NASA: Janari i këtij viti thyen rekord, më i nxehti që prej 1880

620
Pasi 2015 u çertifikua zyrtarisht si viti më i nxehtë në tokë në 136 vitet e fundit, 2016 nis edhe më keq, duke regjistruar për muajin janar, një rekord të ri në termometër. Janari që sapo kaluam, sipas të dhënave të NASA-s, Administrata Kombëtare Aeronautikës dhe hapësinore, ishte më i nxehti që prej vitit 1880, që është edhe viti prej nga ku filluan të ruhen këto të dhëna.
Temperatura globale arriti në janar 1.13 gradë Celcius më shumë në krahasim me mesataren e viteve 1951-1980, që është edhe parametri i përdorur nga agjencia amerikane, që mat trendin e temperaturave.
Në fakt, temperatura globale sipas NASA, ka nisur të rritet me nga një gradë që nga muaji tetor, më pas nëntor dhe dhjetor.
Për të vendosur këtë rekord të ri botëror, ka kontribuar edhe fenomeni natyror periodik El Nino, që ngroh ujërat në Paqësor.
Për Stefan Rahmstorf, kërkues në Institutin Potsdam, El Nino mund ta rrisë termometrin me 0.2 gradë maksimumi ndaj dhe pjesa tjetër e rritjes së temperaturave në këtë nivel rekord i dedikohet tërësisht ngrohjes klimaterike.
Eksperti shpjegon ndër të tjera se trendi i ngrohjes do të vazhdojë edhe përgjatë 2016, duke parashikuar një vit relativisht të thatë dhe të nxehtë.
NASA edhe më herët ka paralajmëruar se efektet e El Nino do të jenë po aq të këqija sa në vitin 1998, më i forti i regjistruar në histori, që shkaktoi kaos në sistemet botërore të motit. El Nino ndodh çdo dy deri në 7 vjet.
Muajt e fundit El Nino ka shkaktuar disa nga përmbytjet më të rënda në 50 vite në Paraguaj, Argjentinë, Uruguaj dhe Brazil dhe Britaninë e Madhe. Ndërsa në Europë, El Nino ka sjellë e do të vazhdojë edhe përgjatë 2016 të sjellë mot të ngrohtë dhe të thatë.
Sigal