Një intervistë e pabotuar me “Artisten e Popullit” Violeta Manushi (2005): Jeta ime ka qenë plot brenga e halle, por shpirtin ma kanë lehtësuar skena dhe sheshet e xhirimit.

316
Sigal

Për hir të roleve kam sakrifikuar edhe nga jeta ime private.

-“Kam shkruar një komedi për një zonjë nga qyteti, por kjo do të vihet në skenë vetëm po e luajte ti rolin e zonjës”, më thotë Ruzhdi Pulaha.

– Tek kjo komedi jam mbështetur tek ti si figurë, te rolet e tua – vijoi Ruzhdiu.

-Kur mora dhe lexova komedinë ‘Zonja nga qyteti”  të them të drejtën, rashë në dashuri me të.

– Nuk më ka ndodhur kurrë në skenë që duke luajtur role të tjerë të mendoja për Ollgën.

-Nga tipografe Gaqo Avrazi më ftoi të luaja dramën e shkurtër “Ankimi” të Viktor Eftimiut.

Intervistoi: Baxhul Merkaj

Në kujtesë më shfaqet portreti i saj psiko- fizik, dhe pse kanë kaluar kaq kohë, po shpalos me lexuesit bashkëbisedimin që zhvillova me të, kur ajo ishte në zenitin e interpretimit të saj. Që në vitet e hershme të rinisë sime kur vazhdoja Liceun Artistik e më tej kur vazhdoja Akademinë e Arteve shihja dhe ndiqja me sytë e zemrës aktoren e shkëlqyer të humorit, por dhe të dramës Violeta Manushi. Artistja e qëron rolin dhe njësohet me të pasi tipat e karakteret i merr nga jeta. Aty është dhe burimi i frymëzimit të saj. Ajo si aktore është sa komike po aq edhe tragjike. Vetëm një artist me një gjallëri të madhe mund të luajë brenda një drame, tre personazhe, tre karaktere. Violeta Manushi tek, “Orët e Kremlinit’ kalonte nga një gjendje tek tjetra, duke luajtur lypsen, por dhe rolin e një gruaje në pazar, e më tej rolin e zonjës së madhe që shkon tek Zabelini. Lojërat nga roli në rol janë tepër të besueshme. Luante Violetën, por asnjëherë nuk ishte Violeta. “Nënat” e saj dilnin gjatë lojës tepër të hijshme dhe me karakter burrëror. Dha një Nicë tek, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, që mbahet në mendje nga publiku i asaj kohe edhe sot. Por, edhe tani kur e takoj, ndonëse në moshë madhore, ruan një gjallëri, që e gjallon skenën dhe tashmë e shonim në vitet 2005 përsëri në skenë tek tragjedi-komedia, “Streha e të harruarve”. Vjetërsia e moshës dhe profesioni nuk arriti ta zbehë aspak freskinë dhe kënaqësinë që ajo i dha publikut shqiptar. Luajti përkrah kolegëve artiste, e cila ishte mbi 50 vjet partnere e tyre, si Margarita Xhepa, Drita Pelingu, Besa Imami, Tinka Kurti e të tjera, të cilat hyjnë në panteonin e Teatrit Kombëtar. Ajo erdhi përsëri në teatër dhe luajti me një rini shpirtërore dhe një madhështi artistike, ku arriti të përcjellë emocione tek publiku. Ishte ky një manifest për gjallimin e artit, si tempull i një kombi, Violeta Manushi përcolli tek “Streha e të harruarve”, dhembjen e një nëne ku vajza kishte marrë rrugën e mërgimit dhe përfundoi po në rrugë…! E ndonëse përsëri ka dëshirë të kthehet tek nëna, po kjo nënë nuk e duron dot njollën e turpit. Dhe ja Violeta, nënë, në dialogun që përcjell nëpërmjet telefonatës së bijës…! “Ik…! As zërin s’dua të ta dëgjoj… ! Më ke turpëruar…!”   Sallën e përshkojnë emocione drithëruese. Ishte pikërisht Violeta Manushi me partnerët aktorë, të cilët i treguan publikut shqiptar se arti teatror në Shqipëri  përsëri jeton, gjallon. Artistja Manushi sapo doli nga shfaqja shprehet: “ Kisha shumë emocione kur isha duke luajtur, m’u duk vetja si në fillimet e mia. Publiku më ka mbajtur gjallë. Ai nuk të harron, por të duartroket, të jep energji dhe emër. Të rinon përsëri dhe pse vërtetë mund të jesh plakur në moshë. Si asnjëherë tjetër në çastin kur unë u ngjita në skenë, më rrihte zemra më fort. Nëse do krahasoj emocionet që kam pasur në fillimet e mia në teatër, pikërisht atëherë kur unë isha e paformuar profesionalisht, kjo forcë emocionesh u përjetua edhe tek “Streha e të harruarve”. Violeta Manushi, lindi në Korçë më 5 mars të vitit 1926. Hipi në skenën e Teatrit Popullor në vitin 1946, ku ka interpretuar mbi 100 role në teatër dhe mbi 30 role në kinematografi. Ku rolet i ka qëndisur me vërtetësinë dhe zhdërvjelltësinë, temperamentin e interpretimit. Për të s’ka pasur role të para, apo të dyta. Të gjithëve ua ka bërë yzmetin njësoj e në çdo rol ka shkëlqyer në interpretimin e saj. Jeta e saj ka qenë teatri e filmi. Ka luajtur në rolin episiodik në filmin ”Tana”, por dhe rolin kryesor “Ollgën”, tek filmi “Zonja nga qyteti”, ku ka shkëlqyer. Me këtë rol u nderua me medaljonin e dytë të filmit shqiptar. Po në lartësinë e duhur artistike ka qenë edhe në interpretimin e filmave të tjerë si ”Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Plagë të vjetra”, “Zemra që nuk plaken”, ”Përtej mureve të gurta”, “Një shoqe nga fshati”, ”Përse bien këto daulle”, e të tjerë. Jeta e saj ka qenë plot brenga e halle, por shpirtin ia kanë lehtësuar skena dhe sheshet e xhirimit. Shfletoj albumin në shtëpinë e saj e në dialogun me të mësoj për fshehtësitë e artit. “Që të ngjitesh në zenit duhet punë, punë dhe talent”. Ajo e zbuloi këtë fshehtësi dhe bëri t’u japë frymë dhjetra personazheve. E pas kaq vitesh kujton rininë e interpretimeve skenike.

