Mehmet Latifi/ Aleksandër Stipçeviç, yll i pashuar i ilirologjisë

670
Akademik Aleksandër Stipçeviçi, është i mirënjohur në mbarë botën si ilirologu më i madh i gjallë, arkeolog, albanolog, ballkanolog, bibliotekist, etj, i cili tërë jetën e tij është marrë dhe vazhdon të merret (krahas veprimtarive të tjera) me etnogjenezën, prejardhjen e shqiptarëve, si pasardhës të pellazgo-ilirëve. Në këtë fushë, me studimet e tij të pamposhtura deri më tani, ai ka lënë dëshmi të mjaftuara në gjurmët e pashlyeshme të shqiptarëve si pasardhës të pellazgo-ilirëve. Ky shkencëtar, akademik 79 vjeçar, (i lindur më vitin 1930), edhe sot e kësaj dite nuk ka të ndalur në thellimin e etnogjenezës shqiptare. Akademik Aleksandër Stipçeviçi, ka qenë mentor i 96 studentëve, 34 herë ka qenë mentor për master dhe 4 herë për doktoraturë. Është shembull unikal i mbajtjes së shënimeve, që nënkupton se është një model se si duhet të punohet. Akademik Aleksandër Stipçeviçi ka dhënë kontribut të pashlyer në zhvillimin e disa disiplinave shkencore jo vetëm në Kroaci, Kosovë e Shqipëri, por edhe më gjerë, duke qenë personalitet me një diapazon të gjerë, me karakter të shkencëtarit të madh dhe të pa kompromis. Vazhdimisht ka qenë në shënjestër të strukturave e shërbimeve sekrete të MPB-së, UDB-së famëkeqe, që nënkupton shërbimeve të sigurimit, vëzhgimit dhe survejimit, por ai, me formatin e tij të madh prej shkencëtari, me urtësinë që ia kanë zili shumë individë e popuj të tjerë, nuk u nënshtrua dhe nuk u përul trysnive e shantazheve të ushtruara ndaj tij. Këtë nuk e bëri as në vitin 1987, kur publikisht dhe haptas u akuzua për teorinë që ai përfaqëson për ilirët dhe etnogjenezën e shqiptarëve, duke e quajtur si bashkë-ideolog të “kundërrevolucionit” në Kosovë, bashkë me Ali Hadrin. Ai edhe atëherë qëndroi, por edhe sot qëndron stoik, krenar, dhe me plot dinjitet e mbron atë që ka mbrojtur gjatë mbi gjysmë shekulli të punës së tij shkencore, kërkimore e studimore për ilirët dhe shqiptarët. Të paktë janë të tillë.
Libri “Kultura tradicionale e arbëneshëve të Zarës”
Libri i tij i fundit, libri më i ri prej 450 faqe, “Kultura tradicionale e arbëreshëve të Zarës”, botuar nga shtëpia botuese “Ibis grafika d.o.o” në Zagreb dhe e ndihmuar nga Ministria e Kulturës, Ministria e Arsimit të Kroacisë dhe Unioni i Bashkësisë së Shqiptarëve në Kroaci- përmes tre kapitujve të mëdhenj, sjell përshkrim të shterur deri në fund të jetës dhe traditës së arbëreshëve të Zarës. 
Kapitulli i parë flet për jetën dhe traditën e arbëreshëve të Zarës, ku autori, edhe vetë arbëresh në mënyrë të përkryer na flet për jetën dhe traditën familjare të arbëreshëve, për muzikën, vallet, sportin, karnevalin si dhe për gjuhën-të folmen e arbëreshëve të Zarës. 
Në kapitullin e dytë, bëhet fjalë për besimet popullore, ku flitet për të ndjerët, për varret dhe varrezat, për kafshët e llojllojshme, për botën e amshueshme, (botën dhe jetën pas vdekjes), për ekzorcizmin (përbetueshmërinë), zotimet-përgjërimet, ose edhe për disa simbolizma. 
Në kapitullin e tretë, në mënyrë të shkurtër flet për letërsinë popullore, duke sjell një pasqyrë të këngëve nga ato fetare, nëpërmjet këngëve të dasmave-krushqive, deri tek ato të luftës. Po ashtu, aty janë edhe disa tregime, anekdota dhe tregime për jetën si dhe fjalët e urta që janë përdorur dhe përdoren në komunitetin e arbëreshëve të Zarës. 
