Maksim Tufa: Monumentet e Kulturës, kthehen në “shtëpi” për endacakët dhe në “kolibe” për qentë e rrugës

496
Sigal

Ministria e
Kulturës ka braktisur vlerat kombëtare, financon gjysmë milioni dollarë për
lyerjen e “Shtëpisë me gjethe”

 

 

Pavarësisht se është propaganduar me bujë edhe
përgjatë vitit 2016 për “investime nga qeveria në ruajtjen dhe konservimin e
monumenteve të kulturës dhe trashëgimisë”, duket se faktet në pothuajse të
gjitha rrethet e vendit flasin ndryshe. Kalatë, shtëpitë shekullore apo edhe
400 vjeçare të klasifikuara “Muze dhe Monumente të Kulturës” me mbishkrimin
“Mbrohet nga Shteti”,  bazilika dhe
objekte të tjera shekullore, janë kthyer në vende ku sot strehohen qentë e
rrugës dhe të braktisurit e mjerë, madje edhe ata që janë larguar nga spitalet
. Kudo do të shikosh dhe të prekësh nga afër realitetin e dhimbshëm të
monumenteve të trashëgimisë kulturore, të lëna në harresën e qëllimshme nga
qeveria, dhe veçanërisht nga Ministria e Kulturës. Pothuajse në të gjitha
qytetet e vendit, ambientet e këtyre monumenteve e të trashëgimisë kulturore
janë kthyer në vende, ku vështirë se mund të kalosh për t’u futur brenda tyre
nga perdet e merimangave, ferrave, objekteve pa leje, kopeve të qenve, dhe
natyrisht ato nuk mund të mbeteshin pa u mbushur edhe me “shtëpiza” kartoni nga
të braktisurit të mbetur pa banesë. Në Peqin, Elbasan, Berat, Gjirokastër,
Korçë, Vlorë, dhe deri në Ersekë, pra edhe në qytete të vogla, ku ndodhen të
arkivuara  në inventarë vetëm në dosje
monumentet e kulturës, ka ndodhur dhe po ndodh shkatërrimi vlerave tona
historike dhe kulturore. Në të gjithë vendin numërohen rreth 3016 monumente
kulturore të arkivuara në dosjet e Ministrisë Kulturës, duke nisur nga kalatë e
qyteteve tona shekullore, tek rrënojat e kështjellave, e duke mbaruar tek
banesat 300-400 apo edhe 450 vjeçare, të cilat nuk i shkatërroi as koha, as
tërmetet, as luftërat botërore, as koha e socializmit, por po i  rrënon nga themelet qeverisja e 26 viteve të
fundit. Në monumentet e kulturës, të cilat prej 11 vitesh dhe veçanërisht në 4
vitet e fundit nuk investohet as për lyerjen e tyre me gëlqere, kanë nisur të
banojnë qentë e rrugës, kanë nisur të ngrenë banesat e tyre prej kartoni
persona të mbetur pa shtëpi, persona të braktisur, të sëmurë mendorë, dhe që
nuk kanë asnjë ndihmë morale, financiare dhe materiale nga shteti. Disa prej
atyre që mund të quhen “përgjegjës” fiktivë, të degëve të Monumenteve të
Kulturës në rrethe, dhe që varen direkt nga DPMK nën varësi të Ministrisë së
Kulturës, shprehen nën zë se “kemi nja 4
vjet që nuk marrim para as për t’i lyer ambientet e dhomave dhe banesave muze
me gëlqere, nuk marrin asnjë qindarkë për të suvatuar apo ngjitur asnjë tullë
të shkëputur, objektet e inventarit po shkatërrohen, na premtojnë dhe na
mashtrojnë, pastaj na kërcënojnë të mos flasim, ndërkohë që gjendja e tyre sa
vjen dhe degradohet, muret, çatitë, po shemben nën rrëketë e shirave, sepse
janë amortizuar. Investimet realisht mungojnë prej 26 vitesh, ndryshe nga çfarë
ndodhte në kohën e Enverit, kur jepeshin fonde të posaçme çdo vit, dhe mbahej
përgjegjësi penale kur gërvishtej një pllakë e shtruar 300 vjet apo 400 vjet më
parë, kurse sot po shemben godinat nga heshtja e drejtuesve të papërgjegjshëm
dhe të lidhur me afera korruptive
”. Situata në të cilën gjenden sot
pothuajse në të gjithë vendin  monumentet
e kulturës dhe trashëgimisë kombëtare, duket, se ka prapavija të dukshme
korruptive, por edhe antishqiptare. E para është e njohur, sepse lihen
qëllimisht për t’u degraduar deri në shembje nga kushtet atmosferike, për t’u
kthyer në sheshe ndërtimi për pallate dhe objekte të tjera fitimprurëse, kur e
dyta mbetet e hershme, pasi njihet botërisht tendenca e qarqeve antishqiptare
për të fshirë nga sipërfaqja e tokës, gjithçka që tregon ekzistencën e të
parëve tanë. Mungesa e investimeve, madje mungesa e lëvrimit  të disa qindra mijëra lekëve për lyerjet ‘
apo suvatimet e tyre nga dëmtimet atmosferike dhe dhënia e milionave për orgji
dhe shpërblime të tjera pa asnjë dobi, tregon se Ministria e Kulturës, jo vetëm
nuk e njeh situatën e monumenteve të kulturës në shkallë vendi, por ajo me
dashje po i degradon ato për të realizuar një plan, ndoshta një dëshirë apo një
pretendim të papritur sa korruptiv aq edhe dashakeqës. Profesorët e historisë
që japin leksione në universitetet tona publike, kanë vite që apelojnë për
mirëmbajtjen e monumenteve të kulturës, madje edhe të atyre që kanë mbetur si
themele të tyre, deri në zonat e thella. Nuk ka fshat dhe zona të banuara në
çdo qytet të vendit, ku nuk mund të gjejmë gjurmë të monumenteve të kulturës,
gjurmë të lashtësisë së hershme, Mesjetës dhe që prej vitesh janë kthyer në
sheshe ndërtimi, stalla, apo kullota për bagëtitë, duke varrosur me dashje
vlera të çmuara të shqiptarëve.