– Ç’farë ndjesish provon artistja Violeta Manushi, ku pas kaq vitesh heshtjeje, ngjitet në skenë në Teatrin Kombëtar?

– U lidha me skenën qysh në moshë të re dhe nuk mund të shkëputem dot pa menduar dhe pa vuajtur për  skenën. Gjatë viteve të ndryshimit, u ndjeva e këputur. Mbas 13 viteve me regjisorin Kiço Londo mora pjesë në komedinë ”Profesjoni më i vjetër” në rolin e një prostitute që vdes në skenë nga varfëria. Më vonë mora pjesë në një dramë satirë të shkruar nga Ruzhdi Pulaha, i cili ia dha teatrit të Korçës. Ku rolin e gjyshes e kishte ndërtuar për mua. Drama u dha në festivalin e komedisë që zhvillohej për çdo vit në qytetin e Korçës, ku erdhën trupa teatrore nga Rumania, Bullgaria, Greqia, Maqedonia. Komedia jonë u vlerësua me çmim të parë. U dhanë tre kupa për regjisurën dhe interpretuesin e mori, aktorja Klaudeta Riza, ndërsa unë mora Kupën e Karrierës. Roli im ishte interesant. Një gjyshe që merrte pjesë në biseda politike, por duke u përgjigjur mbrapsht, sjell humor në skenë. Kjo shfaqje u mirëprit, kur mori pjesë në festivalin e Gjilanit në Kosovë dhe ku u vlerësua me çmim. Shfaqja u dha edhe në teatrin e Shkupit. Ndonëse ishte një kohë heshtjeje, por përsëri ndjeva frymëzim e vlerësim, u ndjeva si në ndjenjat e para…! Tashmë mora pjesë në pjesën e Ruzhdi Pulahës, “Streha e të Harruarve”, ku pata rolin e një nëne, e cila ka halle. I ka ikur vajza pa e pyetur me një shok që ka njohur, por ai e ka nxjerrë prostitutë. Ky personazh vjen në këtë strehë pas një pune të lodhshme. Çdo rol që kam luajtur, ka bërë të bie në dashuri me të…! Për hir të roleve kam sakrifikuar edhe nga jeta ime private. Shfaqja u dha me rastin e 60 vjetorit të Teatrit Kombëtar. Dhe vazhdon të jepet përsëri. Këto ditë do të marrim pjesë në Festivalin Teatror të komedisë që zhvillohet në Korçë, po me tragjedi-komedinë “Streha e të harruarve”, ku regjisor është mjeshtri i regjisurës shqiptare, Artist i Popullit, Mihallaq Luarasi. Jam e bindur që shfaqja do të pritet mirë. Kemi punuar me përgjegjësi, sepse kemi një jetë në këtë teatër dhe kjo shfaqje tregoi dashurinë që ka publiku për ne.

