Muzeu Arkeologjik i Durrësit , vlerë e shtuar e qytetit bregdetar

3078
Muzeu Arkeologjik i Durrësit është rikthyer në një ndër destinacionet më të vizituara dhe frekuentuara së fundmi jo vetëm nga qytetarët durrsakë, por edhe nga turistë të shumtë nga vendi dhe jo vetëm, të cilët kanë filluar të shfaqin një interes në rritje për institucionet e trashëgimisë.
Muzeu i hapur që prej 13 marsit të vitit 1951, pasi është gjallëruar edhe më shumë nga zhvillimi i Festivalit të Muzikës së Vjetër “Vox Baroque”( 2 korrik deri 12 ), së fundmi është vizituar edhe nga vizitorë të veçantë.
Vetë Presidenti i Parlamentit Europian Martin Schulz, gjatë vizitës së tijë në vendin tonë, një pjesë të kohës së tij ai ja ka dedikuar edhe qytetit të Durrësit dhe veçanërisht Trashëgimisë së tij të pasur kulturore e cila pasyrohet edhe në Muzeun Arkeologjik të qytetit.
Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Durrës ka publikuar së fundmi disa fotografi të vizitës së realizuar nga Presidenti i Parlamentit Europian Martin Schulz në Muzeun Arkeologjik të Durrësit.
Në shoqërinë e Ministres së Integrimit Klajda Gjosha, Martin Schulz është pritur në këtë vizitë nga Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, dhe Drejtori i DRKK Durrës, Ledion Lako.
DRKK Durrës bën me dije se zoti Schulz gjatë vizitës së tijë në muze, shfaqi një interes të veçantë për koleksionet e rralla të këtij muzeu dhe për vlerat historike të qytetit që dëshmohen në këtë Muze.Sakaq vizita e Schulz në qytet vazhdoi përgjatë shëtitores Taulantia dhe përfundoi tek Sfinksi, i cili në atë orë ishte i mbushur me qytetarë dhe vizitorë të shumtë.
Muzeu Arkeologjik është një nga krenaritë e qytetit të Durrësit. I ndërtuar mbi bazën e një projekti të hartuar që në vitin 1982, ai është dëshmitar i veprimtarisë së një plejade të shquar arkeologësh, që drejtoheshin me pasion dhe kompetencë nga bashkëpunëtori i vjetër shkencor Vangjel Toçi.
Ishte meritë e arkeologut të shquar Toçi, krijimi i këtij muzeu në vitin 1951, e më pas edhe zbulimi i monumenteve të njohura, si: amfiteatri antik (1966), termat romake (1963), mozaiku “Bukuroshja e Durrësit” (1959) dhe ai i hipokampit (1947), e plot monumente të tjera në qendër dhe në periferi të qytetit. Një pjesë e objekteve arkeologjike, që u vendosën fillimisht në eksponatet e muzeut të vjetër, në vilën pranë shëtitores “Taulantia”, u zhvendosën në vitin 2002 në muzeun e ri arkeologjik, që u ndërtua vetëm 200 metra më në veri, në të njëjtën rrugë. Vetëm në katin e parë të godinës ndodhen rreth 2 100 objekte që i përkasin periudhës para themelimit të qytetit deri në shekullin e 4 të erës sonë.

Një projekt që zgjati gati 20 vjet dhe që më në fund i dha qytetit antik atë që meritonte prej kohësh: një hapësirë muzeale për ekspozimin e qindra e mijëra objekteve, dëshmi e një trashëgimie të pasur kulturore, sociale dhe ekonomike të papndërprerë në shekuj. Sidoqoftë projektet për rivitalizimin e katit të dytë dhe të tretë, ku duhet të vendoseshëin të gjitha objektet e zbuluara dhe që datojnë në periudhën mesjetare vazhdojnë të mbesin në sirtarët e institucioneve të monumenteve e të arkeologjisë në Tiranë.
Muzeu Arkeologjik i Durrësit dhe amfiteatri antik janë dy nga pikat më të vizituara të Durrësit, qendra të rëndësishme të turizmit historik dhe tepër të vlerësuar nga specialistët e huaj.
Një vemendje më e madhe ndaj këtyre burimeve të rëndësishme për qytetin do t’i kishte dhënë muzeut dhe objekteve të tjera historike dhe arkeologjike në Durrës shifra të larta vizitorësh, njëlloj si Muzeu Historik Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Krujë, i cili çdo vit mikpret rreth 100 mijë vizitorë.Qytetarët do të presin përsëri përfundimin e odisesë dyvjeçare të ndërtimit, me shpresën që muzeu të bëhet funksional sa më parë.
Sigal