Në parathënien e këtij libri, recensentë të cilit janë Akademik prof. Dr.Radosllav Katiçiq dhe prof.Dr. Zef Mirdita, Akademik Katiçiqi thotë: “Lexuesi duhet të jetë i vetëdijshëm se ka në dorë dhe është duke shfletuar një libër të veçantë. Aleksandër Stipçeviçi, dhe libri i tij ”Kultura tradicionale e arbëreshëve të Zarës” (Tradicijska kultura zadarskih Arbanasa), në bibliografinë tonë ka vend të posaçëm. Vite me radhë, në heshtje i ishte përkushtuar hulumtimeve, grumbullimeve-mbledhjes së informacioneve nga treguesit, rrëfyesit besnikë të traditës, me të cilat ai ka pas qasje më të besuar dhe të verifikuar, për dallim nga të tjerët. Kanë qenë vendasit, komshinjtë, miqtë familjarë që kanë ndihmuar. Libri i tij është vepër shkencore, shumë fortë e ndërtuar dhe monografi e shkruar me mjeshtri, mbi dukuritë e veçanta të arbëreshëve të Zarës, grupit etnik që banojnë në vendbanimin shumë afër Zarës, të cilët e kanë ruajtur gjatë gati tre shekujve (300 vjet) veçoritë e theksuara të tyre. Mbi këto të dhëna fundamentale, thelbësore dhe të besueshme, Aleksandër Stipçeviç, hap pas hapi, me një durim të pa përshkruar, ndërton fotografinë e kulturës tradicionale të arbëreshëve të Zarës, që është mbresëlënëse dhe e bindshme. Ajo është gjithnjë e ngrohtë dhe e gjallë. Ashtu, në atë mënyrë, ai na i tregon këto dukuri interesante dhe specifike, që deri më tani ka mbetur në pakujdesi dhe e panjohur, ndërsa paraqet pjesën shumë të rëndësishme përbërëse të kulturës kroate, po aq të rëndësishme sa edhe kontinuiteti i traditës etnike shqiptare”, përfundon Akademik Katiçiqi… Ndërkaq, kryetari aktual i komunës së Zarës, (asokohe ministër i Transportit e Lidhjeve) Bozhidar Kallmeta, po ashtu arbëresh nga Zara, lidhur me këtë ka thënë: Kur është fjalë për librin “Kultura tradicionale e arbëreshëve të Zarës”, fjala është për një libër të cilën duhet që çdo arbëresh ta ketë në vitrinën e vet krahas Biblës”.
Aleksandër Stipçeviçi: 
JAM PASARDHËS I 
MBRETËRESHËS TEUTA
Gjatë vizitave dhe qëndrimeve në Zagreb të Kroacisë, vazhdimisht kam përfituar nga rasti, për të intervistuar arkeologun, ilirologon, ballkanologun, historianin, eruditin, akademikun prof. Dr. Aleksandër Stipçeviqin, duke e shkëputur për pak kohë nga puna e tij e përditshme studimore, shkencore e krijuese. Pa dyshim se konsiderohet një ndër shtyllat kurrizore të shkencës në arkeologji. Konsiderohet ilirologu më i madh i gjallë. Duke përfituar nga afërsia, miqësia dhe raportet që kemi mes veti, ai pa hezitim pranoi të deklarohet rreth shumë problemeve që trajtuam. Jam pasardhës i Mbretëreshës Teuta dhe kam së paku një pikë të vogël gjak të Mbretëreshës Teuta, shprehet ai. Mua shpesh më kanë pyetur nëse ka të bëjë diçka të përbashkët me prejardhjen time ilire, respektivisht shqiptare, që unë merrem me ilirët. Unë gjithnjë me të qeshur, kamë thënë se po, gjithsesi ka lidhje, sepse unë jam i sigurt se jam pasardhës i drejtpërdrejtë i Mbretëreshës Teuta. Këtë e kam thënë me humor e edhe tani e them me humor, sepse mbretërit dhe mbretëreshat kanë pas gjithnjë shumë fëmijë, e ata fëmijë kanë pas shumë fëmijë të tjerë… Ndërsa unë jam me prejardhje pikërisht nga ato vise, ku ka jetuar dhe sunduar Mbretëresha Teuta.
Sigal