– Vite më parë ke luajtur në komedinë “Zonja nga qyteti”. Si e ke përjetuar rolin e Ollgës?

– Desha të them se kur shkrimtarët dhe dramaturgët shkruajnë për artistët, nderojnë veten dhe artistët. “Zonja nga qyteti”, është shkruar për mua. Unë s’e njihja fare Ruzhdi Pulahën, por një ditë e pashë të dilte nga radioja, ku aty punonte si gazetar, por që shkonte nëpër rrethe dhe ndiqte edhe problemet e gruas. Kishte ndjekur problemin e një nëne që shoqëronte vajzën e vetë në fshatin që e kishin çuar me punë. “Kam shkruar një komedi për një zonjë nga qyteti, por kjo do të vihet në skenë po e luajte ti rolin e zonjës”,- më thotë Ruzhdiu, “Mbasi tek kjo komedi jam mbështetur tek ti si figurë”, vijoi Ruzhdiu. Unë iu përgjigja se do ta punoj me respektin më të madh. E mora komedinë e lexova dhe të them të drejtën, rashë në dashuri me të. Nuk më ka ndodhur, që duke luajtur tjetër rol të mendoj për Ollgën. Po kjo ndodh se unë jam ndeshur me jetën, ku njoh karaktere të ndryshme. E duke marrë atë të veçantën e tyre, ndërtova atë Ollgën që u bë film.

– Ndonëse ke kaq vite në skenë dhe sheshet e xhirimit, ç’kujton nga fillesat drejt rrugës së artit?

– Kur u ngjita në skenë kam qenë 20 vjeç. Rinia ime është në kohën e Zogut. Meqenëse punoja tipografe që andej, u thirra për të luajtur teatër. Por, kuptoja se të punosh në një institucion të tillë duhet të kesh kulturë. Shumë gjëra më mungonin, por kishte artistë që vinin nga lëvizja amatore, si Loro Kovaçi e Pjetër Gjoka, por kishte edhe nga ata që kishin mbaruar shkollë, si Andon  Pano. Isha shumë e ndrojtur se jam rritur me varfëri të paparë. Ka pasur raste që kam ngrënë drekën me pak lakër dhe kripë. Babain e kam pasur furrxhi, por ishte tuberkular e s’mund të rrinte para flakës së zjarrit. Por, ne e mbanin të fshehur sëmundjen e tij se e largonin nga puna. Rastësia më nxori në skenë. Ishte viti 1945, kur po festohej “Një maji”. Artisti Gaqo Avrazi, drejtonte Ansamblin e Ushtrisë, por që do të luhej një dramë e shkurtër “Ankimi” e Viktor Eftimiut. Na morën nga tipografia 10 vajza. Unë s’ua mbusha syrin fare, sidomos regjisorit Sokrat Mio, i cili kishte mbaruar Akademinë e Arteve jashtë shtetit. Ai ia vuri syrin njërës prej vajzave, por ajo ishte shumë e ndruajtur. Edhe unë fshihesha prapa vajzave dhe thosha ishallah s’më provon mua të luaj…! Por, kur dola në skenë fillon tragjikomedia ime. S’kisha parë as film. Skena m’u duk si varrezë, sepse skenat atëherë i ndërtonin origjinale.

