Merita Gruda: Mendime pa bojë mbi një “Vulë”

Romani i fundit i Marash Mirashit, “Vula”, endet në të njajtin shtrat me romanin pararendës të tij, “Brirët”, ndonëse në ujna të ndryshme. Shtrati asht sarkazma artistike, kurse ujnat që rrjedhin në të, burojnë herë nga e majta e herë nga e djathta e marrëzisë politike të çerekut të parë shekullit XXI. Nëse më duhet të kërkoj në letrat shqipe dhe të gjej vepra të denja për t’u krahasu me këto dy romane, gjithnji brenda sarkazmës apo humorit të zi, kujtesa ime prej lexuesi ndalet vetëm te: “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, “Fshati midis ujrave”, “Secili çmendet sipas mënyrës së vet” si dhe ndonjë vepër tjetër e Ali Asllanit, Kutelit, Dionis Bubanit, Paulin Selimit e ndonjë tjetri.

“Vula” asht një realitet absurd në republikën e Absurdisë apo Absurdistanit ma mirë, që po studiohet si precedent psiko-historik, diku andej nga viti 2075. Neologjizma të tilla si “Administrata e Ëndrrave Politike”, “Komisioni i Vlerësimit të Ëndrrave të Bukura”, apo “Arkiva e Ënrrave të Vulosura” të fusin menjëherë në shtratin sarkastik për ku na udhëheq autori, tue na përgaditë për humorin e hollë që do të rrëshqasë bashkë me ujin e politikës së absurdit, i cili, kësaj rradhe, rrjedh nga e djathta e qelizës stërmadhe kanceroze të Absurdilandit. Intriguese asht edhe përzgjedhja e emnave të personazheve, krahas Julit e Doktorit, na përshfaqen edhe tipa të tjerë si Bruksel Gozhita, Mevlan Mbyllëçelsi, Baz Gardhi, Sul Moka, Blind Kuku, Kryefaktnbledhsi, Niko Leci, Dhëndrri Presidencial, Rrok Kaçinari, Von Sazan Stone, apo analistët Armend Shijaku e Andi Bërdica (i cili mund të kishte mbiemër edhe Balldrenin apo Barbullushin, por kurrsesi Bushatin), apo edhe gazetari tjetër Haxhi Buzhala, si dhe moderatorët Çun Hasi e Star Kolonja (Unë personalisht, po zgjedh të mos i përmend në këtë analizë stigmat femnore, për arsyen e theshtë, pse ato mashkulloret dalin e teprojnë). E njëjta gja mund të thuhet edhe për toponimet si fshati Çyryk, Gullumburda apo stadium “Air Absurdia”, deri te neologjizmat e tjera si “Njësia e zhurmës” apo “Shtabi i Zërave të Revoltës”.

NOA

Gjatë leximit të librit, të ngulitet si gozhdë në tru aksioma: “Shiu i Ballkanit gjithnjë i çuditshëm…” e vetmja qasje që të lejon me pranu realitetin e këtij libri si racional; kurse aksioma tjetër gazetareske: “Ja si një republikë humbi logjikën për të ruajtur metaforën” na fton që të ndjehemi ma rehat me racionalitetin e humbun, derisa mbërrijmë kulmin e fantashkencës me thirrjen: “Europa na sheh”. Tim David na vjen një kujtim i largët që nga sarkazma e “Brirëve”, për me na ballafaqu me ftohtësinë ironike europiane, e cila fatkeqësisht, asht qasja e tyne e vetme serioze, ndaj këtij bregu absurd të Adriatikut. Sarkazma nuk kursen as mediat eropiane me tituj prestigjozë si “Le Moldë” apo “The Gargarian”, “El Pajisje”, “Corriere dela Sigillo”, “Der Sprejgel”, apo kur Gazeta “Neë York Times” shpallet zyrtarisht si letër higjenike, ndonëse kjo e fundit nuk asht tamam stilemë sarkastike autoriale, por budallallëk real i lidershipit provincial të Albanistanit. Në skenë dalin edhe Noizy e Stresi, si për me na tregu se tallavaja dhe top folku janë karakteristikë bazë e liderit karizmatik, i cili nuk nguron të hedhë në skenë armët e tij sekrete: “Zvarritësi i Lezhës” dhe “Topuzi i shenjtë i Zgërdheshit”. Lind nevoja edhe për Memoris Gjusin, Egzit Polloshnjen dhe Jeniçer Vakian e Rrushbullit, për me e plotësu arsenalin e Muzeut të Gabimeve Kombëtare. Ironia asht tharmi që e mban gjallë subjektin, jo dhe aq i panjoftun e lexuesit të kësaj kohe, por që me ngyrat e reja që i jep autori, ta ka kanda me i përjetu edhe një herë këto marina kolektive. Hipokrizia përhapet si sëmundje ngjitëse, derisa një prej aktorëve në një akt dhune dhe qesharak në të njajtën kohë, këlthet: “Jam pseudonim”, në një përpjekje të dëshpërueme me mshefë ftyrën e vet. Si për me na zgju nga një andërr e keqe, vjen një za fmije që na thotë pa djallëzi: “Po vula a ka frikë natën?”

Në fund ironia përfshin edhe trupat diplomatike të vendeve të Bashkimit European, me gjetje autoriale të tilla si: “Ambasadat e Rrogozhinës e Rraboshtës”, “Pricipata e Ishullit të Sazanit”, apo “Vatikani Ballkanik”, sarkazëm, e cila kulmon me fjalimin e ambasadores së BE, Marta Hatsberger, e cila proklamon:

“Ne, përfaqësuesit e katër qendrave të mençurisë së përvuajtur të Komonuelthit të Republikave Retorike dhe Flamujve prej Najloni, të ndjeshëm ndaj çdo dridhjeje që trondit fijet e shpresës, të shqetësuar nga shndërrimi i një Vule në simbol të luftës për përjashtim, të brengosur që selia është kthyer në një Trojë ku të dy palët kanë zgjedhur të jenë Akili pa ndonjë Hektor, kërkojmë me përulësi dhe vendosmëri:

  1. Të ndalet menjëherë çdo akt armiqësor që dëmton jo vetëm muret, por edhe metaforat mbi të cilat ngrihet demokracia.
  2. Të shpallet një armëpushim, i bekuar nga heshtja e urtësisë dhe jo nga zhurma e opinionit.
  3. Vula të vihet nën kujdesin e një trupe të përbashkët shpirtërore, ku të përfaqësohen të gjitha palët, edhe ato që nuk luftojnë.

Turma shqiptaro-europiane, pasi konsumon pak pilaf konsensual dhe tradhëtarët arrestohen në “Bar Alibia”, gjuhtari absurdolog Pal Karadushi nis katalogimin armëve simbolike të “Luftës për Vulën”, një Zog rrëmben Vulën, Julit i mbetet glasa në një parkimi nëntoksor të një pallati shumkatësh, kurse Doktori nis të flasë me Zogj, ndonëse nuk asht çmendë ende plotësisht dhe, si përfundim, triumfues asht sërish Lideri Suprem, nga republika fqinje e Babzilandit. Këto dhe shumë atmosfera të tjera sarkastike do t’i gjeni të përshfaquna në kët libër që lexohet lehtë, tue ta mbajtë gjallë imagjinatën e tuj na i dhanë krahë fantazisë pa frena. Në faqen e fundit të librit, mue si lexues, me buzët e ngrime si statujë, seç më kujtohet një thanie latine: “Qeshem se nuk mundem me kja”.