilin Frashëri qe përjashtuar nga PKSH në qershor 1942), si dhe me “Xharxhanezin”, një tjetër “fraksionist” i rëndësishëm i Vlorës. Në paragrafin e mësipërm të librit të Fevziut, ka dhe një gabim qesharak. Kur Fevziu citon letrën e Enver Hoxhës, ai përmend një “fraksionist” me emrin Xhaxha Nezi, takimin me të cilin Kristo Frashëri ia kishte sugjeruar Isuf Keçit. Ky “Xhaxha Nezi”, është në fakt “Xharxhanezi”, që ishte pseudonimi i Qani Shenaj, një komunisti dhe partizani nga Gjormi i Vlorës, mbështetës i Anastas Lulos dhe Sadik Premtes, i cili pas spastrimeve staliniste në PKSH, e pa luftën kundër komunizmit stalinist si më të rëndësishme se atë kundër gjermanëve e u bashkua me Xhandarmërinë, duke u bërë oficer i saj në Tiranë. “Xharxhanezin” e futën në një kurth komunistët, me anë të një të reje komuniste të burgosur e cila u zhvesh befasisht lakuriq gjatë seancës së pyetjeve dhe e akuzoi për përdhunim. Pas kësaj “Xharxhanezin” e varën publikisht autoritetet shqiptare të kohës, të quajtura kuislingë nga komunistët. Kurse Toger Babën famëkeq, Hodo Habibin nga Kuçi, të cilin regjimi komunist fillimisht e vari publikisht se gjatë operacioneve ndëshkimore në Veri përdhunoi me qindra femra, pastaj e shpalli dëshmor të atdheut. Vajzën e asaj të resë komuniste që e përdorën për të tërhequr në kurth “Xharxhanezin”, e kallëzoi penalisht në Prokurorinë e Tiranës familja e Enver Hoxhës, me pretendimin se i pati dhënë dokumente të klasifikuara arkivore Fevziut. Me sa duket Nexhmije Hoxhës nuk i kishte dalë inati për varjen e “Xharxhanezit”, për të cilin thoshin se faji i vetëm i tij ishte se me të binte në dashuri çdo e re komuniste që e shikonte me sy. Në mars 1944, kur Enver Hoxha shkruante letrën e cituar më lart, “Xharxhanezi” ishte oficer i Xhandarmërisë në Tiranë. Kështu që Enver Hoxha po e akuzonte Kristo Frashërin për bashkëpunim me autoritetet “kuislinge” përveçse me “fraksionistët” si Sadik Premte. Kjo do të thoshte se tashmë Kristo Frashëri e pati “dredhur bishtin” dhe tashmë duhet ta merrte “plumbin pas qafe”. Frashëri nuk mund të kishte qenë partizan në kohën që Hoxha shkruante kështu për të, në mars 1944, se do ta kishin pushkatuar pa vonesë në repartin partizan ku gjendej tashmë.       Përjashtimi prej tre muajsh nga partia, Kristo Frashëri tashmë i ishte bërë definitiv, ashtu që kur u përmbush kjo periudhë, në shtator 1942, ai nuk u pranua më në PKSH. Në rrëfimin që Kristo Frashëri bën për Fevziun, ka një nonsens, një kundërthënie, që ka të bëjë me kohën se kur atë e nisën në Çetën e Pezës. Fevziu shkruan në librin e tij për Kristo Frashërin:

      Kristo Frashërin fati i mirë ose i keq e solli të gjendej përballë Enver Hoxhës plot 20 vjet pasi ai e kishte nisur për çetën e Pezës me letrën ku ishte shënuar: “Person i rrezikshëm, mbajeni nën kontroll, po e drodhi bishtin, këputini një plumb pas qafe. Enver”. Atëherë Hoxha dhe Frashëri qenë dy nga 200 anëtarët e PKSh, një parti e sapokrijuar në ilegalitet dhe pa ndonjë ndikim të madh në Shqipëri. 20 vjet më pas raportet kishin ndryshuar krejt. I përjashtuar nga Partia qysh herët, në vitin 1942, Kristo Frashëri nuk kishte përfunduar në burg, por kishte arritur të mbijetonte duke bërë një profesion disi problematik për komunizmin, atë të historianit. Ai nuk fliste më kurrë për politikë me askënd dhe e kishte harruar pasionin me të cilin në rininë e tij donte “ta bënte botën të barabartë”. Enver Hoxha ishte lider i padiskutueshëm i Shqipërisë, një lider i ashpër, i fortë, që kish filluar të adhurohej thuajse si një zot. Të dy bashkë u takuan rastësisht, në Hollin e Teatrit, edhe pse Kristo Frashëri bëri ç’ mundi që t’ i shmangej atë ditë:

      “Takimi im i fundit ka qenë në vitin ‘62 kur u bë konferenca e intelektualëve. Enver Hoxha erdhi dhe mbajti një fjalim në Teatrin Popullor. Kur doli në holl për një pushim, takoi njerëz. Më pa edhe mua atje. M’ u afrua dhe më pyeti si isha. Unë u përpoqa t’ i bëja bisht atij takimi. Ai e kuptoi dhe më tha: ‘Hajde, hajde këtu’. Më tha: ‘Të kam ndjekur, ke hyrë tamam në fushën që të duhet, në histori’. Mirëpo unë përsëri kisha dyshime, se ai nuk besohej. Sepse kur kishte në plan që të asgjësonte, aty për aty të përkëdhelte dhe të vinte në gjumë”.

      Frashëri nuk pësoi asgjë, përveç faktit se përcaktimi që i kishte bërë Hoxha si njeri që tanimë ishte aty ku duhej, në fushën e historisë, ia çimentoi pozicionin. Ai nuk u pa më kurrë me Hoxhën dhe as u interesua për politikë, shprehi që e ruajti edhe pas viteve ’90, kur Hoxha kishte vdekur prej kohësh dhe atë nuk e kërcënonte më askush.[x]

      Nëse Fevziu do të kishte sadopak sens analitik, ai do ta kishte kuptuar kuptuar se Kristo Frashëri, me këtë fragment të “rrëfimit”, ka përgënjeshtruar atë çka i ka thënë më lart. Sipas Frashërit, fjalët e të cilit Fevziut i merr si të vërteta, del se ai na paska shkuar në Çetën e Pezës në 1942. Madje, nëse e marrim si të mirëqenë atë që thotë Fevziu, se takimi i fundit i Frashërit me Hoxhën në 1962 ndodhi plot 20 vjet pasiqë Hoxha e nisi Frashërin në Pezë me letrën fatale, atëherë del se Hoxha e nisi Frashërin në Pezë në tetor 1942, se mbledhja e intelektualëve, ku mori pjesë Enver Hoxha, u mbajt në tetor 1962.[xi] Por, nëse Kristo Frashëri do të kishte shkuar në Çetën e Pezës në vitin 1942, me letrën e Enver Hoxhës në xhep, atëherë Enver Hoxha nuk mund të shkruante për Kristo Frashërin në mars 1944, ashtu siç ka shkruajtur në letrën e cituar. Kështu që del se Kristo Frashëri është bërë partizan më vonë se marsi i vitit 1944. Është e vërtetë që në 1942 Enver Hoxha ka shkruar letrën e përmendur për komisarin e Çetës së Pezës, por Kristo Frashëri nuk shkoi në Pezë, por “e drodhi bishtin” dhe shkoi dhe u strehua tek Abaz Kupi, me rekomandimin e të atit, i cili e pati njohur Kupin kur kishte punuar si kryesekretar i Parlamentit, në kohën e Monarkisë së Zogut.

Vijon


[i] Blendi Fevziu, “Enver Hoxha”, UET Press, Tiranë 2011, f. 76

[ii] “Dokumenta kryesore të PPSH: 1941-1948”, Botim i Institutit të Historisë së Partisë pranë KQ të PPSH, Tiranë 1960, vëllimi I, Tiranë 1960, f. 77

[iii] po atje: f. 84

[iv] Blendi Fevziu, “Enver Hoxha”, UET Press, Tiranë 2011, f. 76

[v] “Dokumenta kryesore të PPSH: 1941-1948”, Botim i Institutit të Historisë së Partisë pranë KQ të PPSH, Tiranë 1960, vëllimi I, Tiranë 1960, f. 19

[vi] Kristo Frashëri, “Historia e Lëvizjes së Majtë në Shqipëri dhe e themelimit të PKSH-së: 1878-1941”, Botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Tiranë 270

[vii] Shih: V. I. Lenin, “Kushtet e pranimit në Internacionalen Komuniste”, në “Lufta kundër oportunizmit dhe Internacionales së tretë”, Shtëpia botuese “8 nëntori”, Tiranë 1978, f. 461-468

[viii] “Dokumenta kryesore të PPSH: 1941-1948”, Botim i Institutit të Historisë së Partisë pranë KQ të PPSH, Tiranë 1960, vëllimi I, Tiranë 1960, f. 107-108

[ix] Blendi Fevziu, “Enver Hoxha”, UET Press, Tiranë 2011, f. 76-77

[x] po atje: f. 263-264

[xi] Enver Hoxha, Vepra, vëllimi 23, Shtëpia botuese “8 nëntori”, Tiranë 1977, f. 507