Naxhi Kasoruho: Polifonia në qytetin e manxurasë dhe Kadaresë

51
Sigal

Naxhi Kasoruho

“Mjeshtër i Madh”

Ishin ditët e Festivalit të Gjirokastrës të këtij viti kur isha në qytetin e Gjirokastrës, në vendlindjen time të dashur e të shtrenjtë. Në pikën e floririt mbi malin e Gjerë. Në qytetin e manxurasë dhe Kadaresë. Në Perandorinë e gurit dhe shpirtit njerëzor. Në Gjirokastrën e Çerçiz Topullit që gjirokastritët fisnikë me shpenzimet e tyre i ngritën përmendoren e jashtëzakonshme në mes të sheshit kryesor të qytetit. Isha në qytetin e Aneve zemërbardha, të mirat, të thjeshtat deri në madhështi. Isha në Gjirokastrën që siç thotë Kadareja: “Duket sikur ka dalë në anë të udhës si një qënie prehistorike. Ishte në të vërtetë një qytet i çuditshëm”. Kisha botuar librin tim të fundit me titull “Zagoria e këngës” kushtuar trashëgimisë të kësaj krahine me vlerë në kulturën tonë kombëtare dhe mes miqsh zagoritë të nderuar, këngëtarë popullorë, kolegë e bashkëpunëtorë dhe gjirokastritë dashamirës të mij u mblodhëm për të promovuar këtë libër që në një farë mënyre mbyllte kolonën e librave të mi kushtuar të 5 trevave etno-muzikore të rrethit të Gjirokastrës siç janë librat: “ Gjirokastra e këngës”. “Labëri mbushur me këngë“, “Mes këngëve dhe valleve të Dropullit”, “Në thesaret e kulturës lunxhote” dhe “Zagoria e këngës”.

-Isha i prekur dhe i emocionuar për vlerësimin që ju bë librit dhe gjithë jetës artistike prandaj i  falenderova të gjithë dhe ju shpreha konsideratën time të lartë për gjithë artistët popullorë të kësaj krahine të këngës që korifej virtuozë si: Tefta Duda, Stavri Nase, Koço Llane, Sotir Mekshi, Jorgo Telo, Teli Stefani, Vasilika Mboqe, Thoma Stani etj., me zërat e tyre brilant kanë bërë të buçasin bedenat e kalasë historike dhe publiku artdashës i ngritur në këmbë i duartrokiste me respekt e dashuri. Kështu me respekt e dashuri u mbyll ky takim mbresëlënës, që do të ngelet gjatë në memorien time.

Së bashku me mua ishte edhe studiuesi i folklorit Gëzim Bara, i cili prezantoi librin “Në gjurët e folkut Arbëror” që flet për festivalet e Gjirokastrës. Libri u vlerësua pozitivisht nga referuesi Kristaq Shabani dhe pjesëmarrësit në takim. Dhe ja erdhi mbasditja dhe u ngjita për në kalanë historike për të ndjekur Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës 2023. E ngjita me emocion kalldrëmin nga Qafa e Pazarit deri në kalanë e festivalit dhe si një film dokumentar solla në përfytyrimin tim këtë rrugëtim ndoshta disa dhjetra metra, por që mua m’u duk kilometrik; rrugëtim që ka nisur 55 vjet më parë në vitin 1968 në 10 edicione të Festivalit Folklorik të Gjirokastrës. Ma ndërprisnin këtë përfytyrim takimet dhe përshëndetjet me gjirokastritë të shumtë,s që kisha kohë pa i parë dhe takuar dhe që me respekt dhe dashuri më shprehnin vlerësimin dhe konsideratën e tyre për vepritarinë time modeste artistike në dekadat e punës në Gjirokastër dhe sidomos në këto festivale si manifestime madhështore të promovimit të trashëgimisë tonë folklorike.

Në hapat që hidhja solla në mendje Lefter Çipën “Mjeshtër të Madh” “Nderi i Kombit”, poetin, princin e polifonisë, mjeshtrin e vargjeve të arta të dala nga shpirti artist e që i këndonin në kalanë e festivalit, gjigandët e polifonisë: Katina Bejleri, Dhimitër Rafti, Emrioni Mërkuri, Qiriako Bala, Vasillo Zapa duke na i lënë si testament dhe margaritar në gjerdanin e folkloristikës tonë për të na kujtuar se duhet ta ruajmë si sytë e ballit.

Sa për kujtesë po sjell disa vargje nga këngët e poetit Lefter Çipa:

1.“Këngët e Atdheut tim,/ Janë ilaç, janë shërim./ Vdeksha dhe prapë i ngritsha, Shokët në këngë i gjetsha.