Ishte viti 1945. Dëgjova: “Shpejt profesor se ka ardhur qeveria…?!”. Unë sa dëgjova këto fjalë ia mbatha me vrap, por më kapën dhe më ulën me zor. Kur filloi të hapet perdja, duke bërë  kërr…, kërr, më bërtisnin fillo, fillo. Dhe unë hiç. Seit Boshnjaku, i cili luante rolin e qehajait i thanë…! Vepro…! Seiti më qëllon fort me kamxhik dhe unë u hodha përpjetë, se filloi të më dhembë shumë shpina nga kamxhiku e fillova të qaj nga dhembjet.

Por, për çudinë time salla durtrokiste. Pas mbarimit më kërkonin, por unë hodha shaminë e kokës në qoshe të skenës dhe dola. Ata më takuan dhe më uruan. Një vit të tërë më kërkuan për në teatër. Vëllai im Llambi Manushi ma mbushi mendjen. Më 1 prill të vitit 1946, fillova punën në Teatrin Kombëtar ku numëroj 100 role në teatër dhe 30 në kinematografi.

– Përse të pëlqen humori?

– Unë humorin e kam nga jeta. Humori del nga drama e personazhit. Unë kam luajtur në shumë drama e tragjedi, përveç komedive që janë tepër në natyrën time. Ka pasur raste që kam luajtur tre role në një dramë. Drama e parë ishte: “Nëna e tradhëtarit”. Them se dramën e kisha më të lehtë se komedinë. Në drama kam luajtur shumë nëna si Nicën apo Sofën.

– Humori a është gjini e vështirë?

– Kur autori e bie heroin në situata komike mendoj se s’duhet  humor për humor. Unë humorin e bie nga drama. Luaj me tërë pasionin e shpirtit tim.

 

– Çdo të thuash për partnerët e skenës apo të filmit?

– Unë nuk i dalloj miqtë e mi aktorë, si Sandër Prosin apo Naim Frashërin, tërë brezin tim që janë të admirueshëm, por dhe më tej si Robert Ndrenika. Kam luajtur me çdo brez aktorësh në bashkëpunim e në ngjitje edhe mirëkuptim.

 

– Vitet 1960–1970 në Teatrin Kombëtar ishte vështirë të gjeje bileta për të parë shfaqjet teatrore? Përse ndodhte kjo?

– Nuk gjeje bileta, sepse shfaqjet tona ishin të realizuara artistikisht. Ne punonim deri në katër të mëngjesit për realizimin e shfaqjeve. Dramaturgët tanë shkruanin e hidhnin me fuqi gjallërinë e kombit të tyre. Dramat tona si “Familja e peshkatarit”, “Lumi i vdekur”, “Karnavalet e Korçës”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, e të tjerë apo nga dramaturgjia e huaj, si “Hamleti”, “Otello”, “Orët e Kremlinit”, “Borgjezi fisnik”, “Arturo Ui”, pjesë këto nga më seriozet ku janë luajtur dhe në skenat europiane e botërore, ishin pjesë e repertorit të Teatrit tonë Kombëtar.

Përzgjedhja e pjesëve ishte tepër e rëndësishme nga këshilli artistik dhe drejtoria e teatrit. Përkushtimi i aktorëve ishte i jashtzakonshëm, sepse rrallë mund të dalin kolosë të artit teatror, si Loro Kovaçi, si Mihal Popi, Naim Frashëri, Kadri Roshi, Sandër Prosi, Prokop Mima, Sulejman Pitarka, Kujtim Spahivogli, Marie Logoreci, Margarita Xhepa, Lazër Filipi, Ndrek Luca e të tjerë.

 

– A do të vazhdojë të luaj në skenë dhe në sheshet e xhirimit artistja Manushi?

– Me kohë kam shfaqur dëshirën që të vdes në skenë. Kjo do të jetë nga ëndërrat e mia. Unë iu dhashë skenës, ku u lidha me të që në moshë të vogël. Mua shtëpi m’u bë skena, familja, kolektivi dhe fëmijë m’u bënë rolet e mia. Dua që shpirti të më mbetet në skenë, përpara atij publiku që më admiron.

 

Dhe pse 17 vitet kanë kaluar, që ajo nuk është mes hesh, nuk bindin as mua dhe askënd tjetër, se ajo nuk është e gjallë. I tillë ishte arti i saj në film dhe skenë!