2.-Tundu Bejkë e bardhë tundu/. Natën me hënë duku./ -Ç’u bë Naim këngëtari,/ O pena me flori larë!

3.-Bilbil i vendeve të mia. / -Nga kjo baltë e kësaj toke, Merr një grusht e shtrydhe fort,/ Pika gjaku do kullojë./ Kemi derdhur gjak me okë/ Ndaj lulëzon kjo tokë.

Në këto kujtime të dhimbshme mezi po i hidhja hapat në tetëpjetën e kalldrëmit që dekada më parë, ngjitesha me gëzim e padurim derisa të mbërrija në skenën e festivalit ku artistët popullorë të rrethit të Gjirokastrës do të paraqisnin koncertin e tyre, ku emocioni për mua ishte i papërshkruar.

Por ja që sot në festival jam ndryshe, si gjirokastrit dhe ish udhëheqës artistic, por që nuk mund të rrija pa qenë në sheshin e kalasë dhe të dëgjoja me vëmendje, emocion dhe vlerësim për gjithë artistët, që ngjiten në sofrën e këngës, në panteonin e promovimit të trashëgimisë tonë kombëtare, si vlerë e identitetit tonë kombëtar. E vazhdova këtë rrugëtim me një ndjesi të çuditshme. Më dukej sikur në krah kisha Lefter Çipën, polifonin e madh dhe kisha të drejtë që e përfytyroja kështu. Si mund të zhvillohej ky festival dhe të mos ishte aty njeriu i festivaleve, poeti i vargjeve lapidar, organizatori i grupeve polifonike të bregut, korifeu i polifonisë, që e quan atë: “Fosforinë“ dhe korifejtë e polifonisë  “Polifoni” dhe me Lefter Çipën, Princin e saj.

Tani që po shkruaj këto vargje po mendoj se mos ndoshta Lefter Çipën e quajmë ”Princ i polifonisë“ dhe jo “Mbret” pasi e meriton dhe është i veçantë dhe i papërsëritshëm. Por jo!Vetë Lefteri do të na përgjigjej se “mbreti është vetë polifonia. Ky margaritar i këngës shqiptare që mbrohet nga UNESCO e jo ne të tjerët.

Me këtë ndjesi po ngjitja këtë kalldrëm të tatëpjetë me Lefter Çipën në krah mbërrita në sheshin e kalasë së festivalit ku dritat e skenës dhe zhurma e publikut artdashës. që kishin mbushur këtë hapësirë më ndërprenë përfytyrimin, që më bëri të prekem dhe emocionohem dhe nuk di nëse ata që takoja i përmalluar më vunë re se më qenë njomur sytë. Eshtë hera e parë që Lefter Çipa në 10 edicione të Festivalit të Gjirokastrës nuk e ngjit në këtë kalldrëm karakteristik, të veçantë e të shtruar me gurë si një qilim ku ju kujtonte disa kujtime mbi 20.000 artistëve popullorë nga gjithë trojet shqiptare të Folkut Arbëror, ku hidhnin hapat e tyre në skenën magjike të Festivalit të Gjirokastrës, ku do të shpalosnin vlera të folkloristikës sonë.

Polifonia nuk e ka sot poetin, profesorin, polifonin e madh, shkrimtarin, studiuesin pasionant e të veçantë princin e saj prandaj isha i emocionuar dhe nuk po ambientohesha me skenën e kësaj mbrëmje se më ngatëroheshin mendimet dhe përfytyrimet, më ngatëroheshin epokat, ngjarjet, korifejtë dhe ndonëse isha në festivalin e vitit 2023 ku përfytyroja festivalin e vitit 1968 deri më 2015 dhe ndonëse në skenë kërcenin e këndonin vajzat e qarkut të Fierit unë kujtoja: Ndue Shytin, Laver Bariun, Vaçe Zelën, Mentor Xhemalin, Demir Zykon etj., dhe kohët kalonin njera tjetrën duke u pasqyruar në skenën e festivalit.

Kam shkruar shumë për Lefter Çipën e kam folur në takime dhe promovimet e librave të mi që për fat i kam promovuar në qytetin tim të dashur dhe të gjitha këto janë shumë pak për kontributin dhe vlerësimin e tij si: “Polifon e Madh”.

Prandaj këtë libër me studimet e mia për polifoninë si një nxënës i zellshëm dhe i vëmendshëm ia dedikoj profesorit tim Lefter Çipa, “Mjeshtrit të Madh” Princi i Polifonisë “Nderi i Kombit”, duke shprehur me gjithë dashurinë e shpirtit “Mos t’u harroftë kurrë kënga o Lefter Çipa i bregut”.